Editorial » Entela
Entela Binjaku: Të rinjtë fierakë prezantojnë në Gjirokastër kompaninë e tyre të shërbimeve online
E hene, 02.05.2022, 09:13 PM
Të rinjtë fierakë prezantojnë në Gjirokastër kompaninë e tyre të shërbimeve online
Nga
Entela Binjaku
7 nxënës të klasës XI të shkollës “Flatrat e
dijes” në qytetin e Fierit të drejtuar nga dy mësueset e tyre ditën e premte më
29 prill morën pjesë në një panair në Gjirokastër aktivitet i organizuar nga
“Junior Achievement Albania”. JAA është organizatë jofitimprurëse, e
përkushtuar përgatitjes së të rinjve për botën e punës dhe të sipërmarrjes.
Ekipi i nxënësve fierakë u paraqit me një ide shërbimesh
për të cilën kishin përgatitur një faqe interneti shitjesh online. Në
mbështetje të idesë së tyre ata kishin përgatitur spote dhe fletëpalosje duke
synuar njëherazi paraqitje të projektit të tyre dhe shitje të prodhimeve.
Grupi e titulloi kompaninë “ARM” dhe përmes saj synojnë
të ofrojë një shërbim të besueshëm, të shpejtë dhe të sigurtë. Ekipi që kishte
për drejtuese Sindi Gjinika i përbërë nga: Vilma Zonja, Melisa Çepele,
Edlind Mustafai, Klajdi Merkaj, Edna Bregu, Glendi Mëhillaj ndërmori këtë
nismë si pjesë të njërit prej moduleve që ka zgjedhur në shkollë e që ka të
bëjë me “Kompaninë” e nxënësve.
Një ndër pjestaret e projektit Vilma lidhur me këtë
përvojë shprehet: “Ne kemi punuar shumë, kjo është hera jonë e parë
që ndërtojmë një projekt të tillë. Është një përvojë tepër e bukur por edhe e
vështirë dhe na ka mësuar sidomos si të punojmë më mirë në grup”.
Për të ardhur në këtë ide këta të rinj 17-vjeçarë u nisën
nga shqetësimet që kanë lindur herë pas here tek njerëzit kur blejnë online.
Sipas tyre njerëzit janë të shqetësuar për produktin, cilësinë, çmimin dhe
dërgesën dhe jo të gjitha kompanitë i përmbushin këto kritere. Ndaj ata nën
moton “ARM- familja e të gjithëve” udhëtuan drejt Gjirokastrës ku paraqitën
në panairin e së premtes një linjë biznesesh
që ka në thelb bashkëpunimin, besimin dhe mbështetjen që
kanë bizneset e vogla me njera- tjetrën duke ruajtur veçantinë e
gjithësecilës.
Kjo nuk është e para herë që nxënësit e kësaj shkolle
janë pjesmarrës në aktivitete jashtë-shkollore. Vetëm pak javë më parë pjestarë
të këtij ekipi i sollën shkollës ku
ndjekin studimet 9 trofe nga Olimpiada Kombëtare e Biologjisë, apo
vitin e kaluar një tjetër trofe nga “Klubi i debatit” ku edhe u
nderuan sërish me çmim. Disa nga fituesit janë sot edhe pjesë e këtij projekti
biznesi.
Në vitin 2021 shumë nga aktivitetet ndërkombëtare u
zhvilluan online. Një ndër to ishte edhe programi i fëmijëve dhe i rinjve “ARC”
që mbahet çdo vit në Rumani i organizuar nga Ministritë e linjës rumune. Falë
Fondacionit “Harriet Martineau” me seli në Tiranë vitin e kaluar në këtë
program morën pjesë edhe 8 fëmijë nga Shqipëria.
Ndër ta, njëra prej pjesëmarrësve, Vilma Zonja falë aktivitetit
të saj në këtë program arriti të sigurojë edhe një vend në edicionin e këtij
viti që pritet të mbahet tashmë në format fizik, në muajt korrik-gusht.
Aktivitetet që kanë në themel formimin intelektual dhe
qytetar janë më se të rëndësishme për të rinjtë. Veçanërisht në këto kohë kur
besimi tek shkolla dhe tek e ardhmja përmes shkollimit është i ulët, ata me
këmbëngulje i tregojnë shoqërisë se ku ka një vullnet, asgjë nuk mund të të
ndalë!