Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Kafenë pas buke
E marte, 06.12.2022, 08:59 PM
KAFENË PAS BUKE
NGA
KALOSH ÇELIKU
Hoxhën
e “Allahut” e kam pasur mik besnik. Edhe shumë organizime kulturore e politike
i bënim së bashku kokë më kokë: ai si Hoxhë i “Allahut” dhe partizan i Partive
Politike, e unë si shkrimtar i dalldisur dhe arratisur pas poezive erotike dhe
grave besnike. Dorën në zemër, edhe më ka ndihmuar si hoxhë në organizimet e
mia kulturore - poetike. Nuk e di pse, asaj kohe më pëlqente aq shumë ky Hoxhë
i “Allahut” në jetën e përditshme kulturore dhe politike?! Ndoshta pse, atëherë
mendoja se me këtë hoxhë shqiptar do t’ia arrijmë qellimit tonë historik, një
ditë do të hipim në Baba Tomor. Flamurin kuqezi shqiptar do ta valojmë nëpër
minare. Njëzëri, shpallim Xhaminë Shqiptare: në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi,
Çamëri e Diasporë. Krah për krahu hipim në Malin e Perëndive, atje ku pihet
vera me shtama, lindë poezia... Dhe, bëhet dashuri...
I
shëtitëm, falë aftësive të tij organizative, gati të thuash me Hoxhën e
“Allahut” disa Panaire të Librit: në Frankfurt, Lajpcing e Stamboll. Mos flasim
këtu për Panairet e librit: në Shkup, Tetovë, Prishtinë e Tiranë. Edhe, takimet
punuese organizative me Shoqatën e Botuesve Shqiptar i mbanim ashtu siç u
kishte hije. Takime, ku ai shpesh i thoshte një shkrimtari edhe botuesi, anëtar
i Shoqatës, kur reagonte nga xhelozia: pse Kalosh Çeliku të pi raki rrushi, Dy
shtama verë, dhe uzo, e unë gjithë jetën të pi vetëm çaj rusi?!
Hoxha
i “Allahut” i përgjigjej plot krenari me buzëqeshje ironike: Shkaku se, për ty
rakia e rrushit, vera, dhe uzoja janë “haram”, e për atë si shkrimtar janë
“hallall”. Çaji i rusit për ty është “hallall”. Edhe, Hoxha i “Allahut” e
mbyllte bisedën rreth rakisë rrushit, verës, uzos dhe çait rusit. Dorën në
zemër, Hoxha i “Allahut” në një shkrim të publikuar t’imin publicistik, një
ditë edhe ma mori për të madhe.
Mirë
bre burrë, ndashtë që e ke kritikuar DoktorZiun, por pse e ke shti pa brekë
lakuriq në atë shkrim publicistik edhe mikun e tij besnik, Patriotin e vonuar?!
“Revolucionarin” e sotshëm të protestave laramane, në Shkup. Heshta. Nuk iu
përgjigja, ku ta dija unë se, miku besnik i DoktorZiut dhe “Abazit”, nesër do
të dalë rrugëve të Shkupit për “ndryshime” politike?! Partizani, që, dje përveç
posteve politike të sistemit komunist, sot gjatë “Perandorisë” Shqiptare të
“Abazit”, i gëzoi gati të gjitha postet partiake politike. Edhe, të nesërmen: “Abazin” me shokë i
shpalli “tradhtarë dhe kriminelë”. Papritmas, ma kujtoi përgjigjen e një Hoxhe
Rumunie të Kërçovës, mik i Asdrenit në Bukuresht, që duke u kthyer nga një
fshat malor si hoxhë shqiptar, erdhi tek ne në shtëpi për vizitë miqësore në
Katund. Nusja e vëllait, sipas traditës kërçovare, pasi i dëshiroi mirëseardhje
dhe e përshëndeti sipas zakoneve shqiptare, iu drejtua mysafirit të papritur që
na trokiti tek porta: Hoxho, a jeni për një kafe? Jo, iu përgjigjë Hoxha i ?elëvjollcës. Kafenë, pas buke. Vëllai e kuptoi përgjigjen e
hoxhës. Iu drejtua gruas: Hoxha ka ardhë nga malësia dhe do bukë, jo kafe.
Vite
më vonë, gjatë një udhëtimi me aeroplan me Hoxhën e “Allahut” në Panairin e
Librit në Lajpcing, kur stjuardesa na i solli “senduiçët”, Hoxha i “Allahut m’u
drejtua mua si mik: ky “senduiç” nuk është me mish derri? Jo, iu përgjigja unë
i pasigurt, është me mish gici “hallall”. Edhe, Hoxha i “Allahut” iu fut
“senduiçit” me të gjitha forcat ushtarake - fetare. Po, mish i mirë qenka,
“hallall”. Merreni me mend rastin, sa e kemi pasur në nivel besimin miqësor me
Hoxhën e “Allahut”. “Besën” e sotshme të një partie politike “Shqiptare
opozitare”.
Gjatë
gjithë atyre pesë ditëve sa ndejtëm në një dhomë hoteli, në Panairin e Librit
në Lajpcing (Gjermani) me Hoxhën e “Allahut”, kam shumë kujtime të bukura
artistike. Vetëm disa, ato më të rëndësishmet do t’i sjell për lexuesin në këtë
shkrim publicistik. Shkaku se, një pjesë e tyre janë të jetës private dhe
“patriotike”.
Lajpcingu
si qytet i kulturës dhe librit, në të cilin gjatë atyre ditëve festive,
dyndeshte e gjithë Gjermania në Panairin e Librit, nuk më pëlqeu fare. Jo, pse
nga të kthehesha më priste mishi i derrit me bollëk, por edhe perimet e pemët
ishin pa shije, më dukeshte sikur ha plastikë. Thashë, me vete: Politikën
“madhore” jo, ama ushqimin tradicional në Shkup së paku e kemi bio, dhe natyror
tradicionale.
Ditën
e nesërme me Hoxhën e “Allahut”, patjetër vendosëm të kërkojmë mish viçi. I
thashë: vështirë se do ta gjejmë në këtë Qytet të librit. Megjithatë, mirë
është të pyetet, ku ka ndonjë reastorant turku. Edhe, pas disa kërkimeve në
internet, mezi e gjetëm restorantin e turkut. Ishte mbi njëqind kilometra larg
Qytetit, Panairit të Librit.
E
morëm një taxi me Hoxhën e “Allahut”. Posa hymë brenda në restorant, Hoxha i
“Allahut”, m’u drejtua: Au bre burrë, edhe këtu paska raki rrushi, uzo, verë
dhe uiski?! E, ne shqiptarët, Fenë Islame e kemi marrë nga turqit?! Po, iu
përgjigja unë me ironi. Moti, të kam thënë se, ne shqiptarët jemi me “Din e
Iman, turq ehamdurila”. Punë tjetër është ajo se, dikur ne: na ka nemur turku
për tradhëti fetare.
Kamarieri
erdhi vrik dhe na pyeti për pijet. Hoxha i “Allahut”, porositi një çaj rusi.
Turku, ia priti: “haram”. Unë, një raki rrushi. “Hallall”, m’u përgjigjë turku.
Tjetër, pyeti turku për drekë? Njëzëri, iu përgjigjëm: mish viçi!
Pse,
ju nuk e hani mishin e derrit, ndërhyri turku?! Jo, nuk e hamë se është
“haram”. Budallenj, qënkeshit ju shqiptarët. Kurrë, siç duket nuk e paskeni
provuar mishin e gicit. Paska pasur të drejtë turku që ju ka nemur. Mishi i
derrit është “hallall” se, nuk jep qumësht, lesh për struke. Edhe, duhet therë,
thikën në qafë! Kotnasikoti është kafshë shtëpiake. Mishi i viçit (shterres)
dhe deles janë “haram” se pjellin pasardhës, japin tambël me kusi, lëkurë,
lesh, e mbajnë gjallë një shtëpi në Katund. Shtet.
Ditë
më vonë pas mbylljes të Panairit Librit në Lajpcing, kur u kthyem me aeroplan
mes reve për në Shkup, Hoxha i “Allahut”, nuk më pyeti per “senduiçin” se, me
çfarë mishi e kishin përgaditur maxhatoret e aeroplanit, por iu fut me të dyja
duart “gjahut të Allahut”. Unë, mes qiellit dhe tokës i rrokullisa disa kanaqe
me birrë. Hoxha i “Allahut”, nuk e përbajati veten pa folë: Ama, gjatë këtyre
pesë ditëve i ke pi nja dy-tri bure (fuçi) me birrë? Qesha. Nuk e di, nuk i kam
numruar. Asgjë nuk më pëlqeu në Gjermani, përveç birrës. Dy-tri bure (fuçi) me
siguri, por kam frikë mos i kam pi shtatë, ose nëntë?! Shkaku se, ne shqiptarët
edhe këngët popullore legjendare të kreshnikëve me Zanat e Malit, i kemi me
shtatë e nëntë plagë të Gjergj Elez Alisë. Babai i pati dhjetë plagë. Një Zot e
di sa plagë do t’i marr unë deri në varr.
Një
muaj më vonë, i prishëm punët me Hoxhën e “Allahut”, kur në një mbëledhje të
Shoqatës të Botuesve Shqiptar, ai u pajtua që si anëtar komisioni për botime të
shkojë në Ministrinë e Kulturës një tollumbaxhi. E, unë, isha haptas kundër
këtij propozimi. Thashë: në Minsistrinë e Kulturës e dërgoni edhe armikun tim
më të madh, por jo edhe si anëtar komisioni një individ që nuk ka “haber” nga
letërsia, pa bagazh kulturor e letrar. Përballë të ulet në një tavolinë me
palën maqedonase si shkrimtarë. Koha është sot, në atë Ministri të Kulturës të
vëmë një rend dhe rregulla të vlerave artistike të letërsisë shqiptare.
Vitin
tjetër, jo që ai Tumbaxhiu kishte “vendosur rregulla dhe vlera” të letërsisë
shqiptare, por si për inatë anëtar komisioni në Minsistrinë e Kulturës për
botime, një ditë shkoi edhe vetë Hoxha i “Allahut”. Qëllimi im si shkrimtar,
nuk ishte që në atë Ministri të Kulturës të shkohet sa për sy e faqe, por të
vëndoset një rend, dhe rregulla të vlerave artistike.
Ditën
e nesërme, padashtas në “Bit - Pazar”, u zatekëm ballë për ballë me Hoxhën e
“Allahut”. U përpoq, kur më pa të më ikë, gjoja se nuk më sheh mes kalimtarëve.
I dola para dhe ia preva udhën. Ia përplasa mëllefin e lidhur nye në fytyrë, i
thashë: Kush të ka dërguar ty në Ministrinë e Kulturës si anëtar komisioni për
botime? U trembë, gati e lëshoi toka, siç thotë populli. Arsye se, të gjithë
kundërshtarët e mi propagandonin me të madhe nëpër Shkup se, Kalosh Çeliku pinë
dhe si i dehur mund të jetë edhe agresiv, i paparshikueshëm. Mezi e mori veten,
guximin: Ngadalë bre burrë, përshëndetu së pari! Ne me ty kemi qenë shumë
besnik, t’i kemi dhënë pesë projekte të konkursit Ministrisë Kulturës.
Jo,
me ty nuk dua as të përshëndetem. E di ti se, unë dajallarët e nënës i kam
doktorë të teologjisë, shkolluar në Kairo? Nga familja e gruas, poshtu brez pas
brezi hoxhallarë. E, nga babai, haxhilerë bektashi me “Din e Iman” deri në
vdekje? Prej nga ti dole, më “musliman” se unë në Ditën e sotshme në mes të
Shkupit me ferexhe të zezë?!
Tekefundit,
unë sipas përgaditjeve familjare fetare myslimane, kur të dua mund të vij të ta
fal “xhematin” në xhami, por jo edhe t’i pa asnjëfarë bagazhi letrar të
vendosësh për vlerat e arrira të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Edhe, i
prishëm punët me Hoxhën e “Allahut”. E humbëm besimin tek njëri - tjteri si miq
të vjetër besnik të librit shqip.
Përçudi,
sot Hoxha i “Allahut” është “analist politik”. Nuk udhëheq me xhaminë ku e
grushtuan para kamerave televizive Haxhi Deputetin. Faji, kutadi unë: ndoshta
është i imi si shkrimtar, që u bë “analist politik”?! Nateditë rri nëpër
dritaret radiotelevizive me “analiza profetike - politike”, krah për krahu me
politikanët e dështuar shqiptar për dalje nga kriza politike. Dje, partizan i
një Partie Politike Shqiptare në pushtet, sot ”revolucionar” i Opozitës
laramane nëpër rrugët e Shkupit duke na i “pikturuar” me ngjyra komuniste
rrugët dhe institucionet e Shtetit të “përbashkët” për ndryshime politike. Herë
pas here duke e lënë pa pikë uji edhe Olimbinë në breg të Vardarit me fëmij në
bark, gji e prehër.
Përfitimi:
e analizoj thënjen e Hoxhës “Allahut” të Ruminisë: kafen pas buke! Thënje
historike, që Partitë Politike Shqiptare dhe politikanët tanë “kuqezi”, ende
nuk e marrin vesh, dalin nga rrethimi politik mes livadheve, pas Çuke. Habitem,
me mikëpritjen e tyre “shqiptare”, që kafenë na e qesin para buke. Nuk i falen
dhe i luten Zotit para këmbëve të Hoxhës “Allahut” në xhami, por para këmbëve
të Dexhallit me trumbeta…
Nga libri: PYKË shelgu (publicistikë letrare, Shkup 2021)