Editorial » Entela
Entela Binjaku: Lamtumirë artistit dhe mikut të madh të Shqipërisë, Jon Karamitru!
E diele, 12.09.2021, 08:04 PM
Lamtumirë artistit dhe
mikut të madh të Shqipërisë, Jon KARAMITRU!
Nga
Entela Binjaku
Më
5 shtator 2021 ndërroi jetë aktori, regjizori, profesori i artit dramatik Jon
Karamitru (Ion Caramitru). Artisti i shquar rumun prej pak javësh ishte shtruar
në spitalin "Elias" të Bukureshtit ku dhe po kurohej për një sëmundje
që e mundonte kohët e fundit.
Njoftimet
mediatike për shuarjen e tij ishin sa pikëlluese aq edhe tronditëse! Ky lajm i
hidhur solli me vete një ortek mesazhesh ngushëllimi nga të gjitha anët e
botës. Iku Karamitru i madh!
Ambasadorë,
njerëz të politikës, familja mbretërore, akademikë, kritikë të artit, klerikë,
njerëz të zakonshëm e me shpirt të pasur u bashkuan në një pasdite dhimbjeje të
pabesueshme!
Më
5 shtator kishte ndalur zemra e njërit
prej artistëve më të dashur të Rumanisë!
Për
ata që ndiqnin aktivitetin e mjeshtrit të fjalës dhe të skenës, Karamitru
pritej të udhëtonte drejt qytetit të Jashit ku do të merrte pjesë në Festivalin
"Mbrëmjet e filmit rumun".
Aktori
i njohur u detyrua të anulojë vajtjen, për shkak të problemeve me shëndetin. Ai
u shtrua në spital dhe fatkeqësisht nuk mbërriti kurrë. Për të nderuar figurën
e tij Teatri Kombëtar Rumun vuri në dispozicion të njerëzve që nuk mund të
ishin të pranishëm në përcjelljen e lamtumirës, librin e ngushëllimeve. Në
hollin e Teatrit Kombëtar u krijua një hapësirë e posacme kushtuar Drejtorit,
tashmë të ndarë nga jeta, ku njerëzit mund të vendosnin lule dhe kurora.
Biografia
artistike e Jon Karamitrut është aq e pasur sa vështirë të gjesh të ngjashëm!
Një model frymëzues për shumë artistë të rinj të cilët ai i deshi dhe i mbështeti,
një etalon i njeriut të kulturës. Në karrierën kinematografike të Jon
Karamitrut numërohen më shumë se 40 filma ku
dhe u nderua disa herë me cmime: 1976- Çmimi i Revistës Kinematografike
për Interpretim, 1980- çmimin e Shoqatës së Kinematografisë, në 1984- çmimin
special të jurisë për rolin kryesor në filmin Luchian, në Festivalin
Ndërkombëtar të filmit të mbajtur në Costinesti, Rumani etj.
Karriera
teatrore nuk njihte kufij. Me më shumë se 60 role të pjesëve nga Shekspir,
Çehov, Pirandelo, Buchner, Bernard Shou, Alfred De Musset, Suto Andras, Rolf
Hochhuth etj. ai kishte magjepsur me mijra spektatorë. Në vitet 1975, 1979, 1981 1985 u nderua si "aktori më i mirë i vitit".
Në
vitin 1990 Karamitru themeloi UNITER-in që ishte Bashkimi i Teatrove të Rumanisë,
institucion me peshë në jetën artistike të cilin e drejtoi për 30 vjet.
Vlerësimet
për të gjatë jetës ishin të shumta.
Në
vitin 1995 Mbretëresha Elisabeta II e nderoi aktorin rumun me titullin
"Kalorës i Urdhrit Perandorak Britanik". Ai u nderua "Kalorës i Arteve dhe i Letërsisë në
Francë", në vitin 1997 dhe në 2002 me Urdhrin "Artist i
Merituar" në Rumani. Në vitin 2011 Bashkimi i Teatrove të Moldavisë e
nderoi këtë figurë të lartë të artit me "Cmimin e Ekselencës".
Karamitru
njihej për miqësinë e ngushtë dhe
mbështetjen reciproke që kishte me
Familjen Mbretërore të Rumanisë. Në vitin 2008 Mbreti Mihai I e vlerësoi
Karamitrun me "Kryqin e Shtëpisë Mbretërore" dhe në vitin 2012 me
Dekoratën Mbretërore "Nihil Sine Deo".
Ishte
po ai mbajtës i kurorës që fillimet e vitit 1990 kishte udhëtuar drejt Londrës
për të parë në skenë Jon Karamitrun dhe aktorët e mëdhenj rumunë të teatrit
"Bulandra" në veprën "Hamleti". Duke u ndalur tek repertori shekspirian në
vitin 2016 aktori i madh u emërua
"Ambasador i Kulturës Shekspiriane" në Rumani. Ishte 400 vjetori i
Shekspirit.
Revista
prestigjoze "Time" e ka vlerësuar Karamitrun si një nga 10 aktorët më
të mirë që kanë interpretuar Hamletin.
Ion
Horia Leonida Caramitru ka qenë disa herë Drejtor i Përgjithshëm i Teatrit
"Bulandr"a, pedagog në Akademinë e Teatrit dhe Filmit në Bukuresht,
ku ka qenë edhe regjisor e aktor.
Në
ngjarjet e dhjetorit të vitit emblematik 1989 Jon Karamitru ndodhej mes
drejtuesve të protestave anticaushesku të Bukureshtit.
Në
22 dhjetor 1989 në krye të një grupi manifestuesish ai hyri në ndërtesën e
Televizionit Rumun dhe ishte i pari që njofti në kanalin e vetëm zyrtar të
kohës, rrëzimin e diktaturës. Si Ministër i Kulturës gjatë viteve 1996-2000
ai zërin e tij veprës së Emineskut duke u shndërruar në një ambasador të
nderuar të teatrit dhe filmit rumun në të gjitha cepat e botës. Si titullar i
këtij institucioni ai i dha profesionit të aktorit dhe artistit dramatik një
tjetër profil.
Ai
mbajti detyrën e zv. Presidentit të ECA (Këshilli i Europës i Artistëve) për
Europën Juglindore.
Duke
ardhur në rajonin tonë në Maqedoninë e Veriut Karamitru la gjurmë të pashlyera
me krijimet e tij regjisoriale në Teatrin Kombëtar në Manastir dhe një numër të
madh shfaqjesh në “Verën e Ohrit”.
Me
nismën e tij, në bashkëpunim me ish ministrin maqedonas për Kulturë, Blagoja
Stefanovski dhe ish ministrin e Malit të Zi për Kulturë, Branislav Miçunoviq –
Zhaga u themelua në Maqedoninë e Veriut NETA (New European Theater Meeting).
Drejtori
i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar I.L. Caragiale të Bukureshtit, e vizitoi
Shqipërinë dy herë. Artisti erdhi për herë të parë në Tiranë në 4 prill 2009 në
përurimin e Teatrit të Metropolit ku i ra gongut përurues, i ftuar në atë kohë
nga kryetari i Bashkisë Edi Rama. Për herë të dytë ai vizitoi vendin tonë më 16 nëntor 2009 me
ftesë të Shoqatës së Arumunëve të Shqipërisë dhe Ambasadës Rumune në Tiranë.
Presidenti
i Shoqërisë së Kulturës Makedo-Rumune Ion CARAMITRU, ishte një mbështetës i
fortë dhe i vendosur i trashëgimisë arumune.
Ai lindi në një familje arumune ku nëna vinte nga Selaniku dhe babai nga zona
juglindore e Shqipërisë. Origjina e të
parëve të artistit lidhej me Korçën.
Në
vizitën e parë në Shqipëri Këshilli
Bashkiak i Korçës e nderoi Karamitrun me medaljen “Emblema e artë e qytetit”.
Në ceremoninë e rastit artisti i madh shprehej se “Korça kishte lënë gjurmë të
thella në kujtesën dhe ndërgjegjien e tij njerëzore dhe artistike”.
Në
16 vitet e drejtimit të Teatrit Kombëtar rumun Karamitru dëshmoi aftësi të
larta manaxheriale i respektuar nga
bashkëpunëtorët e tij të shumtë. Ishte
pikërisht me këta bashkëpunëtorë me të cilët ai u përshëndet për herë të
fundit. Në rrugën për në varreza kortezhi funebër u ndal para Teatrit Kombëtar,
në këtë Teatër ku ai i ishte rikthyer edhe skenës në vitin 2008, 44 vjet më
vonë nga debutimi i tij në po të njëjtën vend.
Mes
qindra duartrokitjesh të zjarrta për minuta tëra, lotëve dhe luleve Teatri
Kombëtar përshëndeti drejtuesin e tij, njeriun që e solli këtë institucion në
nivelin ku ndodhet sot.
Shërbesa
e përcjelljes u mbajt në Kishën e Shën Visarionit në Bukuresht ku morën pjesë
familjarë, zyrtarë, njerëz të kulturës, artistë, miq dhe publik i shumtë.
Në
përcjelljen e fundit u lexuan mesazhet e Patriarkut te Rumanisë, Këshilltarit
te Presidentit të Rumanisë, të ekipit drejtues të Teatrit Kombëtar dhe
zv.presidentit të SCMR-së.
Pas
nderimeve ushtarake dhe mbajtjes së meshës zyrtare fetare Jon Karamitru u
varros në "Rrugicën e Aktorëve" në Varrezat "Bellu".
Nëse
ndodhesh në Bukuresht dhe përmend emrin
e z. Karamitru, befasohesh sa shumë e njohin dhe vlerësojnë njeriun e
kulturës, aktorin gjenial me zë hyjnor!
Në
fillimin e vitit 2020 pata mundësinë të zhvilloja një intervistë me mjeshtrin
Karamitru. Po shkëpus një fragment nga fjalët e tij: "Në këto çaste
përpiqemi të vëmë në vend historinë tonë të vërtetë, që thotë se arumunët janë
rumunë në origjinë, që flasin një dialekt të gjuhës rumune, që janë pakicë në
shtetet ballkanike. Kam marrë me gëzim vendimin e Shqipërisë për t’i
konsideruar pakicë kombëtare aty... Akademia Rumune, Parlamenti Rumun dhe
gjithë historia jonë tregon qartë origjinën latine, rumune dhe veriore
–danubiane të arumunëve! Shoqata jonë këtë po bën tani, po çgropos historinë e
re dhe më të vjetër, punon me Akademinë Rumune dhe me Ministrinë e Jashtme. Së
fundmi, prej disa vitesh është votuar në Parlament një ligj që vlerëson rumunët
e kudondodhur dhe ku arumunët shfaqen si rumunë dhe janë emërtuar me të gjitha
përkufizimet e tyre: cëncar, arumunë, rrëmënj, kuço-vllah etj. E di që në
Shqipëri ka shoqata arumunësh që e pranojnë këtë realitet dhe shpreh gjithë
falënderimet drejtuar shtetit shqiptar për vendimin historik të
ndërmarrë".