Mendime
Florim Zeqa: Kryeministër mos i lëndo qytetarët e vendit tuaj!
E enjte, 19.01.2023, 08:57 PM
Kryeministër mos i lëndo qytetarët e vendit tuaj!
Shkruan
Florim Zeqa
Përveç zhgënjimit të qytetarëve të vendit,
politikanët e papërgjegjshëm kosovarë i kanë zhgënjyer edhe miqt më të mëdhenj
të Kosovës, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre
evropian.
Adoleshenca politike
dëmtoi interesat e Kosovës
Rihapja
e Asociacionit të Komunave Serbe në fazën finale të dialogut, përveçse
zhgënjyese, është edhe sfiduese për pavarësinë e Kosovës. Faza finale e
dialogut e gjenë Serbinë në një pozitë të fuqishme politike, ndërsa Kosovën në
një pozitë të skajshme inferioriteti, shkaku i klasës adoleshente dhe të
papjekur politike.
Këshillat
e Gabriel Escobar, emisar special i ShBA-së për dialogun Kosovë – Serbi për
themelimin e Asociacionit, duken të jenë ultimative për ‘Qeverinë Kurti’, e
cila pa humbur kohë duhet të ofrojë propozimin final në përmbylljen e dialogut
me Serbinë, në të kundërtën mund të mirret një vendim unilateral nga bashkësia
ndërkombëtare për veriun e vendit, të cilin nuk do të mund ta ndryshojmë më,
siq nuk mundem ta ndryshojmë realitetin e krijuar 24 vite më parë në atë pjesë
të vendit tonë!
Prolongimi
i përmbylljes së dialogut, gjegjësisht zgjidhjes përfundimtare me Serbinë jo
vetëm që nuk e ndihmon Kosovën, i shkon për shtati aspiratave hegjemoniste të
Serbisë ndaj shtetit tonë.
Albin
Kurti i kanë mbetur vetëm dy rrugë; ecjen përpara sipas rekomandimeve të miqve
ndërkombëtar ose dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Ndryshe nuk mund të luaj
me ndërkombëtarët siq është mësuar të luajë dhe mashtrojë qytetarët e Kosovës.
Tashmë
është e qartë, themelimi i Associazionit të Komunave Serbe (AKS) është
rekomandim i prerë edhe i SHBA-ve dhe BE-së, andaj çdo ikje nga obligimet
ndërkombëtare që ka marrë Kosova në Bruksel, do të jetë sfidë e papërballueshme
për Kosovën.
Qytetarët janë lodhur me
mashtrime, duan zgjidhje
Problemi
i veriut të vendit nuk zgjidhet me politikë populliste dhe as me folklorizëm
patriotik. I kaluam 24 vite duke ëndërruar, duke kënduar e vajtuar, duke
gënjyer dhe zhgënjyer vetveten se një ditë do të bashkohet qyteti i Mitrovicës.
Atë
që nuk mundi ta bëjë shumë vite më parë ylli i muzikës shqiptare, e madhja
Shkurte Fejza me këngën; "Jo nuk ndahet Mitrovica", provuan ta bëjnë
edhe liderët tonë disa herë në vazhdimësi përmes fushatave zgjedhore, por na
ndodhi e kundërta e saj, barrikadimi dhe vendosja e shtatores gjigante të Car
Llazarit përballë Urës së lumit Ibër!
Vargu
më kulmor i këngës; "pa u farue me djem e qika, jo nuk ndahet
Mitrovica", në vend që të kthehet në kushtrim mbarëkombëtar, u kthye në
mashtrim nga politikanët tonë. Ata politikanë që dje kërkonin bashkimin
kombëtar dhe të Mitrovicës në veçanti, sot po u thurin lavde rojave të Urës dhe
kriminelëve serbë që vranë më dhjetëra shqiptarë të pjesës veriore dy dekada më
parë!
Heronj
(të vetëm) të gjallë janë ata pak banorë shqiptar të mbetur në pjesën veriore,
të cilët me prezencen e tyre fizike janë duke u munduar t'i dalin zot trojeve
te veta stergjyshore, përderisa kryeministri i tyre i thurë lavde vrasësit të
familjarëve të tyre (të cilin e quante pikërisht kështu si opozitarë)!
Veprimet
e ditëve të fundit të kryeministrit Albin Kurti, përveqse skandaloze dhe të
dëmshme për shtetin, janë poshtruese dhe fyese për familjarët e të vrarëve nga
kriminelët serb të pjesës veriore! Kryeministër mos i lëndo qytetarët e vendit
tuaj, ngase përveq mallkimit të tyre, edhe Zoti të ndëshkon!