Përjetësi » Mani
Idriz Zeqiraj: Ideali dhe Parimësia – ishin unike në jetën e Kadri Manit
E premte, 13.01.2023, 08:00 PM
IDEALI DHE PARIMËSIA - ISHIN UNIKE NË JETËN E KADRI MANIT
Në
10-vjetorin e amëshimit të Kadri Manit
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Familja, vëllazëria, miqësia, shokët dhe dashamirët, përkujtojnë,
me dashuri e nderim të thellë, qendresëtarin dhe luftëtarin e përkushtuar të
çështjes kombëtare, Kadri (Os)Manin. Pothuajse, të gjithë ne, e kemi njohur
veprimtarinë e gjithmonshme, të larmishme: arsimore, krijuese, publicistike,
botuese e, mbi të gjitha, atdhetare.
Për jetën, veprën dhe kujtimet e begata, që ruaj për mikun tim të
rinisë dhe të pleqërisë, i kam shpalosur në Akademinë Përkujtimore, kushtuar
Kadri Manit, të organizuar në Shtutgart të Gjermanisë, me rastin e shuarjes
fizike të tij. Pastaj, për veprimtarinë jetësore dhe kujtimet e kohës, për
bacën Kadri, i kam thënë edhe në Akademinë Përkujtimore, me rastin e
një-vjetorit, të organizuar në Prishtinë. Andaj, sot, mendoj të ju kursej në
kohë, duke respektuar auditorin dhe folësit tjerë.
Jeta dhe veprimtaria e Kadri Manit, mund të përkufizohet në katër
kohë:
1)Kadri Mani, pishtar i arsimit;
2) Qëndresëtar në tre gjykime, i dënuar me 25 vjetë burg të rëndë,
prej tyre 17 vjetë të vuajtura në burgjet: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë,
Beograd, Pozharevc,
Nish, Leskovc, Maribor, Zagreb, pothuajse, në të gjithë gjeografinë
ish-jugosllave;
3) Mërgimtar në Shqipëri dhe Zvicër;
4) Rikthimi në Kosovën e lirë. Burgjet e gjata dhe mërgimi kishin
ndërprerë studimet post-diplomike. Për rrjedhojë, në moshën 70 vjeçare
magjistroi dhe 5 (pesë) vjetë më vonë bëri përgaditjet e duhura, për mbrojtjen
e doktoraturës. Por, pikërisht, në moshën 75 vjeçare, pushoi së rrahuri zemra e
madhe e Kadri Manit. Duke lënë një veprimtari krijuese prej 10 librash, tashmë,
të botuara, si dhe materialin e dosuar edhe për 10 libra të tjerë, që presin
botimin, duke rrumbullaksuar shifrën në 20 libra, krijimtari letrare dhe
publicistike.
Bashkëjetesa në arsim dhe në veprimtarinë ilegale
Kadri Manin, e njoha në vitet `60-a, kur ai erdhi në Gjimnazin dhe
Normalen e Pejës, nga Revista letrare "Jeta e Re", ku ai punonte, për
të abonuar shkollarët e mesem, me këtë revistë letrare. Hyri në klasë, i
shoqëruar nga Prof. Sylë Dreshaj. Na solli të falat e Dr. Esad Mekulit dhe
prosinë e tij, "për lexim e studim. Ai vazhdoi, duke thënë se leximi
letrar, është alfa dhe omega e mësuesëve. Si nxënës, keni edhe lehtësira
pajtuese". Disa nga ne aprovuam menjëherë, por, abonenti i parë ishte
Ibrahim Rugova.
Dy vjet më vonë Kadri Manin e takova në Shkollën 8-vjeçare
"Rilindja" në Keçekollë, përkatësisht, Kolaj. Kemi ndarë dhomën dhe
ushqimin. Ndonëse një 10 vjeçarë më madh në moshë, më trajtonte si vëlla dhe
shok. I përkushtuar për arsimin dhe fort i pasionuar pas librit dhe shtypit.
Mungonte biblioteka dhe gjithëçka tjetër, përveç librave shkollorë. Me porosi
të bacës Kadri, trokita në të gjitha redaksitë e Prishtinës, përfshi edhe
magazinën e Librit Shkollor. Prej andej, në redaksinë e "Nova
Makedonia", në Shkup, ke xhaxhi shkrimtar, Mehmedali Hoxha, drejtor i
botimeve në gjuhën shqipe, përfshi revistat "Pionieri" dhe
"Gëzimi".
Në përgjithësi, pritje fisnike, por, në një rast, në Prishinë,
edhe burokratik.
Ne ishim modest në
kërkesa: abonime me gjysmë-çmimi, për revistat dhe librat falas, të mbetura
stoqe, për dobësi menaxhimi në shitje, për 10 shkollat e zonës. Siç thotë
urtësia: "Lypja të koritë, por, nuk të lënë pa gjë"
Veprimtaria ilegale me Kadri Manin, është një kapitull në vete. E
veçanta është se ishte një letër e Kadriut, me shokë, që u bë shkak i
prangosjes të njëkohshme, edhe pse në dy shtete: Kadriu në Jugosllavi, ndërsa
unë në Shqipëri!
Kadri Mani - një jetë për Atdhe
Për drejtëpeshimin dhe
drejtorientimin kombëtar, Kadri Mani, u referohej të burgosurëve politikë
familjarë: "Vëllait Ramiz Osmani, i dënuar me 18 vjetë burg politik, me
kushërinjtë: Shefki Osmani, Nuhi Osmani, Musli Osmani dhe fshatari ynë, Zylfi
Musliu, të cilët kanë merita burgu, të orientimit të drejtë politik, si
pjesëtarë të NDSH-së, në vazhdën e Mulla Idriz Gjilanit dhe të Gjon
Sereçit".
Kadri Mani konsiderohet si rreze e
shqiptarizmës, i cili, me fjalën e shkruar dhe veprimin e provuar, frymëzoi
brezat shqiptarë, qoftë si mësues; qoftë në gjyqe e burgje; qoftë në
veprimtarinë aktive në Mërgatën shqiptare.
Pararendës mentorë, si frymëzim
jetësor, kishte politikanët luftarakë, Hasan Prishtinën dhe Ymer Berishën, me
brezin e tyre idealistë; rilindasin Sami Frashëri dhe urtësinë unike të Ibrahim
Rugovës.
Me botimin e revistës,
"Shqipëria Etnike", nga Kadri Mani, lëndëzohet, qartazi dhe pa
ekuivoke, djathtizmi i trashëguar familjar i tij. Fati më ka buzëqeshur, të jem
kryeredaktor i kësaj reviste politike, shoqërore dhe letrare, me redaktorët,
djalin e zgjuar tropojan, të zbritur në Tiranë, krijuesin e talentuar, Zeqir
Lushaj dhe rapsodin Agim Gashi, me shokë, me dhimbje - deri në lot, të dytë të
shuar kësaj bote. Revista në fjalë, ishte botim i veçantë, por botohej edhe në
Portalin e hershëm shqiptar "Zemra Shqiptare.net", të menaxhuar nga
mjeshtri i letrave, atdhetar i devotshëm, shkodrani nga Shqipëria, Gëzim Marku.
Politika redaktuese, dinjitoze e
profesionale, me tematikë, thellësisht, atdhetare, të Portalit "Zemra
Shqiptare.net", me qendër në Londër, që mbulon gjithë Etnikumin shqiptar
dhe Diasporën shqiptare, bëri emër të mirë. Lexuesit e bollshëm e motivuan edhe
më shumë vullnetin botues të bacës Kadri. Nderimi që botuesi -par exelance- ,
Gëzim Marku, i bënte Kadri Manit, qoftë në gjallje, qoftë edhe pas shuarjes
fizike të tij, është proverbial, që dinë ta bëjë vetëm intlektuali për
intelektualin, fisniku për fisnikun.
Zhgënjimi i
skajshëm dhe pengu i madh i bacës Kadri
Kadri Mani kishte guximin
intelektual, si rrallë kush. Kurrë dhe asnjëherë nuk e joshi lakmia materiale
dhe aq më pak ndjenja e karrierizmit. Fat jetësor e pati martesën me nusen
Shukrije Bunjaku-Osmani, e cila, me përkujdesjen të pashoqe, për rritjen,
edukimin dhe shkollimin e fëmijëve: Hidajetës, Rabitit dhe Ylberit, ia lehtësoi
dhe mundësoi bashkëshortit Kadri, t`i përkushtohet, tërësisht dhe jetësisht,
çështjes kobmëtare. Si bashkëshorte dhe nënë ideale, asnjëherë nuk është
dëgjuar të ankohet për mungesën e babait të fëmijëve në shtëpi, duke akceptuar
dhe arsyetuar objektivisht burgun, sa të gjatë, aq edhe të rëndë, duke dëshmuar
atë thënien lapidare se "gruaja është shtylla e shtëpisë!"
Kadri Mani dhe brezi ynë, ndjenjën e
idealizmit e kishim shumë të zhvilluar. Mendonim, më saktë, ëndërronim se në
Atdheun e lirë - Kosovë, shqiptarët do jenë në punë dhe, pas saj, në
bibliotekë publike apo në atë të shtëpisë. Sepse qëllimi i bacës Kadri, me
shokë, ishte begatimi dhe prosperimi i Kosovës. Por, zhgënjimi ishte i
skajshëm.
Edhe pse lufta kishte mbaruar, lirinë
e sollën fluturaket e NATO-paktit, me hedhjen e bombave të tyre, kundër
pushtuesëve serbo-sllavë, disa "komandantë", me uniformën e UÇK-së,
të instruktuar enkas, nga UDB-a e Serbisë dhe SHISH-i enverist i Shqipërisë,
vrisnin shqiptarët, kryesisht, ushtarakët luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim
Rugovës, veprimtarët e LDK-së dhe kuadrot e hershëm të LPK-së, thjeshtë, për
motive politike, për pushtet e para.
Këto krime të ngeshme, paraprakisht,
të amnistuara, ishin zhgënjyese, dëshpruese, madje tmerruese, për Kadri Manin.
Rrjedhimisht, Baca ynë zemrak e luftarak, sa i përkushtuar, aq edhe i
përvuajtur, për ta bërë Atdheun të lirë, iku kësaj bote, me pengun e madh të
pasigurisë, iku me buzëqeshjen e ngrirë, sepse kriminelët bredhin të lirë.
Përkujtimi adhurues, për jetën dhe
veprën e Kadri Manit, do të rrojë ndër breza.
Përjetësisht Lavdi!