Mendime
Feti Tunuzliu: Deri kur zbatimi mekanik i kodeve penale kosovare?
E enjte, 25.04.2024, 07:56 PM
DERI KUR ZBATIMI MEKANIK I KODEVE PENALE KOSOVARE ?
Nga
Feti TUNUZLIU
Gjatë
praktikave gjyqësore, prokuroriale, avokatore e policore ndër vite në Kosovë,
sikur është shndërruar në dukuri dhe mbase është ngritur në një lloj standardi
juridik kopjimi i plotë i emërtimit apo titulli mekanik i veprave penale në
ngarkim të personave që i kanë kryer ato.
Ç’është
e vërteta, kryesëve të veprave penale të
cilat përmbajnë një spektër terme (nocione) inkriminues në kuadër të emërtimeve
ligjore, lehtësisht u mvishen en bloc
termet e tillë inkriminues (shabllonet)
edhe në rastet kur ata nuk i kanë ndërmarrrë të gjitha ato veprime - veç
njërit sish.
Kështu,
kur kryesi i veprës penale me emërtim të plotë ligjor: Mbajtja në pronësi,
kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve - neni 366 i Kodit Penal të
Republikës së Kosovës (KPK) mban pistoletën në cilësi të pronarit në
kundërshtim me ligjin për armë, ai përgjigjet penalisht përveç si pronar, edhe
si posedues edhe si person që ka patur n’kontroll të kundërligjshëm pistoletën.
Pra, përveç një veprimi të cilin e ka ndërmarrë realisht, atij i mveshen edhe
dy veprime inkriminuese që faktikisht nuk i ka realizuar.
Dua
të sjell në vëmendjen e lexuesit opinionin tim: kur emërtimet e tilla ligjore
përmbajnë togfjalësh inkriminues, logjika e shëndoshë juridike arsyeton
përdorimin sheshit të atij termi inkriminues i cili figuron në emërtimin ligjor
dhe reflekton direkt e hapur veprimin e realizuar nga autori i asaj vepre
penale. Ndryshe, ky term, përkatësisht
veprim inkriminues derivuon nga përshkrimi i ngjarjes penale e cila thuret
mbështetur në prova të verifikuara materiale.
Së
këndejmi, në lëndët e natyrës penale që disponojnë prova të mjaftueshme dhe të
pranueshme të cilat provojnë konkretisht se është blerë narkotiku nga ana e
kryesit, emërtimi i drejtë ligjor (cilësimi juridik) i kësaj vepre penale, kujtoj
unë, do t’ishte: Blerja e paautorizuar e narkotikut – neni 267 të KPK, tani në
fuqi. Pra, kësisoj, do formulohej qartë e shkurt emërtimi i veprës konkrete
penale.
Gjithnjë
sipas interpretimit tim logjik, këtu nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë devijim
(konvertim) e as për ndonjë cenim eventual terminologjik ngase nuk preket
substanca e emërtimit ligjor të veprës penale realizuar nga kryesi i saj.
Përkundrazi. Duke u shkëputur nga emërtimi i plotë ligjor në rastin konkret
(neni 267 i KPK), termi “blerja”, në
themel del të jetë në funksion të drejtpëdrejt të identifikimit të përpiktë të
veprimit inkriminues realizuar nga kryesi.
Këtej,
është thelbësisht e pa mbështetshme në prova materiale dhe e papranueshme sipas
rregullave të përgjithshme të provave të përcaktuara nga Kodi aktual i
Procedurës Penale të Kosovës (KPPK) që emërtimi (titulli) i veprës penale në
rastin e mësipërm, pos termit “blerje”, të përfshijë edhe togfjalëshin
terminologjik ligjor: posedimi, shpërndarja dhe shitja – në njerën anë dhe pos
termit “narkotikë”, të përfshijë dhe togfjalëshin: substanca psikotrope dhe analoge – në tjetrën
anë. E tëra, për një shkak të vetëm formal dhe të thjeshtë: se togfjalëshat e
tillë përfshirë janë tekstualisht në emërtimin e plotë ligjor të veprës penale
të sanksionuar me nenin 267 të KPK !
Duhet
vënë në dukje fakti se KPK përmban një numër të konsiderueshëm emërtimesh,
përkatësisht titujsh të veprave penale ku janë inkorporuar terminologjikisht dy
e më shumë njësi leksikore (fjalë)
inkriminuese në trajtë alternative, kumulative dhe mikste.
Një
emërtim ligjor i veprës penale i trajtës alternative do ishte: Importi,
eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja
e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse (neni 364). Një emërtim tjetër
ligjor i trajtës kumulative është: Transplatimi i kundërligjshëm dhe trafikimi
i organeve dhe qelizave njerëzore (neni 259). Së fundmi, emërtim ligjor i
trajtës mikste është: Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe
rrezikimi i sigurisë në vendin e punës (neni 358), etj.
KPPK
obligon që vepra penale si një zhvillim penal duhet të specifikohet duke
saktësuar shkoqur: kohën, vendin, mjetin dhe rrethanat tjera që të pasojë
gjuhësisht emërtimi korrekt dhe konciz i një vepre të caktuar penale.
Rrjedhimisht, kjo vetëkupton emërtimin e veprës penale privuar nga togfjalësha
alternativ dhe kumulativ, gjithnjë në përputhje
të plotë me gjendjen e fakteve vendimtare, fakteve të dala prej provave
të pa diskutueshme materiale.
Pra,
thënë ndryshe, emërtimi ligjor i veprës konkrete penale, del të jetë çështje
faktike sepse varet prej rasti në rast. Në këtë kontekst, prore merret parasysh
jo vetëm përshkrimi adekuat i bazës (gjendjes) faktike ku zbërthehen elementet
esenciale të asaj vepre penale, por merret parasysh poashtu edhe baza juridike
si nga pjesa e veçantë e KPK (apo ligjit tjetër) ashtu edhe nga pjesa e
përgjithshme e KPK.
Fundja,
kur një sintagmë terminologjike përfshihet në një emërtim ligjor të një vepre
penale, mëtoj se kjo shpalos teknikën legjislative me të cilën organi
ligjdhënës i është qasur emërtimit të asaj vepre penale. Në rastin tonë, kjo
reflekton mënyrën dhe metodën që ka implementuar organi ligjdhënës kosovar
gjatë emërtimit të veprave penale, në kuadër të punës së hartimit të draftit të
KPK. Përndryshe, duke i sintetizuar disa veprime inkriminuese përmes sintagmave
gjegjës terminologjik brenda një emërtimi ligjor të veprës penale, faktikisht
vetëm është reduktuar numri i veprave penale në KPK, natyrisht, jo në dëm të përcaktimit
të elementeve të veprave të caktuara penale.
Në
këtë rrafsh, më thotë mendja se, përmes kësaj teknike legjislative, ligjdhënësi
kosovar, veç tjerash, i ka lënë hapësirë subjektëve procedural-penal që
varësisht nga rastet konkrete penale, të përzgjedhin termin adekuat në kuadër
të një emërtimi ligjor dhe përmes tij ta cilësojnë veprimin inkriminues. I
shkëputur nga gama e termeve të tjera të panevojshëm të titullit të plotë
ligjor, ky do konsiderohej term specifik, përkatësisht term teknik (termini technici) që përkah përmbajtja
kuptimore i përgjigjet dhe kushtëzohet prej veprimit inkriminues manifestuar
nga kryesi i një vepre penale. Fundja,
shpalos dashjen apo pakujdesinë e kryesit me gjithë trajtat (format) e
tyre.
Çështja
e emërtimeve të veprave penale që përmbajnë sintagma inkriminues në jetën
juridike-penale kosovare shtron nevojën e zgjidhjes së kësaj çështjeje
insitucionalisht me synim njësimi të emërtimeve të këtilla në situata të
ngjashme apo identike. Kjo është në kompetencë kushtetuese dhe ligjore të
gjykatave që përbëjnë sistemin e drejtësisë kosovare. Së këndejmi, duke qenë
një sfidë, është shumë sinjifikative implikimi i gjyqësorit kosovar që
simbolizon garantuesin e respektimit të plotë të sundimit të ligjit. E
brendapërbrenda këtij organizmi shtetëror, janë pikërisht prakticientët
penalistë ata autoritete kompetente në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor
që duhet t’i kontribuuojnë dhe ndihmojnë me sy kritik në shmangien e
stereotipeve mekanike të emërtimeve të disa veprave penale në dritën e normave
juridike pozitive penale (materiale dhe procedurale). Thënë troç, përmes
demonstrimit të guximit të nevojshëm profesional dhe kreativitetit të duhur
origjinal, këta do të duhej të artikulojnë fjalën e tyre për të zhbërë veprimet
rutinore penalo-procedurale të traditës juridike kosovare përtej dy dekadëshe.