Editorial » Entela
Entela Binjaku: Kohë pandemie, të mbajmë nën kontroll ankthin
E diele, 12.04.2020, 07:05 PM
Kohë pandemie, të mbajmë nën kontroll ankthin
Nga
Entela Binjaku
Kushtet
e reja në të cilat ndodhet shoqëria jonë falë pandemisë së COVID-19-ës kanë
krijuar edhe rrethana për më shumë ankth.
Njoftimi
për izolim bëri që në ditët e para qytetarët të vërshojnë drejt dyqaneve duke
nënkuptuar ankthin që mund të qëndronte pas frikës se “mos mbarojnë e nuk kanë
çfarë të hanë”.
Kishte
të tjerë që në ditët e para shfaqnin vështirësi për të qëndruar brenda duke
nënkuptuar stresin që qëndronte pas qëndrimit të detyrueshëm me familjarët edhe
nëse ndjenin nevojën për disa çaste qetësi.
Dita-ditës
ankthit për sëmundshmërinë dhe rrezikun e saj të lartë shoqërohej me ankthin
për vështirësitë që priteshin t’u vinin përballë.
Vetmia
tek disa apo pamundësia e të tjerëve për të qenë afër njerëzve të dashur,
pasiguria për të nesërmen apo thjesht ideja se jemi të izoluar, shërbenin si
forma të tjera për më shumë ankth.
Të
shumtë janë ata që kanë përjetuar këtë veçim shoqëror si izolim, edhe pse në
një këndvështrim më të thellë nuk është
i tillë: njerëzit mund të dalin për blerje, mund të shkojnë në farmaci,
mund të komunikojnë online me gjithë cepat e botës.
Zhvendosja
e komunikimit tërësisht në mjedisin virtual, i ndihmoi të shohin dhe dëgjojnë
njëri- tjetrin, mund të shohin e lexojnë
lajme, mund të bëjnë mësim nga shtëpitë, mund të ndjekin edhe shërbesat fetare,
ndërkohë që edhe në rast urgjence mund
të drejtoheshin në spital etj.
Por
qasjet ndaj kufizimeve dhe reagimi duhen kuptuar edhe nga perspektivat
personale: ka njerëz të cilët për temperamentin që kanë kanë dallojnë për nivel të ulët ndërvprimi
shoqëror. Për këtë kategori qëndrimi në shtëpi nuk përbën ndonjë vështirësi e
madhe. Përkundrazi ata i shfrytëzojnë këto ditë për ato lloj aktivitetesh që
zhvillohen kryesisht brënda shtëpisë.
Për
të tjerët temperamenti i cilëve dallon për nivel të lartë ndërveprimi shoqëror,
ky qëndrim i kufizuar ju kërkon të
ndryshojnë mjaft edhe këndvështrimin,
gjë e cila shton nivelin stresin. Në raste të tilla sugjerohet që ata të
përqëndrohen më shumë tek çfarë është e mundur të bëhet dhe jo tek çfarë nuk
kanë mundësi.
Por
në mesin tonë ka edhe të tjerë që ose vuajnë nga ankthi, ose kanë prirjen e
lartë për ankth. Në mesin tonë ka njerëz hipokondrikë, ka njerëz obsesivë, me
ide paranojake ku niveli i stresit dhe paqëndrueshmëria psikike është shumë e
lartë, ka njerëz që janë mjaft të brishtë nga pikëpamja psikomotore. Në të
gjitha këto raste këshillohet psikoterapisti apo psikologu.
Në
këto 25 vitet e fundit veçanërisht
fakultetet shqiptare të shkencave shoqërore në Universitetin e Tiranës
dhe në ato rajonale, publike apo jopublike,
kanë edukuar dhe formuar me mijra specialistë të mbështetjes
psiko-sociale. Diplomat që zotërojnë në këto fusha nënkuptojnë edhe kuadrin e
njohurive që do të duhet të kenë. Kjo kohë rrit nevojën për më shumë ekspertizë
nga ana e tyre.
Duke
folur për rrethanat e reja që krijojnë burime për ankth dhe stres mund të
kujtojmë se në dy javët e fundit teknologjia ka mundësuar edhe rifillimin e
mësimit nga shtëpia. Shumë të rriturve,
prindërve dhe arsimtarëve ju kërkua
zhvendosja në një mjedis që nuk e kishin “takuar” më parë. Përshtatja dhe
përvetësimi nga ana e tyre për tu ardhur në ndihmë më të vegjëlve kaloi jo pa
vështirësi dhe stres. Herë përjashtimi nga qasja, herë mungesat e energjisë
elektrike, herë niveli i ulët i ndërveprimit brenda normave, rritën bazën për
më shumë pabarazi dhe krijuan premisa të reja për stres.
Por
pavarësisht vështirësive të mirëqena që sjell kjo formë komunikimi, për të mos u pushtuar nga ankthi i kësaj
rrethane, mjafton të pohojmë edhe ndonjë nga anët pozitive. Në shumë raste orët
nga shtëpia i frekuentojnë më shumë studentë krahasuar me klasat tradicionale,
përfshirja shoqërore ka krijuar edhe premisa për më shumë zhvillim personal nga
të rriturit, që në rrethana të ndryshme nuk do të kishin shfaqur këto aftësi.
Në
këto ditë pandemie bashkë me higjenën e duarve njerëzit duhet të ruajnë edhe
higjenën mendore. Për opinionin e përgjithshëm higjiena mendore është një
koncept pak i shprehur, apo dhe pak i njohur. Që në fillimet e epidemisë OBSH
kishte paralajmëruar rrezikun e infodemisë, ku informacionet përhapeshin
thuajse me të njëjtin shpejtësi si infeksioni vetë, ku revista të specializuara
paralajmëronin se lajmet e pavërteta përhapeshin 8 herë më shpejt se ato të
zyrtare.
Në
kushtet kur orteku i informacioneve është marramendës dhe i gjithanshëm, për të
ruajtur këtë higjienë duhen kufizuar
informacionet që krijojnë
ankth, informacionet e rreme apo të
pabazuara, teoritë që nxisin frikë. Sot ka qytetarë që ankohen se të vetmet
informacione që marrin janë ato që kanë
në qendër vetëm COVID-19.
Për
më shumë higjienë mendore njerëzit duhet të përfshihen në aktivitete që janë të
shëndetshme, që sjellin gëzim dhe japin mundësinë për qetësi. Idetë që vijnë
nga interneti në këtë drejtim janë të panumërta. Që të mbajnë nën kontroll ankthin, nevojitet
të flenë mjaftueshëm, të rrisin vëmendjen ndaj të vegjëlve dhe të moshuarve si
kategoritë që kanë më shumë se të tjerët. Që të kontrollojnë ankthin duhet të
ndajnë rrezikun e mundshëm nga frikërat e pabazuara, të ekzagjeruara apo nga
skenarët e katastrofës. Të gjitha këto
nuk bëjnë tjetër veçse rrisin dhe theksojnë përjetimet e ankthit.
Në
këto kohë komunikimesh në një mjedis të ri, të heqin dorë nga biseda me njerëz
që ndikojnë keq emocionalisht, që kanë mendime të frikshme, apo që janë vetëm
kritikë. Ka njerëz që në këto ditë mbajnë nën kontroll kufizimin duke shkruar,
duke sistemuar shtëpinë, duke treguar aftësi
dhe ide të larmishme në gatim,
etj.
Filmat
falas apo librat apo filmat falas në biblioteka të njohura elektronike këtë
periudhë kanë qenë më të shumtë. Për të ulur ankthin dhe stresin mund të
konsultohen libra në fushën e mbështetjes psiko-emocionale, mund të ndiqen aplikacione të tipit self-help, udhërrëfyes
që mësojnë teknika frymëmarrjeje etj.
Këto
do t’u vijnë në ndihmë të dinë të ndajnë të arsyeshmen nga e paarsyeshmja, duke
rritur prirjen për ulje të stresit.
Në
këtë kohë vecimi nga përvojat me tw
tjerw, kemi mundësi t’u
kushtohemi të njohurve që janë më në
nevojë, që bashkëjetojnë me vetminë apo që janë të sëmurë kronikë. Të mbyllur
me familjarët, kjo kohë ka rritur mundësinë t’u qëndrojmë pranë, duke rritur
dobishmërinë e secilit dhe besimin tek mbështetja kaq e domosdoshme tek
njeri-tjetri.