Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Kujtojmë të Ndjemin Daniel Gazulli, në 10 vjetorin e vdekjes
E premte, 11.11.2022, 06:40 PM
Fritz RADOVANI:
Kujtojmë të Ndjemin
DANIEL GAZULLI,
Në 10 vjetorin e vdekjes
Daniel Gazulli: Dhunimi i Gjuhes Shqipe
(2012)
SHQIPJA E DHUNUEME
HYMJE E TRISHTË
- Para TV
Jam para një stacioni televiziv të Tiranës. Ndjek fundin e lajmeve e mandej një pjesë të
koncertit në vijim të tyne. Ndjehem i lodhun e i trishtuem.
Folësi i lajmeve shprehet si të ishte një i huaj që me mundim ka arrijtë me e
kapë disi shqipen, por gjithësesi asht ende i pasigurtë. Fjalitë janë gjithë
“qoshe”, me një renditje të gjymtyrëve pa kurrëfarë logjike, thekset çvendosen
sa andej këndej pa pikë kriteri, mbrapashtesat janë krejt të pavend, fjalët e
hueja, që nuk rrinë kurrëkund në kontesktin e lajmit, vërshojnë e përbaltin
shqipen mjerane të djaloshit të “pispillosun”, një “inglishmeni” tipik, që,
prej se nuk di shqipen, e përmbytë me barbarizma, si i gjithë lloji i tij
hibrid.
Mandej i vjen rradha
koncertit. E drejton një vajzë, që, po të mos fliste, do ta kishte anda me e
kundrue. Po nis e flet e atëherë të mbërthen prap ai trishtimi i parë. Në
“shqipen” e saj ka vetëm ndonjë nyje, ndonjë mbrapashtesë ….. turke e … një
mjerim të pafund gjuhësor. Vërshojnë “prestigjoz” e “famoz”, “shyqyr” e
“grazie”, përemna të pakufijshëm në vend të vetorëve, fjali mungesore që u
mungon edhe kumti ma i thjeshtë, nëndialektalizma të nxjerra nga syndyqet e
gjyshes dhe O. K..
Nuk ka vend me thanë “Fale, Zot, se nuk di çka ban”.
Marr pultin e kaloj tek një stacion kosovar. Të duket sikur gazetarja e ka
harrue serbishten e po përkthen me vështirësi, aq shqipe të përçudnueme flet.
Sa për toponimet e omonimet nuk merr as mundimin me i përkthye pse i shqipton
serbisht. E me iu përshtatë “standardit”, flet një labçe të rreshkun si të Malo
Smokthinës.
Shuej televizorin e rri e mendoj. Po s’ke pse mendohesh gjatë. Kjo vorfni gjuhësore,
pa dyshim, ka dy shkaqe:
- Vorfnimi që i bani shqipes famëkeqi Kongres i Drejtshkrimit i vitit 1972, që
i preu arterie e vena, i këputi mish e i shpuploi koca, e degdisi në një fosile
të ngurrtësueme që s’asht as tosknisht, jo ma shqip;
- Një lloj i ri “inglishmenësh” të Tiranës e Prishtinës, “zengjinë të ri”, që
kanë gazeta e televizione, kanë vajza të bukura, që i veshin (o ma mirë - i
xhveshin) “allafranga” e u venë një mikrofon në dorë edhe pse veçsa “nuk i le
hunda me hangër bar”, si thonte im atë, aq berr janë.
1. Po përse u dhunue shqipja?
“Edhe ta kishim në dorë s’jemi nga ata që kllasim gjindarmërinë në fushë të
mendjes” Faik Konica
Përgjigja asht e thjeshtë: Në vazhdën e tragjikes “luftë e klasava”, zbatue
skajshëm si askund tjetër në Shqipni, sa çoi në tjetërsimin e njeriut, nuk
duhej lanë gja pa provue: aty edhe gjymtimin e gjuhës shqipe, largimin e saj
prej rrajëve pellazgo-iliro-shqipe, vofnimin e saj aq sa të mos të mund të
lexoheshin e të kuptoheshin ata që na lanë trashigiminë ma të shtrejtë
gjuhësore e kulturore, prej Buzukut te Fishta, shkëputjen prej kulturës
europiane pjesë e së ciles jemi që në ag të historisë njerëzore, parçamjen në
mes krahinave e besimeve, të gjitha këto veç me muejtë me mbajtë ma lehtë
sundimin gjakatar.
Si çdo komb, si çdo popull, edhe na kemi vlerat e të metat tona. Por nëse kemi
tri dukuni për të cilat vërtetë mund të krenohemi, ato janë:
- Jemi populli i vetëm në Europen Jugore e ma gjanë që trashëgojmë një gjuhë që
i ka rrajët qysh para se të shfaqeshin në histori Roma, Athina e vetë
Troja;
- Jemi ndër popujt e paktë që nuk patem kurrë përplasje e urrejtje në mes krahinash;
- Jemi ndër të paktët popuj, aty edhe popuj të quejtun “djepi i qytetnimit”, ku
nuk ka pasë kurrë as ma të voglin konflikt ndërfetar.
Po kishte ardhë “kolera e kuqe” e rrajët duheshin pre, duheshin tha, përçamja
duhej të kishte të gjitha ngjyrat, aty edhe ato mes toskësh e gegësh, në mes të
krishtenëve “reaksionarë” (prandaj edhe duheheshin pre rrajët me ta) e pjesës
tjetër të popullit, duhesh shkatrrue gjithçka ishte ma e shëndetshme që të
sundohej ma lehtë. Asnjë arësye tjetër “shkencore” nuk mund të kishte në këtë
gjymtim, pse të bahej fjalë për “njësim të shqipes” ishte antikombëtare, pse
shqipja e njësueme ka qenë që në krye të kohës. Tash po, mbas shëmtimit të
1972, ajo nuk asht ma e njësishme, por vetëm një pjesë e trungut që mezi
ushqehet në rrajë e shtërzon e lodhun.
E kjo u arrijtë tue “kallë gjindarmerinë”, i miri Konica, në fushë të mendjes,
me fjalë të tjera, me dhunë të pushtetit komunist.
2. Si u dhunue shqipja?
E para, tue shpla trutë e njerëzve nga kujtesa historike, sikur para kolerës së
kuqe nuk kishte gjallue asgja në Shqipni e lum na që na erdhi kjo farë e
mbrapsht.
Së dyti, shtrimi i çashtjës së gjuhës si dukuni e luftës së klasava e tue e
shtri këte luftë tashma edhe në plan territorial.
Së treti, tue qitë në harresë, ku me të ndaluem me ligj, ku me zhdukje të
veprave e deri të vorreve të Atdhetarëve të akullt, atyne që na kishin lanë
porosi dashuninë për Shqipni, pse Atdhetaria u quejt nazionalizem e si
rrjedhojë antagoniste me ideologjinë komuniste.
Pikërisht për këto arsye u harruen përpjekjet sa të fisme aq edhe shkencore të
Komisisë Latrare të Shkodres 1916, u lanë në harresë përpjekejt që banë
atdhetarë e gjuhëtarë të dorës së parë, aty edhe në kohë te fashizmit, për një
shqipe “të përbashkme”. U vendue, thuhet në njoftimet e punimeve të Komisisë,
me themelue nji orthografi sa ma tepër të përbashkme për të dy
dialektet”.
E u shkue deri atje sa shkodranishtja u “çpall” “gjuhë e klerit reaksionar”.
Ajo, si gegnishtja mbarë, u shpall gjuhë “e deklasuar”. (Se si mund të quhet
një gjuhë që flitet prej ma se katërmijë vitesh “e klerit reaksionar”, apo “e
deklasuar”, veç mendjet e çorodituna mund ta rrokin).
Shkruen M. Elezi: “Politika gjuhësore dhe gjithë politika ndaj Veriut synonte
shfaktorizimin e Shkodrës e të krejt Veriut si qendër e mbështetje e
palëkundëshme në përpjekjet e gjithë shqiptarëve me e kthye Shqipninë kah
vlerat kombtare, kah Perëndimi, kah vetvetja”.
U shpërfillen edhe mendimet e gjuhëtarëve të medhej si Majer e Jokli, pse ata,
gjuhëtarë borgjezë, nuk kishin pasë fatin të njihnin veprat e shokut Stalin mbi
gjuhësinë!
Veriu u identifikue me Kishën Katolike (që i bante e i ban nder pse si asnjë
simotër e saj ka dhanë ndihmesë të paçmueshme e të paçmueme si në ruejtjen e
gjuhës e të kulturës amtare, ashtu edhe në përhapjen e kulturës europiane, jo
që ka qenë nxitësja kryesore e lëvizjeve për liri), e si kundërshtare e kolerës
së kuqe u masakrue ma barbarisht se askund tjetër në botë.
E u mohuen shkollat. Na del se e para shkollë na paskish qenë themelue aty kah
fundi i shekullit XIX në Korçë, kur të dhana të drejtpërdrejta e sidomos të
terthorta na mësojnë se shkollat në këto anë duhet të kenë mbi dymijë vite. “Na
shkronjat i morem prej Ilirëve”, thotë Plini. Janë të dokumentueme shkolla të
mesme të pakten në shekullin XVII në mbarë Veripërendimin. Në Obot kishte
shtypshkronjë qysh më 1493. Çka kishte me ju dashtë shtypshkronja një populli
që nuk di me shkrue e me lexue? Por jo, zotnijë, jo, na nuk duhej të kishim
rrajë, a t’i kishim ato sa ma të pakta, sa ma të cekta, që të shpallnim ardhjen
e Zeusit të Kuq si shpëtim e përparim për këtë Vend.
3. Çfarë humbi e çfarë i mbet shqipes?
Puna për shkatrrimin e shqipës filloi me ballafaqimin rrenues në mes dy
“kryedialekteve”, në vend që të flitej e të punohej për një gjithëpërfshimja,
për mospërjashtime, për trajta që të ruenin mbarëshqipen e të banin lehtësisht
të kuptueshem si Naimin ashtu edhe Fishtën. Filloi, pra, me asgjasimin e ma
shumë se gjysës së trungut deri në rrajë – me shpalljen jashtë ligji të
gegnishtes. Jo se tosknishtja asht pa vlera, Zot na ruej, asht shqipja ime,
por, si e kanë thanë të tjerë para meje, një dialekt asht gjithmonë ma pak e ma
i vorfen sa mbarë gjuha.
Në kohën kur flitej për marrjen si “pajtor” të të folmes së Elbasanit, maraku i
Fishtës, Mjedës etj., ishte mos me humbë asnjë formë të randësishme të
tosknishtes.
Mustafa Merlika, një prej të mohuemëve të mëdhej, dje e sot, thotë se do të
marrim dialektin e Elbasanit si pajtor, por tue përfshi mbarë shqipën.
E shembuj se si atdhetarë e gjuhëtarë të dorës së parë, jo Manol Konomë mjeranë
e Shuteriqë që e shitën shpirtin shtatë herë, kambëngulnin për një normë
gjuhësore gjithëpërfshimëse, mund të sillen pa kufi, prej 1916 (Komisia Latrare
e Shkodres) deri te Fashizmi i zi (por do të vinte “Fashizmi i kuq” që do të
shembte me themel gegnishten “reaksionare” – Zot na ruej mendt e kresë, deri ku
mund të arrijë urrejta e verbueme!).
Pra, qysh në krye duhet thanë se me famkeqin Kongres të Drejtshkrimit 1972
shqipja humbi njëherëmirë gegnishten, pasuninë e saj kulturore (prej Ciklit të
Kreshnikëve te Migjeni, prej Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit te Fishta, prej
të amblit Mjeda te rrëfimet e Anton Harapit), humbi një pasuni të
pallogaritëshme leksikore e frazologjike, humbi një formë të menduemi e të
shprehuni, humbi shpirtin e pjesës ma të madhe të popullit të vet. Se kur humbë
gjuhën, humbë shpirtin.
Merrini Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe e do të prekni me dorë aty flijimin i
një pasunie të pallogaritëshme të gegnishtes, nësa u hapeshin dyert në katër
kanata fjalëve me prejardhje greke apo sllave (nuk po flas për turqizmat
“kamturqisht” edhe në trajtesat e “shokëve gjuhëtarë”) .
Nësa në të dy fjalorët, atë të quejtun të Drejtshkrimit, ashtu edhe në Fjalorin
e Gjuhës së Sotme Shqipe, ndesh fjalë të hueja, ma krejtëisht të hueja, që
s’kanë si hyjnë kurrsesi në fjalor të shqipes, si: banjë maria, delikt,
alivanosem, e sa të tjera;
apo fjalë të shtresimeve të ndryshme kohore, sidomos prej turqishtes e
greqishtes, por edhe prej frëngjishtes, italishtes e gjuhëve sllave, kur
egzistojnë përkatëset shqipe, madje nuk u shënojnë as prejardhjen e me cilësue
se egziston kjo përkatëse shqip, si: açik, adet, alamet, e ba me shkue deri te
“zh”-ja do të duheshin katërdhjetë faqe;
fjalët e mirëfillta shqipe, ma krejtësisht shqip e me prejardhje shpesh prej
ilirishtes e ma heret, ose nuk përfshihen asfare në fjalor, ose cilësohen “e
vjetër”, “krahinore”, sa mos me thanë “gegnisht”, pra, simbas kësaj logjike
barbare, jo shqipe. Nuk m’u desht as një orë punë me gjetë (pra mos me gjetë) se
në FGJSH mungojnë fjalë të përdorimit të përditshem në Sapë (Zadrimë) si:
akulltar/-e, anx:ë/-a, azull/-i, ballot:ë/-a, bam/-i, -e, bërgajn:ë/-a, birth-i
(pse kemi turqishten çiban), brezhël/-a (kancer/i), brig/-u, cangull, me cokë,
deh!, me u dejë, ding, me u djergë, kërcalë, me llokë, mangën/-a, miellc:ë/-a,
me përdahë, pllojcë, shij:ë/a, e deri tek neologjizma aq e bukur që ndeshim te
proverbat e mbledhuna prej Frang Bardhit: i përmielltë. Këtu ka njëgjasend: ose
fjalët gege që nuk janë në tosknisht nuk merren si shqipe, ose të quhet Fjalori
i Tosknishtes. Si mund të përjashtohet nga gjuha amtare me kaq papërgjegjësi
thesari i saj ma i vlefshëm!?
Tash këtu nuk asht e vështirë me kuptue se në punë si kjo të çon vetëm një
urrejtje ideologike e mjerane për Veriun, edhe pse ata që u mblodhën në Tiranë
më 2002 e thanë se nuk ka vend me ndreqë asgja prej Kongresit famkeq te 1972,
Haxhiqamilët e gjuhësisë, na u ngryskan në fytyrë tanë marak me disa që dashkan
me na prishë “sërishmi” shqipen, dmth, shqipja paskish qenë e prishun, erdhen
qehajajët e Padishahit e na e rregulluen, prandaj saken se e prekni. E për
“trima mbas vete” kanë do politikanë të majtë që s’dinë as emnin e gjyshit të
vet.
Gjedhet e hueja si mbaresa –os (ajros për ajroj, armatos për armatoj, baltos
për baltoj, palos në vend të paloj, vendos për vendoj), -ur, veçan në pjesore
(ajrosur për ajrosë o ajrue, palosur për palosë, pasur për pasë, goditur për
goditë, keqpërdorur për keqpërdorë, e kështu pa fund e pa logjikë shkencore),
pse na i munguekan, kudi unë, Malëshovës së Përmetit, e atëherë le t’i falemi
greqishtes që na i huajti e na bani njerëz.
Nëse te gegët ndeshet ma shpesh a-ja hundore që tek toskët ma së shumti del në
ë (“nja” e Bardhit në “një” tosknisht, kurse në gegnishte “nji”), raporti tek
“Rregullat” asht krejtëisht i zhdrejtë: ë-ja i “përmbytë” krejt “Rregullat” tue
sjellë një errësim e shqiptim jo të lirshëm. Tue pa dukuninë në plan hitorik,
del se ë-ja asht shpesh ma me vend e ma në natyrë të shqipes se a-ja (kryesisht
hundore) e gegnishtes, por pëdorimi i saj i skajshëm, sidomos te fjalë që
detyrimisht në përdorime të tjera dalin me “a” nuk ka as vend e as logjikë
shkencore. Nuk kuptoj përse, bie fjala, sakohë që themi “ranishtë”, duhet të themi
“rërë”, në vend të “ranë”?
Nuk po ndalem tek çdo rast, pse do të donte shumë vend, e mandej asht detyrë e
gjuhëtarëve me i vu pikat mbi “ì” në këte fushë.
Rotacizmi. Së pari duhet thanë se dallimi në mes dy “kryedialekteve”, si do të
thonte i miri Profesor Selamn Riza, nuk ka ardhë në mënyrë të natyrëshme, si
evolim i gjuhës në mënyrë diverguese vetiu, por në radhë të parë si ndikim i
gjuhëve të hueja dukshem ma shumë në tosknisht në shumë trajta, qofshin ato
fonetike apo morfologjike, aty edhe në leksik. Aq i fortë asht ky ndikim në disa
pjesë të Jugut (nuk asht vendi këtu me trajtue si e përse), sa në Përmet
gjyshes i thonë “nona”, pjepnit “pepone”, sa me u çuditë për një ndikim kaq të
të skajshëm.
Kështu, përdorimi i “r”-së në vend të “n”-së në fjalë si “syri”, por “synoj”;
“druri”, por “drunorët”, (e ndërkohë edhe “lëndë drusore, jashtë çdo rregulli
fonetik), “çoban”, “çobanëri” në vend të “çobanì-a”, “grurë” e “grunoret”,
“rërë” po “ranishtë” e me qinda raste si këto s’ka vend e as kuptim. Zanorja
“ë” (shih, “zanorja”, e jo “zërorja”) kontraston keq me bashtinglloren “r”,
prandaj logjika fonetike do ta donte që të ruhej “n”-ja e … shqipes (pse nuk ka
kuptim me thanë “n”-ja e gegnishtes).
Diftogjet ua, ye etj janë ruajtë historikisht ma mirë në Jug e shpesh janë
bjerrë në Veri. Tue mos përjashtue format ma “të përbashkme” si thonte Xhuvani,
natyrshëm të ruhen ato edhe në gjuhën standard.
Grupet mb, nd, ng gjithashtu janë ruejtë ma mirë në Jug. Edhe te proverbat e
Bardhit i ndeshim dendun, e jo si shqiptohen sot në shumicën e Veriut. Atëherë,
natyrshëm, të ruhen ato edhe në rregulla. Por, tue shkelë vetë ato rregulla e
parime edhe historike, kur e do Pasha, themi „i brendëshëm“, e jo si do të
duhej - „i mbrendëshëm“
Asgjasimi i paskajores, kësaj trajte themel të foljes, ka qenë pa ma të voglin
dyshim krimi ma i randë i atyne vendimeve. Asht shembull që s’ka nevojë për
vërtetim, ashtu si nuk vërtetohet një apostolatë, se këtu, në punë të Kongresit
të 1972, „kallen gjindarmerinë“, si thonte i madhi Konica, dhe e gjymtuen
shqipen me një pamëshirësi prej barbarësh. Paskajorja qendron në themel të
konceptimit e të të shprehunit të veprimit në gjuhën shqipe. Nuk e ka
greqishtja? Nuk e paska as çinmançini? Në djall të gjithë! Puna e tyne! Po
shqipe pa paskajore nuk ka. Asht një prej atyne rasteve që unë i quej se “nuk
ka vend për delikatesë në diskutim”. Këtu dhunimi asht “me gjindarmëri”, prandaj
edhe nuk po zgjatem.
Zevendësimi i gjedheve shqipe me ato me mbrapashtesa të ndikueme kryesisht prej
greqishtes, ose krejt jashtë natyrës të të shprehunit popullor shqip, si: (i,
e) shuktër për (i, e) shkurtë, ajkëton për ajkon, amvisërì për amvisje,
anshmëri për anësi, bagëti – bajgë për bagël, bardhësirë për bardhësì; e të
llojeve nga ma të ndryshmet me skajime të panatyrëshme si barrësirë, bastard
(për bastardh), besërisht (!?), bokëri (bokërrimë), botëror (botënor), burrëri
– burrëreshë (burrni, burrneshë), çiltazi (çiltas - çiltë), e sa e sa ndajfolje
me –zi/, zi e ma zi.
Gjedhet e hueja fonetike: fjalët me theks fundor në shqip janë krejt të rralla
edhe pse nuk përjashtohen. Por, pse duhet të themi në të pashqueme “babà”
simbas gjedhës së huej, e jo “babë” – apo pse kështu thuhet në Gegni, e ma mirë
të marrim gjedhen e huej se prej “Veriut reaksionar”; “parà” jo që “pare”,
“kafè” në vend të “kàfe”, “budallà” jo që “budallë”, “bilé” në vednd të “bìle”
(edhe ma mirë – “madje”), etj? E flasim mandej për „njësim konvergues“!
4. Përse mbrohet krimi?
„Gjuha asht faktori ma i parë i njinisë kombëtare” Gjergj Fishta
Na u mblodhen akdemikët në Tiranë me 11-12 nandor 2002 e kujtuen me nostalgji
Kongresin e Part …, deshta me thanë të Drejtshkrimit, që na hodhi bazat e
shqipes. Që turpi i mbuloftë, se bazat e shqipes i paten hedhë pellazgët e
lashtë kushedi sa mija vite ma parë.
Këta dështakë, këta mjeranë të ideoligjizuem, as duen t’ia dinë për shqipen, po
për karriket ku kanë ngjeshë bythët ba kallo. M’anë tjetër, ata tashma haptë
del se janë krejt të helmuem mendjet e shpirtit me urrejtje për Veriun.
Deklarimet e tyne të fryeme e bajate për shqetësimin nga mendimet ndrysh “të
donkishotëve të viteve nëntëdhjetë” s’janë tjetër veçse ai helm që shpërndau pa
kursim Partia (ajo me “P” të madhe, kur Atdhe shkruhej me a të vogël - atdhe),
që çoi në një parçamje që Shqipnia nuk e kishte njohë në të paktën katërmijë
vite histori.
Asnjë motiv tjetër me përligjje shkencore nuk mund të ketë në teorinë e
“pamundësisë së shartimit në mes dy dialekteve”. Pse një shartim të tillë nuk e
ka kërkue kurrëkush. Pse një shartim i tillë nuk mund të bahet. Pse vetë konceptimi
i shartimit tosknisht – gegnisht asht një ide barbare: gjuha standarde
mbështetet tek format e përbashkëta, takuese, gjithëpërfshimëse,
mospërjashtuese, pra në mbarë shqipen, jo në shartimin në mes dialekteve. Pse,
siç e thamë ma parë, do të merren ato trajta që i ka tosknishtja me mbështetja
ma historike e ato që i ka gegnishtja me mbështetja ma historike, sidomos
ndeshjet në mes tyne.
Po sjell një shembull të thjeshtë: e pakryemja e foljes do të merret me bazë
tosknishten: pra 1) shkoja, këndoja, e jo 2) shkojsha, punojsha, pse formën e
parë a) e gjejmë edhe tek autorët e vjeter gegë; b) ndeshet edhe në pjesë të
Veriut, c) nuk e tjetërson as formen veriore.
Paskajoren e ndeshim edhe në folklor të Jugut, edhe në autorë të Jugut (të ri e
të vjetër), edhe në të folmen e përditëshme të disa zonave të Jugut, jo aq
dendun, por kur e do puna. Atëherë paskajoren do ta ruejmë, si themel i foljes.
Si e tek ta rrahin gjuhëtarët.
Ja pra që nuk ka nevojë për shartim, por për një përzgjedhje pa „gjindarmëri”.
Ata që Elezi i ka cilësue “mister njet”, një gja asht e sigurtë: nuk ia duen të
mirën as shqipes e as Shqipnisë.
5. Cilat do të ishin rrugëdaljet nga ankthi?
Së pari, njerëz ma të dijshëm se unë, por me vullnet të mirë e që duen
shqipen e Shqipninë, të ulen e të analizojnë ma thellë çfarë vërtetë e vlefshme
po birret përfundimisht e doemos duhet shpëtue. Cilat janë ato trajta të
përbashkta që u flakën tej si të ishin të serbit a të cinimaçinit. Pse me gjetë
çka asht ose ka qenë historikisht e përbashkët asht krejt e thjeshtë, mjaft të
shqyrtohen shkrimet e vjetra, bie fjala, proverbat e Frang Bardhit, që janë të
gojës së popullit e një dëshmi e shkëlqyeshme se trajtat e përbashkëta kanë
qenë në krye të kohës shumë ma të shumta se ato të fillimit të shekullit XX e
atëherë, pa ngurrue, me u hapë udhë atyne trajtave të shqipes me rrajë thellë
në histori. E proverbat e Bardhit, po të duem ma ba atë ballafaqimin mjeran
tosknisht – gegnisht, shfaqen në trajta ma së shpeshti në të mirë të tosknisht
për shumëçka. E ani mirë, asht shqipja jonë, prej Çamrije ardhët ajo a prej
Rugove.
Së dyti, rregullat të jenë doemos “të gjithëpërbashkta”, a në daçin
“gjithpërfshirëse”, “mospërjashtuese”, të rrokin mbarë shqipen, sa të jetë e
mundun, tue ruejtë “njininë” që na porosit Fishta. Të bajsh të kundërten, asht
një atentat jo vetëm gjuhësor, por kundër kombit vetë.
Po marr një shembull të thjeshtë: Ta kisha pasë unë për detyrë me hartue
Fjalorin e Shqipes, kurrë nuk kisha me lanë jashtë fjalët toske që nuk i ka gegnishtja,
pse ashtu do të vorfnohej shqipja. Bie fjala, në gegënisht nuk janë falët
“beronjë”, (i,e) pështirë, dot etj. Si do të mund të më kishte shkue mendja me
i lanë ato jashtë fjalorit ose me u shënue përbri “e vjetër”, “krahinore”, pse
kurrënjë gegë nuk i përdor?!
Së treti, në themel të punës të kihet parimi i pasunimit të gjuhës në të gjithë
format a trajtat e saj, e jo degdisja në një gjuhë “të katundit” të shokut
Kostallari.
Së katërti, në fjalorë do të shënohen edhe fjalët e hueja që kanë qenë dikur të
përdorimit të gjanë, ose që fatkeqësisht përdoren edhe sot në të folmen e
përditëshme, por pa dhanë asnjë shpjegim tjetër a përdorim, përveçse
prejardhjen dhe përkatësen shqipe. B. fj. “Kyvet”, turq. – forcë. Kaq, asgja ma
shumë, që me i lanë me kuptue përdoruesit të fjalorit se ajo fjalë nuk duhet
përdorë ma pse kemi përkatësen shqip.
Së pesti, por jo ma pak e randësishme, në kuvend të thirren si ata që u ka
mbyllë Zoti sytë e nuk duen me pa – ndrysh si mund të mbrojnë pa i vra
ndërgjegja krimin – ashtu edhe ata që kanë mendime kruekëput të kundërta me ta.
Pse egziston rreziku që, tue qenë nëpër institucione e me “grada” pikërisht ata
që gatuan ose mbrojnë krimin e 1972, të thërrasin thjeshtë vetveten, ose e
shumta do lakej gati me i këndue “hosana” kohës së lavdishme” të Zeusit të
Kuq.
Së fundi, qysh në fillim të përjashtohen dy propozime të hedhuna fatkeqësisht
edhe prej personaliteteve që e kanë denoncue atë Kongres si Aref Mati e Bahri
Beci: a) të mësohet edhe gegnishtja në shkolla; apo do ekstremistë të tjerë b)
të hidhet poshtë gjithçka e të merret për bazë gegnishtja si e folme e shumicës
së shqiptarëve e gjuhë e traditës kulturore.
Të dy janë mendime të gabueme e të damshme.
Me u mësue gegnishtja në shkollë dmth mos me ndryshue asgja e shqipja me mbetë
e gjymtueme ashtu siç asht.
Me u hedhë poshtë gjithçka (e ashtuquejtuna: Teoria e përmbysjes ) e me u marrë
për bazë gegnishtja asht ana tjetër e medaljes, pra, tue përjashtue
tosknishten, ashtu siç u ba ma gegnishten, dmth me u dhunue sërishmi shqipja,
me u gjymtue përsëri atë tue i mohue gjysën tjetër të saj. Unë gega due që të
them, e të thonë fëmijët e mi, e të thonë edhe nipat e stërnipat e mi “dot”, “i
pështirë”, pse edhe pa ta shqipja ime do të ishte ma e vorfën, ashtu siç asht vorfnue
liksht prej mbi 7.000 (shtatëmijë) fjalë gege që i mungojnë Fjalorit të Gjuhës
së Sotme Shqipe.
Pra gjithçka të shtrohet vetëm mbi një bazë: kritere të shëndosha shkencore e
kombtare, të pandikuem nga idologjitë, nostalgjitë e gjithë marritë tjera
(sidomos nga ajo sëmundje që e kanë në gjak shqiptarët e që M. Elezi e quen me
fjalën e bukur shqip “mujshim”).
6. Përgjegjësia e institucioneve dhe pëgjegjësia morale intelektuale.
Kam një dyshim: A ka institucione gjuhësore në Shqipni? A ka intelektualë në
Shqipni, apo janë tjetërsue?
Tash formalisht institucionet janë, Akademia, Instituti Albanologjik (së
fundi), Universitete pa numur (si bunkerët), ka, më duket, edhe qeveri, ka … Apo nuk ka?
Ka, pa pikë dyshimi, edhe intelektualë, por ata i kanë t’huej, i kanë tulatë, u
kanë mpi çdo dëshirë me marrë përsipër përgjegjësi të dorës së parë me randësi
kombtare. Pse, po nuk i moren përsipër intelektualët këto përgjegjësi jetike,
kush do t’i marrë, deputetët që, si thotë një barseletë shkodrane, kanë krye
kah dy e tre fakultete, por e kanë peng që nuk kanë krye edhe shkollën e mesme?
Pse kaq të lehta ishin ato fakultetet – merre me mend sa shkolla të mesme mund
të kishin krye, ndonjeni edhe tetëvjeçaren. Po nuk asht kurrë vonë, të dashtun
deputet, hyjani, hyjani edhe shkollës së mesme.
Unë nuk e kuptoj frikën e sotme me thanë çka mendon. Po edhe në paçi ende
frikë, për hir të Zotit, kijeni edhe pak guxim. Ky vend ka nevojë edhe për
intelektualë të mirfilltë, jo vetëm për “inglishmenë” hibridë e bastardha me
qylaf në mendje e Benz nën bythë.
Pse tek institucionet, qofsha
i gabuenm, po unë nuk kam kam pikë besimi.
7. Mbi detyrimin e shtetit me ligjërue sanksione.
Ashtu si në mbarë botën e përparueme, do të kemi këto dukuni edhe në të
ardhmen:
a – Një letërsi e thurun tue u bazue në standardin gjuhësor kombtar;
b – Një letërsi dialektore, që sjell larmi e pasuni të veçanta, tue pasë edhe
kjo vend në shkollë e në studime;
c – Gazeta, revista e sidomos stacione radiotelevizive të detyrueme me u ndejë
normave standarde kombtare e sidomos të detyrueme me sanksione të rrepta me
folë shqip.
Letërsia artistike do të jetë e lirë me përdorë edhe të folme krejt të ngushta.
Asht punë e secilit si e ndjen e si e shpreh krijimin e vet. Kjo veçsa e pasunon
shqipen, që edhe në të ardhmen do të ketë nevojë me u ushqye prej të folmeve
edhe ma të skajshme.
Due të ndalem tek pika e fundit, tek detyrimi me folë shqip.
Nuk po flas për përvojen franceze apo të ndonjë shteti tjetër. Po flas tue u
nisë nga gjendja e randë, tejet kërcënuese për të ardhmen, e një shqipeje
bastardhe që përdorin sot veçan stacionet radiotelivizive, e jo vetëm ata. Pse,
do profesora “famozë” të mjeksisë arrijnë deri atje sa të botojnë librin
“Sëmundjet Interne”. Këta duhen ndëshkue në mënyrë shembullore. Mund të jenë
edhe profesora (superprodhimi ma i frikshëm sot në Shqipni), po nuk janë
qytetarë të dejë të këtij vendi, sakohë që sëmundjeve të mbrendëshme u thonë
“Interne”. Shej ma të haptë injorance s’kanë nevojë me dhanë “profesorat
famozë”. Por ndërkohë ndeshkimin shembullor e meritojnë, jo tue i fishkullue me
kamxhik, si do të banin dikund tjetër, por të paktën me nga një gjobë të majme
po, e libri të hiqet menjëherë prej qarkullimit.
Atëherë asht detyrë e shtetit me ligjërue sanksione, me krijue struktura
përkatëse qe të kontrollojnë zbatimin e ligjit, me ushtrue kontroll të rreptë e
me dhanë dënimet ma të pamëshirshme për atentatorët e shqipes. Këtu nuk mund të
ketë shtrim problemi me delikatesë. As jam për një “puritanizem” të skajshëm.
Po jo ama sa me të ardhë të vjelltë kur ndigjon “inglishmenët” e Tiranës e të
Prishtinës kah “kullojnë” kulturë tue e folë shqipen në shtatë gjuhë.
(Për fat të keq e njejta dukuni po shfaqet edhe në fusha të tjera. Shih muzikën
ku kanë vërshue do “modele të reja popullore”, do gjedhe “ala magjypçe” e “ala
jemençe”. Respektin ma të madh për magjypët e jemenasit, po Shqipnia ka muziken
e saj të pashoqe: polifoninë e magjishme labe e violinën e Zadrimës si
instrument treshekullor popullor, si askund tjetër, të paktën në
Ballkan).
Po humbem gjuhën, thotë Fishta, humbem kombsinë. Po pikërisht këte ndoshta
kërkojnë me ba “inglishmenët” e Tiranës, ata që e flasin shqipen në shtatë
gjuhë – që një ditë të mos ketë ma as shqip e atëherë as shqiptarë.
Këto bastardha, që u lodron barku prej hallvet, flasin kështu përçudshem edhe
pse janë injorantë, mirëpo, tue qenë shumica të pasun a të lidhun me botën e
politikës e me pushtetin e pushtave, po bahen një model rrënues veçan për
brezin e ri. Këta nuk marrin vesh ndrysh veçse me kamxhik – sanksione ligjore
të rrepta.
Ju jeni të qetë? Ju mendoni se shqipja po lulëzon? Se shqetësimet e mia janë
të pavend? Se unë po e tepruekam me frikën e bjerrjes së shqipes?
Lum ju e mjerë shqipja!
Shkoder, 2012.
Shenim F.R.: Materiali asht shkrue nga Daniel GAZULLI në 40
vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit.
Melbourne, 11 Nandor
2022.