Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Ansambli poetik i paqes së brishtë
E enjte, 16.03.2023, 07:53 PM
ANSAMBLI POETIK I PAQES SË BRISHTË
Nga
Timo Mërkuri
I-Njohja
me vëllimin poetik “Paqja e brishtë[1]”
të Sabit Rrustemit ishte një befasi për mua, jo aq për vonesën kohore të
njohjes nga botimi i tij se sa për stilin dhe frymën poetike, tejet të veçantë nga krijimtaria e
deri atëhershme dhe e mëvonëshme e tij, stil dhe frymë poetike që më solli në
kujtesë poezinë e Bretold Breht. Fakti që në këtë libër janë përfshirë krijime
të periudhës 2001-2007 e justifikon deri diku këtë stilin pse të kujton situatën social-politike të
Kosovës pas çlirimit, periudhë kur vendi ishte në administrim ndërkombëtar sipas Rezolutës
1244, ku UNMIKU ishte kryefjalë e përditshme. Ekipet politike kosovare ishin
vetëm sa për t’u konsultuar dhe për të zbatuar atë që parashihnin rregulloret e
UNMIKUT. Madje edhe zgjedhjet lokalee apo qëndrore nuk krijonin organe vendimarëse
e ligjvënëse, situatë kjo që vazhdoi
deri më 17 shkurt 2008.
Ardhja
e Marti Ahtisari me atë “Pakon”e tij që s'kapërdihej lehtazi pse ishte “patate
tepër e nxehtë”, trazoi më tepër klimën
politike në vend.
“ Pakja më kaplon para
kësaj Pakoje të trishtë
Në këtë botë mbi ujë me
paqe të brishtë
………………………………………..
Duart më dridhen
Dhe këmbët
Më thehen dhëmbët
……………………….
Se ç’mungon brendësisë
së sajë
Dreqi ta hajë me gaz e
vajë
Mungon dashuria e kësaj
bote
Mungon dhe puthja e saj”
f.45
Duhet
të themi se: ndërsa në kohën e pushtimit serb shqiptarët kishin një unitet përballë tyre, ardhja e lirisë i hutoi me dritësimin
e saj, sa që u degëzuan nëpër parti të ndryshme politike, madje tepër ftohtësisht
kundër njëri tjetrit. Situata ishte e akullt dhe mes shqiptarëve e serbëve, sepse
serbët në vend që të kërkonin falje si agresorë e ushtrues të gjenocidit mbi
Kosovën dhe popullin e saj, nisën të luanin rolin e viktimës. Ajo që dukej shqetësuese ishte fakti se nisën dhe fërkimet
politike mes shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, çka pruri dhe luhatjen e imazhit
në arenën botërore. Të gjitha këto tensione mund të shpinin lehtas në një luftë civile, që
pavarësi sht nga shërbimet sekrete që e sponsorizonin, do ishte tragjedia më e madhe
kombëtare. Ishte merita e Presidentit
Ibrahim Rugova, i cili duke vënë në plan të parë aspiratat e popullit të
Kosovës për një shtet demokratik me drejtim europian dhe aleancë euro-atlantike normalizoi situatën, e evitoi
atë.
II-Sabit
Rrustemi në këtë situatë ishte i angazhuar politikisht si në pushtetin lokal,
ku drejtonte Zyrën Për Mardhënie me Publikun në Komunën e Gjilanit, po ashtu
dhe si deputet i Kuvendit të Kosovës në vitet 2001-2004, dhe kishte mundësinë
të njihte e përjetonte situatën sociale dhe politike të vendit, të cilën si bronx
e shkriu dhe e derdhi në një monument poetik. Ndaj në vargjet e këtij libri, si
në jetën e tij gjejmë opozitarizmin e dyfishtë, si ndaj ndërkombëtarëve ashtu
dhe vendorëve, shprehur me një stil poetik të veçantë ku nuk mungon dhe një tis
ironie, si gjembi në trëndafil. “Unë/Hapin
s’po e ndal” shkruan poeti (f. 27)
ndaj themi se krijimet e këtij vëllimi
janë më shumë produkt i kohës kur u shkruan se sa petale të çelura të talentit
të tij poetik. Vargjet e këtyre poezive janë ngulçet e shpirtit që dalin me ofshamë
e derdhen në letër, aty bashkohen me njera tjetrën në formë poezie ku kushdo
mund të shohë e të lexojë si në një grafi dhimbjen e brengat e shpirtit a lulet
e gëzimit dhe të kuptojë se: ato metafora që rrezëllijnë në vargje, janë lotët
e shpirtit, të dhimbjes a gëzimit të poetit dhe melodiciteti i zanoreve është tingull
kënge e vaji i tij. Vargu i poetit është siç është atdheu, i tendosur si hark në
momentin për të lëshuar shigjetën, por që dora e mban fortë pse përpara ka
atdheun e rilindur.
