Editorial » Entela
Entela Binjaku: Shtatori i ri po afron, në nderim të kujtimit të arsimtarëve fierakë
E marte, 08.09.2020, 08:43 PM
Shtatori i ri po afron, në nderim të kujtimit të arsimtarëve fierakë
Nga
Entela Binjaku
Që
në krye të këtyre rreshtave pranoj se ideja për shkrimin ishte e mamasë sime,
Marie Çaçi Binjakut.
"Do
të bësh një shkrim homazh për arsimtarët fierakë, meqë nuk po kujtohet
njeri?", më pyeti ajo në një prej këtyre ditëve. Për fatin tim të mire
mamanë e kam pasur edhe mësuesen e parë ndaj dhe kërkesa për t´u ulur e për të
shkruar merrte një ngarkesë tjetër. Nuk e fsheh vështirësinë që provova, por
edhe ngazëllimin për të shkruar disa rreshta për arsimtarët e qytetit tim. Nga
puna dhe pasioni i tyre lindën si tek unë, ashtu edhe tek shumë të tjerë, bazat
për të gjithë çfarë pasoi më vonë: vitet e gjata të lidhura me edukimin dhe
arsimin.
Për
të ma bërë punën më të thjeshtë, mamaja më ndihmoi me disa emra zonjash dhe
zotërinjsh, që të gjithë arsimtarë fierakë, të ndarë tashmë nga jeta. Duke
filluar nga drejtori i shkollës ku kishte studiuar ajo, Nasi Boçova e më pas
pjestarët e tjerë të kësaj familjeje: vëllezërit Piro dhe Llaqi si dhe
bashkëshortja e Piros, Lefteria, më pas mësuesi Myfit Varfi, “Mësuesja e
merituar” Vjollca Omari, Nasi Rrapi që i kthyer nga Amerika u nda nga jeta në
atdhe, mësuesja e njohur e gjuhë-letërsisë e “Gjimnazit të vjetër” Ariste
Pogaçe, Katerina Plaku etj., për të
vijuar me emrat që tek unë janë skalitur si të mëdhenjtë e arsimit bashkëkohor
fierak: Sokrat Plaku, Kristaq Shtëmbari, Thoma Binjaku etj. Të gjithë këta
arsimtarë, të angazhuar në ngritjen
kulturore të brezave të tërë, lanë pas një energji njerëzore të mbrujtur tek
vajzat e djemtë e dikurshëm fierakë e që sot përcjellin më tej mësimet e marra
dhe dijen e përftuar.
Kur
shkolla është në prag të nisjes, është detyrim qytetar të kujtosh me respekt
atë plejadë të tërë arsimtarësh të shquar që përgatitën në vite një numër të
madh të rinjsh e të rejash duke i dhënë edhe vendit një pasuri të tërë burimesh
njerëzore. Tek ato burime këto personalitete, të një lartësie tjetër
profesoniale, ngjizën dashurinë për dijen dhe domosdoshmërinë për ngritje
kulturore.
Për
të filluar shkrimin punën e nisa nga
kërkimi digjital. Në 20 vitet e fundit motorët e kërkimit në internet na kanë
ardhur shpesh në ndihmë dhe janë kthyer në burimet e para ku mendja shkon. Duke kërkuar më doli një informacion që
mbante datën 1 shtator 2018. Në të shkruhej: Homazh „Mësuesit të Merituar“
Thoma Binjaku dhe sillte në kujtesë një aktivitet të mbajtur me rastin e „Kongresit të Manastirit“.
-
"Aktiviteti që u zhvillua nga mësuesja e përkushtuar zj. Rainita Pupi
kishte të ftuar të veçantë këtë ikonë të arsimit fierak. Respekte dhe nderim
nga nxënësit, stafi pedagogjik dhe prindërit e kësaj shkolle", mbyllej
informacioni.
E
trishtë të mendoje që dv vjet më vonë, edhe organizatorja e këtij aktiviteti,
nëndrejtoresha e kësaj shkolle ku edhe vetë Thomai kishte qenë drejtues, u nda
nga jeta.
Më
tej në këtë kërkim zbulova se emri i Sokrat Plakut „Qytetarit të nderit“ ishte
jetësuar në një nga rrugët e qytetit. Me vendim të Këshillit të Bashkisë së
Fierit prej vitit 2009 bashkëqytetarët fierakë kanë mundësinë të mos e harrojnë
emrin e këtij personaliteti të shquar, ndër njerëzit më të kulturuar që qyteti
i Fierit ka njohur.
