Mendime
Martin Marlotaj dhe Fran Gjoka: Mërgimtarë, flisni me fëmijët Shqip
E marte, 13.12.2022, 08:57 PM
MËRGIMTARË, FLISNI ME FËMIJËT SHQIP, SE VETËM KËSHTU MUND TË RUHET GJUHA E MËMËDHEUT, POR EDHE IDENTITETI YNË KOMBËTAR
Nga
Martin Marlotaj dhe Fran Gjoka
Emigracioni,
gjatë gjithë periudhave të historisë, ka qenë dhe është një fenomen tipik
social me karakter ndërkombëtar. Edhe Shqipëria, në këtë aspekt, nuk ka bërë
dhe as nuk bën përjashtim. Periudha e vështirë e tranzicionit u shoqërua me një
hemoragji të pandalshme të procesit të emigrimit të popullsisë së vendit tonë,
sidomos në drejtim të vendeve perëndimore, në kërkim të kushteve më të mira të
jetesës, sigurisë për të ardhmen dhe kualifikimit arsimor të fëmijëve. Pra,
emigrimi i popullsisë në përgjithësi dhe i fëmijëve në veçanti, krahas anës
pozitive, mbart në vetvete edhe rrezikun e një asimilimi gradual të gjuhës sonë
shqipe, sidomos tek fëmijët dhe tek rinia shqiptare, që jeton aktualisht në
mërgim. Fati i ekzistencës së një kombi përcaktohet, në fund të fundit, nga
ruajtja e gjuhës dhe kulturës së tij. Populli i një vendi, që për arsye të
ndryshme nuk e shkruan dhe nuk e flet gjuhën e tij amtare, është i destinuar të
asimilohet pasi gjuha dhe kultura janë tiparet krtesore që e dallojnë një komb
nga një tjetër. Kur njeriu nuk e ka nën këmbë tokën e vet, humbet diçka nga
qëndrimi i tij vertikal, humbet sigurinë dhe në shumë raste bëhet më mosbesues
ndaj vetvetes. Është interesant fakti se gjuha shqipe ka një zhdërvjelltësi në
të folur, është shumë burrërore dhe mjaft e bukur. Këtë e kanë vënë re edhe
mjaft albanologë dhe gjuhtarë të huaj, të cilët thonë se gjuha shqipe jo vetëm
ka një tingëllim të veçantë shprehës, por dhe harmoni të gjerë, gjë që i jep
një mundësi të madhe shprehëse të dretpërdrejtë dhe thellësisht metaforike. Kjo
ndodh jo vetëm se shqipja është vazhdim i ilirishtes, që bën pjesë në grupin e
gjuhëve të hershme Indo–Europiane, por dhe se kohët e fundit ajo është pastruar
në mënyrë të dukshme nga fjalët e huaja. Është detyrë e rëndësishme e mësuesve
dhe prindërve mërgimtarë që t’u mësojnë fëmijëve shqiptarë, kudo që
jetojnë, gjuhën e bukur shqipe. Shqiptarë të vërtetë, patriotë dhe
atdhetarë dhe mësues të apasionuar ka plot, si ata që dërguan libra, hapën
shkolla, hartuan programe. Këtu më vjen në mend një thënie e një mërgimtari me
banim në Itali, i cili, kur ra fjala për gjuhën e nënës, më pati thënë: “…Gjuha
është elementi kryesor që trgon se ne jemi shqiptarë, kudo që ndodhemi…”. Parë
nga ky këndvështrim, përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje mësuesve atdhetarë,
prindërve mërgimtarë, që t’u mësojnë fëmijëve si ta flasin dhe të shkruajnë
pandërprerje shqipen, gjuhën që të parët tanë na e lanë për ta përdorur
përgjithmonë të pastër. Përmes mësimit të mirë të shqipes së folur dhe të
shkruar, fëmijet në diasporë do të mbajnë më lehtë lidhjet me vendlindjen dhe
në të gjitha viset shqiptare.
Historikisht
mërgimtarët shqiptarë kanë punuar, kanë jetuar dhe janë përpjekur që fëmijëve
të tyre t’ua mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën shqipe. Kjo traditë e çmuar, si
amanet i rëndë i të parëve tanë, “që s’e tret dheu i huaj”, deri në ditët tona,
duhet të ruhet. Hemoragjia e pasviteve ‘90 të shekullit të kaluar, që ka bërë
tashmë të shpërngulen nga atdheu, për një jetë më të mirë, me gjithë familjen,
ka detyruar mërgimtarët shqiptarë, këtej dhe matanë kufijve tanë që t’iu
përshtaten kërkesave të reja të epokës së globalizimit, ku është bërë i dukshëm
rreziku i humbjes së kulturave nacionale pra, edhe të gjuhës nga breznitë e
reja. Është për t’u theksuar se tashmë për fëmijët e mërgimtarëve janë hapur
shkolla të shumta në vende të ndryshme, ku fëmijët marrin në mënyrë të
organizuar mësime plotësuese në gjuhën amtare nga mësues patriotë e pasionantë,
të cilët, në të shumtën e rasteve, e japin ndihmën e tyre vullnetarisht.
Shembujt janë të shumtë dhe gjendja e këtyre shkollave, mund të themi, se
përfshijnë hapësira të reja, ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Për çeljen dhe
mbarëvajtjen e këtyre shkollave kanë dhënë ndihmën e tyre dhe drejtuesit e
pushtetarët lokalë si në qytetet Nju Jork, Bruksel, Hamburg, Berlin, Frankfurt,
Oslo, Athinë etj. Është pozitiv fakti se në shumë qytete në Amerikë, aty ku
komunitetet shqiptare janë të organizuar, janë ngritur dhe funksionojnë shkolla
dhe kurse në gjuhën shqipe. Po kështu në Kanada janë hapur shkolla shqipe. Në
Europë ka shembuj pozitivë të funksionimit të këtyre shkollave si në Zvicër,
Gjermani, Suedi, Itali etj., ku funksionojnë shkolla të hapura nga vetë
shqiptarët, sidomos nga ata të Kosovës dhe të trojeve të tjera ku jetojnë
shqiptarë. Synimi i këtyre vendeve dhe shkollave mbetet i qartë: fëmijët e
mërgimtarëve të zotërojnë mirë shkrim–lexim në gjuhën amtare shqipe, ta
kultivojnë atë dhe letërsinë shqipe, të njohin historinë dhe gjeografinë etnike
të vendit të të parëve si dhe artin, kulturën dhe traditat kombëtare. Rëndësi
të veçantë, në këto shkolla shqipe, u kushtohet veprimtarive të lira jashtë
klase, si: puna me librin, funksionimi i bibliotekave, konkurse dhe biseda për
librin etj. Kjo është gjë e mirë, sepse po bëhët edhe ndërgjegjësimi i vetë
diasporës për rolin vendimtar që ka shqipja e folur dhe e shkruar për fëmijët,
detyrimisht e ruajmë edhe identitetin tonë kombëtar. Vërtetë jetojmë në një
shoqëri të lirë e të hapur, vërtetë jemi përkrahës të globalizimit dhe të rejave
që po hyjnë në shkencë dhe teknikë, por nuk do të dëshironim kurrë që gjuha
jonë e bukur të mos shkruhej e të përdorej nga shqiptarët e të gjithë brezave
që do të vijnë. Mundësitë për ta mbajtur të gjallë gjuhën e bukur shqipe,
gjuhën e Naimit tek nipërit, mbesat dhe stërnipërit tanë, pavarësisht se ku
lindin e ku jetojnë ata, janë të dukshme. Ata, pavarësisht nga mjedisi i huaj
ku jetojnë e punojnë, nga rrethanat aspak favorizuese për të përdorur gjuhën
shqipe, askush nuk i pengon të flasin vetëm shqip në familje, të komunikojnë me
fëmijët e tyre vetëm përmes gjuhës sonë amtare. Fjala vjen, të mos na duket
vetja modern kur në çdo fundjavë me familje kalojmë në njërin prej lokaleve
angleze, italiane, gjermane, greke të mos fyhemi nëse flasim në mjedise të
tilla familjare në gjuhën tonë të bukur. Kushdo që thotë se jemi shqiptarë, por
fatkeqësisht nuk din shqip, ai/ajo s’është më shqipëtar, ndodh që kemi dy
bashkëshortë shqiptarë fatkeqësisht fëmijëve të tyre nuk ua kanë mësuar gjuhën
shqipe, apo kemi raste të tjera që njëri nga prindërit është martuar me të
huaj, pësëri gjuhën e nënës duhet ta flasin fëmijët. Ky veprim i prindërve
shqiptarë është krejtësisht e patolerueshme.Për shqiptarët mërgimtarë, megjithë
përpjekjet e mundimshme për ruajtjen e gjuhës, shqipja po bëhet e largët dhe e
huaj për fëmijët e tyre. Është normale që duke jetuar në një shoqëri ku flitet
një gjuhë tjetër, kuptohet dhe tendenca e kufizimit dhe shqiptimit të shqipes
vjen dhe zbehet, por fëmijët duhet të projektojnë të ardhmen e tyre aty ku
rriten pa harruar gjuhën e mëmëdheut, ashtu siç e ruajtën për qindra shekuj me
radhë arbëreshët e Italisë. Prandaj komuniteti prindëror duhet të tregohet i
kujdesshëm në ruajtjen e shqipes. Në demokracinë gjermane askush nuk gëzon
respekt se i cilës kombësie je dhe çfarë kontributi ke dhënë, por në radhë të
parë është aftësia në fushën e prodhimit dhe shkollimit, prandaj për ne
shqiptarët modeli gjerman i shkollës dhe i edukimit është një model që duhet
imituar në rrugë origjinale nga shqiptarët mërgimtarë. Nuk duhet të pretendohet
të gjendet një zgjidhje–mrekulli, por të bëhet ajo që është e mundur, ajo që
varet nga ne shqiptarët. Gjithnjë flitet se hapen shkolla në gjuhën shqipe. Kjo
është gjë e mirë, sepse bëhët dhe ndërgjegjësimi i vetë diaspores, për rolin
vendimtar që ka sot shqipja e folur dhe e shkruar për fëmijet shqiptarë.
Ka
vite që në Shqipëri vazhdon hartimi dhe shpërndarja e një abetareje
mbarëkombëtare. Efekti i saj në diasporë e gjetkë po ndihet më së miri, shihet
se ka një interesim maksimal për këtë tekst të ri të gjuhës shqipe. U bënë vite
që është krijuar këshilli ndërakademik Kosovë–Shqipëri, për një shqipe
standarde. Të dy akademitë, duke pasur parasysh se gjuha shqipe është tipari
kryesor i kombësisë shqiptare, mjeti themelor që siguron ndërlidhjen
shpirtërore ndërmjet hapsirave e vendeve shqipfolëse, synojnë që zotërimi dhe
përvetësimi i shqipes standarde të jetë objekti themelor i brezave të sotëm.
Shpresojmë
që Këshilli Ndërakademik do të merret si gjithnjë me vrojtimet dhe vlerësimet e
politikave gjuhësore për ta bërë shqipen tonë një gjuhë mbarëkombëtare, sepse
emigracioni ndërkombëtar shqiptar është shpërndarë në Greqi, Itali, Gjermani,
Mbretëri e Bashkuar, Belgjikë, Francë, SHBA, Kanada, Zvicër, Suedi, Austri etj.
Janë më shumë se 1/3 e fëmijëve që jetojnë e mësojnë shqip në këto vende.
Me
gjithë predispozitën e prindërve për të kontribuar në ngritjen e shkollave apo
për të hapur klasa për mësimin e gjuhës amtare, ende ka probleme në këto vende.
Është emergjente të kërkohet legalizimi në rrugë shtetërore për nisma të
veçanta, që duhet ndërmerren dhe kërkohet të mendohet nga organet kombëtare të
hapen dhe funksionojnë shkolla si në vendin tonë, ashtu edhe në vendet e tjera,
ku kërkohen të ngrihen këto shkolla për mësimin e shqipes. Nëse ne shqiptarët
bëjmë të pamundurën për ruajtjen e gjuhës shqipe, edhe shteti shqiptar të
programojë diçka të frytshme pra, të organizojë dhe të drejtojë veprime drejt
rrafshimit të dallimeve të krijuara si pasojë e ndarjeve politiko–administrative,
që sjellin jo pak vështirësi në komunikimin kombëtar, atëherë gjuha jonë do të
zërë vërtet vend të nderuar mes gjuhëve të tjera europiane. Vetëm kështu u
vijmë në ndihmë në ruajtjen e gjuhës shqipe fëmijëve shqiptarë që jetojnë jashtë
Shqipërisë. “Shkolla” e familjes mërgimtare për mësimin e gjuhës shqipe, kërkon
veç të tjerave të mbështetet më mirë nga politikat arsimore shtetërore me
mësues e programe shkencore. Me të drejtë preokupohemi për analfabetizmin
funskional në sistemin tonë arsimor, por ç’emër t’i vëmë atyre dhjetëra qindra
fëmijëve shqiptarë, që ende vetëm e belbëzojnë gjuhën shqipe, pa lë të njohin
historinë, kulturën, gjeografinë dhe traditat e këtij kombi. Kësaj drame duhet
t’i jepet fund! Shumë përgjegjësi kanë intelektualët shqiptarë që jetojnë dhe
veprojnë në emigrim. Ata duhet të jenë më aktivë dhe më krijues në organizimin
sa më efektiv të kurseve, shoqatave dhe shkollave për mësimin e gjuhës amtare.
Mërgimtarë shqiptarë, flisni me fëmijët shqip në familje, se vetëm kështu mund
të ruhet gjuha e mëmëdheut.
Indiferentët,
dembelët dhe ata që nuk vazhdojnë rrugën që hapën Rilindësit tanë, historia do
t’i dënojë dhe shoqëria njerëzore do të mbajë qëndrim kritik ndaj tyre. Nga
Bostoni i Amerikës, Konica, para shumë vitesh, do të shprehej: “…Erdhi më në
fund dhe për gjuhën shqipe koha e lulëzimit, koha plot shpresë! Me të katër
anët, një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë,
trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes. I vlerësojmë, i
pranojmë dhe i respektojmë vlerat gjuhësore e kulturore të popujve të tjerë.
Dhe respekti për të tjerët ka vlerë e besueshmëri, kur në radhë të parë
respekton vlerat e kombit tënd…!”
Vite
më parë, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të qytetit të Shkodrës, që u
organizua seminari i XII mbarëkombëtar me temë “Për mësimin plotësues të gjuhës
dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”, ku morën pjesë mjaft gjuhtarë
nga trojet shqiptare dhe diaspora, ku u shtrua problemi i përmirësimit të
modeleve të mësimdhënies në shkollat shqipe në mërgatë si dhe shkëmbimi i
përvojave në këtë fushë. Qeveria shqiptare ka vullnetin për të plotësuar
detyrimin ndaj fëmijëve të emigrantëve, që ata të mësojnë gjuhën shqipe dhe
kulturën kombëtare. Gjuha amtare përbën shenjën e parë të identitetit
kombëtar, si e tillë ajo duhet mësuar dhe zhvilluar…”,
Vetëm
kështu e mbajmë gjallë gjuhën shqipe tek fëmijët mërgimtarë, duke ngulmuar më
shumë se deri tani për të sotmen dhe vetëm kështu shqiptarët do të jenë të
denjë për të hyrë në familjen e madhe europiane, duke i shërbyer të ardhmes së
brezave të rinj përmes fjalës së bukur shqipe. Mesazhi im do të ishte:
“Shqipëtarë, kudo që të jeni, jeni krenarë që flisni shqip, vetëm nëse e ruajmë
gjuhën shqipe kudo që jemi, mbetemi përherë shqipëtarë.