Mendime
Albert Zholi: Gëzim Tushi - Emigracioni ka sjellë një thyerje të raporteve familjare
E shtune, 06.04.2024, 07:50 PM
Flet “Mjeshtri i Madh” Gëzim Tushi:
Adhurimi
i familjes nuk është konservatorizëm, por konsiderohet i tillë…
Sot
në familjet shqiptare kanë humbur shumë tradita, zakone, janë ftohur lidhjet e
gjakut dhe “pasionet fisnore” të dikurshme
-Emigracioni
ka sjellë një thyerje të raporteve familjare për shkak të largësisë
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Diskutimet dhe shqetësimet për situatën
e familjes shqiptare kohët e fundit janë shtuar me intensitet të veçantë.
Ndoshta si kurrë më parë, për shkak të zhvillimeve kaotike që ka sjellë jeta
moderne, kanë ndodhur dhe vazhdojnë me intensitet të lartë social zhvillime të
forta tronditëse, ontologjike dhe strukturore brenda familjes shqiptare. Brenda
tre dekadave të fillimit të epokës së shoqërisë moderne në Shqipëri, kanë
ndryshuar dukshëm familja si tipologji dhe strukturë themelore e intimitetit
dhe bazë e organizimit të jetës sociale. Tashmë në mënyrë evidente dallohet se
në familjen tonë janë cënuar paradigmat konservatore e paternaliste, tabutë e
vjetra, format arkaike të ndërtimit të raporteve relacionale tradicionale midis
pjesëtarëve të saj.
-Sot flitet shumë për familjen.
Diskutimet në panelet televizive apo shkrimet e ndryshme në media tregojnë
problemet e saj. Por megjithatë mund të thuhet se famailja shqiptare është në
krizë. Kryesisht
në vitet ‘90 kemi pasur 9 divorce për çdo 100 martesa, ndërsa vitet e fundit
statistikat e zgjidhjeve të martesave janë shumë të larta, shkojnë 24-26% për
çdo 100 martesa. Besoj një fenomen shqetësues?
Liberalizimi dhe prirja individualiste e jetës është
reflektuar në tronditjen e skemave vertikale të autoritetit dhe autoritarizmit
maskilist. Kanë ndryshuar raportet midis burrave dhe grave, midis brezave,
parimet e ndryshkura të prindërimit arkaik dhe në përgjithësi e tërë struktura
e lidhjeve sociale e “marrëdhënieve disiplinore”, format e lidhjeve intime të
ndërtuara nga njerëzit brenda familjes së tyre. Ato janë transformime me
përmasa madhore, me efekte të thella konceptuale dhe strukturore, që jo vetëm
brenda saj kanë sjellë probleme, por që ndihen të fuqishme edhe në jetën e
përbashkët sociale, në ndryshimin e dukshëm të “sistemit të vlerave” dhe në
nxitjen e një procesi social kombëtar, që po ndikon në rivlerësimin dhe
ridimensionimin e raporteve tradicionale dhe të rolit të familjes në shoqërinë
moderne shqiptare. Padyshim, kjo situatë e re e ndryshuar thelbësisht ka bërë
që jo vetëm në gjirin e familjes, por dhe në terrenin e gjërë social të
shoqërisë shqiptare, të shfaqen në mënyrë të detyruar, por përgjithësisht në
formë të pastrukturuar, të parregullt ose shumë herë për ekzibicion social
formal “postmodern”, shumë fenomene në formën e shqetësimeve, kontradiktave,
konflikteve të sintetizuara në probleme komplekse me natyrë ekonomike,
psikologjike, komunikative dhe paqartësi shpirtërore. Momentalisht megjithë
turbulencat e dukshme, është epërsi sociale që në përgjithësi familja shqiptare
është konsistente dhe vazhdon të jetë strukturë me autoritet social të
admirueshëm. Nuk është pak që në shoqërinë tonë megjithë të metat dhe problemet
që lidhen me proceset e individualizimit, modernizimit, liberalizimit dhe
demokratizimit (procese të natyrshme dhe endemike të evolucionit të brendhshëm
të saj) ajo ka qënë dhe mbetet institucioni tradicional më me peshë, mënyra
themelore e organizimit të jetës intime dhe formacion fondamental bazë i
organizimit të jetës sociale. Megjithatë nuk do të ishim realistë nëse nuk
pranojmë ekzistencën e disa patologjive të berndshme, që tani nuk janë metaforë
mjekësore, por realitete që janë kthyer në “acide gërryese” për rolin dhe
funksionet e tronditura të saj.
-Janë shumë faktorë që kanë sjellë
tronditjen e familjes shqiptare. Kush është një ndër to nga më kryesoret?
Dhuna në familje, konflikte të zgjeruara për motive thelbësore
dhe banale, konfliktet bashkëshortore dhe niveli në rritje i divorceve, niveli
në rënie i “kuotave të prindërimit” dhe konfliktet e zgjeruara midis prindërve
dhe fëmijëve, vrasjet dhe vetëvrasje për xhelozi apo konfliktet të sjelljes
bashkohore dhe përplasjes së tyre me kornizat e vjetra morale të shoqërisë
maskiliste, patriarkale, paternaliste e autoritariste, janë probleme koherente,
esenciale dhe ekzistenciale, me natyrë sociologjike e kulturore formale dhe
thelbësore, strukturore dhe funksionale. Këto dhe shumë dukuri të tjera
komplementare, janë bërë vërtet shqetësuese. Në vlerësimin tim dhe duke
diagnostikuar shëndetin e familjes aktuale shqiptare, më duket se ajo është
ende në kapërxyell apo në tranzicion. Kjo do të thotë se në mënyrë të natyrshme
është në situatë ndryshimesh strukturore e materiale por dhe përballur ashpër
me paqartësi konceptuale, për pasojë është bërë një “qelizë sociale” ku
gjithnjë e më tepër grumbullohen shumë probleme, zhvillohen konflikte,
kontradikta të zgjeruara më natyrë interpersonale në marrëdhëniet midis
pjestarëve të saj. Por ka një shqetësim që duhet evidentuar. Kohët e fundit
situata në familjen shqiptare rurale, urbane apo rurale, metropolitane,
tradicionale, etike apo “dinastike” qoftë, është bërë akoma më e agravuar.
Shqetësimi në këtë rast është me natyrë të gjërë sociale, nga që në familjen
shqiptare po akumulohen veç problemeve funksionale, strukturore edhe çështje të
tjera me natyrë kulturore dhe edukative, që përgjithësisht kanë impakt në
sjelljen sociale dhe ontologjinë e përgjithshme të jetës dhe shëndetit të
shoqërisë tonë. Ndërkaq, veç problemeve të shumta sociale me natyrë “mishtore
dhe “shpirtërore”, që zhvillohen në raportet e “ndryshuara” të fenomenologjisë
së jetës intime midis pjestarëve brenda saj (martesa, divorci dhe lëkundja e
autoritetit prindëror), kanë filluar të shfaqen tek tuk edhe ide sociologjike
kontradiktore, më shumë të infiltruara si ekzibicion moderniteti, por edhe si
probleme të vërteta të kohës, për të justifikuar mënyrën shumë herë
formalisto-moderne dhe herë “anti-tradicionale”, si nënvlerësim për rolin,
funksionet, vlerën ekzistenciale të saj. Padyshim, një pjesë e ideve sociale që
qarkullojnë teorikisht, janë ndikuese në praktikën e jetës së familjes sonë.
Ato herë janë të sakta, pozitive herë duken si ide të “importuara” e të
çoroditura që ushqejnë konceptin anarkist të jetës “anti-familje”. Këto ide
kanë filluar gjithësesi të kenë efekt social mbi strukturën, kompozimin dhe
funksionimin e familjes shqiptare. Ato janë reflektim i ndikimit të pskologjisë
kontroversale të kohës, që e vlerësojnë në mënyrë të kufizuar, madje edhe me
nënvleftësim social rolin e veçantë të familjes si organizim social themelor i
pandryshuar edhe për kohën e sotme.
-Secili pretendon se punon individualisht
për një familje dhe shoqëri normale. Por në fakt shkolla, shteti, insitucionet,
mekanizmat e tjerë shoqërorë punojnë pa projekte të detajuara. Familja jo
stabile besoj ndikon shumë në ambientin shoqëror?
Padyshim, nëse duam të kemi shoqëri normale dhe njerëz që
sillen në të si qytetarë, duhet së pari të kemi familje të stabilizuar, të
shëndoshë, funksionuese, të vendosur në vendin e vet, në mënyrë që ajo në çdo
rast të luajë rolin e saj si strukturë adekuate, që garanton ekuilibret e
brendshme midis pjestarëve të familjes dhe me mundësi të konfirmuara dhe
ndikuese në stabilitetin social të shoqërisë. Nëse analizojmë dukuritë
intensive, deformimet flagrante të strukturës dhe marrëdhënieve familjare, mbi
të gjitha nëse të vërtetat i themi ashtu sikurse janë, pa zbukurime, alambikime
morale, eufemizma sociologjike, atëherë duhet të pranojmë se shumë drama që
përjeton shoqëria, në përgjithësi dhe kryesisht janë të lidhura me situatën në
gjirin e familjes, dobësimin e dukshëm të kohezionit social, funksionit
edukativ. Shumë probleme janë të lidhura e të kondicionuara drejtpërdrejt me
statusin e familjes, ekuilibret e brishta afektive, marrëdhëniet e përcipta
interpersonale që zhvillohen dhe prishen në të, me tipologjinë e tronditur
konceptuale për rolin, funksionet dhe marrëdhëniet e pjesëtarëve që jetojnë
brenda saj. Për fat të keq, tani në mënyrë të çuditshme kanë dalë në evidencë
boshllëqe vlerore, vakume edukative, deformime strukturore. Ato nganjëherë janë
në përmasa të tilla, që kanë bërë imperative nevojën të mendojmë, se çfarë mund
të bëjmë për të përballuar shpërthimin e problemeve sociale, shumë shqetësuese
për familjen tonë.
-Kjo situatë aspak favorizuese për familjen shqiptare,
çfarë kërkon?
Situata kërkon që paralelisht me familjen dhe në të njëjtën
gjatësi vale me punën për forcimin e saj, të mendojmë të kemi në funksionim
edhe institucionet sociale. Sepse tani kanë humbur shumë tradita, zakone, janë
ftohur lidhjet e gjakut dhe “pasionet fisnore” të dikurshme, të cilat janë
shkaqe që e kanë zbehur rolin e familjes, kanë dobësuar funksionet si strukturë
bazë e “lidhjeve sociale”. Sot po shfaqen tendenca kontradiktore, qëndrime
nihiliste për familjen, rolin e saj social. Ndoshta për shkak të moshës, modës
dhe interferimeve të ideve antidisiplinore e anarkike, disa negacione e
qëndrime të tilla ekzibicionale natyrshëm që shfaqen sidomos tek të rinjtë, që
në miniaturë janë “revolta” të hapura apo të heshtura kundër tipologjisë së
vjetër të familjes. Veçanërisht kundër ideve të ekzistencës dhe mbajtjes konservatore
të strukturës piramidale dhe jo horizontale e demokratike, që ushqejnë
padrejtësisht (dhe këtu kanë të drejtë të rinjtë) marrdhënie autoritariste në
lidhjet dhe raportet midis tyre dhe prindërve. Ajo që ka rëndësi në këto
momente, sipas mendimit tim, është nevoja për të ndikuar në shoqërinë tonë për
të kuptuar ndryshimet, rolet e reja të familjes drejt dhe jo në mënyrë
eksentrike. Kjo do të thotë që tani duhet t’i kthejmë sytë, të investojmë
gjithçka të gjithë, shteti, shoqëria civile, shkolla, institucionet fetare,
morali publik, komunitetet, duke e vlerësuar familjen si institucion unikal, të
cilit jo vetëm nuk humbet roli dhe funksionet si strukturë bazë e jetës
sociale, por ajo duhet vlerësuar, sepse është “qelizë garantuese” e vlerave dhe
stabilitetit social me rëndësi kulturore, edukative, sociale, strukturore edhe
në kohën moderne. Pavarësisht ndryshimeve, familja mbetet institucioni, i
pazëvendësueshëm, i pakonkurueshëm, ku bashkohet në mënyrë të natyrshme dhe
organike jeta sociale dhe intime e njeriut. Në këtë pikëpamje, nëse ka një
shqetësim të përgjithshëm, që sipas mendimit tim është serioz, është fakti që
kohët e fundit po ndodh me shpejtësi të frikshme deformimi i rolit social,
veçanërisht i përgjegjësisë sociale dhe “funksionit ndërmjetësues” të familjes
në shoqëri. Padyshim, sido që ta vlerësojmë situatën, çfardo shkaqesh të
brendëshme dhe të jashtme të gjejmë apo sajojmë, të zhvillimit strukturor apo
influencave të postmodernitetit, dhe t’i përdorim ato në mënyrë arbitrare e
subjektiviste, si argumente për të justifikuar realitetin, shumica absolute e
shkaqeve është e lidhur me strukturën sociale, e cila tashmë ka krijuar një
raport të ri, jo vetëm me individët brenda saj, por edhe në raport me
sovranitetin e vet strukturor, si dhe me ndryshimin e raporteve dhe
marrëdhënieve të familjes shqiptare me institucionet e tjera të jetës sociale
publike. Kjo është një situatë komplekse që duhet vlerësuar me përgjegjësi
politike dhe qytetare, në mënyrë që të mund të ndikojmë në zbutjen e problemeve
sociale që prodhohen brenda familjes shqiptare, dhe njëkohësisht të përpiqemi
të ndikojmë për zgjidhjen në rrugë normale, humane të tyre. Natyrisht të
vërtetat duhet t’i shikojmë në sy, t’i pranojmë ashtu siç janë. Edhe pse jo në
përmasa alarmante, duket se roli social i familjes si strukturë ka filluar të
zbehet. Evolucioni dhe mënyra moderne e strukturimit dhe funksionimit të
familjes shqiptare, natyrshëm që do të sillte një varg problemesh të reja
sociale, të panjohura që duhen parë, kuptuar dhe vlerësuar drejt, në përputhje
me imperativat e kohës moderne...