Editorial » Entela
Entela Binjaku: Aftësimi shoqëror - emocional i fëmijëve në kopësht
E enjte, 23.04.2020, 02:09 PM
Aftësimi shoqëror - emocional i fëmijëve në kopësht
Nga
Entela Binjaku
Prej
datës 9 mars 2020 sistemi arsimor shqiptar
ka ndalur së ushtruari veprimtarinë në mënyrën tradicionale. Ka disa javë që ky sistem ka
hyrë në një mjedis virtual duke lëvruar
të mësuarin nga shtëpia. Si shkak për këtë ka shërbyer pandemia prej
COVID-19. Këtë formë veprimtarie të re edhe për përmasat e tij (thuajse)
kombëtare, e nisi fillimisht sistemi parauniversitar. Që në dy javët e para
mjaft nga aktorët e këtij sistemi u sonduan dhe mësues, prindër dhe fëmijë u
shprehën edhe publikisht se si e kishin gjetur veten në këtë risi. Afro 322
mijë qytetarë (prindër, mësues, nxënës) të lidhur drejtëpërdrejtë me të
mësuarin nga platformat digjitale në 9 zona të
vendit, nga fshati dhe qyteti, u shprehën në katër ditë të dy javëve të
para të fillimit të mësimit. Ata i dhanë
opinionit qetësinë se janë duke ecur mirë dhe punët po ju shkojnë mbarë!
Sistemi
universitar nisi më vonë të mësuarin nga interneti dhe ende sondazh nuk kemi për të, por duke
qenë të rritur, përvoja e mëparshme
digjitale u ka ardhur në ndihmë, gjë që
të bën të mendosh se ata e kanë gjetur veten më lehtë. Në shumë raste të gëzon
frekuentimi më i lartë i studentëve se në orët tradicionale, por vëmendja e
tyre vështirë të matet. Ky lloj mësimi është i lodhshëm dhe ndoshta edhe
pabarazitë mes studentëve vijnë e rriten. Më të interesuarit vijojnë të mbesin
të tillë, ndërsa largësia mes tyre dhe më pak të interesuarve duket sikur vjen
e rritet.
Në
të gjitha këto raste nuk duhet mohuar pamundësia e shumë prej nxënëve apo
studentëve për të pasur qasje në internet, problemet me energjinë elektrike në
zona të ndryshme, bashkëngjitur pamundësisë për të pasur pajisjet teknologjike
të duhura apo dhe vështirësitë që sjell përdorimi i njëkohshëm i tyre nga disa pjestarë të një
famileje etj. Por nëse në këto mjedise deri diku situata njihet, me sistemin
parashkollor, nuk dihet ende si po përballohet kjo periudhë. Shumë prindër
shprehen se fëmijët kërkojnë shokët, të tjerë kërkojnë edukatoret, të tjerë nuk
duan as të dalin nga shtëpia, por e diela e kaluar "e lirisë" tregoi
se në të vërtetë fëmijët kërkojnë lojën. Lojën
bashkë me të tjerët, në natyrë
dhe të lirë nga kufizimet e metrave katrorë dhe larg monitorit. Aq e vërtetë
është kjo sa mjaft të shihje se me sa vështirësi prindërit po i tërhiqnin drejt
banesave kur orari i "ajrimit" përfundoi.
Duke
ditur sa të pamundur e kanë fëmijët të luajnë në mjedise të kudogjendura për
ta, ku hapësirat e lojrave janë mjaft të vogla,
ku monitori është i vetmi mjet, kur edhe qëndrat tregtare ku gjejnë më
lehtë këndet e tyre të argëtimit tashmë janë mbyllur, kopshtet si institucione
marrin një rëndësi edhe më të madhe.
Roli që ka kopshti nuk lidhet vetëm me përgatitjen e tyre për të nisur
shkollën. Fëmijët në kopësht shkojnë jo thjesht për të mësuar vjersha, jo për
të mësuar të numërojnë, për të mësuar shkronjat apo format gjeometrike etj.
Aktiviteti kryesor i kopshtit është loja. Çdo gjë fëmijët e mësojnë përmes
lojës. Në moshën nga 3 deri në 6 vjeç truri i
një fëmije që ndodhet në kopësht duhet të zhvillojë aftësitë
shoqërizuese dhe kontrollin e emocioneve.
Nga mosha 3-6 vjeç që përkon pikërisht me periudhën e kopshtit, fëmija
mëson aftësitë shoqërore-emocionale.
Nëse
edukatoret arrijnë të kenë parësore në punën me fëmijët, kontrollin e emocioneve dhe aftësitë
shoqërizuese, ato jo vetëm kanë arritur një objektiv të rëndësishëm
profesional, por u kanë dhënë fëmijëve disa lehtësira të çmuara, familjes dhe
vetë shoqërisë një ndihmë të madhe.
Emocione dhe marrëdhënie individi do të ketë gjithë jetën e jo vetëm në fëmijëri.
Ka
mjaft prindër që duke i mbajtur në shtëpi fëmijët jua mësojnë vetë aftësimin
konjitiv: pra si të tregojnë përralla, të mësojnë poezi, këngë, të mësojnë të
numërojnë, të bëjnë veprime matematikore etj., por fëmija duke qëndruar pranë
prindit, e ka të vështirë të mësojë aftësitë shoqërore-emocionale.
Që
të menaxhojë zemërimin, fëmija duhet të
ndjejë, ta provojë zemërimin. Që të mësojë të ketë kurajo, ai ka nevojë të
ndjejë frikën. Që t´i qëndrojë pranë një njeriu të trishtuar, duhet ta dijë si është
të jesh i trishtuar. Kopshti është ai
institucion që u jep fëmijëve kontekstin e plotë ku ata të jetojnë dhe të
ndjejnë të gjitha emocionet dhe u mëson administrimin e tyre.
Në
kopësht fëmijët mësojnë si të tolerojnë shqetësimet, të presin radhën, të
presin sa shoku t´i japë lodrën dhe të jetë i përgatitur të bëjë diçka tjetër
derisa shoku/shoqja t´i japë lodrën, etj.,
nëse nuk i mëson këto në moshën e duhur është e vështirë t´i mësojë ato
më vonë.
Kultura
jonë ka ndërtuar shkollat si institucione të edukimit. Shpesh herë shkolla
vihet në qendër të vëmendjes publike dhe
kryesisht kjo ndodh për aktet e dhunës. Një rol të madh në këtë drejtim
kanë mediat sociale ku edhe rastet bëhen të njohura dhe komentohen. Në shumicën
e tyre vihen re se prindërit ndahen në dy kategori: disa kritikojnë mësuesit,
shkollën, disa kritikojnë fëmijët që nuk kanë edukatë. Ka shkolla në vendin tonë që kanë kuptuar se
fëmijët kanë nevojë për ngrohtësi, kanë nevojë të kuptohen, të dëgjohen dhe të
pyeten. Ka mësues që i japin rëndësi këtij aspekti dhe kanë nisur të
studiojnë, madje janë shfaqur të
interesuar edhe për psikologjinë.
Por
derisa vijnë në shkollë fëmijët duhet të dinë disa nga aftësitë bazë siç janë:
mbajtja nën kontroll e emocioneve dhe zgjidhjen e konflikteve. Kur ata bëhen pjesë e shkollave pa i
mësuar këto aftësi, në kapitullin e
shoqërizimit do të presim probleme. Për këtë është mjaft e rëndësishme që para
se tu drejtohen shkollave ata të dinë si të zgjidhin zënkat, si të përballojnë
emocionet e zemërimit, të frikës, si të kenë konceptin e ndarjes me të
tjerët, të dinë si të bashkëpunojnë etj.
Kur
fëmijët vijnë në shkollë duke i pasur këto aftësi me vete, në kapitullin e
disiplinës ata nuk do të kenë probleme dhe shkolla do të vijojë e qetë me
detyrat e saj. Aftësitë intelektuale të një fëmijë janë të rëndësishme, por në vitin e parë të shkollës jo edhe aq.
Fëmijët e kësaj grupmoshe duhet të dinë të kontrollojnë emocionet e tyre që të
mund të shmangin lehtë situatat që krijohen në shkollë.
Kur
fillon shkollën, që në ditët e para
fëmija përqëndrohet tek përgatitja akademike: pra mësuesit u mësojnë të rrinë
në bankë, të zgjidhin detyra, të shoqërizohen gjatë pushimit, u mësojnë se në
orën e mësimit nuk flitet etj. Por
paralelisht me këtë fëmijët duhet të vijnë të pajisur me disa aftësi që i kanë
të mësuara në kopësht.
Ne
si qënie shoqërore kemi nevojë për të tjerët. Fëmijët kanë nevojë për marrëdhënie harmonike me të tjerët
përreth. Megjithë nevojat e tyre, marrëdhëniet mes bashkëmoshatarëve nuk janë gjithmonë
të tilla. Disa prej tyre karakterizohen
nga konfliktet dhe të tjera nga një përfshirje e madhe emocionale që mund të
rezultojë edhe në dhunë. Ndaj edhe kur flasim për edukimin institucional, ai do
të duhet të ketë nisur që në kopësht, nëse duam të presim një tjetër nivel
edukimi të fëmijëve, do të duhet të rrisim nivelin e edukimit të punonjësve të
këtij sistemi. E ardhmja e shoqërisë në nivel edukimi, nis me prindërit, por në
kuptimin e aftësimit shoqëror- emocional
fillon pikërisht me ta. Për këtë
nevojitet më shumë kualifikim, më shumë literaturw tw zgjedhur pwr botwn e
tyre, mw shumw interes pwr psikologjinw
e moshave, më shumë trajnime mbi ato që i nevojiten fëmijëve: zhvillimin
e shoqërizimit dhe aftësimin emocional.
Kjo
periudhë shkëputjeje nga aktiviteti i zakonshëm, prej koronavirusit ndoshta
mund t´u ketë ardhur në ndihmë punonjësve të këtij sistemi për të rivlerësuar
rolin e tyre dhe të institucionit ku punojnë në jetën e fëmijëve.