E marte, 06.12.2022, 02:13 PM (GMT)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Selenica - Madona e Arit të Zi

E diele, 10.04.2022, 07:00 PM


SELENICA – MADONA E ARIT TË ZI

Vështrim i shkurtër historik

Në nderim të kujtimit të Lulo Musai (Spahaj)

Pilot i Klasit të Parë

Qytetar Nderi i Selenicës

Nga Fotaq Andrea

Në Lashtësi, prania e shtresave të bitumit shihej e trajtohej si diçka e shenjtë, përcaktuar nga një orakull i veçantë që interpretonte valëzimin në ajër të një flake dalë nga nëntoka si vetë vallëzimin e shtojzovalleve apo të atyre nimfave të dikurshme, siç quheshin zotat, orët dhe zanat, “çupkat hyjnore” që harboheshin në natyrë, lëndinave, pyjeve, maleve, liqeneve, etj. me një lloj “dehjeje të shpirtit” dhe me fuqi vepruese magjike tek njerëzit. Për nder të këtyre nimfave, u ngrit në Jug të Apolonisë së Ilirisë, që në shekullin VI, një Nimfaeum, shenjtërore në nderim të flakëve që digjeshin ku këtu, ku atje, shfaqur për së largu në krejt peisazhin Apoloni-Selenicë, duke dëshmuar kësisoj për një vendndodhje të pasur shtresash gazmbajtëse, naftëmbajtëse e bituminoze në gjithë zonën, e cila, sipas autorëve të vjetër, ka qenë e njohur dhe e shfrytëzuar që prej kohëve më të hershme.

Përdorimi i bitumit natyror, apo serës, për vetë cilësitë e shumta të tij, e në radhë të parë për padepërtueshmërinë që e karakterizon, duke qenë njëkohësisht edhe element i fortë lidhës, njihet të paktën që gjatë mijëvjeçarit V para J.K. Në Lindjen e Mesme, shumerët shfrytëzonin shtresat e bitumit natyror si “llaç” ngjitës të tullave a gurëve, si dhe për kallafatimin e anijeve, ndërkohë që Herodoti flet edhe për përdorimin e bitumit të ngrohtë në ndërtimin e mureve të Babilonit.

Sera përdorej gjithashtu nga egjiptianët e lashtë për të ballsamosur mumjet e tyre dhe vetë moom është pikërisht fjala perse për të përcaktuar asfaltin, nga ku termi mumje. Burimi kryesor i serës tek egjiptianët e lashtë ishte Deti i Vdekur, që romakët e njihnin me emrin Palus Asphaltites.

Në vitet 40, pas J.K., Dioskoridi  e cilëson materialin e nxjerrë nga Deti i Vdekur si bitum Judaicum, ndërkohë që Plini nuk mungon t’i referohet bitumit të njohur të Epirit.

Bitumi ka qenë, nga ana tjetër, një lëndë strategjike e çmuar dhe si i tillë ka qenë objekt i luftës së parë për të shtënë në dorë një shtresë hidrokarburesh midis selçudikëve e nabateanëve në vitin 312 para J.K.

Shtresat e bitumit shqiptar njihen me emrin e famshëm “selenizza”, bitum i hidrokarbonizuar në gjendje të ngurtë dhe me zanafillë natyrore. Vetë emri i lëndës burimore vjen pikërisht nga toponimi Selenica, e vetmja minierë asfalti në Europë ende në gjendje aktive shfrytëzimi e përdorimi.

Në bazë të autorëve të hershëm dhe të studimeve të kryera, nxjerrja e serës shqiptare është kryer në mënyrë të organizuar të paktën që në kohën e romakëve. Miniera e Selenicës përmendet kështu në Antikitetin e lashtë nga Artistoteli, rreth vitit 350 para J.K, i cili jep edhe një përshkrim të këtij bitumi natyror të depozituar: “Në Apoloni, që ndodhet në afërsi të vendit të Taulantëve, thuhet se ka bitum që mund të përftohet me anë gërmimi, si dhe falë lëndës ziftore që del nga nëntoka”.

Selenice, 1927.

Është e njohur po ashtu se në Mesjetë, sera e lëngshme dhe e nxehtë është përdorur si mjet “lufte” për mbrojtjen e kalave dhe të pikave strategjike kundër hordhive pushtuese. Gojëdhanat shqiptare flasin për hedhje zifti të nxehtë nga bedenat e fortifikatave që nga koha e Skënderbeut kundër ushtrive të ish superfuqisë së kohës Perandorisë osmane, e cila forcën e saj e mbështeste në epërsinë numerike me ushtri prej 100-120 mijë vetësh, përballë një kundërshtari me jo më shumë se 10-15 mijë vetë. Por zifti i nxehtë, vërtitur nga lartësitë e mureve fortifikuese, për vetë efektet imediate që kishte si armë mbrojtëse, “nguroste” në vend, paralizonte e shfaroste mizëri trupash. Tradita vinte që nga koha e Aleksandrit të Madh dhe e Pirros së Epirit që e kanë përdorur ziftin si “armë lufte”. Kështu, sipas Plinit, autor i Historia Naturalis, në vitin 77 të erës sonë, kundër « tankeve » të kohës siç konsideroheshin elefantët e luftës, lyheshin derra të egër me zift, që ndizeshin flakë e liheshin në gjendje të lirë për të tmerruar me kuisiet e tyre të llahtarshme rreshtin e parë të elefantëve që përdoreshin për luftë nga ushtritë helene, epirote, kartagjenase e romake.

Më 1553, natyralisti francez Pierre Belon flet në veprën e tij Observations (Vëzhgime) për një përzierje rrëshire e bitumi që përdorej nga Republika e Raguzës për veshjen me zift të anijeve të saj.

Selenice, dekovioli, 1916

Pas shekujsh “heshtjeje”, për shkak luftërash të vijueshme në trojet shqiptare, si dhe për shkak të sundimit të gjatë pesëshekullor osman në Arbëri dhe në Turqinë europiane, më 1868, paleontologu francez Henri Coquand jep për herë të parë një përshkrim gjeologjik të bitumi shqiptar. Por edhe më herët se Coquand, që në fillim të shekullit XIX (në vitet 1812-1813), do të ishte mjeku anglez Sir Henry Holland ai që do të jepte një përshkrim të imët të bitumit shqiptar të Selenicës në veprën e tij madhore “Travels in the Ionian Isles, Albania, Thessaly, Macedonia etc.” (Udhëtime në Ishujt Jonianë, Shqipëri, Thesali, Maqedoni, etj.). Një dhjetëvjeçar pas këtij udhëpërshkruesi anglez, mik i Ali Pashë Tepelenës dhe dashamirës i shqiptarëve, do të shquhej një tjetër udhëpërshkrues, këtë radhë francezi François Pouqueville, konsulli i Napoleon Bonapartit në Oborrin e Pashait të Janinës, i cili do të jepte edhe ai për Selenicën dhe rrethinat e saj, ashtu si për mbarë trojet shqiptare, një përshkrim tepër të hollësishëm në rrafsh gjeografik, historik e etnografik. Por, ndërsa Lord Byron dhe Sir Holland do të flisnin plot dashuri për Pashallikun e Janinës dhe shqiptarët, Pouqueville, si filohelen i apasionuar, nuk do mungonte të fliste herë pas here me paragjykim për shqiptarët. Sidoqoftë, ky huazon mjaft paragrafë nga H. Holland për historikun e minierës së Selenicës dhe vetitë e serës së saj, pa munguar të shfaqë edhe mendime personale lidhur me interesat franceze për këtë lëndë të parë të domosdoshme për shtrimin e rrugëve,  duke u shfaqur kështu sa origjinal, aq edhe largpamës e erudit i shkallës së epërme.

Rreth viteve 1830, filloi të rigjallërohej në Francë, por edhe në Angli, interesimi për përdorimin e asfaltit në shtrimin e rrugëve, trotuareve dhe sidomos të taracave të sheshta në godina, por edhe për veshjen e brendshme të çisternave. Dukuria filloi të përhapej me shpejtësi edhe në vende të tjera të Europës.

Një nga përdorimet e para të bitumit në Francë ka qenë veshja e Sheshit të Konkordës (viti 1835) prej 24 mijë metra katrorësh në qendër të Parisit me asfaltin e markës “Seyssel”, prodhuar në Savojën e Sipërme të Francës. Por nuk do vononte dhe veç kur do shiheshin sipërmarësit francezë dhe kompanitë e asfaltit të kthenin sytë edhe nga shtresat bituminoze shqiptare, konkretisht nga minierat e Selenicës apo nga Nimfaeumi i lashtë, siç njihej në atë kohë. Bëhej fjalë tanimë për një lëndë të parë me veti të jashtëzakonta, sidomos për shtrimin e rrugëve me asfalt, për të zëvendësuar shtrimin e tyre me plloça a kalldrëme, duke  paralajmëruar kështu zhvillimin e shpejtë të industrisë së asfaltit në Angli, Francë, Gjermani në mesin e shekullit XIX, dhe sidomos zhvillimin e vrrullshëm të industrisë automobile në rrugë të asfaltuara të Europës në dhjetëvjeçarët e fundit të atij shekulli.

Më 1875, do të ngrihej Shoqëria e parë franceze për shfrytëzimin e hidrokarbureve të ngurta të Selenicës, falë një koncesioni të dhënë nga qeveria osmane e kohës. Dokumentacioni që botojmë për herë të parë me këtë rast, pasqyron në mënyrë të hollësishme ndërtimin e “Shoqërisë franceze të Minierave të Selenicës”, objektivat dhe detyrimet e saj, rregulloret, reklamimet, e deri te prodhimi vjetor gjithnjë në rritje, duke filluar nga 2.000 ton në vit, për të arritur në periudhën 1908-1911 në mbi 5.000 ton.

Nxjerrja e bitumit Selenice, 1916, Misioni Baldacci

Më 1884, nënkonsulli i Francës në Janinë Sauvaire i dërgon letër të hollësishme Ministrit të tij të punëve të jashtme për t’i tërhequr vëmendjen rreth vlerave të mëdha të serës shqiptare të Selenicës dhe nevojave gjithnjë në rritje që ka Franca për të shtuar në Shqipëri shfrytëzimin e bitumit dhe të nënprodukteve të tij. Jep një historik të shkurtër të minierave të Selenicës që nga Lashtësia dhe pasqyron mënyrën primitive të shfrytëzimit të tyre; ndalet në kapacitetevet e mëdha që zotërojnë këto miniera për nga cilësia dhe sasia e prodhimit, pa munguar të japë edhe rekomandimet e nevojshme për përmirësim e shtim të prodhimit.

Më 1897, Shoqëria franceze e minierave të Selenicës, çel në mjediset e veta një ekspozitë me produkte e nënprodukte të bitumeve shqiptare, duke reklamuar cilësitë e tyre të veçanta e të rralla dhe sidomos duke i bërë jehonë studimit të gjeologut dhe paleontologut të njohur francez Henri Coquand (1811-1881) për shtresat bituminoze në Shqipëri.

Gjatë sundimit osman, Selenica dhe rrethinat e saj, ashtu si krejt trojet e Arbërit, trajtoheshin thjesht si një çiflig perandorak, dhe vetëm nga fundi i shekullit XIX, fillimi i shekullit XX do të konsideroheshin si fermë shtetërore. Pikërisht sistemi i koncesionit vendosur që gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX do të shtronte njëkohësisht edhe çështjen e sovranitetit të saj. Nimfa Selenicë, shtojzovallja shqiptare po shndërrohej kësisoj, gradualisht, në burim të ardhurash të mëdha për sipërmarrësit e huaj për vetë thesarin e pasur që përmban toka dhe nëntoka e saj, duke u shfaqur me përmasë të fuqishme europiane e botërore, si një Madorë ari të zi.

Në fund të vitit 1893, organi Paris-capital, gazetë financiare, botonte një artikull titulluar « Shoqëria e minierave të Selenicës”, në të cilën vihej në dukje se aksionarët e Shoqërisë Selenitza ishin mbledhur në kuvend të zakonshëm nën kryesinë e Achille Monchicourt dhe shfaqeshin entuziastë për një periudhë trevjeçare të frytshme të Shoqërisë së tyre; se prodhimi mineral kishte tejkaluar tërë shpresat e tyre; se cilësia e bitumeve të nxjerra i kishte dhënë tashmë provat e saj; se ishin siguruar tregje shpërndarjeje dhe se tregu kryesor i tyre mbetej vetë qyteti i Parisit.1

Në fund të shekullit XIX, përherë e më shumë do flitej në Francë – dhe shumë shpejt në Europë –, për karakteristikat e veçanta të serës së Selenicës edhe si një produkt me veti insekticide. Veçoritë e karbonit  sulfuror bituminoz të minierave të Selenicës bënin të mundur shkatërrimin e filokserave, insektit që sulmon vreshtat, duke i çliruar këto tërësisht nga ky parazit tepër i dëmshëm. Sipas S. Jay (Sekretar i Buletinit të Shoqërisë bujqësore të Joigny, janar 1894), trajtimi i vreshtave bëhet në këtë rast me anë karboni të sulfuruar bituminoz, duke i shtuar squfur të pastër, metodë tepër efikase për mbrojtjen vreshtave nga parazitët.

Rruga Selenice –Vlore dhe dekovili per transportin e bitumit shqiptar, 1916

Më 1900, inxhinieri i shquar amerikan George W. Tillson, kishte studiuar nga afër bitumin natyror shqiptar dhe vinte në dukje: “...Një minierë e rëndësishme bitumi është lokalizuar pranë Avlonës në bregun e detit Adriatik. Miniera i përket sulltanit, por i është dhënë me qira një korporate franceze. Materiali nxirret në gjendje të ngurtë apo të lëngshme dhe eksportohet në Europë e në Amerikë.” 2

Në dhjetor 1912, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe rrënimit të perandorisë osmane, ministri francez Henri Poincaré, i cili nuk do vononte dhe do bëhej president i Francës në maj 1913, do të deklaronte  para Komisionit të Punëve të Jashtme se Franca ka interesa të mëdha për “ruajtjen dhe mbrojtjen e Europës dhe të Azisë së Vogël, (...) se kapitale franceze të konsiderueshme janë të angazhuara si në Turqi, ashtu dhe në shtetet ballkanike, (...) se bashkëpatriotët tanë janë pjesëmarrës në një numër të madh koncesionesh të shërbimimt publik, (...) dhe se Shoqëria e Portit dhe e skelave të Selanikut, si dhe minierat e Kasandrës e të Senelictza-s janë franceze (...) . ”3

Gjatë Luftës ballkanike trupat franceze pushtuan Selenicën në 3 nëntor 1915, gjë që u quajt nga shtypi i kohës “Suksesi i trupave franceze”, që arritën të dëbojnë bullgarët nga Selenica, të cilët sulmonin serbët gjatë tërheqjes së tyre nëpër Shqipëri.

Më 1920, Herbert Abraham,  në veprën e tij monumentale për bitumet thekson: “Shtresat bitummbajtëse shqiptare janë mjaft të famshme dhe ndodhen në bregun e detit Adriatik (...). Në bashkimin e lumenjëve Vjosa dhe Shushica ekziston një burim i rëndësishëm bituminoz, disi i ngurtë, përzier me gres dhe konglomerate, me gjerësi venoze prej tre metrash. Janë gjetur aty fosile detare që dëshmojnë për një depozitë me origjinë shtazore. Bitumi thyhet me një frakturë konkoidale, duke dhënë sipërfaqe të llustërta. Përmban 8 deri në 14 % lëndë minerale. Janë  nxjerrë deri më sot sasi relativisht të mëdha”.4

Në një tjetër artikull botuar në gazetën franceze Le Temps, 11 tetor 1925, nën titullin “Kërkimi i naftës në Shqipëri”, vihej në dukje se ishte përfunduar një “marrëveshje midis Anglo-Persian Oil Company dhe Shoqërisë së hekrudhave italiane për kryerjen e shpimeve në Shqipëri. Koncesionet e këtyre dy shoqërive ndodhen në afërsi të së njëjtës rrugë që shpie në det.” Anglo-Persian Oil Company kishte ngritur për këtë qëllim një filial me kapital prej 50 mijë lirash, gjë që po ngjallte interesimin e Shoqërisë së hekurudhave italiane. Po ashtu theksohej: “Gjeologë të ndryshëm kanë studiuar mundësitë naftëmbajtëse në Shqipëri, dhe rekomandimet e tyre i kanë shprehur në një artikull të Mining Magazine  hartuar nga D. A. Wray, ku parashtrohen shumë tregues të shtresave naftëmbajtëse. Vihet ndër të tjera në dukje se “Në Selenicë ekzistojnë burime të pasura në bitum (7 milje në veri-lindje larg Vallona-s). Një shoqëri franceze shfrytëzon këtë bitum dhe prodhimi i saj vjetor është prej 7.000 tonësh”5.

E njëjta gazetë franceze vijonte: “Një  pjesë e madhe e asfatit të bulevardeve parizianë  vjen nga minierat e Selenicës. Janë vërejtur dy shpërthime nafte në këtë rajon, si dhe shfaqje të ngjashme pranë Durrësit. Prania e naftës me ujë të kripur dhe gulfime gazi janë zbuluar në Bukovik, 7 milje në jug-perëndim të liqenit të Shkodrës.

E më tej: “Tërë treguesit e studiuar në vend lejojnë të vërehet prania e naftës jo vetëm në një zonë të tërë për të cilën po flasim, por edhe në zona të tjera të Shqipërisë së Epërme në shtresat e neogenit.”

“Z. Wray thekson se një studim gjeologjik shumë i përpiktë duhet të kushtëzojë shpimet për kërkime. Për mendimin e tij, rajonet e thyera të Shqipërisë qendrore e veriore nuk duhet të përmbajnë naftë por, në të kundërt shpime në rajonin e Tiranës dhe të Elbasanit, si dhe në afërsi të kufirit grek kanë shumë mundësi të jenë të frytshme. Formimi gjeologjik i këtij rajoni i përket terciarit, me rrudhosje të mëdha të terrenit.”

“Zbulimi, në bazë të treguesve të përcaktuar, përfshin fusha të gjera naftëmbajtëse në tërë këtë rajon, dhe do ketë ndikim të madh ekonomik për Jugosllavinë e Europën lindore.”

Në tre artikuj radhazi të New York Herald Tribune, nën titullin “Zbulime të bujshme rreth gjenezës së Traktatit të Tiranës”, janar 1927, parashtroheshin konkluzionet e Paktit të Tiranës që lidhnin Shqipërinë me Italinë, duke e cilësuar krejt Shqipërinë të kolonizuar ushtarakisht, politikisht, ekonomikisht e financiarisht, nisur nga interesa të fuqishme italiane për kontroll të naftës në Shqipëri nëpërmjet Kompanisë italiane “Selenica”, që përfitonte koncesione të shumta në rajonet naftëmbajtëse të vendit.

Në dy artikuj të tjerë të viteve 1927 dhe 1939, dalin në pah qëllimet e qeverive fashiste italiane për pushtimin dhe skllavërimin e Shqipërisë dhe vartësinë e saj të plotë ekonomiko-financiare ndaj kapitalit italian, që “ka synime të drejtpërdrejta ndaj Vlorës dhe rrethinave të saj, e sidomos për bitumin dhe naftën shqiptare”, si një burim kryesor për të mbajtur të “ushqyer” makinerinë e luftës dhe të aviacionit ushtarak fashist.

Tërë shkrimet dhe dokumentet që kemi paraqitur në këtë përmbledhje të shkurtër titulluar “Selenica, Madona e Arit të Zi” i bëjnë jehonë pasurisë së minierave të saj, të cilat, sikurse theksojnë studiuesit, janë aq të pasura sa shfrytëzohen kryesisht në karrierë të hapur; por edhe më shumë nëpërmjet shpimesh nëntokësore të thella dhe me zgjatje prej disa kilometrash.

Sot sera “selenica” prodhohet edhe në formë kokrrizash, pas shkrirjes së blloqeve bituminoze seleksionuar në minierë.

Nuk mungojmë të theksojmë se lënda e parë “selenica” përdoret tanimë kryesisht si aditiv (lidhës) në ndërtimet rrugore. Përzihet me asfaltin tradicional për të përmirësuar vetitë visko-elastike dhe fortësinë e saj në rrjedhje të kohës. Mund të përzihet me asfaltin e nxehtë në cisterna, por forma e saj kokërrizore i jep mundësinë e përzjerjes në uzinat e asfaltit normal. Zbatime të tjera tipike janë edhe prodhimi i bitumeve të shkrira e të derdhura në forma kallëpesh të ndryshme për trotuaret, urat, parkimet dhe rrugët urbane, si dhe përdorimi i tyre në funksionin aditiv për industrinë e naftës e të gazit. “Selenica” është në gjendje pluhuri apo si lëndë kokërrizore me madhësi të ndryshme.6

Sigurisht, që emri i lashtë i Selenicës, Nifaeum, përcaktuar nga mori autorësh antikë e klasikë ka qenë në qendër debatesh shkencore që vazhdojnë sot e kësaj dite, dhe vetë FESH (Fjalori Enciklopedik Shqiptar – 2009), në zërin “Selenica” thekson: “Mendohet se këtu ka qenë Nimfaeu antik”. Sot një grup studiuesish, shqiptarë e të huaj, të përfshirë në një “Projekt hulumltimi transdisiplinor për shtresat bitummbajtëse të Shqipërisë jugore, nga Lashtësia deri në ditët tona – 2019”, kanë arritur në përfundimin se vendndodhja e mundshme e Nimfaionit antik nuk duhet të jetë as Selenica, as Frakulla, e Madhe apo e Vogël, por me shumë gjasa, kjo vendndodhje mund të lokalizohet në fshatin Armen, në Perëndim të Selenicës, që zotëron si shtresa bitumi e gazi natyror, ashtu dhe tregues arkeologjikë të favorshëm. Për më tepër që qendra Armen përputhet me një qytet të rëndësishëm të periudhës helenistike, ndoshta me Nikaian e lashtë, sikurse nënvizon studimi i fundit i grup-autërove shqiptarë e të huaj me të cilin mbyllim përmbledhjen tonë.

Në përfundim, dëshirojmë të shënojmë se kjo përmbledhje historiko-studimore për Selenicën, banorët dhe minierat e saj mori shkas nga vendimi i Bashkisë së Selenicës dhe Kryetarit të saj Z. Pëllumb Ismail Binaj për t’i akorduar, plot mirënjohje e respekt, titullin “Qytetar Nderi i Selenicës”, (pas vdekjes), aviatorit të shquar Lulo Musai (Spahaj), pilot i klasit të parë, bir i denjë i Shalë-Mesaplikut të Smokthinës. Në emër të familjes Musai falënderojmë Bashkinë e Selenicës dhe Z. Binaj për këtë nder të madh që na bëhet, si dhe Shoqatën e aviatorëve dhe veçanërisht Z. Idajet Jahaj, i cili bëri të njohur publikisht jetën dhe veprën e Lulo Musait me librin “Shqiponja që çau retë”.

Më në fund, na e ka ënda të citojmë këtu kërkesën e pilotit Lulo Musai “Duam asfaltin”, që mbyll shkrimin që major Sami Guzina i ka kushtuar gjithë dashuri figurës së tij: “Komandant i zoti, kishte hyrë në zemrat e të gjithëve”. Këtë kërkesë këmbëngulëse, Komandant Lulo ia drejtoi autoriteteve të larta drejtuese të kohës për të shtruar rrugën e Farkës, kur Ai do të niste me përpjekje të pareshtura individuale ndërtimin strategjik të aerodromit të helikopterëve pranë Tiranës.

“Duam asfaltin” – jehonizojnë edhe sot këto fjalë, si të kemi të bëjmë me gjakun në damarët dhe kapilarët e trupit njerëzor. Sepse sera, bitumet e Selenicës, që shtrojnë rrugët e Shqipërisë dhe të botës, djersa e punëtorëve të saj janë po aq të shtrenjta e të domosdoshme sa vetë ky gjak, është gjaku dhe ari i zi i Madonës shqiptare Selenicë.