“Ulem këmbëkryq përball’
tij
Flas e çmallem
Përmes imazhesh
përndizem”
te
i cili
“ Rigjej veten ëndrrave fëmijërore
………………………………………..
Dhe atë këmishë
Atë lëkurë dheu
Që në trup e mbaj
Kah shkoj”f. 3
Është
periudha e një paqeje të brishtë, ku një fishë ere dimërore e “pleqve[2]
të marsit” mund të ngrinte filizin e saj. Pikërisht në këtë kohë autori vargjet
dhe artin e tij e vë “roje” poetike te ky fidan i brishtë i lirisë, çka kuptojmë arsyen pse poeti solli këtë varg
të thantë me një stil, metafo-
rë e formatim poezie që të kujton poezinë e Bertold Brehtit.
III-Vëllimi
poetik “Paqja e brishtë” nis me poezinë “Atdheu i rilindur”dhe mbyllet jo rastësisht
me poezinë “Kodi mbrojtës i Atdheut” duke lënë të kuptohet se çdo gjë e tyre është
dhe jetohet vetëm brenda atdheut dhe për
atdheun. Nëqoftëse në poezinë e parë për atdheun shkruan:
“Mbeti arrë e vogël po
e fortë
Në këtë botë
U rilind për të satën
herë ” f.2
te
poezia e fundit shkruan:
Atdheu shtrihet mëtej
një syri të mprehtë
Mëtej një hapi të rreptë
Atdheu ka dhe emër
Dhe votër
E motër
………………………..
Ajo s’preket
Ajo s’ arrihet
As shijohet
Pa ia falë Palcën e
Gjakut
Palcës së Dheut f. 47
Duke analizuar këto dy poezi shohim se tek e para
shkruhet me një frymë “ëndërrimi” dhe meditimi pranveror për atdheun e rilindur,
ndërkohë që te poezia e fundit flitet e
shkruhet me ton serioz , si porosi
amaneti, si urdhër, si një kujtesë që e sjell koha. Dhe përsa i përket titullit
“Atdheu i rilindur”, cilësori “rilindur” përmbledh historinë e atdheut, sa të dhimbshme aq dhe
shpresëdhënëse, duke tërhequr vëmëndjen se: atdheu është si një fëmijë i porsa
(ri) lindur që ka nevojën e ndihmës dhe kujdesit të të gjithëve. Poeti flet
pak, poeti flet metaforikisht, por poeti është zëri i vërtetë i atdheut dhe
kombit. Vetëm poeti ka të drejtën dhe kurajën t’i drejtohet një force e vendi
pushtues në njëjës, sikur i flet një hajduti pulash, kapur në vjedhje e sipër:
“Ne këtu ishim kur erdhe
Si zot
S’di kush të ftoi
Dhe tempujt i kishim
Dhe faltoret
Dhe një zot mbi koka”
f.9
Këto
poezi për atdheun të duket se janë “ngritur” mbi poezinë “Vetëm të palindurit
ende nuk janë gjetur” që flet për viktimat e krimeve serbe anë e mbanë Kosovës,
eshtrat e të cilëve nuk janë gjetur. Në qoftë se dy poezitë e mësipërme mund të
recitohen me tonalitet të ndryshëm, kjo poezi vetëm mund të klithet me dhimbje,
pse bashkë-tingëlloret e fjalëve ngjajnë me brinjë të thyera që të çpojnë në
trup.
IV-Ajo
që na tërheq vëmendjen është se Sabit Rrustemi në këtë vëllim shfaq një dukuri
të mëvetësishme poetike, atë që mund ta quajmë “ansambël poetik”. Ndryshe nga “cikli
poetik” ku poezitë kanë tema, ide dhe stile të ndryshme, te “ansambli poetik” çdo
poezi, duke qenë krijim më vete, është njëkohësisht pjesë e një grupi poezish të
një teme ose të temave që kanë përafëri, të cilat trajtojnë artistikisht tërësinë
lëndore, shpirtërore e ideore të asaj që do të shprehë apo tregojë poeti. E thënë
më qartë:te “ansambli..”poezitë kanë drejtuar dritësimin e tyre, si prozhektorë
te anët e ndryshme të personit, idesë, ngjarjes, ëndrrës etj. duke ndriçuar në
këtë mënyrë tërësinë e objektit a subjektit poetik. Ka një ngjashmëri me një ansambël ndërtimesh që
synojnë të vënë në dukje diçka: një shesh, një stil urbanizimi, një lulishte
apo një monument. Në këtë stil janë ndërtuar
banesat shqiptare në zonat veriore: kulla kryesore në mes, në një vend zotërues
që shikon larg dhe rreth saj ndërtimet e tjera ndihmëse, të cilat shohin nga
kulla kryesore. Duhet të kuptojmë se poezitë, pjesë të “ansamblit poetik” nuk
janë variante të ndryshme të një poezie, por janë poezi të ndryshme që kanë
qasje ideje dhe stili me njëra tjetrën.
Dukurinë
e “ansamblit poetik” e gjejmë psh. te
grupimi i poezive “Kosova me shenjtin e vetë”, “Nga thellësia e heshtjes”, kushtuar Ibrahim Rugovës[3]
sëbashku me poezinë “Lekë Dukagjini i ri”, e cila ndonëse i adresohet tërthorazi
Hashim Thaçit, në qëndër të idesë ka Ibrahim Rugovën (përmes figures së
Gjergjit). Te poezia “Kosova me shenjtin e vetë”, të bën përshtypje se poeti,
tej natyrës së tij të hyjnizimit të frymës, këtu hyjnizon personin, individin
kur shkruan:
“O Shenjti ynë
O Shenjti im
Me ne
E në ne
Për paqësim
Për pavarësim”f.26
madje
këtë frymë hyjnizimi e përsërit dhe te poezia tjetër “Nga thellësia e heshtjes”, ku shkruan:
“Ti në thellësinë e
majës së dielltë
Të Dardanisë
Përmes heshtjes po flet
……………………………….
O zoti im
O shenjti im”f.27
Vlen
të sqarojmë se ndërsa poezia e parë “Kosova me shenjtin e vet” është shkruar në
5 shtator 2005, ditë në të cilën Rugova njoftoi popullin se vuante nga një sëmundje
e rëndë në mushkëri, njoftim që solli një trishtim të madh në popull sepse
pavarësisht debateve politike dhe me forcat opozitare, gjithë populli pohoi
drejtësinë, kontributin dhe paanësinë e tij politike në postin e Presidentit.
Sabit Rrustemi jo vetëm që kishte njohje personale me presidentin Rugova, por
ishte i zgjedhur prej tij në kandidimin për deputet , gjë që flet për një miqësi
jo të pakët. Kjo është arsyeja pse këtë ditë, si një klithmë nga goditja e
lajmit ai shkruajti poezinë e mësipërme.
Në datën 21 Janar 2006 Ibrahim Rrugova ngjitet në qiell si një shenjt dhe poeti
3-4 ditë më pas shkruajti poezinë e dytë, “Nga thellësia e heshtjes”. Është po
ai Sabit Rrustemi poeti që më 1980 me poezinë “Mplakja e Zeusit” i kërkontye
“Zeusit” të Jugosllavisë të zbriste nga Olimpi se ishte plakur, ndërsa tani, në
emër të dashurisë së gjithë popullit, e
shënjtëron për së gjalli Ibrahim Rugovën.
Interes
çfaq poezia “Lekë Dukagjini i ri”, shkruar më 17 shtator 2005 që rastësisht
koincidoi me zyrtarizimi prej Rugovës të
“Ekipit të Unitetit” ku u përfshi dhe Hashim Thaçi, të cilit edhe i adresohej e
njëjta, natyrisht përmes figures së Lekë Dukagjinit të Ri. Aktualisht kjo poezi
ishte si thirrje a ftesë për t’u bashkuar me Rugovën për fatin e Kosovës.
Prandaj dhe vargjet kanë një timbër të ngrohtë e tonalitet të qetë duke
përdorur simbolikën historike:
“Bëhu krahu
Shpina
E shtylla e Gjergjit
Dyreku i Sh’pisë
E i tërë Dardanisë
Bëhu
………………………...
Gjergji në Shenjt po shndërrohet”
f.38
Dukuria
e “ansamblit poetik”me përbërjen e tre-katër poezive krijon mundësin e zbërthimit
të idesë poetike në të gjitha hapësirat që synon tema. “Ansambli poetik” i mësipërm
nuk është i vetmi në këtë libër, madje mund të themi se “Paqja e brishtë” është
libër i “ansambleve poetike”, i vetmi në llojin e tij. Një “ansambël poetik”më
vete formojnë dhe dy poezitë “Kandilat e
Dokës”(f.30) dhe “Udha e Dokës”(f.33), të cilat ndonëse e marrin shkasin nga
ngjarje reale e Dokë Karadakut nga fshati Terziaj, i internuar në Mihaliq të
Turqisë në vitin 1846 për shkak të mospranimit të kthimit në besimin islam, ato
në fakt shfaqin luftën e shqiptarit për të mbrojtur identitetin kombëtar, traditat
dhe zakonet e tij. Arsyeja pse ka një ide përgjithësuese kombëtare, poezia është
trajtuar në frymën e artit gojor, në stilin dhe botën e baladave, elegjive dhe
legjendave, madje edhe klima e krijimit është huazuar nga arti gojor. Për nga
ideja, në këtë grup bashkohet dhe poezia “Portret që s`kornizohet” (f.4), duke
e bërë të plotë idenë e një “ansambli poetik” që dritëson portretin dhe luftën
e shqiptarit.
Në
këtë këndvështrim duhet të shihen edhe tre poezitë: “I zoti i shtëpisë dhe
qeni” (f. 15), “Ndëshkimi i qenit”(f.16) dhe poezia “Shpërblimi”(f. 17) që paraqesin një “ansambël poetik” për “qenin
” dhe të zotin e tij, që mund të jenë një kryetar lokal dhe truproja e tij, një
lider politikë dhe shefi i protokollit apo kuadrit etj. Këtu ricitojmë se Sabit
Rrustemi përkundër zakonit të tij që disa poezi t’i përpunojë në disa variante,
këto poezi janë një “ansambël poetik”me tri poezi të së njejtës temë dhe ide,
madje të shkruara me të njëjtin stil.
Të
njëjtin mendim ndajmë dhe për poezitë “Pakja para Pakos së pritur”(f.44) dhe “Në
dimrin e zjarrmisë” të shkruar të dyja brenda një jave janari të vitit 2005 ku
me një ironi therëse, që mbart brenda vetes revoltën flet për “Pakon…” e Marti
Ahtisarit, duke e portretizuar atë në ftohtësinë (jo gjakftohtësinë) e tij:
“Marti i mbështjellur me acarin e Veriut
I mati me sy përmes një
shikimi
Tamam ua paskemi prerë
tha..”
dhe
në pakon e tij “mungon dashuria e kësaj bote/Mungon dhe puthja e saj” (f.45). Në këtë
“ansambël poetik” bashkohen lehtësisht poezitë “Përurimi i qendrës multietnike”(f.
