Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Adem Jasharët lindin rrallë
E diele, 10.07.2022, 06:50 PM
Blerim Latifi:
10
korrik 1945, 77 vjet më parë. Vendi: Prizren. Ngjarja: Konferenca e KKÇ-së.
Çështja: Bashkimi i Kosovës me Serbinë. Komunistët kosovarë, në krye me Fadil
Hoxhën, janë para një dileme të madhe:
-Nëse
kundërshtojnë këtë bashkim, atëherë i pret fundi, burgu ose vrasja!
-Nëse
e nënshkruajnë, i pret pushteti i përjetshëm brenda Jugosllavisë Socialiste!
Ata zgjodhën alternativën e dytë dhe ne ende sot, pas 77 vitesh, vuajmë pasojat
zgjedhjes së tyre.
Dikush
mund të thotë se në ato rrethana ishte i pamundur ndalimi i bashkimit të
Kosovës me Serbinë, sepse jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria praktikisht ishin
nën kontrollin politik të Titos. Mbase, por një gjë ishte në duart e Fadilit
dhe shokëve të tij: t'i thonin Jo një vendimi që ishte qartë në kundërshtim me
vullnetin e popullit të Kosovës dhe të respektonin kërkesat e Konferencës se
Bujanit. Nuk patën zemër ta nxirrnin nga goja këtë Jo. Siç thotë Hegeli:
"frika nga vdekja i shtyn njerëzit ta braktisin ëndrrën e lirisë dhe ta
pranojnë robërinë".
Prandaj
Adem Jasharët lindin rrallë. Shumë rrallë.
_______
Sharjet
dhe ofendimet e ndyta të cilat sot i hasim gjithandej rrjeteve sociale ku
komunikohet në shqip, duket të mos jenë fenomene të vonshme të lidhura me
krizat anomike të shoqërisë. Faktet na
tregojnë se kjo është një praktikë komunikative e rrënjosur prej kohësh në
traditën e shqiptarëve.
Në
librin e tij të shkelqyeshëm mbi Selanikun, “Selaniku- Qyteti i fantazmave”,
historiani britanik Mark Mazower tregon se si gjatë shekullit XIX Selaniku ishte kthyer në njërin nga
qytetet më multietnike jo vetëm të Perandorisë Osmane, por edhe të krejt
Europës. Në qytet fliteshin dhjetëra gjuhë dhe gjeje njerëz nga dhjetëra grupe
etnike. Në mesin e tyre, natyrisht, kishte edhe shumë shqiptarë. Por nuk ishte
gjuha ajo që parasegjithash i dallonte shqiptarët nga grupet e tjera etnike që
mbushnin jetën sociale të Selanikut. Ishte diçka tjetër. Shqiptarët, shkruan
Mazower, dalloheshin menjëherë nga të tjerët me mënyrën se si i drejtoheshin
njëri tjetrit, duke i sharë njëri tjetrit nanën, gruan, motrën, familjen dhe
duke e etiketuar njëri tjetrin më termat që lidhen me kafshët dhe jashtëqitjen.
Sot
romantikët dhe nostalgjikët e ndryshëm janë të prirur ta idealizojnë dhe
glorifikojnë traditën, por kur i shohim gjërat me syrin e realistit, atëherë e
kuptojmë se një pjesë e konsiderueshme e problemeve të cilat na e komplikojnë
sot jetën, i kanë rrënjët pikërisht në vetë traditën.
Rëndom
të parët nuk kujdesen që pasardhësve t’u lënë trashëgim vetëm gjërat e mira,
por, dashur pa dashur, bashkë me to u lënë trashëgim edhe plehun e tyre.
_______
Vrasja
e ish kryeministrit japonez Shinzo Abe ishte lajmi kryesor në botë. Në Kosovë u
kujtuan takimet e përfaqësuesve tanë shtetëror me të dhe marrëdhëniet e mira që
ekzistojnë midis Kosovës dhe Japonisë. Ndërkaq, nuk na ra ndërmend një fakt
tjetër shumë i rëndësishëm: Që nga përfundimi i luftës, Japonia ka ndihmuar
Kosovën në shumë fusha, ndihmë që sipas statistikave kapë shifrën e mbi 550
milionë dollarëve.
Dhe
krejt këtë pa bërë reklamë, pa propagandë, pa kushtëzime ideologjike, pa
agjenda të fshehta johumanitare. Sepse disa popuj edhe në bamirësi tregojnë
zotnillëk. Dhe japonezët pa dyshim bëjnë pjesë në mesin e tyre.
_______
Edhe
sikur të merren parasysh krejt standartet më të mira që ekzistojnë në vendet më
demokratike, një ligj për konfiskimin e pasurisë së paligjshme ka gjasa të
kalojë në Kuvendin e Kosovës aq sa ka gjasa që një kope ujqish ta dekretojë një
ligj që ua ndalon ngrënien e deleve.
Askush
nuk është aq budallë sa të bëj ligj kundër vetes!
Mos
ia ofendoni intelektin publikut!
_______
Dikur
Milan Radojçiq endej në mënyrë krejt të lirë nëpër Kosovë. Madje hynte edhe në
institucionet e saj. Sot ka ardhë puna që del sipër maleve në Veri, bën video
si një kaçak dhe porsi kaçak zhduket përsëri. Videoja e tij më shumë se
kërcënim për Kosovën, është kërcënim për serbët e veriut që të mos guxojnë të
tentojnë të dalin nga vija e Beogradit.
“Lista
e zezë e amerikanëve”, në fakt, është listë e bardhë për njerëzit që duan të
bëjnë jetë normale, pa frikën e banditëve të veshur me pushtet politik dhe
ekonomik. Si e tillë kjo listë është mirë të zgjerohet edhe më tutje. Sepse
banditokracia ka rrënjë të thella dhe të shumëfishta këndej pari.
_______
Të
gjitha kryengritjet shqiptare në Kosovë, duke fillu nga ajo e Pjetër Bogdanit,
në vitin e largët 1689, kanë pasur përfundim tragjik, janë shuar me gjak nga
pushtuesit, pa arritur t'i përmbushin aspiratat e tyre. Me përjashtim të
njërës, kryengritjes së UÇK-së.
Nesër,
kur të jenë shuar inatet personale dhe grindjet e politikave ditore të brezit
tonë, historia do ta mbaj këtë shënim. Të tjerat do t'ia dhurojë harresës.
_______
Kurti e paska vazhduar traditën e kryeministrave para tij, duke hipur në kombanjë.Fotografi e mirë.Llajka sa të duash. Por përtej fotografisë, realiteti është krejt ndryshe. Edhe pse Kosova ka mjaft tokë të punueshme, importi i grurit vazhdon të jetë shumë i lartë. Punimi i tokës ka vite që është kthyer në një veprimtari të nënçmuar tek ne. Mjafton të endesh pak nëpër fshatrat e Kosovës për t'i parë djerrinat që rriten nga viti në vit.Shumica e kanë mendjen ose të blejnë një banesë në katastrofën urbanistike të Fushë Kosovës ose të dalin jashtë.
_______
Sundimtarët
romakë e kishin një formulë të famshme për të mirëmbajtur disponimin e mirë të
popullit: Bukë dhe lojëra popullit!
Kanë harruar të shtojnë: Edhe ujë popullit!
_______
Boll i dobët ka qenë Shpend Ahmeti, por në kohën e tij mbeturinat janë hequr çdo ditë. Ky pasardhësi i tij, siç po duket, as që po lodhet për këtë punë. Thua se nuk vjen nga përvoja e Londrës, por e Somalisë a e Bangladeshit. Nëse vazhdon kështu, pas katër vitesh, të jeni të sigurtë se në raport me të Shpend Ahmeti do të duket yll.