Hamit Taka: Padroni i ri dhe greva e grave
| E Diel, 30.04.2017, 08:35 AM |

Hamit Taka

PADRONI I RI DHE GREVA E GRAVE

-tregim-

Berti hyri në mencën e puntorëve të fabrikës së këpucëve. Shefi dhe kamarierët, si gjithnjë, sa e panë, i dolën përpara. Ata, për t’i bërë qejfin, filluan të vinin në vend karriget, të largonin pak tryezat, të ulnin perdet, nëpër të cilat depërtonin rrezet e diellit përvëlues të Shqipërisë së Mesme. Por ai, i biri i pronarit të fabrikës, u lëshua rëndë-rëndë në njërën nga katër karriget e caktuara për të, mbësteti bërrylat në tryezë dhe futi fytyrën në pëllëmbën e majme të dorës së djathtë .

Berti, pra i biri i pronarit të fabrikës së këpucëve, ishte një djalë i ri, kokëmadh, me flokët e qethur e xhelatinosur sipas modës së fundit, që të jepte përfytyrimin e një patateje të madhe të zier. Dukej se ai kishte ardhur në këtë botë vetëm për të fjetur sa t’i donte qejfi, për t’u shkulur gazit dhe për t’u shtruar gosti të bujshme mikeshave të tij. Me fytyrën e fryrë në pëllëmbën e dorës së majme, filloi të fliste:

- Hë-de! – tha me zë të zvargur, duke gogësitur dhe, që nën qepallat që i vareshin, i hodhi një vështrim të përgjumur shefit, i cili po zgjatej drejt tij tërë respekt.

– Pa më thuaj, çfarë më hahet?

Shefi qeshi me një të qeshur lajkatare, pastaj fytyra e tij mori hije të rëndë.

- Gjeje! – përsëriti i biri i padronit, - Gjeje çfarë më hahet e do të jap njëqind mijë lekë.

Ai drejtoi fytyrën, mu si kafkull breshke e u mbështet në tryezën prapa tij.

- Hë-de, gjeje shpejt!

Shefi ngurroi, kapsalliti sytë dhe iu mpreh fytyra… Ai ishte tip që nuk mbante shaka të tilla. Kishte frikë se, për shkak të tyre, mos humbiste respektin e të tjerëve, sidomos të vartësve. Mirëpo trashëgimtari i padronit nxorri nga xhepi bllokun e shënimeve dhe bëri me një stilolaps me shkëlqim floriri ca shkarravina: “Në qoftë se shefi e gjen se çfarë më hahet, zotohem t’i jap njëqind mijë lekë”.

Shefi, siç e përmendëm, ishte njeri serioz, po ç’të bënte? Iu desh ta merrte pusullën…

Por i biri i pronarit nuk lëvizi prapë nga vendi, ndenji rehat-rehat në karrige. Dukej se qepallat e fryra i kishte gati për gjumë. Po këtë çast pa kamarierin që po pastronte ca sende metalike. Padroni i ri i ra tryezës dhe thirri kamarierin. Ai u afrua me vrap. Ishte mëngëpërveshur e në darë mbante një lëvere.

- Ç’po bën aty? – pyeti i biri i padronit.

Djaloshit iu skuqën veshët.

- Pirunët… po pastroj pirunët, zotëri, - iu përgjigj, duke iu marrë goja.

- Po pse i pastron?

- Kështu më urdhëroi ustai, zotëri…

- Domethënë kështu të paska urdhëruar ustai?! Po ti mos je skllavi i tij?

- Po, në sajën tuaj, zotëri…

- Aha, ç’na the, more, në sajën time! Po çfarë bëra unë, që të më falenderosh, hë?

- Më falni, zotëri… Mos e dhëntë Zoti…

- A ke mbaruar ndonjë shkollë?

- Jo, zotëri…

- Hiç fare?

- Kam mësuar pak.

- Sa vallë?

- Kam bërë gjashtë klasë, vetëm kaq...

- Po pastaj?

- E po s’qe fati…

- Ç’do të thuash “s’qe fati…”?

- Jam nga Bregdeti… Babai punonte peshkatar dhe ne, fëmijëve, pesë frymë, s’na arrinte rroga e tij, as për bukë. Kur u hap kufiri babai iku në Greqi dhe unë e lashë shkollën.

- Aha, po ti pse s’ike në Greqi, po qëndrove këtu?

- Edhe atje babai gjeti punë në pashkim, tjetër gjë s’dinte të bënte… Prapë edhe atje deteve rri ai, nuk mblidhet në shtëpi… le që nuk ka shtëpi fare.

- Mirë, po sikur të kishe tani njëqind mijë lekë?... Ta zëmë se ke blerë një biletë llotarie dhe ke fituar njëqind mijë lekë. Ç’do të bëje?

-Kamarieri, duke ulur sytë, u mundua të vinte buzën në gaz.

- Hë?

- … ?

- Përgjigju! S’ta pritka mendja fare? Përfytyro sikur do të nxjerr tani nga xhepi njëqind mijë lekë dhe do t’i jap! Ç’do të bëje?

- … ?

- Pse nuk flet. S’të ka shkuar kurrë mëndja për këtë?

- S’e kam menduar kurrë, zotëri…

- Mos të duken një shumë tepër e madhe njëqind mijë lekë?

- Tepër…

- Tepër e madhe do të thuash, hë? Po ti nuk i ke ëndërruar kurrë kaq para?

- … ?

- S’të ka shkuan në mend t’i bësh ndonjë dhuratë ndonjë vajze?

- … ?

- Lëre, se me ty s’u marrka vesh fare njeriu! Shko, shiko punën.

Kamarieri u largua, duke shtrënguar lëveren në dorë. I biri i padronit po gogësinte me kënaqësi, sytë i lotonin. Dita ishte e nxehtë dhe trashamanin e kishin mbuluar djersët. E hoqi xhaketën e tij prej Armani dhe e vari në shpinën e karriges atje pranë, pastaj mbështeti kokën mbi duart. Ai ishte gati për të dremitur kur dera u hap me vrull dhe hyri në mencë një zeshkan e thatim, shefi i repartit të qepjes së lëkurës së këpucëve.

- Zoti Berti, - tha ai, - ju lutem ejani sa më parë. Gratë e repartit të makinave qepëse po bëjnë grevë, zotëria ju pret.

I biri i padronit u ngrit nga karrigia me një shpejtësi jo të zakonshme, rrëmbeu xhaketën e, së bashku me shefin e repartit të qepjes, doli nga mensa.

Pronari i fabrikës, që vuante nga një gastrit kronik, po ecte si i xhindosur poshtë e lartë kabinetit të errësuar nga perdet e trasha. Kur pa të birin, zotëria i dha urdhër:

- Telefono menjëherë në polici.

- Pse ç’ka ndodhur?

- Dhe më pyet se ç’ka ndodhur! Kush duhet të pyesë, unë apo ti.

- Unë e di çfarë kanë ato, duan tetorëshin në punë dhe ngritje rroge…

- Epo sido që të ishte… Në krye telefono, pastaj shko e shiko si është puna. Po qe nevoja, mbylle repartin, jepu udhët! Hëm, ç’pret nga varfanjaket! Bushtrat e uritura bëjnë më kokë të tyre… Qeverisë… aq i bën, ajo kërkon vetëm taksa! Pushoji ca nga ato rrjepacake.

Padroni i ri doli me vrap nga kabineti, kaloi si shigjetë pranë depove të lëkurëve dhe hyri me nxitim në repartin e qepjes. Atje zhuzhurinin dyzetë makina qepëse dhe salla ishte mbytur në pluhur meshini. Ai u ndal te dera, i hodhi një sy repartit dhe iu drejtua mjeshtrit:

- Si është puna?...? Ti the se ato bënë grevë, ndërsa në të vërtetë të gjitha janë krrusur mbi makinat qepëse.

- Janë përkulur mbi makinat sa për sy e faqe, po nuk punojnë. Perin nuk e kanë vendosur në vendin e duhur, meshinet nuk i qepin.

- Domethënë një grevë europiane, tamam – tamam, italiane, ku unë kam parë vetë. Kush e nisi e para?

- Feride Gurabardhi. Kush tjetër përveç saj…

- Pa ma thirr këtu!

Mjeshtri i ra me të madhe bilbilit. Të gjitha kthyen kokën nga dera, dy ndihmëse të mjeshtrit brofën në këmbë dhe u qasën me vrap.

- Më sillni këtu Feride Gurabardhin!

U afrua një grua flokëdrudhë, të prera shkurt, hundëmajuce, me fytyrë të bardhë e të pastër.

- Ç’urdhëroni? – i tha ajo. Mjeshtri iu drejtua asaj.

- Padroni i ri kërkon të flaës me ty.

Feride Gurabardhi i hodhi një vështrim të birit të padronit. Të dy u panë sy ndër sy.

- Ti je Feride Gurabardhi?

- Unë e tëra.

- Ti e drejton punën? Punëtoret, me sa duket, qëndrojnë te makinat, por nuk punojnë. Ti i udhëzon?

- Përse? Të gjitha këto janë trillime.

- Me cilin po flet? A mund të zihesh vallë me shefat, me eprorët?

- Unë e di se me ata s’mund të zihesh…

- Po ti çfarë bën?

- Më kujtohet se si më kanë mësuar dhe nuk zihem me eprorët.

- Po ja, tani po zihesh!

- Me ty ndryshe puna!

- Ç’më thua moj, unës’qënkam eprori yt? Po kush të jep bukë? - Ti më jep bukë?! Ha-ha! Ç’më bëre të qesh. Po cili je ti, që të më japësh mua bukë? Unë punoj, e nxjerr me djersën time… Na doli, se ky më dhënka bukë! Të shohim, a do të më japësh bukë, në qoftë se nuk punoj… Ju, jo vetëm bukën, por as gjynahet nuk na i jepni falas!

- Mbaje gojën, se të pret e zeza!

- Çfarë më pret? Mos do të urdhërosh të më kapin e të më varin në tavan?

Padroni arriti ta cekte për ta shtyrë, por mjeshtri e mbajti. Eshtë grua, i tha ai. Feride Gurabardhi u tërhoq pak në qoshe. Aty e rrethuan shoqet. Mira, Vera, Mara, Nora dhe Kimetja, që e kishin ndjekur tërë skenën, iu qasën afër. Situatën e kishin ndjekur edhe puntorët, që punonin në repartin e prerjes së meshinit, lëkurës e gomës. Prej tyre u afrua Neimi. Pas tij u afrua edhe Artani.

- Ç’ka ndodhur, Neim? - pyeti Artani. - Kush e fyejti atë?

- Askush, - u përgjigj Mira.

– Doli se na ushqeka… Po kush qënka ai, që të na mbajë me bukë. Hë, qen bir qeni! Pëlcet gjersa ta marrë tjetrin në qafë. - Mos e çani kokën për të! – e këshilloi Deda.

- Më mirë pyete, a do të na e caktojnë tetorëshin e punës apo jo?

- Më atë krah fli!... Kërkojnë dhe të na mësojnë, pa le. Po atë kush e ka mësuar?

- Për kë e ke fjalën? Për atë barkmadhin, hë?

- Për atë de!

- Djalli e ka mësuar!

I biri i padronit iu ahfrua atyre.

- Shiko, shiko, po vjen këndej!- pëshpërit Artani.

- Pa shikoni barkun e tij…

- Si prej gruaje shtatzënë!

- Hajde përvishjuni punës! – u bërtiti biri i padronit.

Të gjithë heshtën përnjëherësh, duke vështruar njëri-tjetrin. Pastaj foli Feride Gurabardhi:

- Sa vjet kemi që punojmë këtu kokulur, me ndershmëri, për nevojat e fabrikës dhe për veten tonë! Ne duam që pronarët të mos i shkelin ligjet e punës.

- Kjo s’është puna juaj, - u bërtiti me inat padroni i ri. – Në qoftë se e kërkojnë interesat e fabrikës dhe të eksportit…

- Por duhen vështruar edhe interesat tona, jo vetëm interesat e fabrikës!

- Domethënë ju s’keni punë ma fabrikën. Hë! Por edhe fabrika s’ka punë me ju.

- E dëgjuat, shoqe? Na thotë se fabrika s’paska punë me ne… Epo, fundja… atëherë kërko punëtore të tjera!

Padronit iu prish gjaku. Ishte mbledhur gjithë administrata e fabrikës. Ata diç thonin, duke u përkulur drejt njëri-tjetrit. Një sekretare e padronit të madh u sul të telefononte në polici.

- Telefonoi shef Tomorrit!... Ai mund t’ua ndreq samarin këtyre… - e porositi padroni i ri. Pastaj bërtiti: - Shikoni, kjo është grevë. Ligji i ndalon grevat në fabrika. Në e pësofshi, le t’jyu bëhet paq!

Feride Gurabardhi ndryshoi mendim menjëherë.

- Jo, -tha me vendosmëri. – Do t’i përvishemi punës… Shoqe, edhe ju burrat, të gjithë nëpër vende!

Njerëzit iu përveshën punës. Po të gjitha makinat prerëse e qepëse, po punonin bosh, energjia harxhohej kot.

- Më kot, - tha shefi i prerjes. – Ato nuk do të punojnë.

Të birit të padronit i hipën xhindet. Pështyu përdhe, numëroi në vend, pastaj u sul te pllaka prej mermeri dhe uli çelësin… Kur makinat u ndalën, ai bërtiti:

- Mjaft! Mori fund! Ikni nga fabrika! Shporruni!

Në radhët e punëtoreve gjëmoi një pëshpëritje pakënaqësie.

- Ti vetë e bëre grevën, - tha Feride Gurabardhi. – Ti vetë e shkele ligjin. Të jini dëshmitare, shoqe, se padroni vetë e bëri grevën.

- Unë shpall falimentin… Këtej e tutje, ju s’do të nxirrni më bukën e gojës e asnjë kacidhe s’do të merrni më prej meje! Dp

o t’jua mbyll derën… Tani shporruni!

Gratë u mblodhën grumbull dhe zunë të këshilloheshin me njëra-tjetrën… Ferideja tha:

- Ne s’tundemi nga vendi. Me sa duket kanë telefonuar në polici. Dihet si i ndreqin punët pronarët me policinë. Le të na shohin policët në punë e sipër. Mirë?

- Shumë mirë. Kështu do të bëjmë.

- Shoqe, përvishjuni punës… Në qoftë i zoti barkmadhi, le të na flakë përjashta.

Deda ngriti çelësin dhe iku në repartin e vet. Shumica e punëtoreve shkuan pranë makinave të tyre; vetëm disa të trembura nga kërcënimet e padronit, shkuan dalëngadalë drejt derës.

Pas pak në fabrikë u dukën policët me shefin e rendit në krye. Punëtoret ngrysën vetullat, fytyrat e tyre e vrenjtën. Feride Gurabardhi dhe shoqet e saj i dolën përpara.

- Zoti shef i rendit, - i thanë, - padroni i fabrikës shpalli falimentimin, ne të gjitha jemi dëshmitare!

Ra një heshtje. Shefi mbeti i hutuar .

- Ç’do të thotë “falimentin”? - tha ai.

- Padroni mbyll aktivitetin për të pushuar puntoret nga puna… domethënë grevë e padronit.

- Gënjeshtër! – bërtiti i biri i padronit, duke kërcyer përpara. – Gënjejnë këto të pacipa!...

- Ti vetë je i pacipë! Tërë soji juaj janë të pacipë!...

- I pacipë! I pacipë!

Punëtoret u shqetësuan; ato që kishin dalë jashtë derës, përpiqeshin të çanin, për të hyrë në repart.

Shefi i rendit, policët dhe rojet nuk dinin ç’të bënin. Mbriti me vrap e pa frymë korrieri i padronit.

- Erdhi zoti prefekt dhe kërkon që shefi i rendit të shkojë tek ai! – bërtiti.

Prefekti ishte një burrë serioz me mustaqe të shkurtëra, adhurues i flaktë i letërsisë mes viteve 30 e 40, lexues entuziast i Migjenit… Ai po rrinte në tryezën e padronit dhe po i binte lehtë xhamit me majat e gishtave.

Prefekti foli tet a tet me shefin e rendit. Në mbyllje ai tha:

- Jemi në fushatë zgjedhore, puna na e do të marrim anën e grave, por pa rënduar pronarin…

Thirrën edhe të birin e pronarit. Ai hyri si i xhindosur në kabinetin e t’atit.

- Ju bezdisëm, zoti Prefekt, - i tha prefektit, duke i shtrënguar dorën. – Prapë i vutë bela kokës për shkak të këtyre barktharave, rebele të mallkuara. I tërboi demokracia. Ja siç e shikoni bamirësitë tona po i paguajmë shtrenjtë! Makinat nuk i pëlqejnë, meshini nuk u pëlqen, s’kanë qejf të punojnë… Tani ngrejnë çshtjen e tetorëshit të punës. S’ka shumë kohë që njoftuam për ngritjen e rrogës dhe shkurtimin e ditës së punës, edhe ne aty e kemi qëllimin… Pastaj edhe qeveria ka nevojë për para dhe këto para vijnë nga taksat tona… Edhe ne e duam mirëqënien e punëtoreve. A mund të dyshohet për këtë, por duhen marrë parasysh edhe rrethanat. Se të papunë ka plot, ata janë gati të punojnë shumë orë më tepër e me pagë më të ulët. Pastaj është edhe kjo çështja financiare, mallrat e huaja… Ne jemi në një periudhë, ku zhvillohet tregu i lirë. Ku të çon kjo? A do t’i bëjmë ballë konkurencës? Se për ndryshe do të duhet të mbyllim fabrikat tona. Po ne, pak a shumë, jemi të kënaqura me puntoret tona, po të mos ishin ca të paudha… Po ta shohim hollë-hollë, populli ynë është popull i mirë, e kupton gjëndjen… Eshtë fjala për ca kopukë e kopuke… E dini se ç’bënë? Eshtë aty një Feride Gurabardhi, e cila hypi mbi makinën qepëse dhe çirrej së thirruri: “Shoqe, lini punën! O ata do të bëjnë si të themi ne ose ne do të lëmë punën!” Punëtoret u derdhën mizëri jashtë repartit… S’na mbeti gjë tjetër, veçse të thërrasim policinë dhe shkëlqesinë tuaj…

Prefekti e qetësoi të padronin e ri. Bisedoi me të.Ai i tha ca fjalë zemre të birit të padronit të madh…

Ndërkohë padronit të ri i cingërroi zilja e celularit. A e hapi pa u kërkuar leje prefektit dhe shefit të rendit.

- Hë, babi, ç’kishe, pse më more?

Në anën tjetër zëri i padronit të madh dëgjohej qartë edhe nga të pranishmit, por i riu hiqej sikur s’dëgjohej nga ata zëri i padronit të madh…

“merr ca lekë në arkë, e urdhërova unë arkëtaren”…

- Ehë, babi!

“ dhe jepua prefektit e shefit”,

-Ehë, babi!...

“ sigurisht veç e veç,”…

- Ehë, babi! “ se u duhen për shpenzimet e fushatës”…

- Ehë, babi!

“dhe punën bëje si do të thonë ata”…

- Ehë, babi!

“edhe ne kemi interes të mbetet partia e tyre në pushtet…”

- Po babi, po. Të kuptova drejt.

Pas kësaj bisede midis dy padronëve, të vjetrit dhe të riut, prefekti i dha udhëzimet e tij padronit të ri…

- Na duhet sjellje mirë, tani për tani, dhe premtime. Na duhen, xhanëm, na duhen votat e tyre… Sa të fitojmë, pastaj nuk do t’i lëmë t’u rritet mendja, jo…

Kur mori udhëzimet nga padronët e tij, padroni i ri, shkoi në repartin e grave të qepjes, i fryrë e i mynxyrosur. Pasi e përmblodhi veten, deshi të buzëqeshte, por ravijëzoi në fytyrë një ngërdheshje qesharake dhe të neveitshme.

-Ju jeni punëtore dhe zonja të mira, si gjithë populli ynë. Ne kemi hallet tona, por edhe ju keni nevojë për para… Ne do ta mbajmë premtimin për rritjen e rrogës dhe uljen e ditës së punës. Ky është edhe mendimi e dëshira e Prefektit…

Pas pak prefekti i telefonoi shefit të rendit:

- A u rivendos rendi në fabrikë?

- Po, zoti prefekt.

-A ju përveshën punës punëtoret e tjera?

- Ju përveshën, zoti Prefekt.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: