E enjte, 01.12.2022, 02:30 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Tahir Bezhani: Kufiri, luftërat dhe vuajtjet që edhe sot gjëmojnë shpateve e maleve të Rugovës krenare

E enjte, 27.10.2022, 06:58 PM


KUFIRI, LUFTËRAT DHE VUAJTJET QË EDHE SOT GJËMOJNË SHPATEVE E MALEVE TË RUGOVËS KRENARE

Rastësia e  takimit  me një personazh, që me  kujtesën e ruajtur gjatë të rikthen kohën, historinë  me plot gjurmë dhimbje, që nuk na u larguan kurrë...

Reportazh nga Tahir Bezhani

Rastësitë janë ngjarje të bukura të jetës, kur ato riciklojnë kohën, kujtesën e ngjarjeve  me rëndësi për mbamendje. Ende janë të gjallë personalitetet që dinë të rrëfejnë për kohën e ikur përmes gishtërinjve dhe kur dëgjon nga ata  ngjarjet e kohëve të kaluara e të përjetuara, të duket sikur të kishe qenë pjesëtar i atyre ndodhive dhe vuajtjeve.

Një e tillë rastësi më ngjau të martën e 25 tetorit të këtij viti, kur me mikun tim, Skënder Sadrija nga fshati  Berjah i Gjakovës, shkuam në Shkrel të Rugovës së Pejës, për vizitë atyre bukurive të rralla të Alpeve tona. Tërë rrugës, asaj gryke, perlë bukurie rugoviane, gjersa Skënderi drejtonte makinën me kujdes, hapja sytë,  doja t’i përpija gjitha ato maja e shpate, që vjeshta ua kishte dhënë pamjen magjepsëse, me spektrin plot ngjyra të gjetheve të llojllojshme para rënies në tokën e vet.

Sa shpejt mbërritëm në Shkrelin e bukur, vendlindjen e poetit të madh Azem Shkreli. Përmes Kushotanit historik, ngadalësoi shpejtësinë Skënderi, për të parë sa më mirë ato bukuri natyrore.

Rruga e asfaltuar, ndonëse me gropa të hapura, mundësonte shijimin e atij pejsazhi me ato bukuri  përrallore. Gjatë gjithë rrugës mahniteshim me ndërtimet aq të hovshme dhe të bukura atyre shpateve të thyera. Të binin në sy vila moderne të ndërtuara me standarde bashkohore.

Këtu po ndalemi dhe pushojmë, më tha miku im, Skënderi. Në oborrin e dy vilave të bukura vërejta një grua të moshuar, ulur në tavolinën e saj. Menjëherë u ngrit dhe na uroi “mirëseardhjen” tradicionale rugovase.

Mendova se po vjeshtonte në këtë muaj, por ajo nuk vonoi e tregoi se është e lindur në fshatin Stankaj të Rugovës. Nurije e kam emrin, foli ajo. Dhe fjala nxjerr fjalën si kashta kashtën. E pyes se e çfarë familje në Stankaj. Ajo krenarisht zbrazi përgjigjen e saj, jam e bija e Zhukë Haxhisë dhe pushoi duke hedhur shikimin majave të largëta, sikur të kërkonte diçka të humbur moti....

Po unë kam dëgjuar këngë dhe fjalë trimërie për Zhukë Haxhinë e disa të tjerë, për luftërat në kufi me Malin e Zi. Gjitha ato trimëri e pak folet sot, i them unë. Pas pak, i lutem Nurijes që të na flasë më shumë për babain e saj, nëse i kujtohet ndonjë ngjarje e asaj kohe. Më shikoi thellësisht në sy, sikur donte të dinte qëllimin dhe kureshtjen time për Zhukë  Haxhinë, atë trim të paepur në mbrojtjen e kufirit dhe trojeve tona nga çetnikët  serbo-malazezë të atyre viteve të pasluftës së Dytë botërore.

Majtas: Mehmet Hysenaj, Nurije Zhukë Haxhija-Hysenaj

Unë isha njëvjeçare kur babai im ishte burgosur nga regjimet e atëhershme. Kur fillova të rritem, dëgjoja për bëmat e babit tim, luftërat  në Çakorr, Shekullarë e gjithandej, duke mbrojtur megjën e vendit  tonë. Por babai im, Zhukë Haxhija, nuk ishte vetëm. Ai si komandant kufiri kishte edhe 60 veta, të gjithë djem azgona e të zotët e luftës, vazhdoi rrëfimin prekës z. Nurija.

Me hapa të ngadalë, duke u mbajtur me një shkop në dorë, ofrohej bashkëshorti i Nurijes, Mehmet Sadik Hysenaj, veteran i arsimit ,burrë që bart mbi vete 82 vite të jetës plot vuajtje. Por, këtë mundim ia kanë shpërblyer (tani) djemtë e tij, të cilët i ka profesorë në fakultete të Kosovës. Çdo njeriu mundi i shpërblehet atëherë kur fëmijët prosperojnë me arritjet në shkollim të lartë, siç iu ka shpërblyer Mehmetit, i cili tani jeton  në Pejë, por veron e vjeshton edhe ne Shkrel të Rugovës.

Xha Mehmeti, në pak minuta, rrëfeu gjithë historikun prej mësuesi nëpër fshatrat e Rugovës, duke ecur këmbë dhjetra km në ditë, dimër e verë, maleve e shpateve mjaft të zorshme nëpër stinët të vitit. Për gjithë mundin e tij, sot në moshë të shtyrë, gëzon autoritet kudo nga njerëzit e  të gjitha moshave, sepse nga goja e tij, buron urtësia, çiltërsia dhe arsyeja e fjalës njerëzore. Pas bisedës me veteranin moshuar të arsimimit  tonë, Mehmet Hysenaj, bisedën interesante e vazhduam me z. Nurije (Zhukë) Haxhija-Hysenaj, e cila vazhdoi fjalën nga aty, ku e la: Kur më tregonin bëmat e babait tim në rritje e sipër, ndihesha krenare dhe shumë e lumtur, pos që atëbotë, nuk guxonim të flisnim dhe të shfaqnim lumturinë dhe krenarinë ndaj prindërve tonë.

Kur më flisnin  në familje se Zhuka ka qëndruar gjithandej shpellave të Rugovës, duke u fshehur nga armiku i regjimit që e kërkonin për ta burgosur ose vrarë, meditoja se si mund të kalojë jetën njeriu nëpër shpella gjithë atyre dimrave të ashpër dhe të shpëtojë...Bukën (ushqimet) ia dërgonin njerëzit e zgjedhur të Rugovës.

Pas dy-tre vitesh nëpër shpella, e hetuan dhe e zunë Zhukë Haxhinë, me gjashtëdhjetë luftëtarë të tjerë. Disa i vranë me varje, si Ukë Sadikun e Ajet Gërgurin, disa vdiqën në burgje të regjimit jugosllav...

Kur doli baba im prej burgut, diku mes viteve të gjashtëdhjeta, unë isha 16-17 vjeçe. Askush nuk e ka njohur në pamje, pos nga zani, nga e folmja e tij. Si e re që isha, pa e njohur akoma babin tim, me gjithë dëshirën për t’iu hedhur në përqafim, strukesha nga dhimbja dhe tmerri që kisha dëgjuar për përjetimet e tij nëpër burgjet sllave. Këtu ndaloi rrëfimin e saj z.  Nurije, sikur se iu parafytyrua e gjithë ajo kohë vuajtjesh, si në një shirit filmi.

E tani si e vlerësoni kohën z. Nurije, me gjithë këto vuajtje dhe peshë të rënda përjetimesh, si e ndieni veten si bijë e Zhuk  Haxhisë në këtë kohë e në këtë moshë, e pyeta prej kureshtjes sime, por edhe nga gëzimi që pata rastin rastësisht ta  njoh.

Eeee! Si ndihem sot!...Pasha loken zor e kam të flas, por edhe brenda nuk rrin zjarri.... Keq u ba me kufirin mes Kosovës e Malit të Zi. Është derdhë shumë gjak për atë kufi. Nuk duhej t’i falet aq shumë tokë atyre që nuk na danë kurrë të zezën. A e patën pak Plavë e Guci-a?....

Me këto fjalë të z. Nurije, bija e luftëtarit Zhukë Haxhija, sikurse na u mbyll goja për të bërë pyetje të tjera kësaj gruaje fisnike, të cilën koha e ka ndrydhur, por edhe krenuar, duke qenë bijë e një familje me vlera e virtyte kombëtare. Për Zhukë Haxhinë e bashkëtrimat e tij, pak është shkruar, më shumë janë thurur këngë trimërie për të mos mbetur në harresën e kohës.

Ishte kënaqësi koha që kaluam me z. Nurije, bijën e trimit për mbrojtjen e tokave shqiptare nga zaptuesit e huaj, dhe z. Mehmet Sadik Hysenaj, veteran i arsimit, një burrë i sojnisë dhe atdhetarisë. Falënderoj mikun tim, Skënder Sadrinë, që më ofroi mundësinë e një shëtitje të bukur me ç‘rast njoha personazhet e këtij reportazhi.

Shkrel-Rugovë,

25 tetor 2022



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora