Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Zamak i Flamurit Gjergj Kastriotit Skenderbeut
E diele, 18.09.2022, 07:55 PM
Nga Fritz RADOVANI:
ZAMAK I
FLAMURIT
GJERGJ KASTRIOTIT
SKENDERBEUT
Shqiptarët
nga i madhi Gjergj Kastrioti Skenderbeu, trashiguen Emnin Shqiptar, po edhe
Flamurin me Shqiponjen dykrenare dhe identitetin e vet si Shtet Europjan. Po,
janë Zamakët e Tij, që dhane jetën per “Atdhe e Fé”!
Ishte
shpata dhe ajo perkrenare që perjetsuen në Trojet tona Ilire emnin Shqiptar.
Ishin Shqiptarët që pa iu tutë syni nuk kanë kursye gjakun e vet, me shkrue
Epopenë e Pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skenderbeut.
Janë
edhe sot gurët e Kështjellave heroike Shqiptare të daltuem me tehun e shpatave
të Atyne Burrave trima, që per Lirinë e Atdheut vdiqën si me lé per Idealin e
naltë: “Atdhé e Fé”!
Janë
mburojet e pathyeshme ku u perplasen luftat ma të rrebta e ma mizore që ka
njohë historia ynë, per me thye dhe me mposhtë Trimin e pashoq të Kështjellës
së Krujës sonë Heroike.
Janë
Trojet tona të njomuna me gjakun e Atdhetarëve, të pathamë edhe sot!
Janë
gurrat e lumejëve, të prrojeve, e janë edhe shpellat e errta të maleve tona ku
edhe sot, gurgullojnë vijat e pashterrshme të Gjakut të Shqiptarëve, e prap
sot, nuk thirren “kufijë” të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit!
Janë
shtatoret e Trimit të Krujës, të ngrituna nder Shtetet ma të njoftuna të
globit, e prap ka nga tradhëtarët tanë që kerkojnë me e mohue historinë!
Janë
pasuesit e Atij Burri që me shpaten e vet, i tha otomanëve: “Ndal! E jo, ma ndej!”, dhe, po prap mbi gjurmët e
Tij, Shqiptarët vazhduen luften per mbrojtjen e Lirisë së trojeve tona, e kur
ua kerkoi Atdheu, per Até dhane edhe jeten. E pra, nuk janë aq pak sa me u
“harrue”, ose ma keq...
E
ku janë Vorret e Tyne të bekueme!?
Ku
janë Emnat e luftarëve të asaj historie Shqiptare plot lavdi e dafina?!
Jo
bré, kështu! Të mos e shuejmë Gjakun e Tyne me “harresë”, apo me një “vrasje”
të dytë edhe ma mizore se e para!
Per
ké dha jeten Gjergj Kastrioti?! Per ké dha jeten Dedë Gjo’ Luli?!
Per
ké dha jeten Shqiptari i Bjeshkëve të Nêmuna, i Maleve t’ Hotit, Grudës,
Dardanisë, Maqedonisë, Çamërisë, Vorio Epirit?!
E
Shteti Shqiptar, prej kujt mori jetë?! – Askush nuk di me tregue!
Per
ké dha jeten Prekë Cali!? Per ké dha jeten Trimi i Hotit Gjelosh Luli?!
E
Zalli i Kirit pranë Rrëmajit “heshtë” ku, gurtë e tij janë të skuqun nga një
Gjak i freskët dhe i paster i derdhun në mengjesin e një epoke gjakatare, të
ardhun naten per hanë e groposë aty nga sherbëtorët e sllavokomunizmit,
gjithnjë të etshëm dhe t’uritun si ujqit e para pesëqindvjetëve, që erdhën nga
pyjet e Kaukazit, si t’ ishin bash vllavrasësit e katilit Ever Hoxha.
Ku
janë bré, trojet e harrueme të Atyne Trimave që në vitin 1911 trandën
Stambollin, e sot Emnat e Tyne nuk i gjenë as nder librat e shkollave?!
Kush
mundet me mohue Emnat e Atdhetarëve tanë që gati mbas 500 vjetësh, i thanë
turqëve e malazezëve “shporruni këndej” në Hot dhe në Memorandumin e Gerçës, e
sot këta Emna nuk permenden fare tue fillue nga Ded Gjon Luli i Traboinit të
Hotit, Palok Traboini, Sokol Baci i Grudës,
Dedë Nika Bajraktar i Grudës, Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit, Col Dedi
i Selcës Këlmendit, Tomë Nika i Shkrelit, Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit,
Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit, Gjeto Marku i Hotit, Martin Preka i
Shkrelit, Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës, Prelë Marku,
Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup
Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas, Bash Bajrami, Bajraktar i Nikajve dhe
Bec Delia. Memorandumi pat jehonë në të gjitha Trojet tona tue perfshi edhe
Arbëreshët e Italisë. (Marrë nga Revista L.E.K.A. 1937).
Të
pranishem aty ishin edhe Klerikët Katolik Shqiptar të atyne krahinave, tue
fillue nga i zoti i shtëpisë At Mati Prennushi, organizator i këtij takimi me
Ipeshkvijtë e njohun Imzot Luigj Bumçi e Imzot Lazer Mjedja, që kanë ndihmue
edhe në përgatitjen e tekstit.
Aprovimi
ishte marrë edhe nga Imz. Jakë Serreqi, Argjipeshkëv i Shkodres. Ishin aty të
pranishem Fretnit: At Buon Gjeçaj O.F.M. Famullitar i Grudës; At Luigj Bushati
O.F.M. Famullitar i Traboinit; At Karlo Prennushi O.F.M. Famullitar i
Vuksanlekaj; At Lorenc Mitroviq O.F.M. Famullitar i Bajzës Kastratit, të njohun
si Atdhetarë per Kiri e Pamvarësi.
Memorandumi
ju dorzue perfaqsuesit turk në Cetinë me 25 qershor 1911 nga Këta Perfaqesues
të Kuvendit: Ded Gjon Luli (Hot), Sokol Baci (Grudë), Dod Preçi (Kastrat),Prekë Gjetja (Kelmend) dhe
Luigj Gurakuqi (Shkoder). Nga Kujtimet e Imz. Luigj Bumçit kemi një dokument me
randësi që tregon se kur “Perfaqsuesi” turk në Cetin, Sadredin Beu e pyetë Dedë
Gjo’ Lulin se, “a i dueni për vete a për gjithë Shqipninë pikat e “Librit të
Kuq”?
–
I Madhi prijës i Kryengritjes së Malësisë Dedë Gjo’ Luli i ishte pergjegjë:
“Ato pika që janë në Librin e kuq i dona
ma parë për vedi, e mandej, për Shqipninë
mbarë!” E fjala mori dheun.
Sot,
pjesa ma e madhe e Këtyne Emnave të nderuem nuk zehen me gojë!
Fatkeqsisht
mohohen veprat e Don Nikollë Kaçorrit, Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Bajram
Currit e të sa e sa Herojë dhe Heroinave Shqiptare, që nderuen me veprat e veta
të pavdekëshme Emnin e Gjergj Kastriotit.
***
Me
daten 17 Janar 1468, Gjergj Kastrioti vdiq në Lezhë. Mendohet se asht varrosë
në Kishen Katedrale të Shen Kollit, që ishte ma e madhja e atij vend e
rindertueme prej Tij. Besniku i Tij Imzot Pal Engjëlli, nga historianët
tregohet se ndodhej në Romë, ku me të mërrijtun lajmi i vdekjes së Prijsit të
Arbënisë atje, Gjergj Kastriotit, u nis për Shqipni “per me marrë nga e veja
dhe i biri i Skenderbeut të drejten e mbrojtjes, me garnizone venedikase, të
Krujes e të kështjellave tjera.” (Fan. S. Noli, “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”
fq. 148)Ma vonë iku dhe e veja Donika e Gjoni, në Mbretninë e Napolit per mos
me u kthye ma!
Në
vitin 1478, “dhjetë vjet më vonë, kur pushtuan Lezhen, turqit hapën dhe varrin
e tij, që të merrnin copëra të kockave të tija, si hajmali.” (F.S.Noli.)
Sebeliku
na informon se “valle vajzash shqiptare, midis buçitjes së betejës dhe zhurmës
së armëve barbare, mblidheshin rregullisht çdo tetë ditë mbi kështjellat, ku
kishte mbretëruar Skenderbeu, për t’i kënduar hymne Herojt të tyre të vdekur.”
(F.S.Noli, fq. 149)
Iku
Imzot Pal Engjëlli, iku e veja Donika dhe i biri Gjon Kastrioti, ikën
gjeneralë, klerikë e laikë nga Arbënia, ikën e vazhdojnë me ikë edhe sot. Kam
lexue dhe jam interesue edhe per shkrime që nuk njihen endè në Shqipni, të
dijetarëve dhe shkencëtarëve Fan S. Noli, At Athanas Gegaj, At Marin Sirdani,
Milan Shufflay, At Zef Valentini S.J., At Gjergj Fishta, At Justin Rrota, At
Daniel Gjeçaj, Prof. Zef Mirdita, Prof. Aurel Plasari e deri tek At Konrrad
Gjolaj, dhe nuk kam mujtë me gjetë askund të shkrueme: “Tue dijtë të gjithë çka
kam permendë ma siper se kur turqit do të pushtonin Lezhen, puna e parë e tyne
do t’ ishte me shkatrrue kulm e themel Kishen Katedrale të Shen Kollit, si asht
e mujtun që askush nuk shpjegon se çka u mendue dhe si asht veprue me Eshtnat e
Heroit tonë Gjergj Kastrioti, per mos me i lanë me u dhunue nga turqit?!”
Emni
i Gjergj Kastriotit asht Emni ma i Shejtë e ma i bekuemi per Shqiptar! Ai
vazhdon me kenë i gjallë edhe sot në boten e perjetëshme t’ Atdheut të vet, në
boten e pavdekshme të Shpirtit Atdhetar Shqiptar.
E
bashkë me Gjergj Kastriotin sot janë edhe Zamakët e bardhë të Flamurit Tij të
lavdishem Kuq i Zi, të cilët dhane jeten per “Atdhe, Fé e Perparim”!
AT GJERGJ FISHTA:
çOHI T’ DEKUN
Ah!
M’ kambë, Shqyptarë! E mos t’ u lshojë, jo, zemra,
Pse
Perendija s’ ka me u lanë me u thye.
T’
u bijë nder mend, se fort ma e randë asht themra
E
shkjaut kokëtrashë, se guri i vorrit m’ krye.
Urra!
Po, djelm! Shqyptar kushdo ka lé,
N’
mos mujtë Shqyptar me mbetë, Shqyptar t’ hijë n’ dhé!
E
n’ kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mni,
Qi
flije t’ bahet ndo ‘i Shqyptar m’ therore,
Qé,
mue tek m’ kini, merrni e m’ bani fli
Per
Shqyptari, me shue çdo mni mizore. –
Oh!
Edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë
E
nami i sajë per jetë u trashigoftë!
Po:
Rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n’ Dri
E
porsi krandja e that n’ nji flakadâ,
U
shoftë me arë, me farë me mal me vrri
Kushdo
Shqyptar, qi s’ brohoritë me zâ,
Kushdo
Shqyptar, qi s’ brohoritë me uzdajë
Oh!
Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i Sajë!
(Pjesë
nga “Lirikat”, botue në vitin 1941)
AT PJETER
MËSHKALLA S.J. KA THANË:
“Kleri
Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilësue historia në rrugën
dymijëvjeçare të Krishtit, sepse, mbas pesëqind vjetë robnije nën Turqi, po të
merret historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri me
1944, që këtu erdhën në fuqi komunistët, tue lanë në njëanë okupacionin fashist
italian (me të cilin nuk jam pajtue kurrsesi), janë vetëm 30 vjet mundësi për
me formue një Kler Shqiptar, e për 30 vjet me nxjerrë aq Heroj sa kemi nxjerrë
na, nuk ka asnjë kler në Botë.
Përsa
i përket qëndrimit të ndonjenit që e kanë ligështue në tortura të pashembullta,
si Don Ejllin e ndonjë tjetër, nuk duhet me harrue fjalët e Kardinalit
Minzenti, në Revolucionin Hungarez të vitit 1956, që pat thanë se po rashë në
duart e komunistëve, mos merrni asgja për bazë se çka mund të flas mbas
arrestimit, mbasi torturat mund të me bajnë mos me kenë ma ky që jam sot; e
sigurisht, torturat e Sigurimit hungarez as nuk mund të krahasohën asnjëherë me
torturat e Sigurimit Shqiptar.
Dikush
nuk ka gjetë forca për me përballue, dikush po.
Unë
për vedi po të diftoj çfarë me ka ndodhë kur jam arrëstue në fillim. Kur
hetuesi po më pyeste, unë i kundërshtova. Ai më ra një shputë dhe unë rashë
përtokë.., m’u duk se m’u hap qiella dhe i kërkova ndihmë Zojës së Papërlyeme:
O Zojë, më ndihmo me bajtë këto tortura, më forco mos të ligështohem, me ruej
nën dorën Tande!
Ndoshta,
askush nuk e beson, por asht fakt që gjatë gjithë hetuesisë mue vetëm një
shputë më kanë ra, e ç’prej asaj ditë që
Ju mbështeta Zojës, nuk më ka prekë ma kush prej tyne me dorë!”.
Sa
shumë Zamakë të bardhë të Flamurit Kastriotit kishte kjo Shqipni!!
Melbourne, 2022.