Mendime
Eshref Ymeri: Dritarja e servilizmit të Rudina Xhungës
E merkure, 19.04.2023, 07:55 PM
Dritarja e servilizmit të Rudina Xhungës
(Servilizmi
është një zeje që fitohet pa vështirësi) Sándor Pet?fi
Nga
Eshref Ymeri
Disa muaj më parë,
hasa në internet në një emision të Rudina Xhungës, të transmetuar në “Dritare
TV - Youtube, (19. 10. 2022)”. Ajo kishte ftuar në studio
ish-ambasadorin në Paris, Luan Rama. Emisionin Rudina e hapi me prezantimin në
vijim, në të cilin u shfaq si një lajkatare e rangut më të lartë:
“Mirëmbrëma! Mirë
se keni ardhur në “Shqip”, në “Dritare TV”. Do t’ju prezantoj me
një njeri që e dua fort, e dua shumë dhe jam e sigurt që kushdo që e shikon e
do, Luan Ramën, për shkak se është i mirë, për shkak se është profesional, për
shkak se është njeri i jashtëzakonshëm, shkrimtar, e kam shkruar në titra, por
je ambasador, je gjithmonë ambasador, je, je treguesi, ciceroni më i mirë i
Parisit. Po t’i tregosh dikujt ti Parisin, ai e do për jetë”…
Në atë emision,
Rudina i paskej vënë vetes si qëllim që të hidhte dritë mbi një të shkuar të
largët nga jeta e Edi Ramës në Paris. Kjo për arsye se në opinionin publik kanë pasë qarkulluar fjalë jo të mira
për mënyrën se si ai e ka shtyrë kohën,
si emigrant në Francë, në vitet e para të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit
që kaloi. Dhe gjetja më e goditur e Rudinës për hedhjen poshtë të atyre fjalëve
jo të mira, duhej të ishte intervista pikërisht me një njeri të tillë, i cili
ka jetuar gjatë në Paris dhe që atje ka pasë qenë njohur nga afër me Edi Ramën. Prandaj
kandidatura më e mirë për realizimin e këtij qëllimi, domosdo që ishte Luan
Rama, i cili ka jetuar 31 vite në Paris, fillimisht si ambasador i vendit tonë.
Koha kaq e gjatë që Luan Rama ka jetuar në Paris, dëshmon më së mirë se ai ka
pasë hyrë mirë në indin e jetës franceze dhe, si askush tjetër nga shqiptarët,
është në gjendje të japë çdo lloj informacioni, vetëm të saktë, për këdo dhe
për gjithçka që ndodh në Paris, deri në imtësitë më të vogla.
Në vijim po iu
përcjell lexuesve bashkëbisedimin e Rudinës me Luan Ramën:
- Ti je njeri
diskret, nuk të pëlqen të flasësh dhe të
tregosh, edhe pse ti i ke parë të gjitha, që nga Miterani, Shiraku, Zhospeni,
për të mos folë për Nano, Berisha, Rama. Ramën e ke njohur në Paris, kur ishte,
kur jetonte atje, jashtë politikës?
- Po, po, e kam
njohur, kemi ndenjur bashkë, shikoja ekspozitat e tij, kam qenë në ekspozitat e
tij, madje dhe kam shkruar.
- Ka pasur
ekspozitë në atë kohë në Paris?
- Po, po.
- Sepse, e di si
është krijuar ideja? Rama jetonte në këmbët e një ure, kështu mendojnë
njerëzit.
- Po jo. Këto janë
imagjinata. Ai ka hapur ekspozita në vende interesante, në një qendër mjaft
interesante, ku ishte shtëpia e Viktor Hygoit… ishte një ekspozitë shumë e
mirë. Unë bëra një shkrim atëherë, nuk e di, mbase te “Koha Jonë”… Ai ishte i
interesuar me jetën intelektuale, kishte kontakte, ishte një njeri me një
vizion perëndimor…” (Citohet sipas: “Ju tregoj
cili qe Rama, emigrant në Paris! | Shqip nga Rudina Xhunga”. 19
tetor 2022).
Pra, me mënyrën se
si Rudina e shtronte pyetjen e parë, mundohej të krijonte bindjen te
teleshikuesit se ajo “nuk kishte si qëllim” të sqaronte se me çfarë është marrë
Edi Rama në Paris. Ajo thjesht, ashtu kot, i tha Luan Ramës “ti i ke parë të
gjitha, që nga Miterani, Shiraku, Zhospeni, për të mos folë për Nano, Berisha,
Rama”. Dhe meqë, “fare rastësisht”, përmendi në fund Ramën-emigrant, po
“fare rastësisht, pa kurrfarë qëllimi”, Luanit i drejtoi pyetjen “Ramën e ke
njohur në Paris, kur ishte, kur jetonte atje, jashtë politikës?”.
Nga përgjigjja e
Luanit (i cili e di shumë mirë se ku e ka furrikun edhe çdo pulë franceze),
rezultoi se Edi Rama në Paris qenka marrë me punë krijuese, si një piktor i
talentuar, i cili paska pasur “studio të posaçme” për krijimin e pikturave dhe
“vende interesante” për organizimin e ekspozitave të atyre pikturave. Veç
kësaj, Edi Rama, sipas Luanit, “ishte i interesuar me jetën intelektuale,
kishte kontakte, ishte një njeri me një vizion perëndimor…”.
Pikërisht “fakte
të tilla” i interesonin Rudinës për jetën e Edi Ramës, si emigrant në Paris,
“fakte”, të cilat, përmes “Dritares” së servilizmit të saj, i bëheshin të
njohura publikut jo nga dokushdo, por nga një inteletual me paha të madhe, nga
një ambasador, “i shartuar” në qytetar francez, që di të thotë “vetëm të
vërtetën”. Sepse në këtë mënyrë
“hidheshin poshtë përfundimisht” llafet e “gojëve të këqija” për bëmat “e mira”
të Ramës në Paris.
Dihet botërisht që
gazetaria është profesion shumë i vështirë. Sepse
gazetari duhet të respektojë etikën e profesionit të vet. Shtrohet pyetja:
ç’përfaqëson etika e gazetarisë ose e gazetarit? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje
është fare e thjeshtë: është e pamundur të merresh me gazetari, kur nuk je në
gjendje ta ndiesh “aromën” e së vërtetës. Pra, nëse gazetari ka për qëllim të
rrëfejë për një ngjarje të caktuar, për disa fakte konkrete, se çfarë ndodh në
shoqëri, në politikë, ai duhet të ndjekë vetëm hullinë e versionit të vërtetë
për çka rrëfen. Në të kundërt, ai, në rolin e një servili të pështirë, i
shërben vetëm një agai të caktuar për “ylefenë” që i paguan. Dhe kjo është e
kuptueshme, sepse gazetari servil mundohet me të gjitha mënyrat të fitojë simpatinë e
atij që ka pushtet.
Rudina nuk mund të mos e dijë që Martin
Henze, këshilltar për çështjet ekonomike pranë partisë së ish-kancelares
gjermane Angela Merkel, CDU, nëpërmjet një postimi në Twitter, i ka bërë një
pyetje të thjeshtë Edi Ramës:
“A jeni arrestuar
dhe burgosur në Francë në vitin 1994 dhe a keni bërë tregti, me ikona të
vjedhura?”. (Citohet sipas: Poli Hoxha. “4 dëshmi: A ka
qenë Edi (Edvin) Rama i arrestuar në Francë dhe pse e ndryshoi emrin pas akuzës
së Nanos?!”. Faqja e internetit “VOAL”. 20 dhjetor 2019).
Sikur
Rudina të ishte gazetare me integritet profesional, ajo, për të nxjerrë në
dritë të vërtetën rreth bëmave faktike të emigrantit Rama në Paris, duhej të
shfrytëzonte jo vetëm rrëfimet e Luan Ramës, por edhe rrëfime për të tjera
fakte, për të cilat me siguri që është në dijeni. Sepse lind pyetja: pse nuk e
ka ftuar në studio për intervistë liderin historik të partisë socialiste, Fatos Nano, i
cili ka deklaruar publikisht, me zë dhe me figurë:
“Edi Rama ka një problem moral, e kam
marrë si refugjat me thonj të paprerë nga Parisi dhe e kam bërë pjesë të
ekipeve tona. Unë mund të kem bërë shumë gjëra, por e nxora nga bataku i
fyerjeve. Nga refugjat dhe shitës i ikonave të vjedhura, në ministër dhe në
kryetar të bashkisë më të madhe në Shqipëri” (Citohet
sipas:“Video / Berisha
rikujton deklaratat e Nanos: Ramën e solla nga Parisi me thonj të paprerë”. Faqja
e internetit “Bold News”. 27 shtator 2022).
Rudina është plotësisht në dijeni për të vërtetën
që ka rrëfyer publikisht për Edi Ramën edhe qytetari korçar Gjergji Thimo,
sidomos për informacionin që ai dha më 30
qershor 2020 në studion e televizionit “Syri”, ku ishte i ftuar nga
gazetari Adi Krasta. Edhe këtë qytetar Rudina nuk e ka ftuar në sudio. Në atë
studio ai deklaroi se kishte refuzuar që
t’i jepte Ramës pikturën origjinale të Onufrit, të cilën ky donte t’ia bënte dhuratë këshilltarit të
tij, ish-kryeministrit britanik, Toni Bler (Anthony Blair). Në atë studio,
Gjergji Thimo deklaroi:
“Pas refuzimit tim për t’i dhënë
pikturën që e kisha trashëgimi personale, u ngritën akuzat ndaj meje. Kërkoj
drejtësi, sepse nuk jam trafikant. 2300 objekte mungojnë nga muzeu personal”.
Për teleshikuesit ishte befasues
njoftimi në vijim i Gjergji Thimos për Ramën, si ish-i burgosur në Paris:
“Numri i Ramës, i
burgosur në Paris është: AL.1961138/a”.
Pra, Rudina i ka këtu në Shqipëri
Fatos Nanon dhe Gjergji Thimon, por s’ka dashur t’i ftojë për intervistë.
Sigurisht, sepse, sipas saj, tagrin e “së vërtetës” për burgarin Edi Fama në
Paris, e paska vetëm Luan Rama!!! Por ama Rudina nuk ka përtuar “të bëjë një
udhëtim të gjatë” prej mijëra kilometrash, deri në skajin perëndimor të
Kanadasë, në qytetin Vankuver (Vancouver), për të peshkuar një fshatar,
emigrant nga Tropoja, me qëllim që të sulmonte Profesor Sali Berishën në
emisionin e saj të 26 dhjetorit 2022. Rudina nuk mund të mos e bënte atë
“udhëtim”, sepse zeja e servilizmit ndaj Edi Ramës nuk e linte të qetë orë e
çast. A mund të imagjinohet që Rudina ta linte veten jashtë kopesë së servilëve
të Edi Ramës, i cili, së bashku me Sorosin dhe Mcgonigalin, është kryeregjisori
i komedisë karagjoze për shpalljen e Profesor Sali Berishës “person i
padëshirueshëm” në Shtetet e Bashkuara, paçka se Profesori kishte 8 vjet që
ishte larguar nga drejtimi i politikës?
Rudinës i shkëlqente fytyra kur Luan
Rama deklaronte në studio se Edi Rama në Paris “ishte
një njeri me një vizion perëndimor”!!! Se
pikërisht vizioni “perëndimor” i Edi Ramës është ai që “ka ndikuar aq shumë” në
psikologjinë e shqiptarëve të brezit të ri dhe të mesëm për ta braktisur vendin
dhe për t’u armatosur në Perëndim pikërisht me një vizion të tillë. Pra, kjo
braktisje katastrofike e vendit “nuk bëhet” për t’i shpëtuar lakut të varfërisë
që Edi Rama ua ka hedhur shqiptarëve në qafë gjatë këtyre gati dhjetë vjetëve
të fundit të sundimit të tij. Jo, bëhet “vetëm” për t’u armatosur me atë
vizion, për të cilin Luan Rama “i sqaroi mirë” bashkatdhetarët e vet në studion
e Rudinës.
Një servileje të formatit të veçantë ndaj Edi Ramës, si
puna e Rudinës, nuk i bën absolutisht përshtypje një e vërtetë tragjike për
fshatin Shishtavec. Në një informacion, të botuar në internet, thuhet:
“Fshati është thuajse i boshatisur.
Sipas censusit të vitit 2011, Shishtaveci ishte një ndër zonat më të populluara
të qarkut të Kukësit, me një popullsi prej rreth 3800 banorë. Tani atje kanë
mbetur vetëm të moshuar që jetojnë të vetmuar”. Citohet sipas: “Shqipëria po
shpopullohet”. Faqja e internetit “Tetova News”. 09 korrik 2022).
E, pra, në vitin 2011 kryeministër
nuk ishte Edi Rama, të cilit Rudina i serviloset, ashtu si edhe kopeja e
gazetarëve servilë, pa dinjitet profesional. Asokohe kryeministër ishte
Profesor Sali Berisha, që, siç u theksua më lart, për ta sulmuar, Rudina
s’përton “të shkojë aq larg”, deri në Vankuver të Kanadasë.
Si shpjegohet që Rudina, si një
gazetare me stazh të gjatë, nuk është shqetësuar fare për përgatitjen e një emisioni
të posaçëm, për t’iu përgjigjur pyetjes që ka shtruar tani së
fundi EUbserver: Pse
83 për qind e shqiptarëve duan të largohen nga Shqipëria? Një pyetje kjo që shërben si titull i materialit, që
është botuar në faqen e internetit “indeksonline” të datës 31 mars 2023.
Rudina s’mund ta përgatitë një emision të tillë, se nuk e lejon servilizmi i
saj të prekë sinoret e strategjisë së Edi Ramës për shpopullimin e pandalshëm
të vendit tonë, çka është në përputhje të plotë me Megalidenë greke dhe me Naçertanien
serbe të vitit 1844. Por Rudina përgatit me qejf të madh emisione për të
sulmuar Profesor Sali Berishën, gjatë qeverisjes së të cilit as që mendohej
ndonjëherë se mund të shtrohej pyetja e mësipërme e EUbserver-it.
Kaliforni, 18 prill 2023