Mendime
Kastriot Frashëri: Merret vendimi i zi për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike
E diele, 28.05.2023, 07:57 PM
93-VJET NGA TESTAMENTI I RILINDASIT TË FUNDIT MIT'HAT FRASHËRI PËR THEMELIMIN E INSTITUTIT ALBANOLOGJIK MERET VENDIMI I ZI PËR MBYLLJEN E AKADEMISË SË STUDIMEVE ALBANOLIGJIKE
Nga
Kastriot Frashëri, Avokat
Njeriu
që adhuroi librin dhe dashuroi kombin më 4 Mars 1929, do të shkonte në Noterinë
e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, ku do të nënshkruante Testamentin me
Nr.163. Me këtë testament, Mit'hat Frashëri gjithë pasurinë e tij mbas vdekjes
ia dhuronte kombit shqiptar. Kopjen e këtij Testamenti ai ua dorëzoi për
ekzekutim edhe disa prej bashkëkohësve
të tij, tek të cilët kishte besim.
Mit’hat
Frashëri, nëpërmjet këtij Testamenti, gjithë pasurinë e tundshme dhe të
patundshme, librat, mobiliet i linte për krijimin e një Instituti Albanologjik,
të një qendre shkencore për studiuesit shqiptarë, në të cilin do të kryenin
studimet e tyre për Historinë e Shqipërisë. Gjithashtu, në këtë testament ai
kërkon që biblioteka e tij private të ruhej e plotë, ashtu si i kishte mbetur e
trashëguar nga i ati, Abdyl Frashëri dhe të afërmit. "Nuk di ku do të
vendoset Instituti, po, nëqoftëse goditet pakëz jashtë qytetit do të donja
varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjër, duke hyrë nga porta e
rrugës. Mbi këtë varr dua një copë gur të madh dhe një qiparis. Më duket sikur
do të jem ruajtësi i Institutit, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore
në gjallimin e tij”.
Ndërsa
shqiptarët dhe mbarë bota shqiptare përgatiten të festojnë me madhështi
jubileun e 100 të kësaj arritje të madhe të Rilindjes Kombëtare është vetë
varrëmihësi i tij z. Edi Rama, si kryesues i Këshillit të Ministrave, i cili ka
marrë vendimin për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike duke i
kaluar asetet e këtij institucioni të rëndësishëm kombëtar nën varësinë e
Akademisë së Shkencave që drejtohet jo vetëm nga besniku i partisë së tij
Skënder Gjinushi, por ende edhe nga ministri i arsimit të regjimit komunist.
Vetë situata e brendshme aspak normale e krijuar këto vitet e fundit në
Akademinë e Shkencave vë në pikëpyetje jo vetëm legjitimitetin e drejtuesit,
por edhe besushmërinë e saj tek publiku.
Qendra
e Studimeve Albanologjike sot ASA dihet se u krijua më 8 Mars 2008 në kuadër të
ristrukturimit e të modernizimit të sistemit universitar dhe akademik shqiptar,
me vendim të Këshillit të Ministrave, nga bashkimi i katër Instituteve
(Arkeologji, Gjuhësi dhe Letërsi, Histori, Kulturë Popullore) dhe i dy njësive
kërkimore (Studimi i Artit, Enciklopedia Shqiptare) të ish- Akademisë së
Shkencave të Republikës së Shqipërisë. E pasur me një ekip kërkuesish shkencorë
e specialistësh të konfirmuar në fushat e studimeve albanologjike, si dhe me
fonde e materiale arkivore të një rëndësie të veçantë, ASA ishte pozicionuar si
një ndër institucionet më të rëndësishëm kërkimorë-shkencorë të botës shqiptare.
Ndër të tjera misioni i sa është të kryejë kërkime në fushat e historisë, të
arkeologjisë, të antropologjisë kulturore e studimit të artit, të gjuhësisë e
të letërsisë, etj.
Rëndësi
të posaçme në punën e ASA ka qenë hulumtimi, vlerësimi, konservimi dhe
promovimi i trashëgimisë materiale e shpirtërore të kulturës së lashtë e të re
shqiptare, si një ndër dëshmitë e qenësishme e më shprehëse të identitetit
shqiptar.
Lidhur
me këtë zhvillim të papritur në dëm të trashëgimisë sonë kombëtare ka reaguar edhe
Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike, i cili, nga burimet e mia, është
mbledhur me urgjencë duke dalë me një qëndrim zyrtar për mediat.
Mbyllja
e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) është kthyer në një çështje të
rëndësishme kombëtare gjatë 24 orëve tê fundit duke sjellë jo vetëm reagimin e
senatit të institucionit të albanologjisë por edhe të elitës kombëtare në
Shqipëri.
Sipas
projektvendimit të qeverisë të publikuar në media parashikohet se të gjitha
institutet në varësi të Akademisë së Studimeve Albanologjike do të shkrihen.
Ato do t’i bashkëngjiten Akademisë së Shkencave, e cila merr po ashtu të gjitha
pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme. Pra, njësitë kryesore ekzistuese të
saj psi Qendra Kërkimore e Enciklopedisë Shqiptare dhe Botimeve dhe personeli
akademik i këtyre njësive, do të riorganizohen si njësi të kërkim-studimit
pranë Akademisë së Shkencave, brenda këtij viti.
Lidhur
me këtë zhvillim të fundit brenda komunitetit të të albanologëve shqiptarë
është vetë Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike, i cili u mblodh me
urgjencë duke dalë i pari me një qëndrim zyrtar ku thekson se me mbylljen e
veprimtarisë së akademisë shkelet ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin
Shkencor në Shqipëri.
Duket
haptazi që ky vendim krijon precedentin e rrezikshëm të mbylljes së pabazuar të
një Institucioni Publik të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.
Me
të drejtë antarët e organit më të lartë të këtij institucioni bazuar në
legjislacionin mbi organizimin dhe funksionimin e tyre kanë bërë me dije për
opinionin publik se vetëm Senati i ASA-s, duhet të shprehet për fatin juridik
të Akademisë.
Duke
marë parasysh egërsinë e shtetit për finalizimin e projekteve të tij si dhe
nisur nga precedentë të tjerë të shtrirë në kohë duket se kjo sipërmarrje është
në fundin e saj. Nuk gjej dot shkak të justifikoj projekt-vendimin e qeverisë
sonë se me këtë arritje të synuar më ngjan sikur pasuron çdo vit vendimet e
dikurshme të sulltanit përtej Anadollit apo ato të qendrës së sotme të neo
otomanizmit që vijojnë të vijnë nga Stambolli me të njëjtin stil edhe këtë
shekull të ri.
Po
me Qendrën e Studimeve Albanologjike çfarë patën? Teksa po ndalem të analizoj
pasojat e kësaj lëvizje të pamenduar nuk mund të hesht pa kujtuar një ngjarrje
të përjetuar rreth 5-6 vjet më parë ndoshta viti 2008, e cila më ka lënë mbresa
për nga rëndësia e këtyre vendimeve antikombëtare, ku teksa me mikun tim të
vjetër Prof. Dr. Luan Malltezi Malltezi
po pinim një kafe tek Pallati i Kulturës kalon aty rastësisht një mik dhe
kolegu ynë Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, i cili pasi u bashkua me ne në tavolinë që
në krye të herës, ashtu i shqetësuar dhe me zërin që i dridhej nga trishtimi, i
thotë z. Malltezi se isha në Institut (të Historisë që atë kohë po boshatisej
për të ndëruar pronësi KF) dhe mu mbushën sytë me lot teksa shihja të hedhura
nëpër dysheme për tu derdhur në plehra qindra Skeda tënde të hequra pa mëshirë
e pikë profesionalizmi nga skedarët e këtij instituti, i cili atë kohë me sa më
kujtohet ishte në proces riorganizimi njësoj si ASA sot, duke fshirë më keq se
barbarët disa dhjetra vite punë kërkimore të profesorit të cilat duke qenë në
pronësi të institucionit do të ishin fare mirë në funksion të brezit të ri për
të thelluar më tej studimet e tyre në fushën e historiografisë dhe jo ti
fillojnë ato nga e para. Por politikëbërësit tanë nuk kanë asnjë dijeni për
punët dhe rregullat e studimeve shkencore. Sjell në vëmendje të lexuesit se mbi
dy dekada më parë në një konferencë ndërkombëtare mbi albanologjinë një
akademike e shquar italiane deklaroi me plot siguri se është fat i madh për
Shqipërinë që duke qenë një vend i vogël ka dy historianë të shquar të
periudhës së mesjetës si Prof. Malltezi dhe Prof. Xhufi të cilët i përkasin me
të drejta të plota historiografisë botërore.
Nga
ana tjetër do të theksoja se mbyllja e ASA do të shkaktojë rrjedhimisht
pushimin e mbi 45 marrëveshjeve ndërkombëtare që ky institucion është palë si
IAL dhe për rjedhim asnjë institucion tjetër nuk ka tagër t’i mbartë këto
detyrime kontraktuale dhe akademike.
Por
nuk është ky problemi i vetëm që sjell pasoja per shkencën shqiptare pasi
mbyllja e ASA i kthen institutet në njësi kërkimore apo më qartë i vendos ato
nën kontrollin krejtësisht të Akademisë së Shkencave të dijes akademike në
lëmejt e albanologjisë.
Fakti që ky projektvendim ndërpret menjëherë karrierën e afro 100 studiuesve pasi ligji Nr. 53/2009 për Akademinë e Shkencave nuk parashikon në asnjë dispozitë dhe as procedurën e punësimit në këtë institucion jo vetëm që shkel rëndë parimet e lirisë akademike, por edhe shkakton një akt të rëndë antikombëtar duke shuar Akademinë e Studimeve Albanologjike e bashkë me të edhe institutet pjesë përbërëse të saj. E gjithë kjo histori ndodh pikërisht në prag të 100 vjetorit të zanafillës së shkencës së Albanologjisë ku ish-kryetari i Kongresit të Manastririt (1908) Mithat Frashëri hodhi bazat e krijimit të një instituti albanoligjik si domosdoshmëri e kohës. Nuk e di nëse bota e qytetëruar e ka fshirë sot nga profesionet e saj këtë degë të rëndësishme ndërdisiplinore të shkencave humane që ka për synim studimin e gjuhës, zakoneve, letërsisë, artit, kulturës dhe historisë së tyre?
Atëherë
i bie që dhe ne të mos kemi më studime Albanologjike! Ky është një akt i rëndë
antikombëtar dhe rrjedhimisht kërkon reagimin e të gjithë institucioneve në
Shqipëri për të frenuar një marrëzi të tillë kundër identitetit kombëtar.
Instituti i Çështjeve Kombëtare që drejtoj si shprehës i aspirate të popullit
të vet i bashkohet shqetësimit të komunitetit të albanologëve dhe do të ndërmarë
të gjitha veprimet ligjore në mbështetje të tyre për ndalin e një sipërmarrjeje
të tillë të panevojshme, të pa argumentuar dhe që vjen në kundërshtim të hapur
me interesin kombëtar.