Mendime
Syrja Etemi: Kjo kohë hutaqe më ka bërë të flas me vetveten
E diele, 04.12.2022, 08:44 PM
AUTOINTERVISTË
KJO KOHË HUTAQE MË KA
BËRË TË FLAS ME VETVETEN...
Shkruan:
Syrja ETEMI
Në
këto ditë të dreqosura, kur s’kam me kë të bisedoj, flas me vetveten, me fantazinë time të ndezur. Karshi
meje, herë përfytyroj ndonjë plak të mençur të
fisit, herë “vegoj” ndonjë personazh nga librat jo të paktë që kam
lexuar, madje, karikaturoj edhe ndonjë gazetar apo publicist imagjinar, i cili
“duhet t’i ketë lexuar shkrimet e mia, apo kontemplacionet e mbarsura përplot
budallallëqe e marrëzira”. Kësaj radhe do të zhvilloj një kafemuhabet me një
gazetar, i cili, dogri më është qasur te dhoma ime e vockël: 4 x 4, (kur ime shoqe me fëmijët kishin shkuar te
“t’vetët”, si i themi ne pollnjanët). Gazetari i ftuar nga imagjinata ime e
hazdisur, pasi u ul këmbëkryq në shilte me postaqi aty kah fundi i sobës, ma
ofroi diktafonin “Olympus” dhe filloi me rrebeshin e pyetjeve ngacmuese:
-
Bisedën do ta nisim duke u bazuar në meditimet
tua poetike të papublikuara deri më tani, dakord?
-S’di
a ke gjetur njeriun e merituar për këtë. Unë të grisha për një kafe të pimë e
t’i qahemi njëri-tjetrit...
-Një
udhë e dy punë…
Pse
në belbëzimet tua poetike: “Kështu do të fliste Albatustra” e filloni me
poezinë dedikuar provincës tënde: “Shllishtinë…”?
-
Mbasi po këmbëngulë, atëherë - dakord, po ia nisi:
Unë,
çdoherë në rropatjet e mia jetësore jam nisur nga rregulla e artë gnoseologjike
e Komenskit të madh, me preferencën sugjestive: “Për të njohur botën, njeriu
çdoherë duhet të niset nga e afërta - drejt së largës; nga e lehta - drejt të
vështirës; nga konkretja drejt abstraktes, nga e njohura - drejt të
panjohurës”, sepse pa njohur vetveten, nuk mund të njohësh të tjerët. Prandaj,
kanë porositur grekët e vjetër: ”Gnoti seauton!”, d. m. th. : Njihe vetveten!
-
Sa e njeh vendin tënd të lindjes?
-
Shllishtinës sime ia njoh frymëmarrjen si mjeku pacientit të tij (Si thonte
Murat Isaku për Gajren e tij). “Asaj ia njoh
çdo gur e shkëmb, çdo lule e bimë, çdo peme e druri ia njoh gjethin në
të dy anët. Këtu e di ku merr frymë Pollogu e ku hap gjoksin Sharri; fluturimin
e harlisur të kumrive, hapin e lehtë të drenushës që shkel mbi barin e njomë të
shullaneve; dalloj nga larg ngjyrat e ylberit; njoh çdo rrugë e dhiare; di kur
qet krye mjegulla e harbuar e dimrit; çdo pikë vese të luleve pranverake; motit
ia njoh çehren ende pa dalë drita. Njeriut të fisit tim ia njoh çdo rrudhë në
ballë; nga larg ia njoh hijen e gëzimit e të trishtimit… ia lexoj ofshamën ende
pa hapur gojën… “
-
Vallë keni arritur ta njihni apo ta kuptoni jetën që rrokulliset në gjeografinë
e ngushtë të provincës Tënde të sertë?
-
Në qoftë se jetën e identifikojmë me kohën, mendoj se shumë pak kam
arritur ta honepsi e ta konceptoj atë.
Prandaj, edhe diku në meditimet e mia shpesh edhe të ngatërruara, kujtoj Borhesin nazeqar, të cilin, kur e patën
pyetur papandehur, se: “Ku dhe, si e kalon kohën”? Ai prerazi përgjigjet: “Tërë
kohën e kaloj për ta kuptuar kohën”. Unë do të thosha: Tërë tik-taket e jetës i
shpenzoj për ta njohur a kuptuar atë. Jeta është një udhëtim në kohë,
destinacioni është i panjohur. Ajo çka kam mundur të kuptoj nga kjo ngarrendje,
është fakti se jeta përbëhet nga dy anë,
nga dy pole të përkundërta: drita dhe errësira, dita dhe nata e saj, ashtu siç
është edhe vet njeriu konstrukt i dy pjesëve antagoniste, që janë në luftë të
vazhdueshme: Uni dhe Mbiuni; ashtu si ekziston edhe vet Globi në pafundësinë e
Universit - me Polin e Veriut dhe të Jugut. Si thotë një sentencë shqiptare
pollogase: Edhe melaqja edhe shejtani janë brenda te insani. Pra, edhe e mira
edhe e keqja si kundërshti permanente, gjenden në Ne si gjallesa kontraverse.
Prandaj, vetëm në saje të forcave të kundërta ekziston tërësia. ”Vetëm në saje
të së shëmtuarës ekziston e bukura”.
-
Si e konceptoni kohën e sotme, të cilën e gëlltisim në rropullimë jete,
gjithnjë duke u bazuar në atë shumëformësi refleksesh në disa poezi të kësaj
përmbledhjeje?
-
Në një faqe të përmbledhjes imagjinare “Kështu do të fliste Albatustra”, gjen
një kundrim antipod me titull: “Non cogito, ergo sum”, d.m.th. – si
kundërthënie e Dekartit me thënien: ”Cogito, ergo sum”. Këtë thënie q’e kam
devijuar… e preku edhe Qose mjekërthinjuri. Kështu, më mirë jetojnë ata që s’
mendojnë fare, ata që nuk shkrijnë kokrrën e mendjes; ata q’e posedojnë
instinktin e dhelprës, si do të shprehet Ai, për të vazhduar (edhe pse e kam
përmendur edhe më herët): “Dinakëria nuk është mençuri, sepse dinakëria është
çështje e instinktit që e ka edhe dhelpra”. Edhe Jezusi në një rast do t’i
ngushëllojë mendjepaktët duke thënë: ”Lum të varfërit nga mendja!”, sepse ata
edhe në përtejbotë do të kenë arsye të
mos i nënshtrohen Gjykimit të Madh, e në mënyrë direkte do të marrin vizën
(lejen) për në Parajsë.
-
Në një cep të vëllimit tuaj poetik, lexuesi gjen edhe një poezi të vockël që
mban titullin: Jeta dhe vdekja ku, me
një retorikë paksa fillozofike do të shkruani: “Jeta dhe vdekja/ Dy pika një
takim/ Njëra fillim/ Tjetra mbarim/ Njëra e idhët/ Tjetra-pelim”. Meqë
vdekjen ende nuk e keni përceptuar, ku e dini se ajo është e idhët pelim?
-
Edhe këto dy nocione janë antipode, sepse ekzistencialja është kahabitacion i
këtyre dy kundërshtive: j e t a që di të
jetë edhe e hidhur dhe, v d e k j a që është e pelimtë. Thjesht për mua vdekja
nuk ekziston, por ekziston vetëm farmaku i saj, sepse unë deri sa jetoj jetën e
hidhur, nuk jam i vdekur e, kur ajo do të vijë, unë nuk do të jem gjallë, në
mënyrë që, torturat që do t’i përjetoj, të mund t’ua dëshmoj të tjerëve, domethënë-të
gjallëve të trishtuar. Mund të them edhe këtë se vdekja nuk u përket atyre që
kanë shkuar në përtejbotë. Ajo u përket gjallesave, sepse ne jemi gjallë. Në
një moshë mjaft të re - dikur, një shok imi i shkollës braktisi këtë jetë dhe
iku në qiell. Thënë thjesht: Ai, tani vdekjen nuk e ndjen. Vdekjen e ndjej unë
që jam gjallë. Kështu për mua jeta dhe vdekja, vdekja dhe jeta më duken vetëm
dimensione për transformimin e qenies apo kthimit nga një gjendje në një
substrakt tjetër. Një transformim nëpër tri dimensione kohore: në të shkuarën,
në të tashmen dhe në të ardhmen. Etapa këto që krijojnë një amallgamë
kongruente sa të duket si një përjetësi universale.
-
Nga ky nëntekst, do të shpalosja edhe një poezi të titulluar: “Ka Zot”. Çfarë
vlerash i atribuoni Krijuesit të Gjithëfuqishëm, dhe se, a besoni në Zot, apo
këtë e bëni vetëm si një rropatje informale-sa për të thënë?
-
Jo, ky besim imi i thellë në Zot nuk është sa për të thënë, apo “me zier groshë
pa ujë”. Vetëm dykëmbëshat minorenë kanë ”fuqinë” morbide të mos besojnë në një
Fuqi gjithëkohore dhe gjithëhapsinore. Absolutisht në Zot besoj, por kurrsesi
në ideologjitë fetare që, secila, në formën e saj, predikon se Zoti i Tij është
më i Madh. Sepse, Ai është Një, qoftë i të krishterëve, qoftë i myslimanëve apo
i ebrejve, hinduve apo të të tjerëve. Kështu, shpeshherë, duke shfletuar faqet
e “mësueses së jetës” bindemi se ithtarët apo titullarët e këtyre religjioneve,
në emër të fesë së tyre “hyjnore”, kanë pushtuar e zaptuar toka, kanë shfarosur “të pafetë”, kanë vjedhur pasuri të huaja,
kanë shembur civilizime e, ç’nuk kanë bërë... Kur bëhet fjalë për islamizmin,
jo si doktrinë, por si ideologji, si A.Xh. (që e ka thënë diku), mund të
konstatoj si vijon: “Si ideologjia komuniste, ashtu edhe ajo islame (pra bëhet
fjalë për ideologji e jo për religjion), kanë tentuar t’i rrënojnë identitetet
kombëtare, duke ofruar shkrirjen në një identitet
universal, që ishte paravan pas të cilit fshiheshin interesat, dikur të
sllavëve apo sot të arabëve.“
-
D.mth. sipas jush ZOTI ekziston?
-Vetëm
hajnat duan që të mos ekzistojë gjyqi. Sigurisht se ky krahasim nuk ka primesa
pezhorative, por ka metaforën e vet reale. Dmth, ekziston një Fuqi e Madhe e
cila na survejon sjelljet dhe veprimet tona. Kështu, çdokush do të jep llogari
për punët dhe veprat e veta që bën në këtë Botë.
-
Sa besoni në transendencë?
-
Jeta është vibrim, një trans nëpër hapësirë apo kalim nga një mënyrë e pulsimit
dhe ritmit, në një gjendje apo formë
tjetër. Ndoshta me ndërprerjen e kësaj jete që po e bëj në këtë kohapësirë, fryma ime do të del nga fiziku i pagëzuar nga
prindërit e mi si: S- Y- R- J-A, dhe do
të fluturojë në Univers ku do të
reinkarnohet në ndonjë fizik të ndonjë jashtëtokësori që do të lind diku në ndonjë planet tjetër, ta zëmë - në
“Rongopongo“ apo “Takatinka“. Thjesht, secila gjallesë rrezaton jonet e veta
në gjithë universin. Vetëm fizisi apo
materja shkrihet atje ku bashkëjeton përkohësisht me spiritusin. Ndoshta ky
shpirt që pulson në mua, ka ekzistuar edhe ndonjëherë më parë në ndonjë fizik
tjetër - në ndonjë planet tjetër. Kushedi… Ndoshta…
-
Shpesh në kontemplacionet tuaja përdorni metafora që asocojnë, herë në
optimizëm e, herë në pesimizëm të skajshëm… Ku mund të përceptojmë ndonjë jetë
ku do të bulëzonte shpresa dhe optimizmi i palëkundur?
-
Mendoj se jeta është një shtjellë e përligjur me optipesimizëm, e cila duhet
gjithnjë të plotësohet me vepra të mira e humane. Kolosi i madh i mesjetës, Da
Vinçi në një thënie aklamative do të trokasë në ndërgjegjen e individit duke u
shprehur: “O, ti që flen, më thuaj se ç’është gjumi? Gjumi i përngjet vdekjes.
Ti, pse nuk bën vepra të mira në mënyrë që edhe kur të vdesësh, të jesh i
gjallë!? Ti tani je i gjallë dhe u përngjan të vdekurve të trishtuar.”
-
Si e shpjegoni këtë zymtësi që duket se do të indicojë në trazira
marramendëse ndëretnike, që mund
ta quajmë edhe Luftë? Ç’ mendim keni për luftën?
-
Lufta, eh lufta! Tmerr e Ferr! Ferr e
Tmerr! Lufta është e tmerrshme, ashtu thuhet… por, më të tmerrshëm janë ata që shkruajnë
e këndojnë për luftën pa mos marrë pjesë në të, pa mos e përjetuar katrahurën.
Meqë Unë s’e kam përceptuar akoma atë që do të ndodhë nesër apo pasnesër, nuk
mund edhe ta definoj atë; ajo nuk varet
nga unë, por varet nga Ne e, unë jam unë përballë Ne.
-
Pyetjen e radhës që do ta parashtroj, ndoshta është dashur të ta bëja që në
fillim të bisedës: Pse shkruani?
-
Të gjithë kalemxhinjtë e llastuar e presin një pyetje të këtillë stereotipe dhe
paraprakisht përgatiten të japin ndonjë përgjigje sa më sugjestive e
interesante, në mënyrë që të dallohet nga ato që i kanë dhënë të tjerët e mos
t’u atribuohet etiketa e kompilatorit. Ndoshta edhe këtë që do ta them unë,
dikush tjetër mund ta ketë thënë që më herët. Ndoshta. Prandaj, mund edhe të më
pandehni për plagjiat, por pa hiri.
…
Paj, shkrimin e kam si një eglenxhe. Të jem më i sheshtë: Shkruaj për të vrarë
kohën… Të vras marrëzitë e hapësirëkohës. Shkruaj për ta arsyetuar ekzistencën
time në këtë kuantum depresiv. Shkruaj “për të lënë pjesët e mia në të, mu ashtu si bën pisha me
boçat e saj pranverave e vjeshtave; si gjarpri që e lë lëkurën në një shkurre
therrake.” Kur e bëj këtë, ndjej në shpirt një fiksim të ëmbël. Poezia për mua
është një ilaç, burim ngushëllimi, ikje nga vetvetja dhe katandisje në botën
imagjinare, në të cilën bëhem ai që dua të jem dhe të bashkëjetoj me kë të dua
unë.
...Kështu, në përfundim të intervistës, nuk di se a u përshëndetëm, më
kishte pllakosur gjumi i rëndë deri sa më zgjoi cingërima e orës 9-00.