Mendime
Anton Marku: Veriu shkoi!
E hene, 29.05.2023, 07:57 PM
Veriu shkoi!
Nga
Anton Marku
Tri dimensione të një tregimi mbi atë se si qëllimshëm provokohen tensione
të cilat më pas eskalojnë dhe sjellin pasoja duke bërë që edhe miqtë më të
përkushtuar të Republikës të rishqyrtojnë mbështetjen e tyre në të ardhmen. Se
klasa e re politike në Kosovë është mjaft e talentuar për të prodhuar kriza,
edhe atëherë kur kjo nuk është domosdo e nevojshme, është dëshmuar disa herë në
dy vitet e kaluara. Tani që ky ‘‘afinitet’’ ka filluar që pandalshëm të
rrëshqet nga truri në muskuj situata ka kaluar në nivel të rrezikshmërisë së
lartë me të gjitha predispozitat për të gjeneruar dëme të pariparueshme dhe afatgjata
për perspektivën e saj euroatlantike.
Rrëfimi i një ateisti
Që nga fillimi i
dialogut në Bruksel, kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, theksonte se
për çështjet e brendshme të Kosovës nuk duhet zhvilluar negociata me Beogradin
por me serbët që jetojnë në Kosovë, dhe këtë, ndër të tjera, edhe me arsyetimin
se shqiptarët dhe serbët, duke qenë se për shekuj të tërë jetojnë pranë e pranë
i kuptojnë mirë hallet e brengat e njëri-tjetrit. Se çfarë kishte në mendje
atëherë dhe se në çfarë gjuhe u drejtohet sot ai pjesëtarëve të komunitetit
serb që kur është në krye të qeverisë, u kuptua tashmë. Se sa ‘‘mirëkuptim’’
tregoi ai për shqetësimet e bashkëqytetarëve të tij tregon edhe fakti se
‘‘bakshishet’’ po jua dërgon me njësi speciale. Nuk është e qartë se si do të
vazhdojë t’a trajtojë ai pakicën më të madhe joshqiptare në Kosovë: Si serbë,
anëtarë të një kombi armik apo si qytetarë të Kosovës. Duke pasur parasysh
simpatinë e kryeministrit për veprime të dhunshme, prognoza nuk është shumë
inkurajuese, Për të fituar ndonjëherë besimin e tyre ai tashmë i ka djegur të
gjitha kartat që i ka pasur në duar, nëse me të vërtetë i ka pasur ndonjëherë.
Mbase, për të, që në burim ishte i kuq dhe që u nxi rrugës, ky do të jetë edhe
një ndër gabimet, jo dhe aq të pakta, që ka bërë në karrierën e tij të
deritashme politike, e të cilin, me shumë gjasa, nuk do ta pranojë ndonjëherë.
Ndeshja finale
Duket se, sidomos
pas farsës me zgjedhjet për krerët e komunave veriore, kreu i qeverisë tashmë
ka ndërmarrë të gjitha masat që sa më shpejt që të jetë e mundur të nis një
konflikt i armatosur, fillimisht mes forcave të rendit të Kosovës dhe serbëve
lokalë në veri të vendit. Si rrjedhojë, në të do të përfshiheshin Serbia dhe
KFOR/NATO, pasuar nga ‘‘vullnetarët’’ shqiptarë dhe serbë, të cilët do të
ndërprisnin me shumë ‘‘pasion’’ pauzën më se njëzet vjeçare të luftërave në
Ballkan. Kjo do të ishte vija e të gjitha vijave të kuqe. Nuk është e sigurt se
kush nga kush do të shpallë ndarjen apo kush kujt do t’i bashkohet. Po aq nuk
është e sigurt se cilën anë do e mbante bashkësia ndërkombëtare në një rast të
tillë. Ajo çka mund të thuhet me siguri është se skenari më i përafërt do të
përfshinte sidomos izolimin dhe vendosjen e sanksioneve dhe do të përfundonte
me imponimin e organizimit të një konference në të cilën do të ridefinoheshin
jo vetëm kufijtë por edhe fatet e popujve në këtë pjesë të gadishullit. Se a do
të ishte bilanci pozitiv për Kosovën, për këtë duhet të mendojnë vendimmarrësit
e sotëm, duke u bazuar në analiza të thella, profesionale, gjithëpërfshirëse e
përmbajtësore e jo në frustrime momentale të personave të papërgjegjshëm që
mezi presin që historisë t’ia ‘‘shkoklojnë’’ ndonjë ditë lavdie.
Erë jugu në veri
Për herë të parë
që nga shpallja e shtetit, flamuri i Kosovës, për të cilin më së paku ka merita
Lëvizja Vetëvendosje, u pa të valëvitet në objektet e kuvendeve komunale të
katër komunave në veri të vendit. Çuditërisht, kësaj pamje duket se ju gëzuan
më së shumti anëtarët dhe përkrahësit e këtij subjekti politik, edhe pse do të
ishte më e pritshme, duke e bazuar në bagazhin patriotik me bollëk, në vend të
pëlhurës me ngjyrë kaltër-verdhë të ngrihej ai kuq e zi. Sidoqoftë tani që
flamujt u ndërruan, simbolikisht, ata duhet vazhduar të qëndrojnë aty si tregues
të sovranitetit. Do të ishte mirë që kjo të mos ndodhë duke qenë 24 orë policë
të angazhuar në ruajtjen e tyre. Ky nuk është imazhi më i mirë të cilin Kosova
ia përcjell botës. As sot as nesër. Me skena të tilla proceseve të rëndësishme
integruese ju vihet një pikëpyetje e madhe prapa, ndër to edhe liberalizimit të
vizave dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Më shumë se sa për
lider luftënxitës, i cili qan për Republikën më shumë se sa ka lot për të
derdhur, Kosova ka nevojë për vizionarë, të cilët atdheut i japin edhe një
ngjyrë. Më të mirën. Atë të paqes.
Vjenë, 28 maj 2023