21), “Oxhaku i qendrës multietnike” (f.23). Interesante është poezia “Ali
Podrimja është fajtor[4]”
(f.40), poet i cili falë vargut të tij u mishërua si askush tjetër me Kosovën
dhe fatin e shqiptarëve. Përmes një ironie të hollë tallet me “poetucët” që nuk
e arrinin poetin “as me shikim”, lëre më me krijime poetike. Kjo poezi ka qasje
poezinë me “Shkallët për në Olimp”(f. 7) madje edhe ngjashmëri stilistikore.
Mbyllja ironike, tipike e Sabit Rrustemit me vargjet:
“Medet për atë majë
Olimpi
Të zitë e ullirit e pa
me atë të çmendur
E s’u kënaq njëherë prej
neve” (f.8)
..ka
një qasje jo thjeshtë stili me poezinë “Ali Podrimja është fajtor” ku shkruan:
“Lëreni
mos ia prishni vetminë
le të shkruajë e le të
çmendet
le të mbyllet në muzën e
tij
edhe i’qind vjet
edhe i’mijë vjet
sepse dënim më të rëndë
s'mund t'i shqiptojmë
as Ne vetë
Amin”(f.42)
..ku
duhet të njohësh natyrën e autorit për të kuptuar natyrën e vargut të tij
poetik.
V- Ne mund të citonim edhe poezitë e tjera dhe
vendin e tyre në “ansamblet poetike” të këtij libri, por ajo që ka rëndësi është
se: këto “ansamble…”me nga tri-katër poezi bashkohen në një “ansambël poetik” më
të madh, që është vetë vëllimi poetik. Kjo pse në thelb të gjithë poezive janë
njerëz e procese që kanë përcaktuar fatin e sotëm dhe të nesërm të
njeriut shqiptar dhe Kosovës në tërësi.
Poezitë
e këtij libri mbajnë vulën e stilit poetik të Sabit Rrustemit, qoftë në
formatin estetik të poezisë, metaforën e vargut, ironinë therëse dhe të fshehur
në shumë kuptimshmërinë e vargut. Tendosja e mendimit poetik është shumë më e
madhe edhe se te libri i tij i parë “Ku i la lisat era” të shkruar në situatë
pushtimi (1981 ndonëse botuar në 1990) për arsye (mendoj) se: aty ishte në një front me gjithë
shokët, ndërsa këtu është në front përballë disa prej shokëve, madje është opozitar edhe
me disa prej çlirimtarëve ndërkombëtarë. Por ndërsa në librin e parë ishte
“fshehur” mes metaforave poetike apo poezive metaforike, te ky libër duket
sikur metaforat “synojnë” ta vënë më në dukje opozitarizmin e tij dhe arsyen e sfidës.
Te ky vëllim poetik Sabit Rrustemi e gdhend vargun dhe e lëmon fjalën gjer në imtësi si
skulptori linjat e statujës, madje ai shkon edhe me tejë: ja hap sytë të shikojë,
ja “pastron” veshët të dëgjojë dhe në fund i hap buzët dhe i thotë: folë!
Poezitë e Sabit Rrustemit janë statuja që flasin. Dhe flasin shumë bukur.
Gjithsesi,
e parë në kohën kur është shkruar dhe botuar kjo poezi është tribunale për nga
tonaliteti e tensioni që mbart në vargje dhe ide, që na prezanton një poet luftëtar
për idenë e një atdheu plotësisht të pavarur e demokratik. Këtij synimi i shërben
fillim e fund ky libër.
Sarandë, Mars 2023
[1] Sabit
Rrustemi: “Paqja e brishtë” botim i “Rozafa”, Prishtinë 2007
[2] Ironizim
i termit “Plakat e Marsit” për burrat me mendësi “pleqërie” pavarësisht moshës.
[3] Ibrahim
Rugova (2 Dhjetor 1944 – 21 Janar 2006)
[4] E
shkruar në datën 20.9.2002 dhe e lexuar për herë të parë, në "Takimet e
Dom Mikelit", në Stubëll, viti 2002 e ku ishte i pranishëm dhe vetë poeti
Ali Podrimja. Komisioni as që e kuptoi poezinë, por buzëqeshja e Ali Podrimes i
“siguroi” se ishte “diçka” e mirë.