Poezi nga Mimoza Leskaj
| E Premte, 03.11.2017, 07:06 PM |

Mimoza Leskaj

U lind në Shijak të Shqipërisë, në prill 1967. Rrjedh nga një familje e persekutuar. Babai me origjinë nga Tatzati i Delvinës dhe nëna nga Vlora. U arsimua në gjimnazin e Shijakut në vitet 1980-85. Më 1991 mbaroi me korrespondencë studimet e Universitetit Ekonomik, dega e Biznesit në Tiranë  Aktualisht jeton dhe krijon në Pescara të Italisë. Ka filluar të shkruajë që në vajzëri dhe i ka ruajtur me kujdes disa shkrime të saj. Rifilloi të shkruajë njëzet vjet pas martesës.  Botime: „Flas me heshtjen” është libri i saj i parë me poezi. Pasojnë veprat: „Dashuri me Ngjyra Vjeshte” (poezi), „Pyeta Retë” (poezi), „Kronikë e një dashurie të përjetshme” (tregime), „Njëmijë e një trokitje zemre” (Poezi), „Me dritën e shpirtit” (vëllim bilingv, shqip-rumanisht).

 

TË KUJTOHET?


Më the të dua, me një trëdafil të bardhë
Shkëlqente dielli atë ditë,
Bënte dashuri mbi valë.
Dhe unë çapkënja e hutuar pas tyre
... nuk të shihja ty
Që rreth vetes, kishe gjithcka
Por veç për mua, derdhje sytë

Rendja pas valëve, dhe rrezes së diellit
Dhe pse krahët e tu, fort më mbërthyen
Në ato krahë isha trëndafil i bardhë
Thithja dhe lëshoja erë mallëngjimi
Dhe valët, buzët e tyre i ngjyen
Kripë mbi trëndafil
Ohh ç'farë shije të ëmbël kishin!

 

PRITJA

 

E gjatë pritja,
Si të jesh duke pritur mëngjesin,
Që s'do ketë më lindje.

E gjatë pritja,
Një det i thellë ku nuk i gjen fundin.
E gjatë pritja, sikur stinët të jenë mbaruar,
.... dhe pret,
Sepse dritare kanë mendimet që bluan.

Dhe ka një hapsirë të vockël,
Ku hyn një rreze e vetme drite,
Një shpresë, ku ndjen se aty,
Një fund e ka dhe, pritja!

SHTATË GURËT E NJË UNAZE

Hesht unaza, hesht
Nuk i kanë më gojë shtatë gurët e saj
Të kujtohet kur i numëronim,
...dhe ato qeshnin pa faj?

E më pas u vinim dhe nga një emër
U vinim nga një mimozë përsipër
I lagnim dhe me nga një pikë verë
Derisa i bënim të deheshin.

Do thoni Ju:
- Si dehet një unazë?
Dehet sa herë ta vendosësh diku
Sa herë ta ndiesh që ka jetë

Hesht unaza me gurët e saj...
Më emrat e gurëve s’i mbaj mend
E ndiej se rënkojnë dhe qajnë
E s'di ç'tju them, e heshtja dhemb!

 

SI NDODHI...?

 

Si të ketë ndodhur
Vrapova unë pas teje,
A ndoshta u takuam rastësisht?
Mos ndoshta fati ka hedhur gur shahu
Dhe me të nuk qeshet e as luhet.
E di ç'farë po bëj tani?
Numëroj valët në breg.
Më qeshet me to,
Po, pra më qeshet vërtetë
Sa naive janë, si nuk kuptojnë?
Diku pak më larg, tingëllon një mesazh
Eshtë më mirë të mos e lexoj
E di, vjen prej teje,

E di c'do të thotë
Po flet për lëndimin që nuk ka më lot.
Më thua që do lëndohesh, e s'qan dot,
Sikur unë të mos e di...
Si të ketë ndodhur vallë
Kush vrapoi më shumë nga të dy,
Unë,... apo Ti?

 

EMOCION...

Nata zbeh errësirën e saj,
Argjendin hëna, hedh mbi shtatin tim.
Të ndihesh e lumtur nuk do shumë fjalë
Mjafton një çast, dhe një trëndafil!

 

MALLI

 

Malli thërrmohet në copa letre,
Malli shkronjat gërvisht,
Malli ndizet e nuk ndjen keqardhje,
Malli djeg fort e të zhurrit.

 

Malli i mallkuar s'di se ku fshihet,
Nuk mbulohet dot as nën çarçafë,
Herë zhurmohet e herë zëri si ndihet,
Malli fort dhemb, dhe është i pa fat!

 

SI MË PARË...

 

Po ajo lagje, po ato shtëpi, po ata njerëz
Aspak nuk kishte ndryshuar ai qytet
Asgjë e veçantë s'më ra në sy
Çudi!
As ti nuk kishe ndryshuar
Me përjashtim të disa flokëve të bardha
... Dhe pak rrudhave në fytyrë.
Të qeshën sytë, kur më pe.
Ndoshta ndjeve kohën të kish ndalur
Koha ka ecur, dhe shumë për be'
Ndryshe, s'do tët kisha falur!

 

PAK VERË..

 

I foli verës kur e pa të kuqe:
Eja të bëjmë pak dashuri!
Ju duk e mirë, ju duk e bukur,
Kur e provoi i doli thartirë!...

 

NDJESI...

 

Ti një qiell i kaltër
Unë një re' e bardhë.
Ti zemrën mbushur një ujëvarë
Unë e etur për ta marë.
Ti qielli ku unë endem
Unë bardhësia vetë.
Në qiell çdo gjë gjendet
Aty mblidhen dhe retë.
Ti me kaltërsinë më josh
Unë se di me ç'farë.
Zemra don shumë të thotë
Por hesht e pa fjalë.
Unë e bardhë si bora
Ti i kaltër qiell.
Asgjë nuk na la koha
Çdo gjë, e jep vetë zgjidhjen!

 

BILETA E DHIMBJES

 

Më thanë,... duhet të qash me fjalë,
Se kshtu e do zakoni nga Labëria.
Fjalët kishin humbur, por askush se pa,
Fjalët gdhendur heshtnin, vetmuar brenda shpirtit.
Dhe rrobja e zezë, u tremb e kokën uli,
Fishkëlluar dhimbja ja dërrmoi pamjen,
Grisur nën një zemër, kolltukun e vuri,
Tashmë biletèn, e preu vajtje-ardhje...!

 

GREMINA!

 

Në buzë të greminës arrin njeriu i shkretë,
Herë me pahirë e herë dëshirë e tij
Mbi sy lartësinë, nën këmbë gjen humnerë,
Kur arrin kufirin, fillon të ndiejë çudi!

 

Atë çast harron teoritë që i thurri jetës,
Është momenti,... dy duar për një kokë.
Pendohet për gjithëçka që i bëri vetes
Një hap më tutje, dhe... është tepër vonë!

 

TEK TY NATA IME!

 

Tek ty nata ime po dalldis ëmbël,
Siç bën bilbili kur ja thërret këngës.
Prej yjesh sonte s'dua të ndahem,
S'dua ta braktis dhe të bukurën hënë.

Buzëqeshja në buzë si një bozhur,
Nata e fsheh me xhelozi.
Vargjet padashur më rrjedhin lumë,
Dhe ti më vjen si mysafir.

E gjen sofrën të shtruar plot,
Ja vështroi vetë sa shumë yje ka.
Bozhur mbi buzë më çeli sot,
Nata na fshehu në gji të saj!

 

NË PARISIN E LARGËT

 

Thonë që Parisi është fort i bukur,
Thonë se është tempulli i të dashuruarve
Një natë vendosa të shkoj, ...(mos qeshni)
Jo vetëm nuk kam pasaportë,
... por nuk kam as lirinë e duhur!
Vendosa të mbyll sytë dhe të shoh një ëndërr,
Ku pak min dhe aty u gjenda...
Thonë se kur të dashuruar shkelin aty,
Dhe ata bëhen të përjetshëm...
Dhe unë, shkela....Oh ç'bukuri!
Nuk isha vetëm, ishim tę dy...
Atje në Parisin e largët,
Lashë të mbyllur një dry!

 

LOJA E MËSHIRËS

 

Mëshira e zhveshi pranverën,
Ia la trupin të lagur me pak vesë,
Krahët ia ktheu e mori rrugë tjetër
Teksa ecte, qante me dënesë.

Në një dyqan me veshje të bukura hyri,
Zgjodhi të bukurën fustan t'ia vishte,
Por tashmë qe vonë,...
E kishte lënë gjatë të mbërdhihte.

U pendua mëshira, dhe iku kokëulur.
S'kishte më vend për të...
Provoi veten në një aventurë të pamundur,
Pranvera lulëzoi, dhe qeshi nën zë!

 

ME ZEMRËN E POETIT

 

Nisa të shkruaj, dora sot s'mu bind
Dhe zhurma e zogjve në këtë mëngjes më shqetson.
Larg mendimi tretet në horizont,
Larg, diku, ...as vetë s’e di!

Në dilemë, me veten hahem sikur faj të kem.
E ç'është ky lëmsh i madh i pazgjidhur?
Mbi tastierë vetes i them:
Mos përdor duart, shkruaj me zemër!

Çudi!
Vërtetë tastiera gërmat e saj lëvizi.
Si me magji rrjedhin vargjet,
Prej zemrës e morën rrugën të ikin
Ndonjëherë vërtetë,... s'kanë ç'duhen fjalët!

 

HESHTJET E PËRZIERA...

 

Nata gërvisht veten sonte.
Dëgjoj në heshtje zhurmën e saj.
Jo shumë larg meje dhe ti je në heshtjen tënde.
Pa e menduar sa trishtim, heshtja të ngjall.

Nuk do ti kërkoja asgjë, askujt,
Do ishte pa kuptim kërkesa,
.... por, po ti gjeja sytë e tu diku,
E di që do ti mbyste heshtja!

 

I kemi përzier heshtjet, janë bërë tok,
Sejcila ka damarët të fryrë,
Ta dish,  janë po njëlloj, kurdo që t’i kërkosh
Do ti gjesh tek lozin, një jetë të përziera!

Ti s’e di, por heshtjet i kemi përzier,
Të mos jenë vetëm...

 

I DUA PUTHJET TUA!

 

Ma dhe puthjen tënde si çdo natë,
Melankonia ime, po të përcjell.
E di, do bësh rrugë të gjatë,
Por unë sërish do të të pres.
Ta ndjeva puthjen,
Më ngeli dhe shija e saj disa orë,
E preka të mos më ikte.
Derisa të kthehesh,...
S'desha të më mungojë.

Ti përflakesh tek ikën, më mbyt puthjesh
Unë në puthjen tënde, dalldisem.
Do shihemi sërish mbrëmjes
E di, do më mbysë melankolia
Mes puthjesh dhe ikjesh...

I dua puthjet e tua mbrëmjeve,
.... mos ik, të lutem!

 

PA FJALË

 

Në pragun tënd ka dritë
Lermë të mbështetem pak
Mos mu afro, vetëm dua të rri
Ti je si një bletë, mjaltë pikon
Ta shoh në sy.
Unë flas me vargje,
Tjetër gjuhë s'di!

 

*****

 

I tha,- do të të vras!
-Pse?,-e pyeti
-Sepse zgjuarsia jote

Shënon fundin tim!
-Dhe si do jetosh?
- Në gjakun tënd

Ndodhet gjithçka që më duhet!
Kështu vdiq inteligjenca.

Në varrim

Morën pjesë vetëm gjakpirësit!

 

PROFUM NATE!

 

Diku larg , një cicërimë zogu i vetmuar
Qetsia e natës e përcjell gjer tek unë
Ti sonte pret, tët nis pak nga kjo zhurmë
Pret, dhe numëron orët i pagjumë.

Do të nis dhe profumin që sonte kjo natë ka
Qielli në errësirën e tij përkëdhelet
Ca pika shiu mbi buzë më ranë
Sa etje shuan, sa etje!...

Do ti fshi në gjoksin tënd të lëmuar
Aty ku për mua bota ka fund
Toka sonte nxjerr një afsh të përvëluar
Dhe qielli këndon si të jet dashuruar

Sonte nata është vërtet e bukur
Ta ndaj në dhjetëra copëza dua
Pjesën më të ëmbël e lashë për ty
(E dua të tërën), qetësisht do më thuash!

 

AROMË E PISHAVE

 

Ta ndiej aromën e dashur pishë
Dikur e kishte dhe qyteti im
E kërkoj akoma,
Sa herë kthehem në rrugët e tij.
Por rrugët s
e kanë më aromën tënde,
As deti ngjyrën e tij blu...
Pishat mungojnë
I prenë disa të çmendur.
Tani flet betoni,
Dhe vrasja që çdo ditë i bëhet
Qytetit tim!
Ta ndiej aromën pishë
E mora me vete kur të lashë
Më pëlqeje me frutin tënd të vogël, stikë
Me sa duket, për të fundit herë të pashë
Tani, betoni më ngjall veçse frikë!…

 

MIQ MES DY BRIGJESH!

 

Hëna që zbret si një vashë plot nur,
Kurrizin kthen për diku tjetër,
Në horizont orët e freskëta
Një rreze të largët dielli sjellin,
Si një bari me shkopin e qiellit,
... yllin e mëngjezit.
Shndrin i tëri, me tërë forcën e tij,
Mbi kokën time sillet vërdallë.
Më shpreh me dritë shumë dashuri,
Dhe pse larg, shumë larg...
Kufiri i dy miqsive të vjetra,
Që dritë mer dhe jep çdo natë.
Në qiell ngadalë mbi një biondinë,
Ylli mëngjesit shtrëngohet pas saj,
Humbet, harron, bile dhe veten dënon,
Një oqean i tërë dashurie,
Midis dy brigjeve miqësie, aty qëndron!

 

NGA NJË PUS I THELLË

 

Të ndjeva si të ishe jehona e zërit tim
Që mbrapsht u kthye,

Dhe brenda vetes sërish mu fut.
Nga një pus i thellë, si një psherëtimë
Në fundin e tij, diku ishe fshehur.

Aaaaaa, oooo, uuuu, si dikur e vogël thellësisë,
Që ngjante si thellësia e shpirtit, pus i zi
Çudi, nga një pus i thellë harruar,
Prej andej dole Ti!

Jehonë nate prej erërave nxituar
Nata ngjante një pus i thellë,
Zërat u ngjitën ditëve harruar
Prej këtij pusi, e gjetën një shteg!

 

SOT M'U DUK VJESHTË

 

Sot m'u duk vjeshtë, akoma nuk është
Se ndjeva nga gjethet e rëna,
Ato sapo kanë filluar të verdhen.
As nga xhaketa ime prej stofi ngjyrë vjeshte, që e vesha sot
As nga retë e errëta që papritmas qiellin mbuluan.
Çudi,
Jashtë bën ftohtë si të ishin ditët e fundit
Dhe ti akoma s'ke hyrë,
Vjeshta ime e mirë!
Desha të ta ndieja akoma dhe pak,
Dorën tënde të ngrohtë,
Tek mbulonte supet e mia nën
Çarçafin e bardhë...
Ndërsa vështroje ëmbël me sytë kafe,
Qepallat e mbyllura,

Përpiqeshin të fshihnin një kohë.
Kohë dhe gjurmë të shkuara..
Më ndje, s'di pse?

Sot mu duk vjeshtë,
Dhe vjeshta, akoma s'ka hyrë...

 

DASHURIA KA HUMBUR FRIKSHËM

 

Më shkruajnë shpesh miqtë e mi:
Poete, na shkruaj vargje për dashurinë
Se jemi të lodhur dhe aty gjejmë qetësinë
Bota po vrapon dhe shpirtin e humb çdo ditë.

Si një dritë e fshehur mes pemësh, dashuria
Logon mes ëndërrime puthjesh
Ka humbur e tëra në një luftë mendimesh,
Braktisur ka mbetur, në cepa të varfër rrugësh.

Nuk di se në ç'fabrikë ja përzien brumin,
Në ç'varrezë e kanë varrosur frikshëm
Nga dreqin e ka humbur rrugën
Vendin ja zuri dhimbshëm, interesi dhe politika!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: