Fritz Radovani: Vatikani dhe ''Shqipnia''
| E Diel, 20.03.2016, 09:20 PM |

Nga Fritz RADOVANI: Pjesa e V.

VATIKANI  DHE “SHQIPNIA”

Gjergj Kastrioti – Skenderbeu – i la Popullit Shqiptar: Shtetin e Lirë Shqiptar, Flamurin, Unitetin e Gjuhës, Trojeve dhe të Fesë, si dhe Identitetin Europjan Perëndimor.

Per këta sot flasin: Flamuri ynë me Shqipen dykrenare, Perkrenaria e Shpata e Tij.

Mbështetja kryesore e Gjergj Kastriotit në Europë, ishte Shteti i Vatikanit. Kryesisht të gjithë Papët e Romës e mbështetën Prijsin e Shqiptarëve Gjergj Kastrioti, si Mbrojtës i Krishtenimit Europjan, Lirisë së Atdheut të vet dhe Luftar i vendosun per identitetin e Shqiptarëve me frymen kulturës përparimtare të Europës Përendimore.

Mirënjohja e Vatikanit per Gjergj Kastriotin asht kenë dhe mbetet e përjetshme!

Në mënyren ma të paligjëshme, kur në Shqipni sllavokomunistët jugosllavë vendosën në qeverisjen provizore sherbëtorët terroristë Enver Hoxha me shokë, veprimi i parë që ata kanë zbatue nga porositë e Titos, ishte “premja e mardhanjeve diplomatike të shtetit Shqiptar me Vatikanin, me 25 Maji 1945, dhe nxjerrja jashtë e Delegatit Apostolik të Vatikanit nga Shqipnia Imzot Leone G.B. Nigris.” Asgja e papritun. Në fillim të Janarit të 1945, kur Kuvendin e Fretenve e vizituen terroristi Sheuqet Peçi dhe Mehmet Shehu, të

dy kerkuen nga Provinçiali At Mati Prennushi shkëputjen e Kishës Katolike nga Vatikani dhe, të dy morën të njajtën pergjegje: “Françeskanët nuk do të perzihen në politikë dhe, se nuk do të pranojnë me disktue premjen e marrdhanjeve me Vatikanin, mbasi nuk e kemi nder mend me u kthye Ortodoks si Kishat Autoçefale të Lindjes...”

Po këte mendim e mbështetën edhe Imz. Vinçenc Prennushi dhe At Pjeter Mëshkalla në Tiranë, si dhe të gjithë Klerikët Katolik që u perfshine në Gjenocidin e njohun komunist.

Këte mendim e dinin edhe Aleatët që në shtator 1944 nga Don Ndre Zadeja, se kur u takue me kolonelin anglez Neel i pat kerkue: “Theksova nevojën që Populli Shqiptar, i vorfen e me armiq shekullor që janë sllavi, bullgari, greku, Italia, ka nevojë për nji mbrojtje nga Fuqitë e hueja...” Prokurori Sotir Dodona, shenon: “Këtu nuk ka bërë tjeter veç detyrën e kollonës së pestë dhe ka treguar një urrejtje për frontin N.Çl.” (Dosja 677).

Në Maji 1945 Delegati Apostolik Imz. Leone G.B. Nigris, kur u largue perfundimisht  nga Shqipnia me urdhen të Enver Hoxhës, Ai la në vendin e Tij Imz. Frano P. Gjinin, si Regjent i Delegacionit Apostolik në Shqipni, i cili deklaroi: “Unë nuk do t’a ndajë kurr grigjen teme nga Selia e Shejtë...” (1945).

DOSJA 1302/II – A, Imz. Gjini deklaron: “Nji kopje të letres u vendos t’i jepet Misionit Anglez ose Amerikan, per dijeni nga ana e tyne si dhe me vue në dijeni Vatikanin, mbasi perfundimisht ishin nderpre korespondencat nga Shqipnia. Dergimi i kësaj letre në Vatikan kishte për qellim që të vihej në dijeni Selia e Shejtë se Kleri Katolik Shqiptar, nuk i nderpret lidhjet me Te, dhe se kjo çeshtje, asht vetem kërkesë kamngulëse e qeverisë komuniste të Tiranës e kryesueme nga Enver Hoxha.” (1946).

Mosnjohja e Regjentit Imz. Frano Gjini nga qeveria e Tiranës, lidhja e saj me qeverinë komuniste jugosllave, vrasja e Malësorëve të Veriut dhe të Mirditës, per mospajtim me okupacionin e Shqipnisë nga Jugosllavia e Titos, vazhdimsia antikombtare e politikës së PKSh që në formimin e saj me 8 nandor 1941, e detyrojnë Imz. Gjinin me ba hapin e Tij të randsishem, per me evitue mundsinë e Enver Hoxhës me akuzue Klerin Katolik, prandej, Ai Urdhnoi: “Mos implikimi i çdo Kleriku, kushdo kjoftë, me asnji çeshtje politike, pra ndalimin e plotë të marrjes me politikë. Urdhni asht i padiskutueshëm dhe i pakundershtueshëm.” (Origjinali ruhet në Arkiv.)

Imzot Frano Gjini, arrestohet me 15 Nandor 1946, torturohet dhe mbasi nuk pranon asnjë akuze dhe shpifje, pushkatohet me 11 Mars 1948 me Prelatët e Klerit Katolik.

Perpjekjet e Tiranës “kuqe” per shkëputje nga Vatikani vazhdojnë deri në korrik 1951, kur pjesa e mbetun e Klerit Katolik “aprovoi” “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare”.

Klerikët që nuk e nenshkruen atë Statut u pushkatuen ose u zhdukën me të tjera mjete nga sigurimi i shtetit, tue u urdhnue direkt nga Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha,  që edhe ajo urdhnonte nga karrigat e Kuvendi Popullor...

***

9 NANDOR 1989, Muri i Berlinit ra!

Në Rumani vritet Çaushesku me të shoqen nga turmat e popullit rumun...

14 Janar 1990, në Shkoder mendohet me u rrezue busti i Stalinit... Bahen arrestime.

Me 11 Nandor 1990, Don Simon Jubani thotë Meshen e parë në Rrëmaji mbas 1967...

Në Shkurt 1991, formohen në Shqipni Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna...

Shqiptarët mbas Lirisë së Fesë, kerkojnë formimin e partive politike e zgjedhje të Lira.

Mbas heqjes në Shkoder të bustit E. Hoxhës, në 20 Shkurt 1991 hiqet shtatoria në Tiranë.

Rinia Shqiptare brohoritë: “E duam Shqipninë si gjithë Europa!”

***

16 TETOR 1978, Karol VOJTILA zgjidhet Papa i Kishës Katolike në Vatikan.

Fillon takimet me udhëheqës shpirtnor e politik nga gjithë Bota...fillon lidhjet me shumë shtete të mbetuna pezull si ShBA, BRSS, Hungari, Çekosllovaki, Rumani etj...(1990).

20 Mars 1991, vjen per vizitë private Zv/Ministri Claudio Celi, pergjegjës per mardhanje të Vatikanit në KSBE, dhe me rasen e vizitës së Tij në Shkoder, jemi takue në Turizmin e Shkodres, ku kemi shkembye mendime per lidhjet e ardhëshme me Vatikanin.

22 Gusht 1992, Papa Gjon Pali II ban Apelin e sigurimit Paqës në Ballkan...

2 Dhjetor 1992, Shqipnia bahet antare e “Konferencës Islamike”...

Prill 1993, Paraqet letrat kredenciale pranë Selisë Shenjte Ambasadori Villy Kamsi.

25 Prill 1993, PAPA GJON PALI II viziton Atdheun e Gjergj Kastriotit...

21 Shtator 2014, PAPA FRANÇESKU, viziton Tiranën në pragun e “rilindjes”...

Janë ba dy vjetë që “Rilindja” e Tiranës nuk gjenë asnjë “Katolik” të pa bamë synet, me e dergue Ambasador në Vatikan... Mos ndoshta, “ngerrçi” i para 70 vjetëve, që në 1945 na nxori nga Europa per 50 vjetë, na ka marrakotë...e janë ba 25 vjetë që “Shqiptarët” nuk gjejnë ende çelsat e “Dyerve të Europës”...Po, rrijnë tue shikue “hanën”...?!

Bahet fjalë per “40 Martirë të Kishës Katolike”, kur numuri i vertetë i Atyne Martirëve që u pushkatuen, u mbyten nder balta e kampe pune, Ua nxorën Shpirtin tue i shkye per gjymtyrësh, e sot nuk kanë as Varre, po shka asht ma keq “edhe fshihen si numur nga

Libri Martirizimi i Kishës Katolike në Shqipni 1944 – 1990”, Liber i cili, Ju dhurue edhe Papës Gjon Pali II, kur vizitoi Shqipninë...E numuri nuk asht 40, po asht 131 Klerikë, që ka perfshi Gjenocidi nga të cilët, janë zhdukë nga faqja e dheut 61 Klerikë Katolik.

Sikur para Kathedrales së Shkodres të digjeshin librat e shkruem nga 1945 e deri 1993, kunder Papëve e Vatikanit, tue perjashtue “Inkuizicionin e Kishës”, jam i sigurt se flaka e atyne librave do të shihej jo vetem në Romë, po edhe në Athinë, Beograd e Stamboll!

Vazhdon Pjesa e VI...


Melbourne, 16 Mars 2016.

(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: