Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Grushtimi i Babadimrit, pas Shkupit në Tiranë
E hene, 12.12.2022, 08:58 PM
GRUSHTIMI I BABADIMRIT
PAS SHKUPIT NË TIRANË
NGA
KALOSH ÇELIKU
Interesant,
Babadimri ka pasaportë diplomatike (sa për sy e faqe), dhe nuk ka kufinj
politik nëpër botë si ne shqiptarët. Mirë, do të ishte këtë pasaportë
diplomatike ta kenë artistët, po ja që pak veta e kanë deri në Ditën e sotshme.
Pajtimi ndërkombëtar, krahas politikanëve, mirë që e ka Babadimri. Edhe, mirë
që nuk e kanë këtë dhuratë politike ndërkombëtare bashibozukët. Shkaku se, në
Shkup do të mund të hynin me këtë dokument udhëtimi përveç artistëve të
vërtetë, edhe të rrejshmit me shalla të larmë turko-arab përqafe. Dudumë, që
kohën e fundit kur e gjejnë veten nëpër shkrimet e mia publicistike, tërbohen
dhe marrin guximin të dalin me emër e mbiemër dhe anonim. Mendja i rren se, unë
do merrem me ta si haxhuze “Bit-Pazari” që i ka falë Zoti, humbë kohë me
shpifjet e tyre dhe sharjet e nënkryeme teknefese. Pavetëdije, të shkretët
mbyten në hurdhë rrënjëve të shelgjeve të Lumit malor. Nuk e dinë se nga kemi
ecur kemi lënë gjurmë aq të thella, që nuk i fshinë dot asnjë stuhi, borë e
madhe. Shtrëngatë. Herë duan të duken shkrimtarë, kritikë letrar, fetarë e herë
psikologë të “Shtëpive rehabilituese”. Diagnozën e tyre shpallin haptas për mua
si shkrimtar “i çmendur” në rolin e “mjekut specialist”, nguten të ma nxjerrin
nga xhepi grisur partiak me “korrupsion”, pa u trokitur kurrë në Ordinancën e
tyre për ndihmë mjeksore.
Megjithatë, aspak
nuk u hidhrohem kalorësve të arratisurve politik, kur i shoh kaq “trima” mbi
gomarë me kunguj Stambolli në kokë si mburoje, që plasën të më dalin në
dyluftim në fushën e mejdanit, t’i masim forcat krijuese. Ose, siç thotë
këngëtari popullor: Hutat t’i puthim gushë më gushë. Hë për hë, nuk kam
kohë. Nesër, ndoshta gjej pak hapsirë në
Shtëpinë publike. Po, ato më do të jenë të vdekur, pushojnë në “paqe” mes
varreve.
Hi-hii-hiii… Ujku,
sot për sot nuk merret me këlyshë me zgjebe që i lehin me vite pas shpine, dhe
kur e kthen prapa kokën, i sheh aq të mjerë e përlagur me një asht në gojë,
vazhdon rrugën për në Baba Tomor. Malli më ka marrë për ujqër të maleve! E, jo
për Këlyshin me zgjebe të gazetës “Vëllazërim - bashkimit” dhe Shkollës fillore
“LIRIA” në Shkup, asaj kohe kur m’u ndërsye me shokë pas shpine me një asht në
gojë. Heroikisht, si personazh letrar, hyri në librin tim me drama (satirë
groteske): Kopeja me zgjebe ndjek Autorin (2000). Numri 2 i “Ditëve të
Naimit”, prej nga ku një ditë e përzunë me të gjitha “plaçkat kulturore” arnë
përmbi arnë matanë Vardarit në fshat, jetojë mes kontenierëve të bërllokut.
“Burrërisht”, edhe sot me gjithë asht në gojë t’i turret përmbrapa DoktorZiut
si dhelpëra dinake pas herdheve të dashit duke i fshi gjurmët me bisht, mos
diku pas kërcimit të gardhit do t’i bien udhës.
Përsëri, kam frikë
se nuk më kuptoni, nuk dini të më lexoni mes rreshtave. Shkaku?! Vërtet, më
dhimbeni si buba rruge me bishtin ndër këmbë e gjuhën e nxjerrur jashtë
dypëllëmbë nga vapa. Prandaj, do të përpiqem t’ju ndihmoj pak në këtë shkrim
profetik për Ditën e Nesërme. Kurrë, nuk e kam pasur torbën me taxhi përqafe,
që t’u ndërsehem personaliteteve shqiptare sa herë që Qoftëlargu të ma bëj me
gisht i fshehur pas porte. Tjetër punë është ajo se, Haxhuzja e ka mizën në
kësulë. Male të larta kemi në mes njëri - tjetrit si krijuesë shqiptar. Larg
jemi me qindra kilometra. Baba Tomori, Mali i Perëndive nuk zbret në “Vodno” të
Shkupit, po “Vodno” duhet të hip në Bab Tomor. E them këtë se, Vitin e Ri 2014
iu muarr para syve të botës në kufi pasaporta edhe Babadimrit. Edhe atë, në
kufirin natyror me lumin Vardar, që e
ndante Shkupin shqiptar në dy pjesë: anën maqedonase dhe anën shqiptare. Shekuj
me radhë që i lidhte vetëm Ura e Gurit. Përmëtepër, edhe e sulmuan me grushta
nëpër afishe në “Çair” dhe “Butel” të Shkupit. I thanë: mund të vijë Car
Dushani, po të dojë në Shkup, Erdogani edhe Millosheviqi, po jo ti me thesin
plot dhurata Natën e Vitit Ri. Ne, na sjellë dhurata Ferexhja e zezë Natën e Vitit Ri islam, kur Azreti
Muhamedi a. s. u shpërngul nga Meka në Medinë (9 nëntor si festë myslimane).
Përinatë, “vëllezërit” e Njerkës e ringjallën lugat, dhe
e sollën Car Dushanin në Shkup. Shqiptarët, në vend të duartrokitjeve frenetike
dhe luleve, e pritën me çekiç druri, simbole komuniste. Drapëri mungonte dhe
ylli i kuq komunist: me çekiç shtyp, dhe me drapër korrë! Trupërojen, falë
“patriotizmit” euforik të shqiptarëve, Car Dushani e ka edhe më në nivel se
gjatë pushtimeve dhe sundimit të këtyre trojeve me shekuj: policinë e shtetit
të “përbashkët”, nateditë të maskuar brigjeve të Vardarit.
Haxhuzja, pas
teravisë shpërnda dhurata thirrje (afishe) “revolucionare” para syve të
policisë të Shtetit ligjor “demokratik”, Partive politike maqedonase e
shqiptare. Vitit të Ri do t’i vë kufi politiko - fetar duke u fshehur nën
petkun politik antishqiptar. Askushi nuk guxon t’i ndalë veprimtaritë “humanitare”
nëpër trojet etnike shqiptare. Dhuratat e Vitit të Ri, thirrjet (afishet) e
shpërndara me Babadimër duke e grushtuar në mes të ditës në “Bit-Pazar” të
Shkupit para syve të policisë Shtetit, që synon nesër të shkojë në Evropë.
Njësoj si Haxhuzja “shehite”, që del me emër e mbiemër nën shkrimet e mia
profetike dhe kujton, e rren veten se është “Hanëm Haremi” me gjithë ashtin në
gojë e ferexhenë e zezë hedhur krahëve.
Gomarin me samarë,
në të cilin mezi e hipën Partitë Politike Shqiptare në pushtet, e kanë shaluar
me të katra nëpër “Bit-Pazar”. Shtetin “demokratik”, ku mund të hyjnë të gjithë
edhe me qerre, po jo edhe shqiptarët me kësulën e bardhë dhe veshje kombëtare.
Tashti, merreni me mend kur Babadimrit i ndalohet shfaqja në Shkup me veshje
festive e thesin në shpinë për t’u shpërndarë fëmijëve dhurata si Babagjysh i
Vitit të Ri. Ose, me një shfaqje teatrore - argëtuese - kulturore për fëmijët e
vizitorëve të Qendrës Tregtare, ndalohet dhe më pas dhunohet para syve të botës
nga një grup “muslimanësh”. Dudumët e ndaluar nga policia kanë deklaruar, se:
“Babagjyshi i Vitit të Ri, si e ka pranuar dhe shkenca Islame, është i dërguari
i shejtanit dhe për këtë duhet luftuar në çdo shfaqje të tij, në Shkup.
Përçudi, i
menjëhershëm ka qenë dhe reagimi nga Forumi i të Rinjve mysliman të cilët në
një deklaratë për shtyp kanë theksuar se, “në zbatim të marrëveshjes së Ohrit,
policia duhet të arrestojë të gjithë personat e maskuar si Babagjyshi i Vitit
të Ri, duke i dhënë kështu fund provokimeve që çdo vit i nënshtrohen
myslimanët”.
Duartrokitje
meriton distancimi i Bashkësisë Fetare Islame, në Shkup: “Bashkësia Fetare Islame në
Maqedoninë e Veriut, distancohet nga kjo thirrje, duke thënë që feja islame nuk
promovon dhunën. Neve si myslimanë kemi festat tona që duhet t’i festojmë, por
tani kemi fatin që të jetojmë në një shtet multikonfesional, por megjithatë ne
nuk duhet t’i fyejmë, por t’i respektojmë, madje edhe të ju urojmë festat e
tyre. Feja jonë nuk promovon dhunën”, tha Abaz Islami, zëdhënës i BFI-së.”
Merreni me mend,
çka do të ndodhte nëse Babadimri hynte në Shkup me veshje kombëtare shqiptare,
xhamadanin vija – vija, kësulën e bardhë të Bajram Currit në kokë?! “Nagëntin”
në brez me fishekë. Sahatin me çustek përqafe. Mos e dhashtë Zoti me
Millosheviqin mbi kalë me shalë. E pasqyrë në ballë përfreri duke e tërhequr
Haxhuzja me ferexhe të zezë, pasmesnate të na e fusë tinëz në qytet.
Qindpërqind, do të niste Lufta e tretë botërore.
Parashikimi për
Ditën e Nesërme: Edhe gjatë kohë, nuk do të ndodhë kjo dhuratë e Zotit.
Shqiptarët, luftë t’i shpallin Car Dushanit në prag të Vitit Ri, që na erdhi në
Shkup pa thesin me dhurata, e jo Babagjyshit, sipas tyre të dërguarit të
Shejtanit. Shkaku, se: shqiptarët, ende e luftojnë armikun me grushta, hu
gardhi, gurë, sëpatë, çekiç druri e çaj rusi. Haxhuze, me një torbë taxhi
përqafe. Kohë kjo, kur në Ditën e sotshme këto armë të ftohta moti kanë dalë
nga përdorimi i luftërave ballkanike. Ditën, kur shqiptarët do t’i ndërrojnë armët
e luftës, atëherë edhe do të ndodhin çudirat mistike (ndryshimet politike)
ballkanike. Shqiptarët do t’i dalin zot pragut të Shtëpisë. Momentalisht, e
kanë vështirë mes këtij bërlloku para dere, kur në mes të Lëmës i kanë të
gjitha gjallëresat me dy e katër këmbë.
Përçudi, në prag
të Vitit Ri 2021, Babadimri me thesin plotë dhurata në shpinë nga dhuna fetare
- politike u shpërngul me shtëpi nga Shkupi edhe në Tiranë. Kryeqytetin e
Shqipërisë, ku edhe këtu në mes të sheshit e grushtuan para kamerave televizive
si i dërguari i Shejtanit?! Përmëkeq, Ditën e Samitit të
Bashkimit Europian dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor, që për herë
të parë u zhvillua në Tiranë.
Nesër?! Nesër,
dihet: nis Dita e Re, që shqiptarët e presin me shekuj. Koha është, t’i dalim
para Babadimrit me koçi, sipas zakoneve tradicionale. Pushkë të qesim në
Katund. Lodrat dhe dajret t’i bëjmë copë-copë. Nusen me këngë e valle ta
zbresim në Lëmë.
O, bini burrat e
mejdanit, zot t’i dalim “Vatanit”!...
Thirrje (afishe) “revolucionare” e shpërndarë në
“Çair” dhe Butel” të Shkupit (2014)...