Editorial » Entela
Entela Binjaku: Kontribut i arsimtarëve fierakë në edukimin e fëmijëve nga Kosova
E merkure, 08.06.2022, 09:13 PM
Kontribut i arsimtarëve fierakë në edukimin e fëmijëve nga Kosova
Nga
Entela Binjaku
Pikënisja
e këtij shkrimi ishte një shënim në librin me titull: “Media dhe integrimi
evropian” i autorit Arben Fetoshi. Në jetëshkrimin që shoqëron librin e
gazetarit dhe studiuesit nga Kosova përmendet Lushnja si qyteti ku kishte
përfunduar gjimnazin. Fetoshi e ka veçuar këtë periudhë të jetës në Shqipëri
duke treguar mirënjohjen për qytetin me të cilin e lidh kjo periudhë e
rëndësishme e jetës. Nëpërmjet këtij akti ai ka vendosur pranë e pranë dy
virtyte: mirënjohjen dhe sakrifikimin për arsimim. Edhe pse artikulli niset nga
një fakt individual, ai të sjell në vëmendje sprovat që shoqëria shqiptare ka
kaluar. Lufta në Kosovë ishte një shembull i tillë. Ngjarja e përmasave të
mëdha për kombin tonë i përfshiu jo vetëm njerëzit por edhe institucionet. Në
Shqipëri fëmijët dhe të rinjtë ardhur nga Kosova u organizuan nëpër shkolla. Mjedise dhe burime njerëzore
të orientuara nga drejtoritë arsimore të kohës
u vunë në dispozicion të tyre. Shkolla “Andon Xoxa” në qytetin e Fierit
ishte një ndër to. Kjo shkollë e njohur dhe me prestigj të lartë
shoqëror gjatë muajve të verës ishte një vatër edukative për fëmijët e
familjeve nga Kosova. Në shënimet që ka lënë ish drejtori i shkollës
Thoma Binjaku, tashmë i ndarë nga jeta, ai e përshkruante këtë fakt duke përmendur
474 fëmijët nga Kosova që nën drejtimin e tij u morën në këtë shkollë.
Në
kujtimet e tij ai shkruan: “Ishte një kohë e vështirë për kombin.
Shkolla që drejtoja ishte nga më të mëdhatë në Republikën e
kohës me 2000 nxënës. Qyteti i Fierit hapi dyert për shumë familje
kosovare. 474 prej fëmijëve nga Kosova, i mora të studionin në
shkollën që drejtoja dhe në 15 shtator me trupën e mësuesve i përcollëm fëmijët
në Kosovë”. Këtë dëshmi ai e ka përmendur edhe herë të tjera, si
përshembull në intervistën e dhënë për televizionin “Vizion Plus” me rastin e
“Festës së Mësuesit” pak muaj para ndarjes nga jeta. Shumë nga aktivitetet e zhvilluara në shkollë
nga mësuesit dhe nxënësit ai i kishte ruajtur në kaseta që i mbajti në sirtar
për shumë vjet por që koha bëri dëmin dhe sot ato nuk gjenden më.
z.
Adem Latifi, ish mësues dhe protagonist në këtë periudhë i pyetur
për origjinën e fëmijëve të rregjistruar në këtë shkollë shprehet: “Ata ishin
nga e gjithë Kosova, nga Peja, nga Prizreni etj., dhe gjetën një
ngrohtësi nga ana e qytetarëve fierakë”. Pas përfundimit të luftës thotë ai një
pjesë u kthyen menjëherë ndërsa të tjerë të cilëve u ishin shkatërruar shtëpitë
vijuan të qëndrojnë në Fier. “Sot ata janë rritur, janë martuar e bërë madje
edhe prindër,- thotë z. Latifi i cili shprehet se “dhe ai
vetë kishte në mesin e fëmijëve të afërm të tij të ardhur nga
Kosova. Drejtoria arsimore bëri një punë të madhe sepse i shpërndau në shumë
shkolla, por punën më të madhe e bëri Thomai që i mori një pjesë të madhe në
shkollën “Andon Xoxa”.
Të
tjerë arsimtarë e aktorë të asaj periudhe z. Leandër Omari dhe znj. Anila
Piperi flasin për përfshirjen e mësuesve të kësaj shkolle në ato kohë të
vështira, pasditet e kaluara me fëmijët nga Kosova, gjithmonë krenarë për
gadishmërinë dhe seriozitetin e tyre.
Në
shërbim të procesit edukues u vunë jo vetëm mësuesit e kësaj shkolle, por edhe familjet e tyre që sot e pohojnë me
krenari kontributin e dhënë në atë periudhë të vështirë. Mjaft prej arsimtarëve
të përfshirë në edukimin e fëmijëve nga Kosova ishin edhe aktorë me peshë në
arsimin kombëtar, që angazhimin e kuptonin si të rëndësisë patriotike.
Vetë
z. Binjaku, ish drejtuesi i shkollës “Andon Xoxa” për 10 vjet ka qenë
pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë në
vitin 1972, ai mbajti për shumë vite titullin “Mësues i Merituar” dhe
ishte dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri” të klasit I, II, III. Me
nismën e tij në fshatin e lindjes në Peshtan të Fierit u ngrit
shkolla “Hamdi Metaj”, shkollë e cila vazhdon edhe sot. Ai kishte punuar edhe
si inspektor në Ministrinë e Arsimit dhe zotëronte një njohje të gjerë të
zhvillimit të arsimit në Shqipëri. Deri
në fund të jetës punoi duke kontribuar në çeljen e shkollave të reja, por punën
e bërë me ekipin e mësuesve të shkollës “Andon Xoxa” veçanërisht në kohën e luftës në Kosovë e kishte në zemër.
Shkolla
“Andon Xoxa” një krenari për qytetin e Fierit në kohën e luftës në Kosovë u
drejtua me vizion kombëtar dhe i përcolli shoqërisë modelin më të lartë të një
institucioni jetik për kombin. Roli i saj në edukimin e fëmijëve nga Kosova e
dalloi këtë veçori, që sot ka nevojë të njihet më mire, të vlerësohet dhe pse
jo, të nderohet me titujt që i takojnë! A nuk do të ishte mirë që një ish
nxënës nga Kosova të veçonte kontributin e kësaj shkolle në jetën e tij?
Mendoni sikur kjo të ndodhte, e jo vetëm nga një prej tyre: ishin më shumë se
400 fëmijë! Ata sot janë rritur e mund t´u rrëfejnë ndoshta edhe fëmijëve të
tyre sesi mësuesit fierakë të “Andon Xoxës” i pritën, i edukuan dhe i përcollën
me dashuri.