Mendime
Idriz Zeqiraj: Ish-negociatorët sa herë ktheheshin nga Brukseli, nga një gjëmë sillnin për Kosovën!
E premte, 16.12.2022, 07:00 PM
ISH-NEGOCIATORËT SA HERË KTHEHESHIN NGA BRUKSELI, NGA NJË GJËMË SILLNIN PËR KOSOVËN!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Përtej një dekade, ish-negociatorët dialoguan për çështje
politike, por shqiptarët i mashtronin se po dialogojmë vetëm për çështje
teknike! Të njëjtit, sot, ankohen se nuk ka transparencë nga negociatorët për
dialogun në Bruksel!? Gënjeshtër e radhës. Ajo që duhet ta dijë opinioni është
thënë në konferencat për medie dhe lajme tjera.
Bën përshtypje se janë, pikërisht, ata që me pazaret e pista, me
çmimin e nënshkrimeve, me elemente të bollshme të tradhtisë kombëtare, sot janë
më të zëshmit në kritika, bile, edhe akuza ndaj Kurtit dhe ekipit të tij. Në
vend që të japin llogari, pse ata u bënë argatë të Hashim Thaçit, në përpjekjet
e tij të dështuara, për t`i shpëtuar drejtësisë, për krimet serike, ndaj
shqiptarëve të pafajshëm, të kryera nga bandat e tij të uniformuara me siglën e
UÇK-së, ata hidhën në sulm, sikur nuk ka ndodhur asgjë, pse qenkan vrarë shumë
qindra ushtarakë luftëbërës; veprimtarë e luftëtarë për liri të LDK-së;
gazetarë dhe idealistë veteranë të LPK-së.
Shqiptarët janë gërditur nga ish-negociatorët puthadorë e vasalë
dhe shefat e tyre partiakë. Sa herë ktheheshin nga Brukseli, nga një gjëmë
sillnin për Kosovën! Andaj, krrokama e tyre e sotme, kundër dialoguesëve
aktualë, gjoja, joparimore e mashtruese, është "lehje në hënë"!
Fundja, Kurti me ekipin e tij, po përballën me nënshkrimet, sa idioteske, aq
edhe kriminale të ish-negociatorëve: 2.500 hektarë tokë të dhuruara FYROM-it;
Demarkacioni me 8.200 hektarë tokë dhënë Malit të Zi; vendimi për 24 hektarë
tokë të falura Manastirit të Deçanit, e deri ke Asociacioni fatal për Kosovën,
janë nënshkrime kriminale të negociatorëve të Hashim Thaçit, me bandën e tij
pushtetare partiake dhe koalicionin patericë e bisht të PDK-së, përkatësisht,
PAN-it.
Akuzat të stisura dhe të shpifura, gjithë mëri e vrerë, për Kurtin
dhe ekipin e tij, se, gjoja, ra në kurthën e Vuçiqit; në grackën e Borrellit,
tashmë, janë demantuar me fund.
Sjellim disa fakte kronologjike:
Kryeministri Albin Kurti, më 18 nëntor, thotë: "Kosova është
duke bërë çmos, për të ruajtur ligjëshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit
tonë, nga njëra anë, dhe paqen e sigurinë, nga ana tjetër".
Në një prononcim tjetër Kurti shprehet: "Unë jam optimist,
por qasja e Beogradit ka qenë mjaft destruktive. Dhe, në ditët në vijim, do të
shohim sa do të jemi të suksesshëm, në këto negociata të reja"?
Pra, kemi një paraqitje, vërtet, parimore, kreative dhe
konstruktive të Kurtit, si bazë për të gjetur zgjidhje për çështjet që,
aktualisht, janë në tavolinën dialoguese.
Nga ana tjetër, presidenti serb Vuçiq, në intervistën dhënë në TV
Prva, më 20 nëntor, deklaron: "Unë po shkoj në Bruksel. Nuk besoj se mund
të bëjmë diçka, por po shkoj, që të mos jap arsye që Serbia të akuzohet, se nuk
dëshironë të bëjë asgjë!"
Pra, duket qartazi se Vuçiq e parathotë dështimin e takimit në
Bruksel!
