E hene, 07.10.2024, 11:43 AM (GMT+1)

Mendime

Syrja Etemi: Leshka përballë dërstilave të historisë

E premte, 09.12.2022, 08:55 PM


LESHKA PËRBALLË DËRSTILAVE TË HISTORISË

Shkruan: Syrja ETEMI

Leshka - vendi ku përzihen e nakatosen mitet e legjendat me ndodhi, dëshmi e fakte reale, shpesh të pleksura me  inate e  kapriçe tekanjoze, sidomos kur ato indicojnë në rrënjët e të parëve tanë të kësaj zone. Eh, sa argumente të gjetura në nëntokën e kësaj treve, sa e sa shkrime janë dergjur e po dergjen akoma në duart e historianëve sllavë - të kurdisur sipas tekave dhe diktateve të politikave rigjide, për t’i kallaisur mirë e  mirë, deri sa t’u përshtaten kabineteve apo sallave të blinduara, që i quajnë “makedonski arhiv-i”, ku shqiptarët jo që nuk kanë qasje, por ata, me çfarëdo formash, mjetesh  e marifetesh po injorohen tërësisht në këtë pretendim.

Kështu, në këtë konglomerat, pa marrë parasysh rigjiditetin e pushtetit me të gjitha këto indicje që mëkojnë njëra-tjetrën, banorët rezidentë  po ballafaqohen me një realitet krejt ndryshe nga politika e sëmurë maqedonase. Ata akoma më shumë i japin shtysë legjendave e gojëdhënave të patelehisura, që, më në fund të përforcohet bindja se,  e djeshmja e ikur  rishtazi dhe e sotmja e harlisur pas së ardhmes, të duken gjithnjë e më të qarta e më ashiqare. Kështu, beftas të vjen vërdallë vendi me shumë emra, ku secili të paraqitet më i llastuar se tjetri, më enigmatik dhe më i mistershëm se i pari, me ç’rast, herë të shushuritë si Oene, herë kumbon si Leaskumcosu, për një moment Legjan e Legen e në ndonjë rast tjetër si  Leshak, Leshki, Leshek, Leshkë, Leshka, Leshok, e s’di si... Sido që të jetë, çfarëdo pagëzimesh të ngjitur ndër ndërkëmbëza shekujsh, një gjë është e sigurt: ky vendbanim ka një histori shumë të bujshme dhe, në këtë “eglendisje me historinë”, akoma gjen gjurmë të së kaluarës herë të lavdishme, herë të dhimbshme e,  herë  intriguese.

I qasem Leshkës më për së afërmi, sepse, me këtë fshat, ndër shekuj jemi fqinj të parë që nga thellësia e historisë. Për antikën dhe mesjetën e hershme të tij, kam bërë fjalë edhe në shkrime tjera, por, kjo nuk do të thotë se kësaj radhe s’kam se çka të them më, madje duke qenë gjithnjë i vetëdijshëm se, edhe  në këtë shkrim nuk do të mund të përfshihen të gjitha historirat që janë ulur këmbëkryq në këtë vendbanim dhe që, detyrimisht presin dorën e specialistëve të çliruar nga doza e përvetësimit të saj në favor të etnisë që i përkasin, sepse siç shprehet Ciceroni:Detyrë e parë e historisë është t’i shmanget gënjeshtrës,e dyta - të mos e fshehë të vërtetën,e treta - të mos japë asnjë shkas që të dyshojnë në të për anësi. E, unë në këtë rast nuk jam historian, por kjo nuk do të thotë që unë të shkruaj pallavra e, me këtë, nuk pretendoj të them se është pallavër fakti se, me ardhjen e sllavëve në Pollog (në periudhën ndërmjet shekujve VIII e IX),  dhe me penetrimin e tyre në këtë qytezë, sidomos në anën e djathtë të lumit, fillon edhe përzierja e ardhacakëve me popullatën vendase të shqiptarëve të krishterë, ku një numër i bollshëm familjesh kalojnë në anën e majtë të lumit dhe këtij lokaliteti (si pjesë integrale e kësaj qyteze)t’i rrikthehet emri i mëparshëm Shllishtina, përkatësisht Sllatina, si do ta quajë administrata serbe e shek. XIII e XIV; nuk janë dokrra dëshmitë se kjo tokë e Pollogut ka qenë pronë e fisnikut shqiptar të derës së Kastriotit -  Gjon Kastriotit - babait të Skënderbeut, madje se në Manastirin Shën Mëria (Bogorodica) është bërë kunorëzimi i Gjonit me Vojsavën - të bijën e Theodorit të Tribalëve, apo nëse them atë që është e pakontestueshme se,  Andrea Bogdani, madje edhe nipi Pjetër Bogdani kanë shërbyer në selinë e Dioqezës: Prizren-Shkup mu këtu në Manastirin e Vjetër, i cili u rrënua në luftërat turko-austriake, ku në anën e kësaj të fundit morën pjesë edhe shqiptarët e krishterë të kësaj toke. Unë do të shkruaj atë që kam mësuar dhe që ndjej si banor rezident i kësaj toke integrale: Leshkë-Sllatinë, madje të shtroj fakte e përshtypje për atë që kam lexuar në dokumente e shkrime të pafundme për këtë, që,  më në fund të paraqes edhe dëshmi materiale të gjetura në këtë tokën e stërgjyshërve të mi - den baba den.

NË SHFLETIM TË DISA SHKRIMEVE

Leshka përmendet disa herë në librin "Pollogu dhe popullata bullgare" (origjinal: ????? ? ??? ?????????? ?????????), të autorit M. Selishçevit.

Kështu, popullatën sllave të këtij vendbanimi, autori Selishçev e paraqet si bullgare, ku, rishtazi flet edhe për shqiptarët në këto vise (që i quan: arnauti, të shënuar me shkurtesën “a”, e,  të parët me “b” - bullgarë).

Sipas  materialeve të shumta arkeologjike të gjetura në territorin e Leshkës si dhe në bazë të disa shënimeve historike, mund të rezultohet se këtu kemi të bëjmë me dy  qytete, një në antikë dhe tjetri në mesjetë. Sipas disa autorëve supozohet se qyteti antik që ka ekzistuar në këtë anë duhet të ketë qenë  O e n e j  të cilin e përmend  Tit Livi, kurse  për qytetin mesjetar, shënimet e para   i gjejmë  në krisovulën e mbretit Vasilie II të vitit 1019 në themelimin e Kryepeshkopatës së Ohrit, edhe atë – si  Leaskumcosu. Kështu shkruan në librin e tij autori vendas, Ilija Petrushevski: “Leshok” ,1982,fq.18-19

LEASKUMCOSU

Siç përmendëm mësipër, shënimin e parë për këtë qytezë e gjejmë në krisovulën e perandorit bizantin Vasili II të vitit 1019 si Leaskumcosu, për të cilin banorët autokton përdornin emërtimin Leska, kurse me ardhjen e sllavëve në Pollog , në periudhën ndërmjet shekujve VIII,IX e X - konkretisht në vendbanimin në fjalë, këtë emër e transkribojnë në Lesh'sk. Me penetrimin e tyre në këtë qytezë, sidomos në anën e djathtë të lumit të sipërpërmendur, fillon edhe përzierja e ardhacakëve me popullatën vendase të shqiptarëve të krishterë, ku një numër i konsiderueshëm familjesh kalojnë në anën e majtë të lumit dhe këtij lokaliteti (si pjesë integrale të kësaj qyteze) e, t'i rrikthehet emri i mëparshëm:  Shllishtina.

Prandaj, në bazë të materialeve të shumta arkeologjike të gjetura, qoftë spontanisht, qoftë në forma të aktiviteteve destinative - të organizuara për hulumtime arkeologjike në Pollog - në pjesën jugperëndimore të fshatit Sllatinë, madje edhe në bazë të shkrimeve të Livies, mund të rezultojmë se në afërsi të këtij fshati gjendet një lokalitet, i cili dikur ka qenë i banuar me popullatë vendase. Gërmadhat e këtij vendbanimi përfshijnë pjesën nga rruga: Tetovë - Jazhincë, në largësi dy-treqind metra; në veri të vijës hekurudhore: Shkup-Tetovë, nja pesë - gjashtëqind metra, dhe në perëndim të lumit të Sllatinës, nga dy-treqind metra. Kështu, në afërsi të vendeve: Te Dy Vidhat (Te Di Vejdhët) dhe Te Dy Udhët (Te Di Udhët) janë gjetur materiale të shumta antike, si: qypa të mëdhenj (skifose), amfora, enë të ndryshme qeramike për amvisëri, shtylla të mermerit, themele të një objekti banimi, monedha etj. Sipas studiueses, Valentina Sokolovska, e cila në Revistën dyjavore të Radio Tetovës : "Pollog" , v. 2000, kuptojmë se të gjitha këto materiale janë gjetur në thellësi prej nja 80 cm , gjatë përgatitjes së tokës për mbjellje.  Këto janë gjetur në nëntor të vitit 1952 në pjesën jugperëndimore të fshatit me rastin e mbjelljes së mollave në kooperativën Bujqësore. Kështu, përveç tjerash është gjetë edhe një pllakë me dimensione: 127x100cm, me një mbishkrim mirë të ruajtur,që thotë:  G E T A C   G E N O T A N I  IN T I  I N  C Y O N M E T A   XII  T O C. (Getas shumë të dashurës e të nderuarës nga Gentianians).

Të bëjmë një shpjegim pak më të zgjeruar të kësaj shtjelle, gjithnjë - sipas materialeve që i disponojmë:

Mbreti Genti, mbret i shtetit ilir (fisit të Ardianëve), ka qenë shumë i ditur. Ai kishte një kulturë të spikatur. Për këtë tregojnë njohuritë e tij mjekësore, sepse me njohuritë që kishte ai mundi ta luftonte një epidemi që qe përhapur në ILIRI. Prandaj, prej tij emërtohet një bimë mjekësore e vjetër: Gentiana Enzian.

Pllaka me mbishkrim ilir

Po në shekullin II të erës sonë, një tjetër ilir i quajtur GETA, në Sllatinë afër Tetovës ka ngritur një monument ku,përveç anës figurative të relievit,ka të gdhendur edhe një poezi në katër vargje të tipit  e p i g r a m  kushtuar gruas së Gentianës dhe dy fëmijëve të tij: Redonit (hyj ilir i detit) dhe Kerës.

Sigurisht se ky lokalitet me këtë pasuri kaq të madhe nëntokësore që ruan në gji, është apo duhet të jetë vazhdimësi integrale e pjesës tjetër të anës së majtë të lumit të lartëpërmendur, dhe që paraqet një vendbanim të madh e koherent të shek. III dhe II p.e.re., të cilin në vitin 170 p.e.re. , siç kemi përmendur, e shkatërron mbreti Persej.

Më tutje, sipas së njëjtës autore, Valentina Sokolova, po në të njëjtin publikim: "Pollog", 2000.(Revistë dyjavore e Radio Tetovës), përveç tjerash shkruan edhe për fisin agrian i cili ka banuar këto treva:

Ky fis ilir  ka jetuar deri në shekullin e dytë (II) p.e.re. - në territorin e shtrirë rrëzë Sharrit - Pollog edhe atij të Malit të Thatë, deri në Gostivarin e sotëm me rrethinë. Kjo popullatë krijoi një traditë dhe kulturë të lartë civilizimi, duke themeluar qytete dhe mbretëri të fuqishme, që shpesh joshnin grykësit fqinjë. Ishte kjo një popullatë e cila me mjeshtri të rrallë do të dijë t'i shfrytëzojë dhe përpunojë xehet  apo metalet për ndreqjen e veglave të ndryshme të punës, armëve të mirëfillta, bile edhe farkimin e monedhave të shumta me portrete të mbretërve agrianë, si: SIMON(IA), NIKARK (NICARC), BASTAREJ, DIPLAJ, DARADO etj., të cilët ngritën dhe konsoliduan vendbanime të organizuara mirë politikisht dhe ushtarakisht, si: PELLAGIA, DAPARIA, SARNOA(SARNUNT), TENESTINI, DAMASTION. Për të cilin shkruan edhe  I.Mikulçiç, në librin: “ Antiçki gradovi vo Makedonija”, fq. 199

Pra, në këtë periudhë, kemi banuesit autokton ilir të quajtur Agrianë, të cilët mbijetuan deri në shekullin II p.e.re, kur mbreti Pajon AUDOLEON, territorin e tyre e bashkon me atë të pajonëve për t'u bërë ballë atakimeve ekspansioniste të ushtrive të ndryshme, sidomos atyre maqedone dhe, më vonë - mbretërive romake.

Prandaj, mund të përfundojmë se, krejt thesari arkeologjik i gjetur në këto zona e, në veçanti, në afërsi të vendbanimeve: Leshkë e Sllatinë, madje edhe pasuria tjetër ende e pazbuluar, korrespondojnë me antikën e lashtë kryeneçe, që i referohet një qytetërimi mjaft të lartë të fisit Ilir të lartëpërmendur, i cili ka jetuar në këto troje, dhe që ka mbijetuar nëpër rrathët e historisë, për t'i sfiduar furtunat pushtuese të imperatorive dhe perandorive, e për t'u regjeneruar nëpër shekujt pasues, për të mbijetuar deri në bashkëkohësi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora