E hene, 11.11.2024, 03:00 PM (GMT)

Mendime

Ndue Dedaj: Baca Mark, rruga e Lurës dhe Astiri

E merkure, 19.04.2023, 06:54 PM


BACA MARK, RRUGA E LURËS DHE ASTIRI

NGA NDUE DEDAJ

Po shikoja në rrjetet sociale një telereportazh të publicistit Gjergj Marku për vijimësinë e punimeve në rrugën e re të Lurës, ku më tërhoqi vëmendjen një detaj i sjellë me mjeshtri nga autori. Kohë më parë ai kishte intervistuar në Perlat bacën Mark, i cili e kishte kullën e tij afër rrugës. Ai nuk jeton më prej pak muajsh, por rruga poshtë shtëpisë së tij është më e gjërë se tjetërkund, pasi baca nuk e kishte “ngushtuar” rrugën me gardhet e kopshtit të tij. Në pamje të parë ky mund të duket një fakt i thjeshtë, individual i një njeriu zemërgjerë e fisnik. Kjo është njëra anë, por kryesore në këtë mes është filozofia nga e cila udhëhiqej ky malësor, që “udha e madhe” sipas dokeve të malësive tona nuk mund të zihej, ngushtohej, përvetësohej kurrësesi asnjë pëllëmbë, pasi ajo i përkiste gjithë bashkësisë. Aq më tepër që shtëpia e bacës Mark, ajo e Lekgegajve ishte nga më të njohurat e Kthellës e më gjerë për traditat dhe virtytet e njerëzve të saj. Gjeste të tilla “arkaike” nëpër fshatrat e Shqipërisë ka pasur jo pak, si një burrë që ndreqte dhe skaliste kroje nëpër male, që udhëtarët të pinin ujë gjatë shtegtimeve këmbësore, një plak që gjithë kohën mbillte pemë, që të hanin nipërit e mbesat, thoshte ai. Dhe ai i moshuar ka mbetur anonim, nuk kishte pasur kamera elektorale që ta filmonin, si ato lopatat ngjyrë rozë sipër gropave të hapura për të mbjellë pemë, këto ditë në Tiranë, nga elita zgjedhore dhe qeveritare e partisë në pushtet. Jo, njerëzit e thjeshtë që nuk kanë llogari politike i bëjnë gjerat siç ua thotë zemra, pa dashur të fitojnë “vota” me anë të lustrës...

Lalë Marku bëri atë që kishte në dorë, që udha e madhe të mbetej e madhe, e pacenuar, ashtu siç duhet të jenë hapësirat për ndërtime dhe ato publike në një shoqëri moderne dhe rruga e Lurës do të jetë në standardet e duhura dhe për shkak të “bujarisë” së tij, por a ndodh kështu në kryeqytetin tonë, ku jo vetëm pronarët e dyshimtë të tokës, por “pronarët” politikë dhe oligarkik të tranzicionit e kanë ngushtuar qytetin duke e bërë të pajetueshëm. Shumë nga ata që blejnë shtëpi të reja, vrojtojnë me kujdes se mos nesër para apartamentit të tyre zgjatet ndonjë pallat deri në qiell dhe atyre iu zihet dielli. “Pati një shtëpi shumë të mirë vajza në Kombinat, kur pa prit e pa kujtue në oborrin e saj u ndërtua një pallat!”, thotë me shqetësim një nënë e moshuar. Ky është trendi i Tiranës së sotme dhe jo vetëm i asaj, zaptimi i territorit nga të fortit e pushtetshëm.

Kjo është njëra anë e problemit, tjetra është se nga babëzia e ndërtimeve nuk është lënë asnjë hapësirë për shkolla, kopshte, çerdhe, qendra sociale, mjedise sportive, biblioteka, muze, si për shembull në zonën e Astirit. Kjo është e vërteta e hidhur, që nuk e vë në dukje vetëm kandidati i opozitës për kryebashkiak i Tiranës, por në radhë të parë banorët. Kryeministri, ministrat dhe kandidatët për kryebashkiakë do të bënin mirë ta linin sfilatën elektorale me lopata të kuqe nëpër livadhe dhe të shkonin në këtë lagje më njëqind mijë banorë dhe t’i mbillnin aty ato pemët... elektorale. Astiri është “Tirana e re” e sotme dhe nuk mund të mbulohet me disa lopata asfalt të hedhur keq, që njerëzit me ironi e quajnë “asfalt elektoral”. Boll më me këtë strategji populiste, sureale, demek moderne. Artifice të kësaj natyre, kinse intelektuale, fshikullonte Altini i Mrizit të Zanave, përmes një fotografie satirike, ku kishte dalë me gjithë të vëllain, Antonin, në një rrugë bujqësore të fermës së tyre të agroturizmit, veshur me kostum e kollare, njëri me kazmë në krah e tjetri me lopatë në dorë!....

Kemi një traditë tw fisme të marrëdhënieve të njeriut me shtetin, që ka lëshuar shtëpinë e tij për ta bërë shtab partizan, për të strehuar hebrenjtë e rrezikuar, për ta bërë shkollë, ambulancë të fshatit etj. Mirëpo shteti është sjellë krejtësisht ndryshe me banorin, ia ka marrë tokën pa e pyetur dhe e ka kolektivizuar, i ka marrë bagëtitë nga vathi i tij dhe i ka futur në stallën e kooperativës, shkon tani e i merr dhe përruan për ta bërë hidrocentral etj. Ku shteti dhe oligarkët e tij, ku njerëzit e thjeshtë, që e duan Shipërinë me qytete të bukura e të jetueshme, fshatra  me agroturizëm, rrugë për të qenë dhe lumenj të pabetonizuar.

Nëse bëhet vendi sipas porosisë së të vjetërve të këtij kombi, njerëzit do ta gjejnë këtu mirëqenien, kurse demonët e politikës po ndërtojnë një tokë që i “rrëshqet” dita - ditës njeriut nën këmbë, ndaj ikin përtej detit dhe oqeanit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora