Editorial » Entela
Entela Binjaku: Parking Art Gallery - një oaz i vogël kulturor në Tiranë
E premte, 05.05.2023, 09:30 PM
Parking Art Gallery - një oaz i vogël kulturor në Tiranë
Nga
Entela Binjaku
Viti
2023 është një vit me rëndësi në kalendarin e shoqërisë sonë: në pranverë
qytetarët do t´i drejtohen votës për të
zgjedhur qeverisësit vendorë ndërsa në vjeshtë pas 12 vjetësh shteti, nëpërmjet
Instatit do tu drejtohet për t´i rregjistruar.
Në
zgjedhjet e 14 majit ka edhe forca politike që vijnë nga radhët e pakicave
kombëtare ndërsa në Censin e popullsisë dhe të banesave do të ketë edhe pyetje
për identitetin etnik, gjuhën dhe fenë, përgjigjet e të cilave bazohen në të
drejtën e vetidentifikimit të individit...". Të dyja këto procese lidhen
me njëra-tjetrën pasi të dhënat statistikore për popullsinë dhe banesat do të
përdoren për politikat publike, kombëtare, vendore.
Në
përputhje me ligjin 96/2017 për
“Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë” në nenin 3
pika 2 thuhet: “Në kuptimin e këtij ligji, pakicat kombëtare në Republikën e
Shqipërisë janë pakicat greke, maqedonase, arumune, rome, egjiptiane, malazeze,
boshnjake, serbe dhe bullgare”. Ky ligj është miratuar në përmbushje të
detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në Konventën Kuadër të Këshillit të
Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, si dhe në përmbushje të
prioriteteve që ka Komisioni Evropian
për të drejtat e njeriut.
Në
këtë atmosferë, pak ditë para nisjes së fushatës për zgjedhje vendore dhe 6
muaj para nisjes së Censit, çeli një gonxhe kulturore: një hapësirë e vogël në
përmasa, e madhe në qëllime: Parking Art Gallery. Prej muajit mars në ndërtesën
ku dikur ka qenë Ministria e Mjedisit e ku sot bashkëndajnë katet disa
institucione të rëndësishme publike, është krijuar enkas një mjedis kushtuar
përfaqësueseve të pakicave kombëtare të Shqipërisë. Në katin e sipërm të kësaj
godine emblematike për qytetin ndodhet edhe vetë Komiteti për Pakicat Kombëtare,një
institucion që njihet fare pak nga opinioni i gjerë.
Në
lajmet për çeljen e saj mësohet se kjo hapësirë do të jetë e hapur për këdo nga
9 pakicat kombëtare që ka dëshirën, ambicien, pasionin por jo mundësinë për të
ekspozuar punët e tyre. Nga mediat mësohet se kjo hapësirë do të shërbejë edhe
për OJF-të e pakicave kombëtare për aktivitete të ndryshme që lidhen me
promovimin e vlerave kulturore të pakicave kombëtare në Republikën e
Shqipërisë, si ekspozita, promovime librash, shfaqe dokumentarësh dhe filmash
etj.
Me
një përkushtim të admirueshëm e disi të rrallë për mendësinë e shërbëtorëve
tanë publikë, në krye të kësaj nisme qëndron Sead Kazanxhiu, Nënkryetar i
Komitet për Pakicat Kombëtare, njëherazi përfaqësues i njërës prej 9 pakicave
të njohura në legjislacionin tonë. Sipas një kalendari të përcaktuar e që për
këtë vit është edhe përmbyllur, pritet që ekspozitat t´i lënë vendin
njera-tjetrës duke qëndruar mjaftueshëm gjatë të hapura, aq sa kushdo ka
interes të shkojë e ta vizitojë.
Arben
Koliçi nga Fieri, përfaqësues nga pakica arumune ishte i pari që në muajin mars
nisi kalendarin e këtij mjedisi duke
paraqitur punimet e tij në ekspozitën me titull "Prim`ordine".
Prej
6 prillit 2023 qëndroi hapur ekspozita e dytë me titull: "Stacioni i
gjelbër" dhe ka si protagonistë Xhenson Çelën dhe Malvina Luftën. Xhensoni
është paraqitur në këtë aktivitet me vizatime dhe ilustrime grafike që sjellin
çaste nga jeta e pakicës rome, vështirësitë dhe përballjet e mundimshme për
mbijetesë. Ndërkohë që Xhensoni jetëson përmes grafikës rrëfime dhe ngjarje të
forta me të cilët është hasur kjo pakicë, Malvina i jep shikuesit një kënd
tjetër të vështrimit të trajtimit të veshjeve tona, sendeve tona. Ajo përdor
kujdesshëm materiale me ngjyra e copë për të rindërtuar historinë rome duke u dhënë jetë personazheve nga jeta e
kësaj pakice. Një mori kukullash të ricklueshme jetësojnë konceptet e saj për
mjedisin, komunitetin rom si një reflektim mbi çështjet që lidhen me këtë
komunitet. "Ekspozita "Stacioni i gjelbër" sjell dy artistë të
rinj ...që na ftojnë në një udhëtim të shkurtër duke reflektuar mbi situata të
ndryshme nga jeta e tyre e përditshme, të frymëzuar nga bota e aktivizimit dhe
e animacionit" thotë në fjalën e tij përshkruese të këtij aktiviteti Sead
Kazanxhiu, që është kujdesur për organizimin e saj. Ekspozita vizitohet nga
kureshtarë, aktivistë dhe qytetarë të ndryshëm duke zgjuar tek ata ndjeshmëri
që flenë apo që kanë nevojë të krijohen.
Kjo hapësirë kulturore për pakicat kombëtare dhe prej pakicave e vendosur
në një nga rrugët simbol të kryeqytetit ka ndër të tjera këtë synim: respekt,
vëmendje, vlerësim! Të gjitha këto në një vit të rëndësishëm, në një Tiranë ku
bashkohen pasione, energji e shpresa.