Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Kujtoni bubrrecat!
E diele, 04.12.2022, 08:56 PM
KUJTONI B U B R R E C A T !
Nga
Fritz RADOVANI
Bubrrecat
ose milingonat përcaktohen kështu në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe:
“Milingona – zool. Kandërr e vogël me ngjyrë të zezë që rron me shumicë nëpër
drurë, në fole të bëra në dhe etj.; mizë dheu, mizë përdhese, thnegël...” (fq.
1138).
Kishe
me thanë se asht ndër insektet ma të njohuna dhe të përhapuna. Porsa njeriu
fillon me kenë i pavarun në jetë me lojnat e tija të fëminisë, mbas mizave
njihet me bubrrecat e vogla, që shpesh sulmojnë raftet e bukës dhe të ushqimeve
në shtëpijat tona. Në dukje të parë nuk janë aspak të frikëshme, madje shpesh i
largon me frymë ose i shkundë për mos me i mbytë, mbasi ke njëfarë dhimbje kur
i sheh aq të vogla gjithënjë tue punue. Grumbullohen shumë mbas sheqerit dhe
produkteve të tjera të ambla. Kur ishim të vogjel iu hidhnim një dromcë bukë në
tokë dhe vrojtonim sesi mblidheshin, e rrethonin dhe organizonin mënyren si me
e bajtë dhe me e çue në folenë e tyne. Janë shumë të ndishme ndaj ndryshimëve
të motit. Ka raste që bubrrecat të tregojnë se koha do të ndryshojë, moti do të
keqësohet...
Ato
rreshtohën në një mënyrë aq të çuditëshme sa të duket, se mënyra sesi një palë
ecin me ushqim në gojë tue e bajtë me e çue në fole dhe, në kahun e kundërt
pala tjetër vrapon me shkue tek grumbulli me marrë edhe ate çka ka mbetë aty;
mënyra sesi vehen përdy, të ban me mendue se ai veprim nuk asht instinkt, se
ata e bajnë me aq kujdes sa gati-gati me tu dukë se edhe ruhën mos me hasë për
shoqet e veta të ngarkueme. Një kujdes i posaçem!
Mënyra
sesi ato rreshtohen në një varg të pafund... më ka ba me mendue krejt ndryshe
nga njohja e parë si fëmijë me to...
Mund
të tham pandrojtje, se bubrreca asht insekti ma i urrejtun prej meje!!
E
sidomos mbas “Rilindjes komuniste” t’ Edi Ramoviçit nuk i shof me sy! Nuk dij a
e kuptojnë Shtetet Europjane se shka do të sjellin “Rilindja komuniste” në
Shqipni?!
Ajo
më kujton rradhët e pafund të njerëzve në të gjitha sheshet, qoshet e skutat e
jetës në krejtë vendët komuniste... E kush ishte ma keq se Shqipnia atëherë e
sot?
Ato
rradhë njerëzish “të pranguem” që fillonin nga Shqipnia deri në Vendet Baltike
dhe, nga Berlini deri në kampet e t’internuemve në Vladivostok...
Ajo
më kujton tribunat e nalta të diktatorëve me gjokse të mbylluna hermetikisht
nga dekoratat, tue shikue me perçmim miljona njerëz si milingonat, që
brohoritshin në gjithë kampin socialist per 1 Maji nën valvitjet e flamujve të
kuq...të proletariatit...
Ajo
më kujton rradhët e bukës kollomoqe si tullë, deri në vitët 1953 – 54.
Ajo
më kujton “triskat”, rracionet, sasinë minimale për jetesë, deklaratat e
kryetarve të lagjeve për me i përfitiue këto “triska”, pra, nënshkrimet e atyne
fudullve spijun për me tërhjekë një copë letër, që ishte “privilegji” i
Pushtetit Popullor Demokratik, për katerqind gram bukë kollomoqi, e cila, duhej
edhe ajo me u pague me pare...
Ajo
më kujton njerëzit e depersonalizuem ndër rradha, tue veshtrue kush
“fshanë”?...
Ajo
më kujton pleq e plaka të mbështjellun me zhele, gra të shpupurishuna flokësh
dhe fëmijë të zbathun në pikën e acarit të dimnit, tue iu rrah fëtyren, mollzat
e faqeve e duert e skuquna tue iu ra përthonjësh, nga të ftohtit e veriut apo
edhe murrlani i pashpirtë i Cukalit t’ Shkodres...
Ajo
më kujton rradhët e pafund të rracioneve të druve e të qymyrit në borën e
madhe.
Ajo
më kujton rradhët e vume me gurë mbas mesnate, për një shishe qumësht...
Ajo
më kujton rradhët e pafund për një kilo djathë në javë për familje...
Ajo
më kujton Nanat Shqiptare tue ble 100 gr. burro në javë, për 5 – 6 fëmijë...
Ajo
më kujton rradhët e një kilo mishit për familje në javë...
Ajo
më kujton rradhët për një kilo domate, një kilo patate, fasule apo spinak...
Ajo
më kujton gëzimin se mujta me marrë një kilo gjuca pa u mbarue koshi...
Ajo
më kujton ankthin e bidonave të vojit gurit, kur shkapeteshin...se u mbarue...
Ajo
më kujton mijra të internuem, rreshtue për një kafshatë bukë ndër ferma...
Ajo
më kujton kilon e mollave e të portogalave që gëzonte fëmijët për vitin e ri...
Ajo
më kujton rradhët e njerëzve fatzez me sofratasa tek dyert e Sigurimit të
Shtetit...
Ajo
më kujton rradhët e njerëzve të përlotun tue pritë “takimin” tek Burgu i
Madh...
Ajo
më kujton “apelet” ndër ngrica, n’oborr të burgut të Burrelit...
Ajo
më kujton policët katila, tue na thanë: “Mos sillni më, është i ngordhur në
Zallin e Kirit.., shko po deshe, sa nuk është qelbur!...”.
Ajo
më kujton Nanat tona, tue iu dridhë buza e tue na tregue: “E kanë pushkatue
sot!”
Ajo
më kujton gjyshën... tue pritë në dritare: “Kur po i vjen djali!?...”
E,
çka nuk më kujton ti... O bubrrecë e zezë si futa e Malësisë!...
Ti
më kujton shpellat, ti më kujton Shqipet.., ti më kujton orlat që kanë ndi erë
gjaku!
Ti
më kujton rreshtat e pafund të Atyne Burrave, që mbyllen jetën ndër galeritë
tueja të Spaçit, Qafë Barit, Rrubikut, ndër këneta të Maliqit, Bedenit, Levan
Fierit... ndër kryporet e Vlonës apo brigjet e Sarandës, ndër Kodrat e
Tepelenës apo barakat e akullta të Vloçishtit e të Ballshit, ndër aeroportet e
Tiranës apo kanalët e Taravicës...e ku nuk kishe fole ti?... Ti më kujtonte
mija e mija Nana e Motrat tona veshun zi...
E
sa herë ndigjoj fjalen “Rilindje komuniste”, mendoj per fatzezët Shqiptarë!
E
pra, ti o bubrrecë, jé krejtë e pafaj...E di...
Por,
edhe mue, më asht ba instinkt me i mendue të gjitha këto... kur të shoh ty!
E
këte po mendoj edhe sot që Shqipnia neser pret të gjithë Perfaqsuesit e BE...
Edhe
këtu, në Melbourne... Mendja më shkon tek Ju o opozitarë!
Ju
uroj me gjithë Shpirtë vetem Fitore! Rrnoftë Shqipnia Europjane!
Malbourne, 4 Nandor
2022.