Editorial » Entela
Entela Binjaku: Bashkë për edukimin, të gjithë për të ardhmen e vendit
E marte, 16.06.2020, 03:24 PM
Bashkë për edukimin, të gjithë për të ardhmen e vendit
Nga
Entela Binjaku
Siç
zakonisht ndodh, fillimi i verës përkon edhe me sfidën e vlerësimit të
njohurive të aktorëve kryesorë të sistemit tonë arsimor që janë nxënësit dhe
studentët. Në shkollat e mesme të të
gjithave institucioneve të arsimit publik dhe jopublik, kanë nisur provimet e
pjekurisë, njohur viteve të fundit si matura shtetërore.
Nëse
të mëparshmet kanë hyrë në kujtesë për ndonjë risi që lidhej me ndryshimet e
minutës së fundit, për formula të eksperimentuara për herë të parë, për formate
që më shumë sesa qetësi, të krijonin ankthin e pasigurisë, maturantët e 2019- 2020-ës do të mbahen mend si “ata që
kishin në provimin e letërsisë “Turin”.
E
ndërsa shumë nga këta të rinj kohën midis provimit të parë dhe të dytë e kaluan
në protestë, aktorët e tjerë të lidhur drejtëpërdrejtë më ta, prindërit, janë në
ankthin e një zgjidhjeje që lidhet me të ardhmen e fëmijëve. Këtu ata bashkohen
me të gjithë paraardhësit e tyre në vite.
Ndërkohë
edhe sistemi universitar në të 12-ta Universitetet publike por edhe në 26
institucionet e arsimit të lartë jopublik duhet të planifikojë periudhën e vlerësimeve. Këtë vit akademik të rinjtë studentë i kanë marrë
njohuritë jo vetëm me ndërprerje, por edhe nga shtëpia.
Tërmeti
i nëntorit të vitit të kaluar dhe kriza shëndetësore prej koronavirusit, ndikoi
jo vetëm formën e organizimit të njohurive, por i dha rrugë edhe krijimit të
klasave virtuale. Nga muaji mars e në vazhdim viti akademik po zhvillohej në kushte
të reja.
Edhe
më të vegjlit e sistemit arsimor, si asnjëherë më pare, po komunikonin me mësuesit
e tyre nga shtëpia përmes platformave virtuale si: Google classroom,
Zoom apo dhe nga aplikacioni WhatsApp. Tashmë të izoluar, me prindërit pranë
dhe me njeri-tjetrin larg, ata e mbyllën këtë vit arsimor me një situatë që në
nisje të tij as nuk përfytyrohej.
Por në të gjitha këto raste, jashtë këtyre
komunikimeve mbetën ato familje që nuk kishin telefona të zgjuar, të varfërit që
kishin më shumë se një fëmijë në shkollë, shumë nga fëmijët e shkollave në
zonat rurale të vendit dhe të gjithë fëmijë e të rinj ata nuk kishin as mundësi
interneti pa kufij.
Pra kështu po
mbyllet ky vit arsimor i nxënësve shqiptarë nga të cilët sipas BB 57% e 15 vjeçarëve nuk kuptojnë atë që lexojnë. Duke
qëndruar tek arsimi, 34% e vajzave dhe djemve të moshës nga 15-29 vjeç nuk janë
as në institucionet shkollore dhe as në ndonjë skemë punësimi. Ndërkohë që
mesatarja e Evropës për këtë tregues është 15%.
Duke
kaluar tek të diplomuarit me arsim të lartë ku dhe shpesh thuhet se “sot gjithëkush
ka një diplomë”, në radhët e vajzave dhe djemve shqiptarë të moshës nga 30-34
vjeç vetëm 23% prej tyre janë të pajisur me një diplomë. Ndërkohë në Evropë mesatarja e të rinjve me
arsim të lartë është 40 %.
Por
duke dalë nga arsimi dhe po të provosh të hysh në tregun e punës sërish do përballesh
me aftësitë e fituara në shkollë. Më saktë me paaftësinë e frikshme të punonjësve
që më shumë i ngjan epidemisë që po kalon vendi: mungesa e testeve e fsheh
infeksionin.
Mjaft
të përmendim që sërish sipas Bankës Botërore gati gjysma e kompanive në
Shqipëri kanë vështirësi për të gjetur burime njerëzore. Ndërkohë prodhimtaria e
një të punësuari në vendin tonë është sa një e treta e mesatares së rajonit dhe
një e pesta e vendeve më të zhvilluara të familjes evropiane.
Duke
vlerësuar këtë situatë, duke parë ndikimin e burimeve njerëzore në ekonominë e
vendit, sërish sfida mbetet arsimi. Aktorët që kontribuojnë në arsim sidomos në
këto kushte janë nga më të mirëpriturit. Edhe pse shpesh e përfolur për
projekte që nuk sjellin asgjë, apo fjalë të mbetura në tryeza sallash të
mbylluara, sërish në shoqërinë civile shqiptare ka aktorë seriozë dhe të
angazhuar në devotshmëri.
Një ndër to është edhe “Rrjeti për Demokraci i Gruas” i
njohur si WDN Albania. Me nismë të këtij rrjeti dhe me mbështetjen e partnerëve
vendas dhe ndërkombëtarë është ngritur Qendra "Edukim për të Gjithë"
e ngritur në kuadër të zbatimit të “Social Initiative
Education for All
(E4All)”, me mbështetjen e projektit "EMBRACE - Modele Sipërmarrëse që
Ndërtojnë Marrdhënie dhe Ekonomi Krijuese”, zbatuar nga Partnerët Shqipëri për
Ndryshim dhe Zhvillim dhe Project Ahead. Projekti EMBRACE financohet nga
Bashkimi Evropian përmes Delegacioni të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Qëndra ushtron aktivitetin prej muajit dhjetor të vitit të
kaluar dhe synon të nxisë bashkëpunimin dhe ndërveprimin midis fëmijëve, si dhe
një proces të mësuari sa më pak të lodhshëm dhe më tepër tërheqës. Si organizatë e shoqërisë civile, “Rrjeti për
Demokraci i Gruas” ka një përvojë tashmë
10 vjeçare në drejtim të programeve
me në qendër barazinë gjinore, të drejtat dhe fuqizimin e grave dhe edukimin
e fëmijëve.
Qëndra "Edukim për të Gjithë" u çel me pikërisht me synimin për
një alternativë edukative
mbështetëse, për integrimin kulturor, për zbavitjen dhe nxitjen e krijimtarisë
së fëmijëve. Tashmë që viti shkollor ka përfunduar organizata po planifikon të
vijojë me programet nga muaji shtator.
Në projektet e saj kanë qenë përfitues
46 fëmijë ndërsa 40 të tjerë janë përfitues nga shkolla verore e organizuar
falas. Qendra ka shërbime me pagesë dhe falas
për shtresat në nevojë.
Përmes projektit “Education for All”
Qendra ka dhënë mbështetje për fëmijët e prekur nga tërmeti në Tiranë.
Falë projektit të mbështetur nga LËVIZ
Albania dhe SDC “Agjencia
Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim”, programi ka ofruar ndërhyrje dhe mbështetje për 22 fëmijë,
35 prindër dhe 21 familje.
Në këtë Qendër 13 vajza dhe 9 djem, të gjithë nxënës të shkollave 9- vjeçare
që vijnë nga familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit kanë marrë ndihmë për
zhvillimin e mësimeve.
Kjo mundësi e dhënë për të mos mbetur
pas bashkëmoshatarëve të tyre në shkollë. pavarësisht gjendjes në të cilën
befasisht u ndodhën, do të ndihmonte mjaft në uljen e hendekut midis tyre.
35 prindërve të fëmijëve në program ju
dha mbështetje jo vetëm për arsimimin e fëmijëve, por këshilla për edukim sa më pozitiv dhe ndihmë ligjore për integrim ekonomik. Në
kushtet në të cilat u gjendën, kjo ndihmë merrte një vlerë të re.
21 familjet e përfshira në program që
kishin edhe nevoja urgjente për shkak të fatkeqësisë natyrore, morën mbështetje për këto shërbime: lehtësi me
procedurat e aplikimit pranë njësive bashkiake për bonusin e qirasë, për ndihmën
ekonomike, aftësinë e kufizuar, aplikimin e procesit të rindërtimit të
shtëpisë. Përmes programit të advokimit, WDN ndikoi pranë njësive vendore që këto
familje të mbështeteshin për integrimin shoqëror dhe ekonomik.
Duke u rikthyer tek viti shkollor, si pasojë e pandemisë shkaktuar nga
COVID-19, të gjitha institucionet arsimore në Shqipëri përfshirë edhe qendrat që japin shërbime mbështetëse, u mbyllën. Që nga data 11 mars 2020 ashtu si edhe procesi arsimor për të gjitha
ciklet, edhe ai i mbështetjes ditore të fëmijëve përfitues të këtij programi, kaloi nga kushtet tradicionale të klasës dhe
ndërveprimit të drejtëpërdrejtë mësues-nxënës në ndërveprimin virtual dhe në
distancë.
Gjatë 4 muajve pa ndërprerje, mësuesit e qendrës nuk e
ndalën kujdesin e tyre përmes orëve ndihmëse.
Falë përkushtimit të tyrë për të mbajtur kontakte të përditshme përmes
telefonit dhe përmes plaftormave, duke
orientuar dhe ndihmuar nxënësit e tyre, u arrit të përcillej ndihma edhe në një
situatë të vështirë izolimi. Në kushtet e reja dhe në këtë kapërcim të papritur
në një realitet të ri, mësuesit, nxënësit, por dhe prindërit, e gjetën veten të
papërgatitur dhe në role që nuk ishin menduar. Por pavarësisht përkushtimit, shqetësimi
kryesor ishte qasja e nxënësve në këtë
formë edukimi virtual.
Duke qenë se fëmijët ishin të gjithë nga familje në nevojë,
ku si niveli i mbulimit me internet, ashtu dhe përdorimi i pajisjeve inteligjente për të
komunikuar me mësuesin nuk mund të sigurohej për të gjithë, nevojitej që qasja në
edukim të sigurohej në çdo banesë.
Tashmë që viti shkollor 2019- 2020 është mbyllur qendra vjen me mësime të nxjerra
për të ardhmen. Shtatori do të jetë një sfidë e re për informimin dhe trainimin jo vetëm të fëmijëve, por edhe të prindërve dhe mësuesve. Interneti
i sigurtë, menaxhimi i mësimit përmes plaftormave dhe shërbimet mbështetëse të edukimit
përmes teknologjisë, do të jenë kryefjala e një shtatori që do të vijojë të
ofrojë “Edukim për të gjithë” si edukim për të ardhmen e vetë vendit.