E marte, 30.04.2024, 11:37 AM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Urim në kohë lufte

E hene, 22.08.2022, 05:50 PM


URIM NË KOHË LUFTE

Nga Visar Zhiti

Lexoj sot një urim, që më duket i veçantë dhe më prek,

poeti nga Kosova, Jeton Kelmendi uron poetin nga Ukraina, Dmytro Chystiak, për datëlindjen e tij, u bashkohem dhe unë. I njoh të dy, i kam miq, i dua, janë të rinj, profesorë universitetesh, njëri në Prishtinë e tjetri në Kiev.

Urime datëlindjesh janë fare normale në rrjetet sociale, në fb, etj, të shpeshta brenda një dite, edhe një ore, kaq shumë njerëzorë, të bukur. Kështu duhej të ishte dhe urimi i Jetonit mikut të Dmytro-s. Por poeti Ukrainas është në luftë, s’ka ikur nga vendi i tij që po përballet me Rusinë e egërsuar tmerrshmëm, që po vritet për lirinë e saj, për ëndrrën euroatlantike, e kuptojmë, është dhe ëndrra jonë, e Shqipërisë me Kosovën… dhe ditëlindja e poetit Dmytro Chystiak më shumë se sa me urime rrethohet me gjëmime bombash, në vend të fishekzjarreve të festës, përflaken plumbat e luftës, gotat e verës së kuqe duken si me gjak dhe ai nuk u përgjigjet dot urimeve sot, ndoshta duhet të mbartë të plagosur, të vejë në front, të shkruajë një raport tjetër për luftëtarët e tij siç dhe bën, për avancimet, një apel tjetër botës, një interviste televizioneve të huaja, një poezi të re në shtëpinë, ku dritaret i ka zënë me libra, siç kam shkruar, që të mos duket drita jashtë, që të mos ta diktojnë ata që hedhin predha kundër njerëzve…

Po Jetoni mbase e kupton më mirë nga të tjerët Dmytro-n, jo vetëm pse janë miq, ndoshta dhe moshatarë, poetë të dashur, me shumë libra e të përkthyer, por dhe Jetoni ka patur shumë datëlindje të rrezikshme në luftë, kur Kosova luftonte me pushtuesin serb, kur pas Beogradit është Moska, që tani kërkon të gllabërojë Ukrainën dhe Ukraina, që s’e kishte njohur shtetin e ri të Kosovës, po kërkon ta njohë tani, që është në luftë se edhe shtetet janë si njerëzit, etj, mendime kësisoj më kapën, kur lexoja urimin e sinqertë të Jetonit dërguar Dmytro-s, edhe 100 vite të tjera, i thotë, unë i besoj këtij urimi, është më i fortë se lufta, e bën me turp Kremlinin, lidershipin indiferent të botës, sa i kotë absurdi kriminal e i llahtarshëm i sofistikimit të armëve shfarosëse… etj, etj, ky urim i thjeshtë kalon sipër të gjitha si një zog pêrjetësie nga zemra e njeriut në zemrën e së ardhmes…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora