Editorial » Entela
Entela Binjaku: Sekretarja e Shtetit për Rumunët e Kudogjendur mes banorëve të Mekatit
E enjte, 29.07.2021, 08:05 PM
Sekretarja e Shtetit për
Rumunët e Kudogjendur mes banorëve të
Mekatit
Nga
Entela Binjaku
"Shkolla
e Mekatit këtë vit mori financim të parimbursueshëm nga ana e Departamentit për
Rumunët e Kudogjendur, arsye për të cilën në itinerarin tonë të Ballkanit u
ndalëm edhe këtu: dëshironim të njihnim nxënësit.
U
pritëm gjatë dhe u përshëndetëm nga autoritetet vendase, drejtoresha e
shkollës, banorët e fshatit dhe Entela Binjaku, drejtore ekzekutive e
Fondacionit "Harriet Martineau" i cili në vitin 2020 zhilloi me
financimin po të DRP-së portalin e lajmeve në gjuhën rumune
"arumun.com" dhe botoi "Abecedarin e dialektit arumun për
komunitetin arumun të Shqipërisë".
Për
habinë tonë na doli përpara një kryqëzim rrugësh.
Dikur,
në historinë tonë të përbashkët, rumunët dhe arumunët u ndanë në një kryqëzim
të tillë. Historia na çoi në fate të ndryshme, por sot rrugët tona u bashkuan
dhe kjo na gëzoi pa masë. Bashkimi ynë
vazhdoi po në mënyrë simbolike, sepse u mblodhëm në oborrin e shkollës që është
i rrethuar, ose më saktë i ruajtur (kështu u ndjeva) nga varrezat e fshatit.
Të
rrethuar nga paraardhësit e prehur, nga fëmijë, prindër dhe gjyshër, mundëm të
shihnim, pikërisht, se si e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e dialektit arumun
është e ruajtur mirë, këtu, në gjirin e komunitetit.
Çdo
vit nga sipërfaqja e tokës shuhen 400 gjuhë. Misioni për të mbajtur gjallë një
gjuhë, një dialekt, për të ruajtur një identitet kulturor është stafeta që
babai ja la Entela Binjakut, e cila arriti, vite më vonë, në Mekat, për të
sjellë "disa libra" siç tha ajo.
Ju
sigurojmë se librat kanë mbërritur mirë dhe se ne do të bëjmë gjithçka që të
jemi më pranë Rumunëve të komuniteteve historike, për t'u treguar se ata bëjnë
pjesë tek Rumania."
Ky
është mesazhi që Sekretarja e Shtetit
znj. Oana Ursake (Oana Ursache)
shkroi pas vizitës që ajo dhe delegacioni i DRP-së zhvilluan në fshatin
Mekat të Vlorës. I pranishëm me delegacionin nga vendi mik ishte ambasadori i Rumanisë në vendin tonë z.
Oktavian Sherban (Octavian Serban).
Ky
delegacion e përfshiu edhe vendin tonë në itinerarin ballkanik që nisi me
Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut e vijoi me Shqipërinë. Takimi u mbajt në datën 25 korrik 2021. I gjithë ky takim u përshkua nga çaste
emocionuese dhe të ngrohta bisedash njerëzore.
Në këtë takim e morën fjalën kryeplaku z. Berti Lera i cili shprehu edhe
njëherë mbështetjen që ky komunitet i jep mësimit të gjuhës dhe ruajtjes së
traditave.
Më
tej fjalën e mori drejtoresha e shkollës znj. Antoneta Jaçe. Znj. Jaçe bëri për të pranishmit një
situatë të numrit të nxënësve të kësaj shkolle për të cilët shprehu edhe
vlerësimin për rezultatet e larta dhe bashkëpunimin që shkolla ka me
komunitetin e prindërve.
Sokrat
Koreta banor i këtij fshati dhe një ndër aktorët kryesorë të kësaj nisme foli
edhe për fillesat e kësaj shkolle kur mësimi zhvillohej në shtëpinë e tij. Në vargje të thurura për këtë rast, ai nderoi
edhe kujtimin e Thoma Binjakut, i cili 5 vite më parë, i ishte përgjigjur
thirrjes së tij dhe e kishte mbështetur në dëshirën për t´u mësuar fëmijëve
gjuhën.
Në
këtë takim e morën fjalën edhe z. Mihal Gerveni, Petraq Koreta, Jani Qirjo etj.
Me falëndërime për miqtë rumunë ata shprehën po ashtu vlerësimin për ruajtjen e
gjuhës dhe traditave të pakicës rrëmënje.
Në
shenjë respekti dhe mikpritjeje për znj. Ursake banorët kishin përgatitur një dhuratë simbolike me punime
artizanale tradicionale të grave të zonës.
Ky gjest simbolik shënoi edhe një tjetër cast emocionues në këtë takim
kuptimplotë.
Nisma
për këtë projekt lindi gjatë një vizite në janar të këtij viti në fshatin
Mekat.
“Shkolla
në këtë fshat ka pesë vjet që është hapur. Në fshatin tonë dëshirojmë që të
kemi një klasë që të mësohet, sepse
Sokrati ka shumë durim për të mësuar fëmijët. I ndjeri Thoma ka punuar shumë
për fshatin tonë. Sokrati ka punuar i papaguar, duke shpenzuar paratë e
shtëpisë. Ai ka punuar jashtëzakonisht që e nxori gjuhën tonë në dritë. Pas
ikjes së Thomait, këtu nuk ka ardhur më askush- Nuk na ka dhënë askush ndihmë”,
shprehej Mihal Gerveni në një vizitë të zhvilluar në janar të këtij viti në
fshat. Kërkesa për gjuhën dhe mbështetja për Sokratin ishin kryefjalë edhe e
një takimi tjetër të zhvilluar me banorët e këtij komuniteti. Kryeplaku
Berti Lera shprehej: “Jemi të gjithë bashkë, ne jemi të gjithë
rrëmënj... Ndaj për ne është ditë e madhe të kemi një shkollë, të mësojmë
gjuhën tonë.... Kush është ai është që nuk e do gjuhën e nënës, ta flasë?
Fëmijët mezi presin, ata gëzojnë më shumë se ne. Duam ta mësojnë, ta flasin e
ta shkruajnë".
Të
pranishmit në takimin në fjalë si: Ligor Doko, Sokrat Koreta, Mihal Gerveni,
Mihal Doko etj., fëmijë, e pjestarë të komunitetit sërish shprehën mbështetjen
për hapjen e klasave të mësimit të gjuhës rrëmëne.
Ndërkohë
arumunët janë të vendosur në disa zona të Shqipërisë si në: Korçë, Tiranë, Durrës, Vlorë, Kavajë, Elbasan, Divjakë,
Lushnje, Berat, Pogradec etj.
Delegacioni
i DRP-së në Shqipëri vizitoi Korçën, Gjirokastrën, Sarandën, Tiranën, Selenicën
dhe Mekatin duke zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve vendore dhe
qendrore, me ish studentë të insitucioneve arsimore në Rumani si dhe me
aktorë që kontribuojnë në drejtim të ruajtjes dhe identitetit të pakicës
kombëtare arumune në vendin tonë.