Bushati: Dizdari mbajti fjalimin mbi varrin e Boletinit
| E Marte, 28.10.2014, 07:44 PM |

Nasuf Beg Dizdari-shkodrani që mbajti fjalimin mbi varrin e Isa Boletinit

Nga Kabil Bushati

Nasuf Tahir Dizdari u lind ne Shkodër në një familje të njohur qytetare në vitin 1857. Shtëpinë e kishte  lagjen e njohur Parrucë që i kishin dhënë famë Kazazët e Jukajt. Në këtë lagje  kishin trojet e veta edhe Dizdarët. Në periudhën në fjalë, Shkodra i ngjante një kështjelle te bukur ku në të katër anët vërtiteshin kulturat e ndryshme euro-aziatike. Ishte koha kur Bushatlijte kishin rënë nga sundimi dhe Shkodra kishte mbetë si varka pa busull. Ndikimi osman kishte lënë gjurmë për vehte dhe bënte përpjekje që të mos shqitej, ndikimi venecian nuk binte më poshte, pastaj vinte ndikimi austro-hungarez dhe sërbo-malazez. Të gjitha këto ndikime e kishin bërë Shkodrën si një konglomerat kulturash që konkurronin se cila të ia kalonte shoqes.

Themeluesi i kësaj sage famoze në Shkoder njihet Nasuf Beg Dizdari i parë që ra dëshmorë i Luftës së Shpuzës per mbrojtjen e atëdhuet nga foracat malazeze. Është interesant fakti se si u vra Nasuf Dizdari i pare. Ky ishte vëlla gishtash (probatin) me Dasho Shkrelin. Të dy morën pjesë në Luften e Shpuzës në vitin 1835,por në sektor të ndryshëm te frontit. Kur Nasufi niset për të ardhë në shtëpi, pasi kishte mbruar lufta në krahun e tij, merr vesh se ishte vra Dasho Shkreli me të vellanë e tij,Selon. Nasufi kthehet edhe një herë në luftë sepse siç thoshte ai në atë kohë, nuk i duhej gja jeta pa vëllain e gishtit (probatinin).Pas një qëndrese heroike,duke luftuar si luan edhe Nasuf Dizari i parë vritet duke la me gjak tokat shqiptare.

Pastaj saga vijon me të birin, Tahir Dizdarin, që kryente funksionet e dizdarit te kalase, nje rol diku i barabarte me komandantin e gardes së sotme. Në atë kohë ishte vënë në tryezë për zgjidhje Lidhja e Prizrenit, ku kryetar i saj për Shkodrën ishte Daut Efendi Boriçi. Valiu therret në guvernaturë me urgjencë Tahir Dizadarin dhe e urdhëron të vrasë pas shpine ose të hiqte qafet në ndonjë mënyrë tjetër Daut Efendinë se po i nxirrte telashe hyqymetit. Tahiri e refuzon ketë kategorikisht, ndërsa Daut Efendinë për ta larguar nga Shqipëria, e transferojnë (internojnë) në Liban, duke i shpetuar jetën. Ndërsa Tahir Dizdarin e internojne ne Bosnjë sepse refuzoi urdherin për zhdukjen e Daut Efendi Boriçit. Këtë të mirë që i bëri Tahir Dizdari nuk e harroi Daut Efendija. Më vonë me t’u kthyer nga Libani, për të ia shperblye nderën Tahirit,Daut Efendija i jep mbesën për grua,vajzën e motrës, Nurije Jukën për djalin, Nasufin. Kështu pra lidhin miqesi të përjetshme me njëri tjetrin. Shënojmë se në Shkodër ka qenë adet që nëse ka qenë I përmendur gjyshi,emrin e tij e ka marre nipi.

Nasufi, mësimet e para i ndoqi në mejtepin Ruzhdije Asqerie të qytetit të lindjes, pastaj në kolegjin Saverian ku më pas do të futej edhe gjuha turke në programin mësimor. Meqë gjendja ekonomike e familjes ishte e mirë, dërgohet për t’u shkolluar dhe edukuar më pas, në Vjenë e Stamboll, qytete këto famoze për kohën, ku pajiset me kulturë të gjerë e të gjithanëshme, e njihet si zotërues i talentuar gjuhësh të huaja. Që i ri tregoi interes për historinë dhe folklorin e Shkodrës. Punon për pak kohë si nëpunës në nënprefekturën e Lezhës, i ofrohet detyra e përkthyesit e më vonë kryepërkthyesit i Konsullatës Austro-Hungareze në Shkodër më 1897, detyrë që do kryente deri në mbarimin e Luftës. I Botërore. Punoi me konsujt Ippen, Von Kral, Zambaur të njohur për botime në lidhje me Shkodrën dhe Shqipërinë e Veriut. Meqë është rasti konsulli von Kral,i mori flokët vajzës së Nasufit,duke u bërë kështu kumbarë sipas zakonit shkodran.

Që në vitin 1897 botohet tek “Albania” e Konicës në Bruksel Historia e Bushatlijvet të Shkodrës. Më 1899 tek "Albania" nxirret "Jeta e Karamahmut Pashës" e nënshkruar N.B.D (Nasuf Beg Dizdari). Botohet në shqip edhe në frëngjisht. Do ta paraqiste në një këndvështrim patriotik ku ngjarjet e ngjeshura rrjedhin të komplikuara. Kriza ekonomike e politike e Perandorisë Osmane ia thelluan dhe pashalleqet dhe ai t'ua paraqesë Karamahmutin lexuesve si një nga më të fuqishmit e koës, duke sjellë fakte dhe argumente të përpjekjeve për bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, aftësitë e tija administrative në zgjidhjen e kërkesave dhe të ruajtjes së dinjitetit të shtetasve, do të forcojë Kanunin e Lekës dhe Usullin e Malësisë. Për vrasjen e Karamahmutit shkruan mes tjerash: "Nji e zezë për vendin t'onë, kur ka mbetë Karamahmud Pashë Bushatlliu si me pa humë tanë Rumelia". Historia e tërhoqi lexuesin saqë disa prej tyre i shkruan Albania-s duke kërkuar se pse nuk "u shtyp artikulla me të ndodhunat e Shqypnisë".  Kështu në nr.5 të kësaj gazete të v. 1901, redaksia duke i bërë jehonë shkrimit njofton lexuesin se në numrin e ardhshëm do të botohej "Të djegunit e vet në kullë të Vraninës në Mal të Zi" rreth ndodhive që rrethonin Oso Kukën në tre numra (6,7,8 1901) si përherë me pseudonimin N.B.D.

Nasuf Beg Dizdari ka meritën e pa kontestueshme se për herë të parë në Historinë e Shqipërisë shkruajti Historinë e Bushatlijve të Shkodrës së paku nga literature që na serviret deri me sot. Dhe të gjitha këto i botoi ne dy gjuhë shqip dhe frëngjisht në  numrat në vazhdim te “Albania” e Faik Konicës një nga revistat më serioze të kohës, koleksioni i së ciles ndodhet sot në muzeun e Shkodrës i dhuruar me testament  nga Arshi Pipa.

Me propozimin e Imzot Jak Serrqit,xhaxhai i babait të Alfred Serreqit, drejtuar Selisë së Shenjtë me 23 gusht 1913 dekorohet nga Papa Piu me urdhrin e Shën Silvestrit me motivacionin "për kontributin e dhanë në ruejtjen e institucioneve të kultit katolik dhe mbarë popullsisë së Shkodrës nga rebelimi i Malit të Zi", shkruar latinisht nga ipeshkvi i Shkodrës. Gjatë kësaj periudhe të Hyrrjetit, Nasuf Beg Dizadari ishte deputet i Shkodrës në Parlamentin turk dhe merr pjesë në diskutimin për të drejtat e komunitetit katolik të Shkodrës.Kjo u bë shkak për dekorimin e tij nga Selia e Shenjteë.

Nasuf Begu do të punonte me pasion në lëmën e folklorit duke nxjerrë këngë epike mbi Oso Kukën. Mandej me rubrikat  "Letra nga Shkodra" e në gjuhësi "Të përfouluna të hershëm shqip". Do të vazhdojë edhe si korrespondent i "Drita" të Shahin Kolonjës në rubrikën "Letra nga Shkodra" me pseudonimet N., N. Shkodrani, N. Muhamedani (1904-1908). Pastaj të gazetës "Vllaznia" e Vjenës, si mbledhës i folklorit më 1917 ku do nxirrte këngët e Karamahmut Pashës, Rexhep Qoshes, Oso Kukës e Hamz Kazazit.

Me rastin e varrimit në Podgoricë të Isa Boletinit mban fjalimin e rastit: Isa Boletini është vrarë vetë i shtatë në Podgoricë nga forcat serbo-malazeze, pikërisht në 23 janar të vitit 1916. Në atë moment ai është vrarë së bashku me dy djemtë e tij, dy nipat dhe tre bashkëluftëtarë të tjerë. Varrimi i tij në atë kohë është kthyer në një demostrimi kombëtar. Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halili dhe Zahidi, nipërit Jonuzin dhe Haliti dhe tre luftëtarë të tjerë. Ishin me mijra shqiptarët e ardhur nga të gjitha zonat e Kosovës, dhe nga trojet shqiptare të Malit të Zi, si nga Tuzi, Podgorica, Ulqini etj, të cilët morën pjesë në këtë varrim. Vrasja e pa besë ia ndërpreu Isait jetën në kulmin e veprimtarisë luftarake e diplomatike, ishte vetëm 52 vjeçar.

Nasuf Beg Didzari,që ndodhej i internuar në Podgoricë në atë kohë dhe ishte mik i ngushtë me Isa Boletinin do të mbante një fjalim mbi varrin e tij.Fjalët e zjarrta të Nasufit do të ushtonin në varrezat e Podgoricës:

"O atdhetar i flaktë dhe trim i trimave të Shqipnisë, o sokol i nanës Kosovë dhe besnik i betuem i atdheut dhe mik i ngushtë i emi, Isë Boletini. Nuk po më trembin as topat, as pushkët, as bajonetat e ushtrisë së gjeneral Veshoviqit, as çetat serbo-malazeze, as gjendja e turbullueme që po kalojmë ne të syrgjynosunit e populli shqyptar "podgoriçan" në këto çaste për të folun këto pak fjalë n'emën të të syrgjynosunve"…

Fjalimi tepër i guximshëm i Nasuf Begut bëri bujë në tërë shqiptarët e Malit të Zi dhe erdhi fjala edhe në Shkodër. Spiunazhi malazes e vuri në shënjestër Nasufin dhe e piketoi për ta vrarë, por edhe ketu i erdhi në ndihmë miku i tij i ngushtë, shoku i shkolles jasht shtetit, nga Samrishi i Dajçit të Bregut të Bunës, Halil Zyber Krasniqi. Në fshehtësi të plotë ai erdhi dhe e mori Nasufin me barkë  dhe kaloi Bunën e erdhi në Shqipëri,ku e mbajti për disa ditë në shtëpi të tij incognito.Pastaj e çoi me barke në Ulqin ku gjeti një anije dhe u nis përkohësisht në Itali.

Më 1923-1924  është drejtor i "Shpresa Kombëtare" që dilte në Shkodër si gazetë e përjavshme. Mëson lexuesin me dashtë kombin, vëllazërimin dhe kulturën. Edukon me urti politike dhe pasqyron gjendjen socio-ekonomike. Problemet kryesore dhe kombëtare dilnin në faqjen e parë dhe të dytë, të tretën dhe të katërtën problemet kulturore, kronika enciklopedike, jetë njerëzish të mëdhenj në veçanti, të pranishme në çdo numër, fjalë të urta, aforizma, etj.

Vdiq ne vitin 1940 në Shkodër. Nasuf Beg Dizdari la shtatë fëmijë djem: Tahiri, Qemali, Hamdija,Mit’hati,Ramizi,Enveri dhe Njazia.Gjithashtu la edhe dy vajza:Fatimen dhe Sanijen.Pra e la shtëpinë plot dhe vijon të jetë plot edhe sot e kësaj dite me nipa dhe mbesa.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: