Editorial » Entela
Entela Binjaku: Dimër i ngrohtë në Bukuresht - Mbahet shfaqja "pasion dhe dashuri"
E shtune, 01.02.2020, 03:49 PM
Dimër i ngrohtë në Bukuresht: Mbahet shfaqja "pasion dhe dashuri"
Nga
Entela Binjaku
Nuk di në mund të ketë një
mënyrë më të mirë për një mbrëmje fundjavë dimri, sesa të ndjekësh një shfaqje
ku muzika lirike ndërthuret me vargjet e autorëve të mëdhenj, shoqëruar me
muzikën e dhomës dhe e gjitha kjo në një nga sallat emblematike të kryeqytetit.
Panorama do të ishte e paplotë nëse nuk do të shtonim se protagonistë ishin një
soprano e njohur, një aktor nga më të mirët e skenës së Teatrit, një formacion
instrumental profesionistesh, të cilave u bashkohej një instrumentist i ftuar
që kishte udhëtuar posacërisht për këtë shfaqje. Dhe mbi të gjitha....kjo
ndodhur në Bukuresht, qytet me kontribute të larta në formimin e mjaft prej
intelektualëve të Shqipërisë.
"Pasion dhe
dashuri" titullohej shfaqja që u mbajt ne Bukuresht të premten më 31 janar
në sallën e Muzeut të Qytetit, në Pallatin "Sucu". Një mbrëmje e
ngrohtë, plot emocion e me një pasion që ndjehej në ajër ndërsa përcillej tek
publiku në sallë.
Të pranishëm në këtë
mbrëmje kulturore ishin ambasadori i
Shqipërisë në Bukuresht z. Ilir Tepelena, Konsulli i Nderit i Rumanisë në
Korcë, z. Elvis Toci, miq të
Shqipërisë, si Ambasadorja e Sllovenisë
në Bukuresht znj. Lea Stan?i?, e cila
ndodhet në këtë detyrë pasi ka lënë të njëjtin pozicion të rëndësishëm, Tiranën vitin e kaluar.
Zemra e këtij aktiviteti
ishin sopranoja Arlinda Morava njëherazi Atashe Kulturore pranë Ambasadës
shqiptare në Bukuresht, aktori Marius Bodochi sot ndër më vlerësuarit e skenës
së teatrit rumun, Kuinteti "Bucharest Ladies Cvintet" i themeluar në
vitin 2005 dhe violisti Iulian Bolog. Duke u ndalur tek ky i fundit, Bolog ka
lindur në një familje muzikantësh, mësimet e para i mori nga ai ati. I
diplomuar ne Konservatorin e Kluzhit dhe fitues i një burse studimi në
Shtutgart, Bolog ka mbajtur një sërrë koncertesh në Berlin, Frankfurt, Athinë,
Këln etj. Me këtë kuintet dhe me sopranon shqiptare ai kishte interpretuar edhe
në mes të muajit janar në një tjetër aktivitet.
Talent, emocione të forta,
pasion nga njëra anë dhe nga ana tjetër një publik i ngrohtë dhe këmbëngulës në
duartrokitjet e zgjatura, për një
program pjesësh të zgjedhura me kujdes.
Ariet nga më të famshmet
botërore, interpretuar nga Morava ndërthureshin me vargjet e Cehovit, Rilkes, Shekspirit të
interpretuara plot pathos, herë me humor apo dhe me autoironi nga aktori i
shumënjohur.
E gjithë mbrëmja ishte
ndërtuar mbi komunikiminin, përjetimin, thellësinë e interpretimit që nga një fragment tek tjetri vinte e bëhej
më i plotë e depërtues, plotësuar kjo nga loja instrumentale e 6
instrumentistëve.
Duke u ndalur tek artistët kryesorë të kësaj mbrëmjeje, Arlinda
Morava i takon brezit të të rinjve të ardhur nga Shqipëria në Rumani në vitin
1996. Ajo kreu fillimisht studimet në shkollën "Dinu Lipatti" e më
pas vijoi Konservatorin e Muzikës duke kënduar gjatë kësaj kohë në disa skena
të Rumanisë. Aktualisht Morava është edhe Atashe Kulturore në Ambasadën e
Shqipërisë në Bukuresht dhe një përcjellëse dinjitoze e shpirtit ballkanik dhe
promovuese e pakursyer e vlerave të identitetit shqiptar. Vetë pozicionimi i
saj në këtë rol i ka dhënë një tjetër dritë edhe përfaqësimit shqiptar në një
nga kryeqendrat me lidhje të forta me historinë e Shqipërisë.
Në shfaqjet e saj nuk
mungojnë këngët nga repertori shqiptar, por valsi i Shostakoviçit i kënduar
prej Moravës në gjuhën shqipe në Bukuresht, tingëllon edhe më i dashur.
Një javë më parë më 25
janar 2020 ajo kishte interpretuar në një spektakël të ngjashëm për nga natyra
e tij, titulluar "Shtatë" por me progatonistë të tjerë si në
organizim ashtu edhe në interpretim. Këngëtarja shqiptare e skenës lirike
interpretoi në Muzeun Kombëtar të Letërsisë Rumune me 6 artistët midis të
cilëve me aktoren Theodora Stanciu dhe kuintetin "Arte". Pjesët e
intepretuara nga aktorja Stançiu i përkisnin krijimtarisë poetike të: Rudyard
Kipling, Nikita Stwnesku, Nina Cassian, Nâz?m Hikmet dhe Ion Luka Karaxhales.
Duke u rikthyer tek mbrëmja
e fundit të janarit, me aktorin Bodochi publiku shqiptar që ishte mbrëmë i
pranishëm ishte njohur edhe me parë kur ai interpretoi në Shqipëri në dy shfaqje:
Elbasan dhe Tiranë. Në tetorin e vitit të kaluar Bodochi dhe ikona e skenës
Maia Morgenstern dhuruan për publikun shqiptar shfaqjen e njohur “Marina dhe Ulay”.
Në Elbasan aktorët rumunë ishin të ftuar në edicionin e vitit 2019
të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit
“Skampa”. Ndërsa në Tiranë shfaqja dhurohej për të gjithë njohësit e gjuhës
rumune, por jo vetëm.
Në një sallë të mbushur,
aktorët u duartrokitën gjatë dhe me entuziazëm nga spektatorët.
Aktori Marius Bodochi ka
lindur në Kluzh. Ai ka ndjekur studimet në Teatrin e Tërgu Mureshit. Mes viteve
1991 deri në vitin 2000 Bodochi ka qenë
profesor në Universitetin e Kluzhit në katedrën e teatrit. Nga viti 2004 është
aktor i Teatrit Kombëtar "I. L. Caragiale”.
Ai thotë se e ka takuar
magjinë e skenës që në fëmijëri dhe që atëherë nuk ka hequr dorë.
Shfaqja "Pasion dhe
dashuri" pritet të vijë në pranverë edhe në Shqipëri.