E dorëzojmë këtë “Përmbledhje historiko-studimore” për Selenicën në Bashkinë e qytetit si një buqetë nderimi për tërë banorët e saj, të cilët, me punën e tyre vetmohuese shekullore për nxjerrjen e bitumit të famshëm “Selenica” janë bërë të njohur në Europë e në botë, duke lartuar emrin e komunës së tyre, të Vlorës heroike dhe të mbarë kombit shqiptar.

Selenica e dashur dhe rrethina e saj meritojnë sot vëmendje dhe përkujdesje më të madhe shtetërore, për t’u shndërruar edhe në qendër të rëndësishme turistike për bukuritë dhe monumentet e natyrore që zotërojnë, si dhe për qendrat e njohura historike e arkeologjike. Sera e saj, që ka shtruar rrugët e Parisit dhe të botës, lypset tash e tutje të shtrojë edhe rrugët e komunës së saj dhe mbarë Shqipërisë, ku të qarkullojnë dendur autobuze turistësh.

E ardhmja i përket Selenicës me arin e saj thesar.

Fotaq Andrea,

Strasburg, 28 mars 2022.



1 « Paris – Capital », gazetë financiare, 27 dhjetor 1893. Burimi Gallica.

2 Sipas studimit të Andrea Themelit, Tezë për mbrojtje doktorature në Universitetin e Straburgut, 2015: “Studim për potencialin përdorues të bitumeve natyrore në prodhimin e lidhësve bituminozë të ngurtë e të përzier...”

3 « Circulaire économique et financiers de Bourgogne et de Franche-Compté » (Qarkore ekonomike e financiare e Brugonjës dhe e Franche-Compté), 16 dhjetor 1912.

4 Andrea Themeli, studim i cituar.

5 Le Temps, 11 tetor 1925. Artikulli i plotë jepet në faqet e kësaj antologjie.

6 Andrea Themeli, studim i cituar.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fotaq Andrea: Kasaphana ukrainase - Një realitet sipas 'enigmës' së François Rabelais Fotaq Andrea: Figura e Skënderbeut, Flamuri dhe Simboli ynë kombëtar mbetet përherë aktuale dhe e përjetshme Fotaq Andrea: Këtë ditë të të dashuruarve të Shën Valentinit, poezia “Bashkimi i Lirë” i Andre Breton-it në gjuhën e bukur shqipe Fotaq Andrea: Emri i Skënderbeut, i njohur, i dashur e i vlerësuar në landet dhe baladat skoceze të shekullit XVII Fotaq Andrea & Dritan Muka: Figura e Skënderbeut në një baladë angleze të shekullit XVII Fotaq Andrea & Dritan Muka: “Skënderbeu” i Gentile Belinit, me diellin në ballë e në sy, simbol i krenarisë sonë kombëtare Fotaq Andrea: Tablotë e Izanos, paradigma ekzistenciale të një “Prilli të Thyer” kadarean Fotaq Andrea & Dritan Muka: Portreti i vërtetë i Skënderbeut nga Belini, pasuri e çmuar e mbarë kombit shqiptar Fotaq Andrea & Dritan Muka: Gjergj Kastrioti Skenderbeu - figura qe sintetizon dashurine dhe unitetin kombetar Andrea & Muka: Më në fund, Skënderbeu i Belinit mes shqiptarëve, zbulim i rrallë historik Fotaq Andrea e Dritan Muka: Ikonografi skënderbegiane - Portretet origjinale të Heroit Kombëtar Fotaq Andrea: Këta shqiptarë me vlerë proverbiale... Fotaq Andrea: Shqipëria, vend i denjë për të qenë shtet perëndimor Fotaq Andrea: Fjala e plotë e ImZot Luigj Bumçit në Konferencën e Paqes në Paris Fotaq Andrea: Paqë e qetim qiellor për Njeriun e përplotë Moikom Fotaq Andrea: 19 vjet më parë, shuarja e një Njeriu të lartë fisnik, Jusuf Vrionit Fotaq Andrea: Hasan Prishtina - Një Shqipëri, pa shqiptarët e Kosovës do të ishte një trup pa shpirt Fotaq Andrea: Fillesë e një korrespondence të gjatë e të rregullt me Moikomin Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim! Fotaq Andrea: Vrasje e dëlirësisë foshnjore

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora