Mendime
Syrja Etemi: Prelud me primesa gri
E marte, 06.12.2022, 08:17 PM
ESE PLUS
PRELUD
ME PRIMESA GRI
Jeta…
Eh, jeta më duket se për mua në këto çaste ka një sens shumë të keq humori ku
secila ditë e kësaj shtjelle, paraqet një betejë për mbijetesë e vetdëshmi.
Secila ditë, secila javë, secili muaj e, secili vit… Kam ndjesinë se kështu do
të duken edhe ditët që do të vijnë pas e, të më gjejnë kështu në këtë rropull.
Më duket se njeriu nganjëherë ka sensin që të shohë apo parandjejë edhe të
nesërmen, apo t’i duket si një “dezha vu” apo si diçka të parë dhe të ndjerë...
Shkruan
Syrja ETEMI
Jeta…
Eh, jeta më duket se për mua në këto çaste ka një sens shumë të keq humori ku
secila ditë e kësaj shtjelle, paraqet një betejë për mbijetesë e vetdëshmi.
Secila ditë, secila javë, secili muaj e, secili vit… Kam ndjesinë se kështu do
të duken edhe ditët që do të vijnë pas e, të më gjejnë kështu në këtë rropull.
Më duket se njeriu nganjëherë ka sensin që të shohë apo parandjejë edhe të
nesërmen, apo t’i duket si një “dezha vu” apo si diçka të parë dhe të ndjerë...
Nëse
dita e mirë shifet që në mëngjes, atëherë të presim ndonjë mëngjes tjetër,
sepse parashenjat 010101 në horizont paralajmërojnë kohëra të mugëta e
turbulente. Në fakt, mëngjesi i kësaj dite më zgjoi me vallsin që luante
shtrëngata e acartë me fjollat e ashpra të dëborës, të cilat shtëllunga - shtëllunga
vinin nga kurorat e bjeshkëve të kërleshura të Sharrit.
Rutina
e zakonshme e ditëve që rrëshqasin pa vënë
ndonjë gjurmë të qenësishme në
ditarin tim, po përsëritet si një refren i mërzitshëm.
…Duke
fërkuar sytë e buhavitur nga pagjumësia e natës së ndërrimit të motmoteve, me
dorën e majtë kërkoja digitronin apo, më mirë - butonin e televizorit të markës
“FIRST Austria”, me refleksin për të gjuajtur ndonjë befasi apo surprizë
eventuale sa për të rrahur heshtjen monotone. Piketoj Kanalin A1 me një
emision, për të cilin fitova përshtypjen se kishte filluar jo shumë herët.
Duhej të ishte emision i cili përfshinte dromca ngjarjeje me sekuenca
ndodhirash, të cilat kishin përshkuar dhe karakterizuar vitin që iki disi i
zymtuar.
...Eh,
luftë atje, luftë këtu; konflikt andej, konflikt këndej; të vrarë e të
masakruar në Azi e Afrikë; të zhdukur e të deportuar në Europë e Ballkan. Akte
e skena të trishta të sheh syri, sokëllima grash e lebetitje fëmijësh të
dëgjojnë veshët, edhe atë jo më larg se nja 100 apo 150 km nga provinca ku
gjalloj. Të gjitha këto sekuenca e drama rrënqethëse që të shohin sytë e të
dëgjojnë veshët, nuk të lënë indiferentë
e të mos vihesh në siklet e mërzitje, duke ia parashtruar
vetes mëdyshjen: “Po mirë, pasi e kemi luftën te pragu (në mes UÇPMB-së
dhe forcave policore - ushtarake serbe), ç’do të ndodhë, vallë, me “Oazën”
time?
-
S., lëre TV-në, hajde se, mëngjesi është gati!-, u dëgjua zëri i sime shoqe, të
cilën mezi e dëgjova nga volumi i spikerit, i cili komentonte skenën e radhës.
-
Ja, erdha, të ndjek edhe ca!... Ndoshta
do të përfundojë emisioni. Dhe, ashtu ndodhi…
Pasi
hëngrëm mëngjesin (me gjëra që kishin mbetur nga zijafeti i mbrëmshëm), nuk di
si më ra në dorë “Rilindja” e 13 prillit 1994, e cila në rubrikën:
AKTUALITETE kishte të botuar një
artikull të gazetës londineze: “THE
TIMES” me titull: “Koha për të vepruar në Maqedoni”, e, për të vazhduar
si vijon:
“...
Pak enigma politike janë të pakuptueshme sa çështja e Maqedonisë. Ndonëse e vogël,
e parrezikshme dhe me një popullsi prej
vetëm dy milionësh, ajo është territori më i rrezikshëm në Ballkan. Mundësia e
dhunës dhe e jostabilitetit është shumë e madhe, madje edhe se ajo e Bosnjës. E
rrethuar nga të katër fqinj më të fortë - Shqipëria, Serbia, Bullgaria dhe
Greqia - të cilët e shohin këtë vend me doza të ndryshme nënçmimi, Maqedonia po
përpiqet të gjallojë. Një politikan i një partie më të madhe të këtij vendi, B.
C., ka tërhequr vërejtjen: “Nuk ka dyshim se, po qe se shpërthen një konflikt
në Maqedoni, një luftë ballkanike që do ta përfshinte Shqipërinë, Serbinë,
Bullgarinë, Greqinë dhe Turqinë, është e paevitueshme.”
Kole
Çashule, njëri prej shkrimtarëve më të njohur maqedonas, mendon se “Partia
dominante në Maqedoni është partia e frikës. Frikë ka në Parlament dhe frika
ndjehet edhe në rrugë. ”Por, kjo, siç do të mund të pandehej, nuk vjen nga
rreziku i invadimit nga fqiu verior i Maqedonisë, Serbia. Sfida më e madhe me
të cilën ballafaqohet ky shtet i
brishtë, ka të bëjë me marrëdhëniet mes shumicës sllave, maqedonasve dhe
minoritetit të saj shqiptar, që përbën 25 dhe 40 përqind të popullsisë,
varësisht se statistikave të cilës palë u beson.”
“Gjatë
viteve 70 dhe 80”, vazhdon gazeta, “shqiptarët kanë vuajtur nën një represion
të rëndë në duart e autoriteteve komuniste maqedonase. Ata shpesh kanë hequr
mizori më të rënda se sa ato që u janë
shkaktuar shqiptarëve në Kosovë nga
Serbia. Megjithkëtë, masmediumet perëndimore i kanë kushtuar vëmendje më të
vogël. Që kur Maqedonia shpalli pavarësinë më 1991, qeveria e dominuar nga
sllavët në kryeqytetin e saj, Shkup, pak ka bërë për të drejtat e shqiptarëve
në këtë vend, edhe pse shqiptarët participojnë në institucionet legale të saj.
Ndonëse në këtë qeveri ka 5 ministra shqiptarë, shqiptarët ende përbëjnë 3 për
qind të të punësuarve në qeveri. Pastaj, arsimi në shqip ka mbetur i lënë pas
dore. Pakënaqësia me kufizimin e të drejtave të shqiptarëve ka krijuar edhe një
averzion të popullatës shqiptare ndaj subjekteve politike që i përfaqësojnë.
Madje ata edhe janë në gjendje të identifikojnë më qartë burimin e së keqes...
dhe revolta gjithnjë po shtohet dhe, kërkush nuk di të jap përgjigje se deri ku
do të jetë kulmi.”
Kështu,
përveç tjerash, një diplomat i huaj (R. N., udhëheqës i zyrës amerikane në
Shkup), tërheq vërejtjen: ”... Megjithkëtë, kështu si rrjedhin ngjarjet, nuk ka
garancë se situata do të mbetet stabile në Maqedoni, përkundër të gjitha këtyre
parametrave që i përmendëm”.
Shpesh
autoritetet maqedonase akuzojnë shtetin amë, Shqipërinë për nxitje të forcave
radikale dhe mban qëndrim paternalist.
Shumë
vëzhgues potencojnë se po qe se fillojnë përleshje të armatosura mes policisë
maqedonase dhe shqiptarëve, këta të fundit do të kërkonin ndihmën e Tiranës.”
Në shenjën e parë të destabilizimit, Serbia do të sulmonte dhe do të aneksonte
veriun nën pretekst të mbrojtjes së minoritetit serb atje”- thotë diplomati i
lartëpërmendur,”kurse Bullgarisë do të duhej të vendoste për të vepruar në
mbrojtje të maqedonasve, të cilët i konsideron bullgarë të Perëndimit.”
“...Lufta
në Maqedoni ende mund të evitohet. Por, për këtë, qeveria duhet të veprojë
vendosmërisht drejt përparimit të të drejtave të shqiptarëve, qoftë edhe
përkundër rrezikut të reagimit të
nacionalistëve maqedonas. Ndërmjetësimi urgjent i ndërkombëtarëve është
gjithashtu i domosdoshëm për të pajtuar interesat e ndryshme të Shkupit,
Tetovës dhe Tiranës. Vetëm Shtetet e Bashkuara gëzojnë respektin e duhur që të mund të kenë sukses në rajon”.
Kështu,
duke përfunduar së lexuari shkrimin në fjalë (e që ishte pak më i gjatë), nuk
munda të mos e “qortoja” klasën tonë politike, ku shumica prej tyre, me
arrogancën dhe hipokrizinë e tyre konsistente, lënë përshtypjen te popullata se
nuk po ndodh asgjë e jashtëzakonshme dhe se çdo gjë në hapërimet dhe rropatjet
pushtetore është “naj-naj...” dhe,
se, punët po rrjedhin natyrshëm... bile
–bile , “në favor të Shqiptarëve!”
Po,
po, të tjerët shumë mirë e kuptojnë seriozitetin e gjendjes momentale e, me
këtë, edhe të eskalimit dhe katandisjes së situatës në një udhë qorre... Por,
sa e kuptojmë ne si shqiptarë, se?!
Kjo
është e tëra…
Me
këtë rast nuk mund të mos shpaloj një dilemë “poetike” që kam shkruar dikur:
“Kam udhëtuar në ballë të kolonës/ por nuk kam ditur kush ishin ata pas meje/ Kjo nuk është e tëra/ Kam
udhëtuar në fund të kolonës/ e nuk kam ditur se kush ishin ata para meje/ Edhe
kjo nuk është e tëra/ Kam udhëtuar në mes të kolonës, e nuk kam ditur se kush
isha unë/ Kjo është e tëra”. Me këtë desha të them se, tek klasa politike
shqiptare mungon “syri që sheh edhe pas shtatë kodrave”, për të paralajmëruar
“turmën”, për të qenë më vigjilentë për
të përballuar “befasinë”. Prandaj, do të bëja një parantezë këshilluese me
thënien e një të mençuri: Kush e pret
rrezikun me vigjilencë, ai më lehtë do ta përballojë atë...