Mendime » Radovani
Fritz Radovani: At Gjergj Fishta asht diplomati ma i madh i kombit shqiptar
E hene, 19.12.2022, 07:51 PM
AT GJERGJ FISHTA ASHT DIPLOMATI MA I MADH I KOMBIT SHQIPTAR
Nga
Fritz RADOVANI
Jo larg prej Shkodres, në fshatin Fishtë të
Zadrimës Familja e Ndokë Simon Ndocit dhe e Prendës së Lazer Kaçit prej Kotrrit,
me 23 Tetor 1871 i dhane Shkodres e Shqipnisë një djalë me emnin Zef (Zekë). Asht kenë pagëzue nga frati italo-arbnesh që aso kohe ishte famullitar në
Troshan, me emnin At Leonardo de Martino.
Prej vitit 1861 në Shkoder ishte e hapun
Shkolla e Fretenve (Etenve Françeskan).
Në 1880 në Troshan shumë afër vendlindjes së
Zef Fishtës, françeskanët në kuvendin e tyne hapin Kolegjen ku Zefi vijon
mësimet në Troshan, Eprorët vendosin që t’a dërgojnë për studime në fakultetin
filozofi e teologji në Bosnje. Bosnja në këtë kohë sapo kishte fitue pavarësinë
nga Turqia dhe katolikët studionin atje tek Urdhri françeskan.
Në Bosnje françeskanët kishin një histori të
mirë tradicionale të tyne me kisha, famulli, kuvende, kolegje e seminare. Mbas
5 vitesh studime në Troshan, Zefi u nis vetë i shtati në 1886 së bashku me At
Ejëll (Sebastjan) Paliq, At Severin Lushaj, At Pjetër (Simon) Gjadri, At Loro
Mitroviç (Pashko Mazreku), At Bona Gjeçaj dhe At Pashko Bardhin (Anton Nënshati
me emrin e pagëzimit, Martin; Jozef Blinishti, me emrin Mhill).
Mësimet filozofike i mori në kuvendin e
Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Lexonte me andje klasikët
grekë e latinë si dhe italianin Dante Alighieri.
Sikurse dëshmon biografi i parë i jetës së
Fishtës, njikohësisht edhe koleg i tij At Pashko Bardhi, Zefi dallohej në
punimet e hartimeve letrare, filozofike, teologjike vjetore në gjuhët latine,
italiane dhe kroate.
Fishta ideoi krijimin e një shoqërie të vogël
letrare-artistike, e cila do të mund zhvillonte e të ruente traditat dhe vlerat
ma të mira të kulturës shqiptare. Në një letër, që ka datën 2 shtator 1892,
ndër 10 nënshkruesit ishte edhe emni i xhakonit fra Gjergjit.
Ai pelqej emnin Gjergj, Emnin e madh me anë
të cilit na sot e njohim poetin kombëtar.
Emri i fundit Gjergj, në aspektin fetar, asht
i Shën Gjergjit, martir, shek. V, ndersa në anën kombtare, asht emni i Heroit
tonë Kombtar, Gjergj Kastrioti.
Fishta per natyrë në pak kohë bante përgatitjen
e mësimeve, pasi mjaftonte një lexim i vetëm që ai t’i riprodhonte gati krejt
përmendësh.
Në vitin 1893 kandidati për meshtar kthehet
në Shqipni, me kulturë gjuhësore në: latinisht,
italisht, kroatisht, frangjisht e gjermanisht, si dhe njohuni në muzikë e artet
figurative. Kishte prirje kryesisht në pikturë dhe arkitekturë.
Me 25 shkurt 1894 të dielen, në moshën 23
vjeçare, tha Meshën e parë në Troshan.
At Gjergj Fishta O.F.M., caktohet famullitar
i përkohshëm në famullinë e Gomsiqe,
Detyra e famullitarit i dha mundësinë që të
ishte vazhdimisht në kontakt me grigjën e tij shpirtnrore dhe në këtë mënyrë të
prekte me dorë e të kundronte për së afërmi cilësitë morale e shpirtnore të
banorëve të këtyne maleve, doket, gjuhën krahinore shpesh edhe të panjoftun,
bujarinë, nderen, besnikninë, trimninë, krenarinë, drejtësinë, vorfninë
ekonomike, urtësi, mungesën e shkollimit, hakmarrjen, dhe dëshirën për të kenë
të lirë.
At Gjergj Fishta do të pervetsonte visarin
gjuhësor, i cili do të ishte brumi me të cilin do të gatuante ma vonë veprat e
tij të mëdhaja letrare.
Në Gomsiqe “... Fishta do të njohë deri
edhe skutat ma të thella, njerëzit që u bindeshin normave juridike të Kanunit,
Kodit Zakonor të Shqiptarëve, ku asht pasqyrue shpirti i vërtetë i rracës.”
“Në Gomsiqe, njihet me koloritin e gjuhës së
Zadrimës.” At Fishta shpesh shkonte nder Malësi per me njoftë komunikimin e
gjuhës shqipe.
Më 1899, At Fishta gjithnjë shkruen me
alfabetin latin të françeskanëve.
Me 1899, falë miqësisë e admirimit që krijoi
tek abati Imzot Prengë Doçi, një nga personalitetet ma të kulturueme, i cili e
ftoi At Fishten si bashkëthemelues të Shoqnisë «Bashkimi» me Dom Ndoc Nikajn, me
At Pashk Bardhin, At Ambroz Marlaskajn, etj.
Më 1899 At Fishta bashkëthemeloi Shoqërinë
Letrare “Bashkimi” së bashku me abatin e Mirditës, Imzot Preng Doçi, ku At Fishta
i zotnonte të gjitha nivelet e komunikimit.
Po at vit At Fishtës i vritet vëllai për
gjakmarrje, që u ba shkak që ai të shperthej në poezinë “Gjaksorëve”. Megjithse,
ky e fali mejherë gjaksin e pashpirt, e bâni çmos deri sa i detyroi të vetët jo
vetëm me e falë, por “edhe me u miqasue ato dy shpi”.
1899 shënon edhe fillimin e krijimtarisë letrare të Fishtës, e cila nis e
publikohet së pari në revistën “Albania” të Faik Konicës, por gati të gjitha me
pseudonime. Po ashtu do të botojnë edhe në të perkohshmen Elcija, mâ vonë: “Lajmtari
i Zemres së Krishtit”.
Në 1902 emnohet sekretar i Komisariatit
të Misionit Françeskan si dhe Drejtor i Shkollës Françeskane në Shkodër. Asht i
pari Drejtor Shqiptar i kësaj shkolle, At Gjergj Fishta vendos në programin mësimor
të asaj Shkollë në vend të gjuhës italiane, gjuhën shqipe në të gjitha landët.
Më 1911 u festue 50-vjetori i hapjes së
shkollës, dhe me këtë rast u ba nji aktivitet kulturor, në të cilin nuk
munguen me pjesëmarrjen e tyne autoritetet zyrtare, fetare, shërbimi
diplomatik, kryesisht të konsullatës austro-hungareze, dhe shumë antarë të
bashkësive të tjera fetare, myslimane dhe ortodokse.
Me 24 mars 1912, programi i këtij
aktiviteti ishte përgatitë prej vetë Fishtës. Të thirrun prej të gjithëve në
Shkodër dhe të njohun si shkollë kombëtare.
Në verën e vitit 1902, gjatë pushimeve të
verës At Fishta shkonte në Rrapshë të Hotit për të zëvendësue famullitarin e
atij fshati, Át Leonard Gojanin, e aty frati do të njihej e të lidhte miqësi me
plakun Marash Uci, të cilin do ta përjetësonte ma vonë në vargje.
“Kënaqej poeti, tue veshtrue kallximet e kreshnikut të maleve mbi lufta, në të
cilat ai vetë kishte pasë marrë pjesë i ri. Përleshja te Ura e Rrzhanicës ju
ngul Fishtës në tru dhe, pa u largue nga ambienti i ushtarëve me çakçirë e kësulë
të bardhë në krye, u vu ta përshkruej, ashtu si e kishte ndigjue nga luftari.”
Do t'ishte Faik Konica, botuesi i revistës
Albania dhe njikohësisht miku i tyne, si dhe ndihma financiare e Ministrisë së
Jashtme Austro-Hungareze, që do të kontribuonin në botimin me titullin: Lahuta
e Maltsiis - Kangë Popullore I - Marash Utsi.
Në 1906 Luigj Gurakuqi do t’i kushtonte
Fishtës veprën e vet Vargnimin n’ gjuhë Shcype, e cila asht metrika e parë
në gjuhën shqipe.
Me 15 shkurt 1907, sëbashku me At Shtjefën
Gjeçovin, themeloi të parën Bibliotekë shkollore në Shqipni.
Po këtë vit pranë shkollës çon nji
trupë teatrale amatore, në të cilën së
pari do të vênte në skenë pjesët e veta dramatike, si dhe përshtatjet nga
gjuhët e hueja, tue vû kështu nji tjetër gur themeltar në kulturën kombëtare.
At Fishta arriti me botue pjesën e dytë të
"Lahutës" me titullin Vranina, në të cilën protagonisti ishte
sivëllai i Marash Utsit, i njohun me emnin Oso Kuka.
Në vjeshtën e atij dimni Fishta hapë kurset e
natës për të rritunit, për të mësue shkrim e këndim dhe ma vonë krijon nji
shoqni bamirëse për fëmijët e varfën, për të cilët siguron ndihma të ndryshme
ushqimore dhe veshmbathje. Ky do t'ishte nji nga shembujt e dashnisë së
krishtenë per të varfnit të Shën Françeskut një mision i vertetë.
Këtë vit arrinë me botue në Sarajevë
përmbledhjen satirike Anzat e Parrnasit, të cilën Fishta ua kushton “mikrobeve
të Kombit” asaj frotës së shqiptarëve të shitun, pa ndërgjegje e moral mbi
të cilët Fishta lëshon pamëshirë ironinë dhe sarkazmen e tij.
Në nandor 1908 mbledhet Kongresi i
Manastirit. Fishta së bashku me Luigj Gurakuqin merr pjesë atje si përfaqësues
i Shoqnisë Bashkimi, ku dhe mbajti ligjëratën “Për alfabetin latin”, që i dha udhëzgjidhje marrëveshjes për alfabetin. Perballë Dom Ndre
Mjedës, Mati Logorecit, Hilë Mosit dhe Luigj Gurakuqit si përfaqësues nga
Shkodra. Aty “Fjala plot kuptim, logjika dhe oratoria e françeskanit të
Shkodrës, që e bante Fishtën të dallohej ndër të tjerë, ku bani që nga 52 anëtarë
të Kongresit të fitonte për vete 49 zâje porsi Kryetar komisioni, të
ngarkuem për studim të alfabetit.
Ishte një triumf për fratin e përvuejtë”.
Simbas Karl Gurakuqit: “Kongresi e pau t’udhës të caktonte poetin kombëtar
Gjergj Fishtën ma fort në shenj nderimi dhe çmimi për veprat poetike”.
Për Prof. Tomor Osmanin përveç kësaj ai
u zgjodh edhe për: “Erudicionin e thellë, kulturën e gjërë, forcën e fjalës,
mendjen e mprehtë dhe logjikën e fortë”. Ditën e dytë të Kongresit të
Manastirit At Gjergj Fishta mbajti nji fjalim të zjarrtë për vetitë e mira të
shqiptarëve dhe për nevojat e tyne.
Fjala e Fishtës në Kongres simbas
shtypit të kohës bani për vedi të gjithë delegatët, mjafton me sjellë këtu nji
letër të At Pashk Bardhit që i kishte dërgue At Shtjefën Gjeçovit. Në të cilën Ai i shkruen se fjalimi i Fishtës “kishte ba me kja shumë
kongresista dhe mbas fjalimit nji hoxhë toskë e ka marrë At Fishten ngrykë me
lot për faqe”.
At Fishta tashma ishte ba një personalitet
popullor i veçantë në jetën e qytetit Verior të Shkodrës, por edhe të gjithë
Shqipnisë, përmes njohjes veprave dhe bashkëpunimit me intelektualët ma të
njohun, predikimeve, konferencave dhe fjalimeve publike të randsishme etj.
Jeta publike kishte ba që At Gjergj
Fishta të merret e të trajtojë edhe çashtje politike e juridike. Aty shifet
edhe fryma diplomatike e At Fishtës.
Në të gjitha qeveritë shqiptare prej
vitit 1912 e deri sa vdiq, At Fishta kje
përfaqësuesi i vërtetë i shqiptarit dhe i etnisë, kampion i mbrojtjes së të
drejtave të popullit të vet. Françeskanizmi Shqiptar falë kontributit të At Fishtës do t'ishte ai që njihet në Shqipni
dhe jashta saj.
Ai ishte ndër patriarkët e
riorganizimit të Provincës. Në cilindo pozicion pune, famullitar, drejtor
shkolle, në biblioteka, botues, sekretar province, guardian, definitor, kustod,
e Ministër Provincial Ai ishte shembulli i njeriut të përkushtuem, “Një avokat i përbetuem i integrimit të Shqipërisë në kulturën Perëndimore
të krishtenë në Europë.”
Tregon Át Anton Harapi, nji prej
kulturologëve ma të shkëlqyem shqiptar, n'artikullin ”Shqiptari i Madh”, në
rastin e nji botimi përkujtimor mbi jetën dhe veprën e At Fishtës, më 1943:
”Kam ndollë vetë aty, kur nji ditë, nji shqyptar këthefit të vjetër, tue ankue
për do shpërdorime të nierëzve të Shtetit me At Gjergjin, donte disi me
përfundue, se së ka Shqypni. Fishta don t’ia spjegojë punën, se njerzit e
Shtetit nuk janë Shqypnija, edhe plaku, per me i diftue se kishte mbetë i
bindun, i thotë: Po na se kemi dijtë, more zotni..,veç prej jush e kemi xanë
shka asht Shqypnija!”.
Po këtë vit At Fishta nisë me lexue e
njikohësisht tuj studjue me kujdes e vëmendje veprat e Shekspirit e Molierit.
Vitin pararendës ai kishte ngritë një teatër të vogël, i cili vijonte
ashtu si me nismën e De Martinos. Kështu ai ven në skenë: Gjokë Tarçuku ase
mjek përdhuni, I ligu për mend, Dredhitë e Patukut.
At Fishta pati bashkëpunim me Motrat
Stigmatine, të cilat kishin ardhë në Shqipni në 1879. Ato mbasi kishin hapë në
Shkodër shkollën e tyne për vajza (1876), në vitin 1925 Motrat e kthejnë shkollen e tyne me
emnin Normalja e Stigmatineve,
Gjithashtu në 1908-1909 shkruen melodramat
Sh’ Françesku i Asizit, e cila u shfaq me rastin e 700-vjetorit të Urdhnit
Françeskan (1209-1909), e që u botue në 1912, Odisea, Ifigenija n’Aulli dhe
Kryepremja e Shën Gjonit.
Po në 1909 boton në Zara Pika Voeset,
Shtypshkroja Vitalini, nji përmbledhje lirikash fetare, vepër së cilës ma vonë
do t’ia ndryshojnë titullin në Vallja e Parrizit, por që kështu në botimin e
parë ia kushton Luigj Gurakuqit.
Në 1911, më 19 dhjetor, me rastin e 50
vjetorit të hapjes së Shkollës Françeskane At Gjergj Fishta nisë me shkrue
dramën Juda Makabe, të cilën e përfundon vetëm mbas tre vjetësh, por këtu në
këtë përvjetor u shfaq melodrama Shqyptari i Qytetnuem, prej së cilës doli
mesazhi i Shqipnisë së lirë, çka shkaktoi entuziazëm e brohoritje tek të
ftuemit.
At Justin Rrota kujton se: “N’atë rasë,
nepër dritën e llampave, prej korit së kangtorìs pàshë, ke burra me mustakë e
pleqë me thìja, të përmalluem, kjajshin si fëmija”.
Këtë vit falë autoritetit që kishte At
Fishta dërgohet nga qeveria turke në Podgoricë së bashku me Imzot Jak Serreqin
dhe Dom Luigj Bumçin (1872-1945) si ndërmjetës për arritjen e marrëveshjes së
paqes midis Portës së Lartë të Stambollit dhe Malcorëve kryengritës të Malsisë
së Madhe dhe të Mbishkodrës që u çuen kundër xhonturqve.
Më këtë rast nji vit ma vonë në 1912,
At Gjergj Fishta dekorohet nga Sulltani me dekoratën Mearif për shërbime paqe
dhe humane.
Më 28 janar 1912, Klubi "Gjuha Shqype"
në pallatin ipeshkvor në praninë e Imzot Jak Serreqit, përmes kryetarit të saj
Ndoc Çobës, i cili më këtë rast mbajti edhe nji ligjëratë mbi veprimtarinë e
tij, i dhuroi Fishtës nji kunorë argjendi për merita në krijimtarinë letrare.
Këtë vit në 1912 At Fishta dekorohet
dhe nga Mbretënia Austro-Hungareze me medaljen Ritterkreuz (1912), për kontributin
kulturor në Shqipni.
Qyteti i Beratit i dërgoi nji pupël ari
(pendë) (1913),
Piu XI i dha Medaglia di Benemerenza
(1925),
Urdhni françeskan Lector Jubilatus
(1929),
Greqia Phoenix (1931).
Qeveria italiane e bani anëtar të
Akademisë së saj, Academico d’Italia 1939.
Miqtë e tij të ngushtë do të ishin Imzot
Prengë Doçi, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, At Pashk Bardhi, At Mati Prennushi, At
Anton Zanoni S.J, At Pal Dodaj etj.
Nga tetori 1912 deri në fund të prillit
1913, kohë kur Shqipnia gjendej në prehën të Pavarësisë së saj, dhe kur Imzot
Nikoll Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi mbanin në kontakt gjithë zhvillimin e
ngjarjeve, për rreth shtatë muej Shkodra u rrethue nga ushtria malazeze. Aty ishte
edhe At Fishta e Imzot Jak Serreqi arqipeshkvi i Shkodrës,
Më 12 qershor At Fishta ngre flamurin
kombëtar në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, që dëshmon se edhe Shkodra u
bashkue me Shqipninë tashti e Pamvarun, mbas muejve të gjatë të rrethimit
malazez.
Në tetor të 1913 në prag të përvjetorit
të parë të Pavarësisë, Fishta themelon të përkohshmen Hylli i Dritës, nji nga
revistat ma të mira në historinë e shtypit Shqiptar. Qè si shkruhej në editorialin e parë të saj “Perlimi ase programi i së
përkohshmes sonë, s’âsht tjetër veç t’orvatunt për lulzim t’Fesë e t’Atdheut,
për t’marë t’Familjes e të zhdrivillimit t’Dijes në Shqypni, shka âsht njà për
njà si me thânë për gjytetni e përparim të vërtetë t’komit Shqyptar”. Këtu tek
kjo revistë Fishta do të tregojnë nji tjetër cilësi të formimit të tij
kulturor: Publicistikën e tij. Do të jenë me dhjetra artikujt letrarë,
politikë, pedagogjikë e polemikë që do t’i japin nji tjetër përmasë
personalitetit të tij. Hylli i Dritës mbas numrit të saj të dhjetë At Fishta
botoi artikullin e famshëm “Nji komedi e pandershme e XX-ës qindvjetë”, në
korrik 1914, që u ndërpre nga autoritetet ndërkombëtare (Komisioni i
Kontrollit) sepse At Fishta, e dënoncoi hapun për pandershmëri dhe pabesi hipokrizinë
dhe intrigat diplomatike që baheshin në kurriz të shqiptarëve. Për pasojë
drejtori i saj u padit në Romë prej qeverisë ndërkombëtare si njeri i
rrezikshëm për qetësinë e vendit dhe u dënue nga koloneli anglez G. Philipps me
20 muaj burgim në Maltë. Fishta iku fshehtas në Gomsiqe, tek Át Shtjefën
Gjeçovi, m'andej në Vig, ku ishte Át Pashk Bardhi e ma në fund në Troshan, ku
shërbente Át Pal Dodaj, sepse vetëm atje mund t'ishte jashtë juridiksionit të
ndërkombëtarëve, të cilët administronin vetëm Shkodrën.
Për fatin e Fishtës shpërtheu Lufta I
Botnore dhe ai doli jashtë vëmendjes.
Më 28 Nandor 1913 u kremtue festa
kombëtare, natë në të cilën u lidhën simbolikisht me drita kandilash, minarja e
xhamisë së Fushë-Çelës me kambanoren e kishës së Gjuhadolit. Gjatë kësaj kohe u
desh ndërmjetësia e Imzot Serreqit, Imzot Bumçit e Imzot Kolecit që internimi
të pezullohej.
Filloi edhe Lufta e Parë Botnore dhe
çashtja e At Fishtës sikur u harrue, sepse ndërkombëtarëve ju desht të
merreshin me të tjera punë ma të randësishme.
Janari i 1916 e gjen Shkodrën prap të pushtueme, kësaj here nga
austro-hungarezët, tashma jo për ndonji përfitim territorial, por për
justifikim strategjik.
Ky vit do të shënojnë tre ngjarje të
randësishme për Fishtën: Themelimin e revistës Posta e Shqypniës (5.12.1916 -
11.1918), instalimin e shtypshkronjës françeskane, si dhe krijimin e
"Komisisë letrare" me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August
Ritter von Kral (1859-1918).
Më 3 gusht 1916 e themelon, bashkë me
Luigj Gurakuqin, Rajko Nachtigall, Dom Mjedën, e Mati Logorecin, Gjergj
Pekmezin, Át Ambroz Marlaskajn, Át Shtjefën Gjeçovin, Sotir Pecin, etj. Komisia Letrare e Shkodrës hjedhi bazat e drejtshkrimit bazue mbi të
dy dialektet e shqipes, si dhe punoi për nji terminologji të re për
administratën shqiptare. Mbas disa diskutimeve Komisia vendosi të përdorej
"dialekti i Elbasanit" si një kompromis asnjanës për gjuhën letrare,
më 1923 me nismën e Sotir Pecit. Ky vendim binte mjaft në kundërshtim me
dëshirat e At Fishtës, për të cilin dialekti i Shkodrës ishte ma i përshtatshmi.
Fishta shpresonte se koineja Shqiptare e Veriut së shpejti do të shërbente si
normë letrare për të gjithë vendin, ashtu si gjuha e Dantes kishte shërbye si
udhërrëfyese për italishten letrare.
Në fakt rrokullisja e ngjarjeve solli
pasoja tjera shumë problematike dhe të pa shpresë per një zgjidhje objektive të
gjuhës letrare Shqipe.
Po këtë vit më 5 dhjetor 1916 del numri i
parë i gazetës "Posta e Shqypniës" shqip – gjermanisht e
subvencionueme nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë
që forcat pushtuese nuk parakishin besim te Fishta për shkak të aspiratave të
tij kombëtare. Doli dy herë në javë për dy vjet me radhë deri më 23 nëntor 1918
(gjithsejt 89 numra), e punën e drejtorit për pjesën shqipe e kreu Át Gjergji,
i cili botoi aty afro 37 artikuj. Gazeta sipas Fishtës ishte ”themelue për
Kombin Shqyptar; veç po, artikujt kanë me u botue edhe gjermanisht, qi edhe
dheu i jashtëm të dijë do punë tona, për të cilat Kombi mundet me pasë interesë…”.
1916 At Fishta sjell në Shkodër
shtypshkronjën, e cila do të marrë emnin Shtypshkroja
Françeskane, pra françeskanët tash e mbrapa do të kenë shtëpinë e tyme botuese.
Kujtojmë këtu se botimet e deritashme u banë në shtypshkronjën “Nikaj”.
Bashkë me Át Anton Harapin, e Gurakuqin
bajnë bashkë Malcorët e Hotit e Grudës me ra në Shkodër në shenjë proteste për
lanjen e ktyne tokave Malit Zi. Më 1917 Kryeipeshkvi i Shkodrës e merr At Fishtën
së bashku me Imzot Bumçin si pjestar të grupit negociator mes qeverisë dhe Malësorëve. Me përfundimin e Luftës së Parë Botnore,
ushtria austro-hungareze tërhjeket nga Shqipnia dhe del në pah çashtja e
kufijve territorialë. Kryetari i qeverisë së Durrësit Turhan Pashë Përmeti
kryeson delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në prill të vitit
1919, në përbamje të të cilit janë edhe Imzot Luigj Bumçi, Luigj Gurakuqi,
Mehdi Bej Frashëri, Dhimitër Berati, Mehmet Konica, Mustafa Kruja dhe Dr.
Turtulli. Turhan Pasha emnoi Imzot Bumçin në krye të Delegatës, që të
ndryshonte pamjen e huej të Shqipnisë si "Turqi e vogël" tue kenë se
ai kishte kenë ambasador i Perandorisë Osmane në Shën Pjetërburg.
Mbas nënshkrimit të marrëveshjes më 29
korrik 1919, në mes Tittonit të Italisë dhe Venizelos të Greqisë, për ndamjen e
Shqipnisë, simbas Konferencës së fshehtë të Londrës së vitit 1915, delegacionet
shqiptare ishin të vendosun të bashkëpunonin me delegacionin e kryesuem nga
Imzot Luigj Bumçi, i cili zgjodhi sekretar të delegacionit At Gjergj Fishtën.
Materialin, "Të drejtat e Shqipnisë etnike", në konferencë të mbajtun në
Universitetin e Parisit të shkruem në frangjisht nga At Fishta e lexoi Imzot
Bumçi. Bie në sy në këtë studim përgatitja e gjithanshme historike, kulturore,
diplomatike, etnografike, ndërtimi stilistikor në pikëpamje letrare gja që
mbetet ende edhe sot nji model i ndërtimit të nji esejeje apo shembull
oratorie. Në letrën e Át Fishtës, datë 13 shkurt 1920, shkrue nga Parisi,
provincialit Át Vinçens Prenushit, ndër të tjera thuhej: “Mos tjeter, prej
fletoreve do të keni marr vesht, se çë rrezik i zi i kercenohet Atdheut t`onë.
Me 20 të Kallndorit Konferenca u ka parashtrue Jugosllavëve nji projekt, mbas
të cilit Greqija merr Shqipniën jugore me Korçë dhe Argjirokaster; Italia Vlonen
me hinterland e mandat mbi Shqypninë e mesme; Jugosllavija pershtrihet deri në
Dri ose, ndoshta der n`Mat”.
Tue kenë se situata ishte ndërlikue së
tepërmi, në lidhje me Shqiptarët dhe tue mos gjetë mbështetje nga Konferenca,
delegacioni shqiptar, sipas letrës së Fishtës, dërgon në Romë Imzot Bumçin, së
bashku Mehdi Frashërin, ditën e dytë të Krishtlindjeve, tek Papa Benedikti XV.
Papa, tue kenë nga takimi i maparshëm i mirinformuem rreth problemit Shqiptar,
ndigjoi me kujdes të madh shqetësimet e delegacionit tonë.
Në fund të bisedës, tue kenë i bindun
se rreth çështjes në fjalë, do gjejë mbështetje në partinë katolike në
Parlamentin italian, dhe në diplomacinë angleze dhe amerikane, me të cilat
Vatikani kishte marrëdhanie të mira, Papa Benedikti XV pat deklarue se do bante
çmos për ta shpëtue Shqipninë nga copëtimi i matejshëm i saj.
5 shkurt, 1920, bashkë me Imzot Bumçin
zhvilluen takimin e radhës me kardinalin në zâ të Brukselit, Disidre Mercier,
primat i Belgjikës që me ndërkombtarizue ma teper çashtjen kombëtare, i cili
muer përsipër t’i shkruente në favorin tonë kardinalit të Londrës dhe të
Burnit, ekselencës së tij Balfuorit, mandej, mareshalit Fosh, Dechanelit,
Milerandit etj.
Mundi dhe djersa e At Fishtës dhe të
gjithë tjerve, që u kunorëzue me pranimin e shtetit tonë më 30 gusht 1919 nga
Brukseli dhe mandej, më datë
19 dhjetor 1920, në Lidhjen e Kombeve,
me këtë rast Shqipnia së fundi siguroi tanësinë e saj, në kufijtë e Konferencës
së Londrës së vitit 1913.
Kështu Papa Benedikti XV, më 12 Nandor
1920, emnon Imz. Ernesto Cozzi-n Delegat Apostolik për Shqipninë, 35 ditë
përpara se Lidhja e Kombeve t’a njihte Shqipninë si shtet sovran, që do të
thotë se Vatikani realizoi i pari njohen diplomatike de facto të vendit tonë.
Mbasi pranon se edhe ai vetë, At Gjergj
Fishta, sa herë ka marrë pjesë në bisedimet me delegacionet e huaja: “Të them
të verteten se m'âsht dasht t'skuqesha për inferioritetin t'em. Âsht e kotë të
gënjehemi. N' se përjashtohet Gurakuqi qi vetëm ai ka nji kulturë të
përshtatshme, ka nji atdhetari të shëndoshë dhe nji njohuni të gjânë për
njerëzit dhe për sendet e Shqypnisë, asnji nga anëtarët e qeverisë, kjoftë të asaj
së maparshmes, kjoftë të së tashmes, nuk mund të thotë se e paraqet denjësisht
Shqypninë dhe të mbrojë siç duhet interesat e saja".
Më 1921 ridel mbas 7 vitesh revista Hylli i
Dritës në rrugën e ndërpreme, ndërkohë që aktivitetin e tij botues, Fishta e
zhvillon në revistën "Zani i Shna Ndout".
Ndërkohë shkolla publike ishte një projekt i
ri që At Fishta me shokë e kishin gjithnjë në mendjen e tyne. Niveli i
deritashëm nuk ishte i mjaftueshëm prandaj atyne u duhej me urgjencë një
gjimnaz klasik.
Duheshin sigurue ndërtesa, orenditë,
paisjet dhe mjetet didaktike shkollore, personeli i duhun, leja prej
autoriteteve kishtare e zyrtare. At Fishta
së bashku me Provinçialin e ri, At Pal Doden, shkojnë në Romë dhe takojnë
Kryetarin e Urdhnit dhe priten për të dytën herë në audiencë nga Papa Benedikti
XV, i cili u dha nji shumë prej 100 000 liretash, ndërsa Kuria Gjenerale ju nep
nji hua me lehtësi shlyemje, ndihma të cilat i ndihmuen për hapjen e shkollës
publike me emnin tashma të njohun "Illyricum" me nxanës të të tre
besimeve, katolikë, myslimanë dhe ortodoksë. Ndërtesa e bleme u bekue ditën e
Shën Françeskut më 4 tetor dhe mësimin e filloi më 10 tetor të vitit 1921. Në
64 vitet të jetës së saj fillestare, ndër të cilat 22 vite si gjimnaz, tue i
hjekë periudhën 3 vjeçare 1933-1936 të pezullimit, kjo shkollë i ka dhanë
Kishës 4 ipeshvinj, 110 meshtarë, 10 provincialë, 125 fretën.
Më 6 qershor 1921 në zgjedhjet e para
demokratike Shkodrën e përfaqësojnë në Parlamentin e parë shqiptarë si deputetë
Ndre Mjedja, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi e Hilë Mosi. Fishta në fillim
zgjidhet anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit
të arsimit dhe në gusht të atij viti zgjidhet nënkryetar i Parlamentit. Kur dëtyrohet m'e lanë propozon At Ambroz Marlaskajn.
Mbasi niset në shkurt 1922 nga
Liverpuli, në letrën e tij datë 8.5.1922, dërgue provincialit, At Pal Dodajt,
nga Uashingtoni thekson se, mbas dymbëdhjetë ditëve udhëtimi me vapor nga
Anglia, ma në fund kishte mërrijtë në Amerikë. Viziten e përshkruen mjaft bukur
në nji letër dërgue At Justin Rrotes, që daton 11 mars 1922. Pa humbë shumë
kohë, kishte fillue me bâ lobing rreth çashtjes së Shqipnisë.
Mbas takimit që pati me françeskanin me
ndikim të madh në qarqet diplomatike të Uashingtonit, At Godfried Shilling,
Fishta takoi dhe senatorin katolik, Henri Cabot Lodge, i Partisë Republikane,
njeri me autoritet të madh dhe i nji mendimi me Presidentin Wilson për të
drejtat e barabarta të popujve. Në letrën e naltcitueme, At Fishta do shprehej:
“Asht mirë qi Qeveria e Tiranës, t’i dejtojë nji shkresë nënsekretarit të
Ministrisë së Jashtme të Amerikës, tue kerkue zyrtarisht këtë njohje...”
Në fund të letrës, shkruen At Fishta:
“Ndërkaq vizita eme në Washington ka pasë si përfundim njohjen e Shqypnisë prej
anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të
Qeverisë sonë, si ato të “Vatrës”, s’kanë pasë sukses… Ishin Senatorët
katolikë, të cilëve ua paçë paraqitë çashtjen sidomos në pikëpamje fetare, ata
qi me ndërhimje të veta xuerën njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija
amerikane”. At Fishta, takimet në Uashington nuk i kishte ba në rolin e nji
deputeti të Shqipnisë, edhe pse ishte mandatar nga populli në dy legjislacione,
por si një intelektual dhe një diplomat që
kishte marrë famë kombëtare dhe ndërkombëtare. Faik Konica në përgjegje të nji
letre që Fishta i kishte dërgue, i shkruen nga Bostoni këtij të fundit: “Ju
falem nderit për letrën e bukur që më dërguat. Kini lënë nër Shqipëtarët e
këtushëm nji kujtim lartësie dhe drite, që kà shuar gjithë moskuptimiet e
shkuara”.
Ndërkaq tue u kthye nga Amerika, Fishta i shkruen Át Pal Dodës se
asht tue shkrue nji poemë satirike. Është fjala për poemën "Gomari i
Babatasit", vepër e cila u botue në dhjetor 1923, me të cilën shënoi
pjekuninë e tij të plotë artistike.
Po këtë vit del gazeta "Ora e Maleve", që u ba shkolla e
gazetarisë Shqiptare, në të cilën kontribuen oratoria e Dom Lazër Shantojës,
mençuria e Luigj Gurakuqit, penda ledhatuese dhe e ambël e Vinçenc Prennushit,
studimet e holla të At Anton Harapit, Nush Topalli, Ernest Koliqi, Karl
Gurakuqi, Bernardin Palaj etj.
Për këtë gazetë Ernest Koliqi shkruen: “Dihet se Ora e Maleve, e
nisun ma s’forti me qellime kulturore, pat menjiherë nji zgjanim të papritun
politik edhe u ba organi i nji grupi qi përfshinte në gjinin e vet fuqit
fetare, shoqnore dhe ekonomike të Shkodrës unji dhe krejt krahinës së saj.
Grupin e kryesonte Luigj Gurakuqi.
Shkodra nuk njofti kurr stinë ma të lulzueshme me mugullime qellimesh e
vullnetesh për nji përparim të njimendtë qytetnuer. Shkodranët pa dallim
besimesh, klasash shoqnore, kulturash, me lagje të qytetit e me katunde e me
male kreshnike..., mblidheshin tok rreth Gurakuqit,- Bashkqytetarit zemër-madh
e mende-ndritun, qi dinte me pajtue në shkrime në sjellje e në veprimtari
ndertuese tharme jetike të traditave të shëndoshta me nevojët e kohës moderne.
Ai kalonte udhës i përcjellun gjithkund nga nji tubë djelmoshash e gratë nga
dyert e oborreve me fëmij në krah e reshëshin me nji breshën bekimesh.
Kalonte si profet i rrethuem nga
nderimi dashunuer i mbarë nji populli.” dhe vijon: “Prej frymzuesavet qi ishin Imzot Mjedja, Gurakuqi, Patër Gjergji,
prej bashkëpuntorvet të shquem si At Antoni, Shuk Gurakuqi, Kolë Kamsi, At
Bernardin Palaj, prej redaktuesavet të rendomtë qi ishim Dom Lazri dhe unë e
deri tek shtypshkruesat me Gjon Shqipnin në krye e Tom Laca, shpërdas e shitës
i fletores, kjo njehej si nji gja qi ishte pjesë e sejcilit prej nesh, pjesë e
shpirtit dhe e jetës s’onë.”
Në votimet për Kuvendin Kushtetues në
dhjetor të vitit 1923, Fishta së bashku me Fan Nolin dhe Luigj Gurakuqin
përfaqëson Opozitën, por nuk kje e thanë sepse qeveria nuk
zgjati as nji vit, për shkak se Ahmet Zogu përmes Partisë Popullore e Beogradit
vjen në pushtet më 24 dhjetor 1924. Burgosen Ndre Mjedja, Lazër Shantoja,
Anton Harapi, Bernardin Palaj, Klement Miraj; Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi
detyrohen të largohen nga Shqipnia dhe At Fishta për të njajtat arsye largohet
gjithashtu në Itali më 1925-26, ku qëndron pranë Urdhnit Françeskan, ku mbas
kurimit me kujdes t'ekspozimit në pavionin shqiptar në Romë.
Me 1925, u dekorue nga Papa Piu XII, e
jo sikurse asht shkrue në ndonji rast për shërbime klerikale. Hylli i Dritës
preu frymën përdhuni edhe nji herë tjetër mbas ndalimit të vitit 1914. Por,
penda e poetit nuk heshti.
Më 1924 botohet për së dyti "Mrizi
i Zanave" dhe në vitin 1925 "Vallja e Parrizit" (botimi i dytë),
"Ifigjinia n’Aulli", "Sh. Luigj Gonzaga" (1927),
"Shqyptarja e gjytetnueme", e cila u shfaq në vitin 1929, dhe në
revistën "Leka", "Mojs Golemi i Dibrës" e "Deli
Cena".
Më 1930 emnohet nga Urdhni Françeskan "Lector Iubilatus
honoris causa". Në vitet 1930 Fishta përfaqëson Shqipninë në Konferencat
Ballkanike në Athinë, (1930), në Stamboll, (1931), ku ai asht anëtar i
delegacionit së bashku me Mehmet Konicën dhe më 1932 në Bukuresht.
Më 1930 ftohet dhe pranohet anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të
Poetëve në Nju Jork, në të cilin merrnin pjesë shkrimtarë nga rreth 60 shtete
të ndryshme të botës.
Qeveria shqiptare, për me mbrojtë interesat e vendit, muer pjesë
në disa konferenca ballkanike në 1930-1933, nën kujdesin e Francës, ku merrnin
pjesë dhe përfaqësues të Lidhjes së Kombeve. Në këto takime ndërkombëtare,
flitej për krijimin e zonës së paqes në Ballkan si dhe mbrojtjen e të drejtave
të pakicave në këto vende.
Në 1930, Konferenca kje mbajtë n' Athinë, Shqipnia kje përfaqësue
nga At Gjergj Fishta dhe Mehmet Konica.
At Fishta në letrën e tij, datë 11 tetor 1930, nga Athina drejtue
provincialit Át Vinçenc Prenushit, ndër të tjera, thotë se Konferenca nuk
kishte sjellë diçka të re, edhe pse Mehmet Konica me referatin e tij, në
krahasim më të tjerët, kishte kenë shumë në naltësinë e duhun.
At Fishta, në këtë Konferencë kje përqendrue në zhvillimet
kulturore në shtetin Shqiptar.
Konferenca e dytë kje mbajtë në Stamboll, në vitin 1931, ku të
dërguemit e Shqipnisë, rishtas ishin At Gjergj Fishta dhe Konica. Kjo
Konferencë, simbas At Fishtës, kje e organizueme shumë ma mirë se ajo e
Athinës.
Konferenca kje hapë nga Presidenti i Turqisë, Hasan Begu, fjalën e
kishte mbajtë dhe Kryeministri i Turqisë, Ismet Pasha. At Gjergj Fishta, në
letrën e tij nga Stambolli të datës 20.10.1931, drejtue provincialit, At Pal
Dodaj, tue ba nji përmbledhje të Konferencës, ndër të tjera shprehet: “Sod, me 21,
kemi pasë luftë më Jugoslav në Komisionin Politik, Mehmet Konica âsht sha keqas
me Kryetarin e dergatës Jugoslave me nji farë Topaloviç. Joviç, Kryetari e
Dergates Jugoslave i paska thânë Konitzes se âsht i shtímë prej dikúj tjetër me
prishë Konferencen.
At Fishta, thekson se, për shkak të kësaj ngatërrese, në mes
këtyne dy delegacioneve, Konferenca kje rrezikue të mbyllej para kohe, por, nga
ana e jugosllavëve ishin tërhjekë fyemjet e bame ndaj delegacionit Shqiptar.
Derisa grekët, rumunët dhe Turqia kishin kambëngulë që të nënshkruhej në këtë
Konferencë pakti për pakicat, nga ana tjetër bullgarët kërkuen që kjo çashtje
të shtyhet për nji konferencë tjetër, e cila do mbahej në vitin e ardhshëm.
Në 1932 u organizue Konferenca e tretë Ndërballkanike, në Sofje të
Bulgarisë, ku morën pjesë të njajtët aktorë dhe pati të njajtën tematikë.
Át Gjergj Fishta, posë rolit të delegatit, tani kishte dhe rolin e
provincialit, që përfaqësonte Etnit Françeskanë të Shqipnisë.
Mbas këtyne Konferencave maratonë Ndërballkanike, gjaja ma e mirë,
që ambëlsoi shpirtin e trazuem të poetit, ishte pranimi i tij si anëtar i
Bashkimit Ndërkombëtar i Poetëve, organizatë e themelueme në Nju Jork.
Ky bashkimi ndërkombëtar i poetëve, ku merrni pjesë rreth 60 kombe
të ndryshme, ishte mënyra ma e gjetun për krijimin e urave të reja të
bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit në mes diplomacive të shumta botnore.
Këto vite, ma të frytshmet e jetës së tij, At Fishta i kaloi në qetësinë e
kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër, por pa u shkëputë kurrë nga
problemet e mëdha qytetase, kombëtare e diplomatike botënore.
Të kësaj kohe janë edhe pjesa ma e madhe e dramave lirike,
tragjedive e artikujve etj.
Më 1931 del nga botimi pjesa e tretë e Lahutës me titullin Lidhja
e Prizrendit, e cila ishte botue periodikisht në revistën Hylli i Dritës në
vitin (1921-1922).
Nji vit m'andej, pra më 1932 boton në revistën Leka fragmentin në
vijim pas botimit në "Kalendarin e veprës Pijore", të poemës Mojs
Golemi, e cila u la në mes.
Antiklerikalizmi çuditënisht do të kërkonte të përballej me
françeskanët përmes dy ministrave t'arsimit, të cilët ishin katolikë. Ivanaj
kërkoj polemikën mbështetë në ligjin e datës 23 prill 1933, i cili i mbyllte
tashma shkollat private, e që komunistët do ta zbatonin besnikërisht 13 vjet ma
vonë më 1946. Ka ngelë proverbiale thanja e At Fishtës në praní të nxanësve
në oborrin e gjimnazit “Rrnoftë Shqipnia pa ne (këtu flitet per Françeskanët)”.
Gjimnazi u mbyll më 25 prill 1933, mbas 12 vitesh si gjimnaz dhe 72 vitesh
si shkollë fillore.
Po këtë vit Fishta do të dëshmojë edhe nji tjetër anë të
personalitetit të tij kulturor, estetin. Në revistën Hylli i Dritës ai do të
publikojë traktatin estetik: “Shenime estetike, mbi natyrë t’artit”, të lavduem
edhe nga profesora t'universiteteve britanike tue pa tek Fishta jo vetëm
nismëtarin e atij zhandrri në Shqipni, por edhe nji estet të përmasave
europiane e botnore që do çonte në nji stad të ri t'estetikës.” Anglezët e
kuptojnë mirë se At Gjergj Fishta asht një diplomat i vertetë Atdhetar
Shqiptar.
Gjithashtu me randësi asht reçensioni që shërbeu si parathanje,
bamun për librin "Kanuni i Lekë Dukagjinit", mbledhun nga
Shtjefën Gjeçovi dhe botuem pas vdekjes së këtij të fundit, në të cilën ai
shfaqi mendimet e tij vlerësuese për krijimtarinë gojore. Fishta në tetor 1934
do të shkruente nji tjetër artikull magjistral si përgjegje ndaj broshurës së
Ismet Totos “Grindje me klerin”.
Në qershor 1935 At Gjergj Fishta zgjidhet Proviçial. Po këtë vit
rihapet Gjimnazi françeskan mbas seancave gjyqsore që kishte fitue në Hagë kundër politikave të
shtetëzimit e laicizimit t'arsimit t'aplikueme nga Mosi e Ivanaj.
Viti 1937 shënon 25 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë me këte rast
ban edhe botimin përfundimtar të "Lahutës së Malcisë", e cila i
kishte kushtue ma shumë se 30 vjet punë. Në prill t'atij viti shkon me mision
në Çekosllovaki me detyrë prej Urdhnit.
Pushtimi italian i Shqipnisë më 7 prill 1939
solli pështjellim në jetën politike, sociale e kulturore të vendit. Më 3
qershor 1939 At Fishta emnohet Akademik i Italisë, çfarë do të sjellin edhe
mjaft polemika dashakeqe në Shqipninë e periudhës 1945-1990. Duhet skjarue se pranimi
i këtij vlerësimi nga ana e Fishtës nuk asht ba prej kurrëfarë hipokrizie
politike, aq ma keq kur Shqipnia sa ishte pushtue nga Italia dhe dihen
publikisht qëndrimet e Fishtës. Akademia e Shkencave e Italisë, ishte
institucion shkencor mbipolitik, dhe si i tillë e propozoi dhe e pranoi
unanimisht anëtar efektiv të saj At Gjergj Fishtën, për nji motiv të vetëm;
personaliteti kulturor, letrar dhe pse jo edhe politik që i bante nder asaj
Akademi.
Aty nga fundi i vitit 1940 At Fishta
kërkon të shkojnë në Troshan, aty ku kishte nisë së pari jetën rregulltare, e
pse jo edhe atë letrare, aty ku kishte mbathë sandalet dhe kishte vu rreth
brezit litarin e Shën Françeskut. Sëmuret me 10
dhjetor dhe kërkoi pranë vetes mikun dhe Proviçialin At Pal Dodaj dhe sekretarin
e tij Át Viktor Volaj, komentuesin e veprës së tij poetike. Më 14 dhjetor e
sjellin në Shkodër, ku e shtrojnë në spital.
Më 22 dhjetor, borën e skllotën që kishte
mbulue qytetin, Fishta e kundron nga dritarja e kuvendit. Më 22 ra një borë e
madhe dhe At Fishta mori një polmonit që e rëndoi shëndetin e tij. Me 27 mjekët
humbasin shpresat dhe Fishta bjen në kllapi. Fjalët e thanuna sivëllazënve që i
ndejtne afër ishin:”Po des kondend (i kënaqun) përse kam punue për Fe,
Atdhe, e për Provincën tonë.",- e mbylli testamentin e vet simbas Át
Marin Sirdanit.
Më 30 dhjetor 1940 Át Gjergj Fishta nep
shpirt. Arkivoli me trupin e tij u vendos në Kishën
e Gjuhadolit prej nga u përcoll në banesën e fundit nga pothuej i gjithë qyteti
si dhe autoritetet ma të nalta të kohës. Meshën e përmotshme e mbajti Imzot
Gaspër Thaçi Arqipeshkëvi Metropolit i Shkodrës. Telegrame të shumta
ngushëllimi muer Provinçiali At Çiprian Nika e At Mati Prennushi. Më 31 janar
1941 Akademia Mbretnore e Italisë mbajti nji Meshë Drite në kishën artistike të
saj të Shën Lukës dhe Shën Martinës, meshë të cilën e udhëhoqi Gjenerali i
Urdhnit Françeskan At Leonard M. Bello, këndue nga Schola Cantorum e Vatikanit,
ndërsa pjesën muzikore të saj e drejtoi muzikanti i njohun Akademik Don
Lorenzzo Perosi. Ndërsa nji tjetër ceremoni përkujtimore u mbajt Reale
Accademia d’Italia më 9 mars 1941. Përmbledhim këtu me vlerësimin e bamë nga
Ernest Koliqi se:”Tek Fishta u shkrinë në nji, tana cilsitë e tij prej
murgu, oratori, edukatori e politikani diplomat, ndërthurun në mënyrë të
shkëlqyeme në përkushtimin e lindun ndaj poezisë.”
Për Fishtën, gjuha shqipe është një
pasaportë e gjallë, që provon identitetin e të kenit shqiptar:
Nper gjuhë shqype bota mbârë
ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,
me ju njohtë për shqyptarë,
trima n'zâ, sikurse jini…
Tituj të veprave
1*Lahuta e Malcíse - poemë (Zarë, 1925)
2*Anzat e Parnasit - satirë (Sarajevë, 1907)
3*Pika voese, ma vonë ribotue si Vallja e
Parrizit (Zarë, 1909)
4*Shqyptari i gjytetnuem - melodramë (1911)
5*Shqyptarja e gjytetnueme – melodrama
6*Vëllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t (1912)
7*Hylli i Dritës - revistë (1913)
8*Juda Makabé - tragjedi (1914)
9*Gomari i Babatasit (Shkodër, 1923)
10*Mrizi i Zânavet (Shkodër, 1924)
11*Sh. Luigji Gonzaga, (Shkodër 1927)
12*Lahuta e Malcís - botimi komplet (1937)
13*Jerina ase mbretnesha e luleve, (Shkodër,
1941)
Aurel Plasari ka thanë:
““Duke rikthyer Gjergj Fishtën në
historinë e letërsisë shqipe, nuk i japim atij vendin që i takon, por i kthejmë
histories së letërsisë atë çka i mungon”.
At Zef Valentini:
“Fishta asht një Homer shqiptar. Ai
nuk asht vetëm një poet i madh kombëtar.
Ai asht nga më të mëdhajt në botë. E rëndësishme asht që ai të njihet prej saj”.
At Gj Fishta nga Dr. Maximilian Lambertz…
Albanologu i shquem, përkthyesi virtuoz i
“Lahutës Malcisë”në gjermanisht Dr. i
Filozofisë Klasike Maximilian Lambertz (1882-1963 ), shkruen në 1922 se:
“Fishta asht poeti ma gjenial që deri më sot ka dhanë Shqipnia.
Ai asht Epiku ma i madh i shekullit, Homeri Shqiptar dhe Lahuta
Malcisë asht Iljada Shqiptare”.
(Gjergj Fishta: “Laute des Hochlandes” Leipzig 1948.
Don Kolec Prennushi ka thane per At Gjergj Fishten:
“Poemi epik ”Lahuta e Malcis” asht nji
vade mecum i çdo atdhetari”.
Melbourne, 17 Dhetor 2022.