Qellimshëm solla pronocimet e akterëve në konflikt, për t`i dhënë
mundësi opinionit të gjykojë, mbi bazën e fakteve, që i kanë paraprirë takimit
të fundit, të thirur nga përfaqësuesi politik i BE-së, Josef Borrell.
Opozita destruktive në një linjë me Beogradin!
Opozita PAN-iste e Kosovës, është në një linjë me Beogradin. Ashtu
siç vazdon ta sabotojë çdo nismë të Qeverisë të LVV, në përpjekjen për
realizimin e reformave të premtuara elektorale, ajo është gjithashtu e zëshme
në akuza e shpifje. Po sjellim disa sosh: "Qeveria e Kosovës ka rënë në
grackë. Tash, është fajësuar për dështimin! Kurti ka hyrë në qorr-sokak. Atë e
mashtroi Borrell." Dhe, "xhevahire" të tjera.
Njëra nga akuzat më të serta, të krerëve dhe kuadrove të
partive-banda, të tufëzuara në akronimin PAN, është: "Integrimi i serbëve
në veri të Kosovës, është kthyer në pikën zero!" Për çfarë integrimi të
serbëve mund të bëhet fjalë, në veriun e Mitrovicës, përkatësisht të Kosovës,
kur me një urdhër nga Shefi i tyre në Beograd, të gjitha intitucionet, të
ashtuquajtura shtetërore, bien brenda ditës si ato komunale, gjyqësore,
policore, doganore, dorëheqja dhe largimi i deputetëve nga Kuvendi qendror e
lokal?!
Kjo ishte një ngrehinë prej kashte e kartoni, një vetëmashtrim
hipokrit, e maskuar me integrim! Jeta politike e shoqërore, në veriun e
Kosovës, ka qenë dhe, mjerisht, vazhdon të jetë peng i qeverisë së Beogradit,
në përpjekjen e etshme dhe të ethshme, që t`i zhvatet territor tokësor Kosovës.
Dhe, kjo ka qenë e ditur prej tej dy dekadash.
Arsyeja e "harresës" së veriut të
Kosovës: komandantët e shantazhuar me dosje dhe kontrabanda e shpenguar e tyre
Por, ishin dy arsyet bazë, që disa komandantë pushtetarë, toleruan
në heshtje "harresën" e veriut të Kosovës:
E para, krerët kryesorë, shtetërorë e pushtetarë, ishin të
shantazhuar me dosje nga Serbia, sepse ajo posedon dosjet e krimeve makabre, që
bënë disa nga"komandantët", nën siglën e UÇK-së, ndaj kundërshtarëve
politikë, bashkëkombas, për qëllime të ulëta karrieriste e pasurore;
E dyta, komandantët pushtetarë, e donin një veri të Kosovës në
anarki të plotë, për ta bërë makro-kontrabandën e shpenguar, madje, jo me kuaj
e gomerë, siç bënin në bjeshkët kufitare me Malin e Zi, por me kamionë e
"teretnjak" (mauna). Komandantët, me kontrabandën industriale,
penalizohen për dy krime - njëherësh: Krimin ekonomik, duke i kaluar mallrat pa
vjelje doganore, duke i shkaktuar shtetit miliona euro dëme. Dhe, krimin
politik, që konsolidonte dhe stazhiononte ripushtimin e veriut të Kosovës, deri
në përmasën e mosnjohjes të shtetit të Kosovës, edhe pse gëzonin
privilegje enorme. Dëshmi e një gjendje kaotike atje, janë edhe mospranimi
i targave të shtetit të Kosovës.
Njëri nga eksponentët e krimit dhe të kontrabandës, me bandat
serbe të veriut, në një debat televiziv, i ka përmendur me emra dhe mbiemra
banditërit serbë të veriut, zotërues të bandave dhe të kontrabandës. Politikani
shqiptar mburrej që kishte pasur komunikim dhe bashkëpunim me ata! Për çudë, të
gjithë këta miq serbë, të cilët i citon me emër politikani ynë, Amerika i
shpalli "non grata", si krimiknelë të shumëfishtë! Dhe, në aryetimin
e dhënë DASH, i denoncoi zyrtarët e lartë të Kosovës, policinë, doganierët dhe
banditërit tjerë, të cilët nuk i pengonte fare "armiqësia" mbi bazën
nacionale, në bashkëpunimin e tyre kriminal!!
Në përforcim të këtyre dy arsyeve, pse planet për ndarjen e
Kosovës po retushoheshin më dukshëm, flasin edhe disa fakte domëthënëse. Edhe
pse Hashim Thaçi shpalosi projektin e ndarjes së Kosovës, të kamufluar me
këmbim territorësh, Kadri Veseli, të paktën, me fjalë, ishte kundër kësaj ideje
të rrezikshme. Sepse këmbimi po bëhej brenda territorit të Kosovës.
Por, në një takim, të cilin e drejtonte, ish- i burgosuri politik,
Raif Çela, të organizuar në jug të Mitrovicës, me një grup të kuadrove dhe të
qytetarëve vendorë, ishte, qartësisht, lobim legal e zyrtar, për ndarjen, deri
në shprehjen "çfarë na duhet veriu i Mitrovicës, i banuar, kryesisht, me
serbë. Dhe, kjo u tha në prezencën e Kadri Veselit, i cili nuk reagoi fare!
Retrospektivë:
Raif Çela ishte pjesë i grupit tonë ilegal, që nismon me
veprimtarinë e tij, qysh në vitet `60-a, të kryesuar nga Kadri Osmani (Mani),
(i dytë pas heroit Demaçi, me vite të vuajtjes në burgje), me qendër,
fillimisht, në Istog, në bërthamën e të cilit ishin djemtë: Binak Ulaj, nga
Vuthaj të Gucisë, Xhafer Shatri, Metë Shatri, Jashar Alijaj dhe të tjerë,
vendorë, deri ke poetja Sadete Emrullahu-Presheva, nusja ideale e Avni
Preshevës, profesor vendor.
Në vitet 70-a, autori
i këtij shkrimi, arrestohet dhe dënohet në Tiranë! Shkas ishte një letër e
dërguar nga Kadri Osmani (Mani), me shokë, pas lirimit nga burgu i parë, me
pyetjen: "Ç`të bëjmë?" Letra ishte sjellur nga vajza e Preshevës,
Sadetja, që mishëronte harmonishëm: guximin, zgjuarësinë dhe bukurinë.
("Në një letër dedikuese, për profesoreshën, ish-nxënësi i saj, në
gjimnazin e Preshevës, tani gazetar, Dashnim Hebibi, i shkruante, veç shumë
fjalëve respekti e adhurimi, vinte edhe kjo përmbyllje: "Pas Nënës, me je
Ti").
E mira Sadete Emrullahu-Presheva,
erdhi për vizitë në Shqipëri, me studentët apsolventë të vitit të 4-të, të
Fakultetit Gjuhë-Letërsi Shqipe. Letër-përgjigja ime, për shokët e ilegalës,
titulluar "Taktika dhe strategjia për realizimin e Republikës të
Koosovës", e shkruar në 4(katër) faqe A-4, më kushtoi me shumë vite
burgimi. Ajo letër u konsiderua si "politikë subversive" kundër
Jugosllavisë, me tendencë prishjen e marrëdhënieve Shqiptaro-jugosllave.
Shtetarët e "Shqipërisë londineze", donin -statusquon- në Kosovë!
Grupi ynë ilegal ishte më këmbëngulësi për lirinë, më jetëgjati në
kohë, nga vitet `60-a? e deri në vitet `80-a.
Kishte shtrirje, pothuaj se, në të gjithë hapësirën gjeografike të Kosovës.
Përgjatë tri dekadave, ky grup, është përballur me tre palë gjyqe të mëdha dhe
disa gjyqe më të vogla, si dhe dënime drastike.
Në gjykimin e grupit të tretë, pjesë e tij është edhe Raif Çela.
Grupimi ynë ilegal, më i madhi dhe më i shtriri në Kosovë, pjesëtarët e tij
kanë pasur drejtëpeshim atdhetar, idealistë të përkushtuar dhe kurrë nuk
devijuan, nga programi fillestar, për ta çliruar Kosovën në kufinjtë ekzistues
dhe për të punuar, në përspektivë, për bashkimin kombëtar. Pa dashur ta
paragjykoj Raifin tonë, më shqetëson fakti që, pikërisht, ai drejtoi një
mbledhje, takim në Mitrovicë, ku temë qendrore ishte ndarja e Kosovës!
Shefi i Shërbimit Sekret: "Hashim Thaçi
është agjent i Francës"
Në dramën e përgjakshme të veriut të Kosovës, "lojëtarë"
të pistë ishin Arnaud Danjean dhe Hashim Thaçi. Ish-shefi i Shërbimit Sekret
francez, Pierre Seramy, në një dokumentar special të "CANAL +",
deklaron se "Hashim Thaçi është agjent i Francës. Sipas tij, në historinë
e rekrutimit të Thaçit, ishte përfshirë Arnaud Denjean, në atë kohë oficer
hulumtues, për çështje të Ballkanit, pranë DGSE" franceze. Ndërsa,
denoncimin për rekrutimin e Hashimit, i pari e ka bërë Bardhyl Mahmuti,
atëbotë, i ngarkuar nga LPK-ja, me punë Jashtme të Kosovës.
Viteve të fundit, po flitej, gjithnjë e më shumë, për arrestime të
mundshme, nga Gjykata Speciale. Edhe të apostrofuarit përforconin
"rrethimin" mbrojtës, ngaqë e kishin "mizën pas veshit".
Andaj, edhe kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli, me shokët PAN-istë, iu bashkuan
Hashim Thaçit, në lobimin kriminal për ndarjen e Kosovës! Kuadrot ministrorë,
ambasadorë, zyrtarë të PAN-it, në veçanti nga radhët e PDK-së, përjashtim bënë
kryetar Memli, të paktën, nuk e kemi dëgjuar, shtuan dozën e lobimit, madje,
edhe me pagesa prej dhjetra-mijëra eurove!
Borrell "u zu me pelë për dore!"
Tërësisht i njëanshëm!
Përfaqësuesi politik i BE-së, pas një pauze tre mujore, i ftoi,
madje, me urgjencë palët në konflikt, Vuçiq dhe Kurti, për ta vazhduar
dialogun, siç ishin dakorduar në tubimin e fundit. Dhe, fjala ishte për
normalizimin e marrëdhënieve dy-palëshe. Por, Borrell e ndryshoi njëanshëm
temën, duke e reduktuar vetëm në dialogun për targat ilegale.
"Unë propozova 8 (tetë) variante, për zgjidhjen e çështjes së
targave. Por, asnjëri nga propozimet e mia nuk u pranua! Ndërkohë, Vuçiq dha
vetëm një propozim dhe për Borrell ishte - OK-ej. Rezultoi se Vuçiq e Borrell
ishin marrë vesh, në konsultimin e tyre para takimit tonë. Përveç bisedës për targat, prisja negocimin për
normalizimin e marrëdhënieve dy palëshe, pasi në takimin e gushtit, ishim
dakorduar që në marsin e 2023, të përmbyllet, me marrveshjen finale. Por
Borrell e heshti premtimin e dhënë, pa dhënë asnjë afat tjetër. Këtu reagova
dhe Borrell shpërtheu në akuzën e rëndë", - deklaroi kryeministri Kurti
për media!
Pra, "dajak për
Kosovën dhe kulaç për Serbinë"! Ai dëshmoi njëanëshmëri të skajshme.
Rrjedhimisht, "u zu me pelë për dore",- siç thotë populli. Denoncimi
që i bëri rastit, ishte veprim i duhur i kryeministrit Albin Kurti. Është
dinjitoze të respektosh personalitetet e botës, por, gjithnjë, dinjitetshëm, në
mbrojtje të së vërtetës, aq më parë, kur është në pyetje interesi kombëtar.
Bota u përket guximtarëve! Zvarranikët as "dynjanë dhe as ahiretin",
- thonin arabët e lashtë, por, e perifrazuar edhe nga popujt tjerë.
Reagimi i politikanit të parë të BE-së, ishte i vrazhdët dhe larg
bontonit diplomatk! "Do të informojmë kolegët, partnerët tanë, për
sjelljen jo konstruktive të palëve dhe për mungesën e respektit, ndaj
obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe më duhet ta them këtë, veçanërisht për
Kosovën. E di që kjo çon sinjale shumë negative politike", - shfryu
Borrell gjithë mëllef!
Dhe, vërtet, Borrell njoftoi EULEX-in dhe KFOR-in, duke ua
rikujtuar kompetencat e kufizuara, përkatësisht, rolin e neutralitetit, thënë
troç, rolin e sihirxhinjëve, në raportet Kosovë-Serbi, duke toleruar veprimet
provokative e kriminale, të bandave serbe, në veriun e Kosovës!
Borrell: "KFOR-i dhe EULEX-i s`kanë as mandat, as kapacitet
të zëvendësojnë policinë lokale", në veriun e Kosovës.
EULEX-i e konfirmon deklaratën e Borrell-it dhe pajtohet me atë:
"Kjo lë një vakum shumë të rrezikshëm sigurie, një vakum në terren, në një
situatë, tashmë, shumë të brishtë".
Përfaqësuesi i BE-së, Josef Borrell, jo vetëm shantazhon, por,
realisht, ai kërcënon shqiptarët. Duke e siguruar Serbinë për neutralitet të
BE-së, me levat e saj të Sigurisë formale, por, jo edhe faktike, dhe Kosovën
duarthatë, ia jep Serbisë sinjalin e pritur, se "i zoti e nxjerr gomarin
nga balta", veproni si të doni, i keni duart e lira nga ne!
Qysh në ditën e braktisjes të institucioneve, nga serbët lokalë në
veri të Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i duhej ta betononin kufirin Kosovë-Serbi. Të
koordinoheshin me Qeverinë e Kosovës, për ta plotësuar vakumin me polici dhe
ushtri. Nga ata 13 mijë veteranë të vërtetë, sa kishte Kosova, rreth 4.500 kanë
qenë në luftën aktive të Kosovës dhe kanë përgaditje solide, për mbrojtjen e
vendit. Dhe, duhet të vendoseshin në kufijtë klasik, ekzistues. Edhe policia
është e bollshme, për t`i zëvendësuar të gjithë të larguarit serbë
vullnetarisht.
Po zhurmohet shumë, për kthimin në punë, sërishmi, të atyre që
braktisën, burracakërisht, vendet e punës. U larguan, për qëllime të liga
politike, për të krijuar krizë qeverisjeje, jo vetëm në veri, por, në tërë
Kosovën! Më shumë po ua qanë hallin opozita shqiptare, se sa vet Serbia.
Realisht, ata nuk janë të denjë, për t`u kthyer në vend-punët e tyre dhe as që
duhet pranuar më. Ka kuadro të mjaftueshëm serbë e boshnjakë, në veri dhe jug
të Kosovës, për t`i zëvendësuar të gjithë të vet-ikurit. Kur Millosheviqi, me
bandën e tij, i largoi dhunshëm shqiptarët, masivisht, nga puna, për një dekadë
radhazi, askush nuk i luti që të kthehen, të punësohen.
Këtë e përmenda si fakt, por, assesi si hakmarrje. Shqiptarët, në
përgjithësi, janë fisnikë dhe falin lehtë. Megjithatë, nuk mund të fajësohet
një popull, për veprimet që bëri një bandë kriminelësh, tej dy dekadave më
parë. Nga ato që shohim e dëgjojmë, nga serbët, qofshin ata në jug apo veri të
Kosovës, në shumësi absolute, e pranojnë bashkëjetesën me shqiptarët dhe duan
të jetojnë në qetësi, harmoni dhe siguri të plotë. Dhe, të trija këto vazhdojnë
t`i gëzojnë, pavarësisht plagëve të luftës dhe gjaku i derdhur shqiptarë, nga
bashkëkombasit e tyre kriminelë e bastardë. Shqiptarët kanë ditur ta bëjnë
dallimin dhe asnjëherë nuk e kanë menduar, e aq më pak tentuar hakmarrjen.
Kosova është shpallur shtet multi-etnik dhe vazhdon t`i zbatojë të gjitha
obligimet përkatëse ndërkombëtare e njerëzore.
Duhet pranuar se qeveritë e Kosovës, me gjithë premtimin, nuk kanë
pasur qasjen e nevojshme, për një komunikim ndryshe me serbët vendorë të
Kosovës. E kuptojmë se bandat serbe, të nxitura nga qeveria qendrore në
Beograd, kanë penguar çfarëdo afrimi të serbëve, jo vetëm në veri, por edhe në
jug të Kosovës. Megjithatë, duhej ngulmuar dhe bërë më shumë, në këtë drejtim.
- V i j o n -