Sërish
duke hulumtuar mbërrrita tek Shoqata Atdhetare Kulturore "Myzeqeja” dhe
tek emri i themeluesit dhe Kryetarit të parë të saj “Mësuesit të Popullit”
Kristaq Shtëmbari, i cilësuar "Nderi i Myzeqesë". Tek këto emra do të kisha shtuar pa ngurrim
edhe mësuesen time të 8-vjecares në shkollën “Mark Dashi” Arsino Petanin, një
guximtare në arsim, e paepur dhe që me një disiplinë e vullnet të hekurt na
përcolli përjetësisht dashurinë për veçantinë e gjuhës sonë. Këta emra dhe të
tjerë që me siguri ndodhen në mendjet e shumë prej vajzave dhe djemve fierakë,
ish nxënës të shkollave fierake, më erdhën në mendje këto ditë ndërsa ulesha
për të shkruar një reflektim të tillë.
Puna
e madhe që mësuesit fierakë kanë bërë për arsimin kombëtar ka lënë gjurmë në të
gjitha aspektet e jetës së vendit. Edhe sot një pjesë e madhe e elitës
bashkëkohore profesionale kombëtare vjen nga ky qytet dhe ka marrë bazat e para
të dijes pikërisht nga shkollat fierake.
Shkolla
është ai institucion ku kryhet arsimimi dhe edukimi dhe ku formohet
infrastruktura mendore e një shoqërie. Kur thua shkollë ke folur për fushat më
të rëndësishme të aktivitetit që kryen një shoqëri e që ka ndikime të thella në
të gjithë sektorët e tjerë, ekonomikë dhe shoqërorë. Në shkollë kryhet formimi
i personalitetit, i karakterit, nxënësit zhvillohen jo vetëm si qenie
shoqërore, por edhe si qytetarë të edukuar. Në shkollë përcillen njohuritë,
informacionet, formohen mjeshtëritë dhe aftësitë e duhura për tregun e punës.
Në shkollë prodhohet e gjithë energjia njerëzore e një kombi. Ndaj dhe
kontributi i aktorëve kryesorë të shkollës është kaq i rëndësishëm dhe delikat.
Kur
kanë mbetur pak ditë nga nisja e vitit të ri shkollor, respekti dhe mirënjohja
për të gjithë ata mësues të talentuar dhe punëtorë, të ditur dhe plot pasion,
të palodhur dhe të sakrificës nuk duhet të mungojë. Edhe pse fizikisht të
ndarë, jehona e punës dhe profesionalizmi i tyre e ka shtrirë ndikimin kudo ku
veprojnë ata që e prekën nga afër përvojën e tyre. Sidomos në këto kohë kur shoqëria jonë po
vuan pasojat e një arsimi që dita-ditës lëngon nga të paaftët dhe nga aktorë të
sistemit që nuk kanë aspak dashuri për këtë profesion, nga ata që padrejtësisht
dhe rastësisht vetëquhen mësues dhe gëzojnë përlavdërimin që ky status u
jep. Rikthimi tek respekti dhe tek
kontributi i ikonave të arsimit është një domosdoshmëri, veçanërisht kur sheh
të paaftë që kanë çbërë bukurinë e këtij profesioni të rëndësishëm.
Puna e palodhur e këtyre personaliteteve e çoi arsimin fierak në të tjera nivele. Vetë duke qenë të arsimuar në Shqipërinë e kushteve të mjera, ata mbollën me personalitetet e tyre parime që i erdhën në ndihmë ngritjes kulturore të mbarë shoqërisë. Duke çuar rëndësinë e dijes deri në fshatrat më të thella të qytetit, me kontaktet e vendosura me njerëzit, me anën e tyre shpirtërore, dashurinë për arsimimin, të apasionuar dhe progresistë, ata lanë pas kontribute të pazëvendësueshme. Të kësaj rëndësie të madhe janë kontributet edhe të edukatorëve që tashmë në pension gëzojnë respektin e komunitetit fierak si: Jorgjie Pupi, Llambi Shkurti, Pandora Moçi, Enver Skëndaj, Donika Jorgaqi, Liri Milloshi, Pandeli Capo, Niketa Goxhaj, vëllezërit Adem dhe Sulejman Latifi, Bashkim Goxhaj, Vasil Moçka etj.
Kujdesi
për qytetarinë, shpirti arsimdashës dhe etja për kulturë tek figurat të arsimit
fierak mbetën të pamata gjatë gjithë jetës.
Falë
tyre sot të rinjtë kanë mundësinë të krenohen me traditën fierake të arsimit,
me demokracinë që ata i prunë sistemit arsimor, ku si patriotë dhe atdhetarë,
shkruan të paharruarën histori të arsimit fierak të këtyre 50 viteve të fundit.