Kulturë
Ibrahim Hajdarmataj: Emocioni dhe gëzimi i një gjyshi
E enjte, 04.11.2021, 08:43 PM
Emocioni dhe gëzimi i një gjyshi
”Dijet
janë si rrezet e diellit, që shpërndajnë erësirën”
Reportazh nga Ibrahim Hajdarmataj
E
prisja me ankth atë telefonatë nga mbesa ime Klea Hajdarmataj, nxënëse e klasë së
pestë në shkollën me emër të ndritur “Kongresi i Manastirit’, Tiranë. Kishte mëse
dy javë, që mbesa më kishte thënë se në drejtorinë e shkollës, me propozim të mësuese
Teuta Biçaku, në shkollë do të zhvillonim një takim letrar me shkrimtarin e njohur
Viron Kona, fitues i 8 çmimeve, midis tyre edhe: Çmimin UNICEF, Çmimin Panairi
i librit 2006, Çmimi “Penda e Migjenit” - Suedi 2020, por edhe shkrimtar i përkthyer
në Suedi dhe në shtete të tjerë, atutor i mbi 50 librave artistikë, për fëmijë
dhe të rritur.
1.
Klea
ishte e emocionuar, edhe sepse me ndihmën time, që jam mik i vjetër i
shkrimtarit Kona, ajo i kishte marrë atij një intervistë, një intervistë të
sinqertë të një fëmijë me një shkrimtar. I ishte dukur disi e pabesueshme, që
dikush me emër, do t`i përgjigjej, por, Viron Kona, si ai, me shumë kënaqësi dhe
përgjegjësi, i ishte përgjigjur një për një pyetjeve të saj. Dhe, Klea, nxënëse
dhe fëmijë e pasionuar pas librave, kishte shprehur gëzimin e saj fëmijëror, ngazëllimin e zemrës së saj të njomë, duke besuar se po
rritej, po i vlerësoheshin përpjekjet dhe pasionet e saj, se edhe para saj
hapej një jetë e bukur, një e ardhmen e ndritur, gjithnjë duke studiuar sa më
shumë, duke dëgjuar më shumë mësuesit dhe prindërit. Sigurisht, edhe duke lojtur,
edhe duke u argëtuar, por edhe duke kuptuar se jeta është vetëm lojëra dhe
humor, porse edhe fëmijët duhet të kryejnë me seriozitet detyrën e tyre, të mësojnë, të bëhen të ditur e guximshëm, ashtu si detarët dhe kapitenët e
anijeve, që u duhet të përballojnë edhe
detin e qetë, por edhe detin me dallgë e stuhi.
Nga
telefoni mësova se shkrimtari Viron Kona kishte shkuar në shkollën 9-vjeçarare “Kongresi
i Manastirit”, kishte takuar atje mësues dhe nxënës, kishte bashkëbiseduar me
drejtoreshën e shkollës Marina Dallashi, kishte zhvilluar një bisedë në stilin e
tij, duke lënë gjurmë dhe mbresa të
bukura në mendjet e vogla të lexuesve të vegjël, por dhe të mësuesve, që e respektuan
dhe e vlerësuan takimin me atë shkrimtar,
sa modest, aq edhe të talentuar e të ditur, atë njeri me shumë eksperienca
jete, mbi të gjitha në arsim, ku kishte qenë mësues, drejtues i disa shkollave
9-vjeçare dhe gjimnazeve, autor veprash letrare, që punonte atëherë, punon edhe
sot 70 – vjeçarë, natë e ditë, gjithnjë i përkushtuar pas letërsisë dhe,
sidomos pas letërsisë për fëmijë e të rinj. Shkolla e priti shkrimtarin me simpati e duartrokitje.
2.
Mësuese
Teuta ua la nxënësve të çelnin dhe të vijonin programin, por, fillimisht ajo
vlerësoi dhe përgëzoi nxënësen e saj të dashur,
Klean, mbesën time, se ishte ajo, që kishte rekomanduar atë takim me
shkrimtarin e saj të dashur, të cilit, për shkak të shoqërisë së tij me gjyshin
e saj, kishte mundur të siguronte edhe shumë nga librat e tij, të cilat i
kishte lexuar me pasion e dëshirë, do të thosha duke i përpirë, përderisa i njihte aq mirë personazhet:Bubulinon,
Dardin, Fluturushen, kapiten Likun, Gjyshin Ambasador, Shkencëtarin e madh këmbëgjatë,
Kolipoçin, papagallin Çate etj., si dhe bëmat
e tyre, aventurat, batutat, historitë dhe mesazhet, figuracionin dhe gjetjet artistike,
gjithçka që përcjellë te lexuesi një letërsi e bukur dhe tërheqëse...
Viron
Kona ishte ndodhur mes tyre, kishte biseduar me ta si mik i vjetër i tyre, dhe,
ata fëmijë, nga dëshira dhe kënaqësia e vazhdimit sa më gjatë të bashkëbisedës,
i kishin bërë pyetje “pafund”, aq shumë, sa mezi prisnin radhën e përgjigjes, që
të pyesnin e të pyesnin, sepse donin të
dinin, donin të dëgjonin, donin të mësonin që, nesër, edhe ata të bëheshin të
ditur, të bënin realitet ëndrrat e tyre...
Dhe,
unë, gjyshi i mrekulluar, përfytyroja mbesën time dhe ata dhjetëra fëmijë të tjerë, vajza dhe djem, mbesa
dhe nipër sesi flisnin dhe shfaqnin mendimet dhe idetë e tyre, sesi donin t`i
tregonin shkrimtarit jo vetëm se i kishin lexuar me vëmendje librat e tij, por
se, edhe ata kishin ca ëndrra dhe dëshira të vogla për të shkruar e, mbase edhe
ata, nesër do të shkruanin dhe do të paraqisnin përpara lexuesve veprat e
tyre...
E
teksa mendoja dhe përfytyroja këto, edhe unë, ashtu si ata, ndihesha i
entuziazmuar, i emocionuar, i mrekulluar.
Sa
pyetje u bënë në atë bashkëbisedim? Shumë! Për libra, e libra “pa fund” të
shkrimtarit Viron Kona, njeriut modest, që punon ditë dhe natë, që s`njeh as
kohë, as orë, por vetëm punon, shkruan e shkruan, pa u lëvduar, pa u vetmburrur,
pa thënë që kam shkruar këtë dhe atë, aq e kaq libra, ai veçse shkruan e shkruan
në heshtjen e tij, që të ngjallë respekt...
3.
Klea
kishte dalë në skenë, kishte lexuar një letër përshëndetëse të shkruar bukur, drejtuar
shkrimtarit, një letër pergamen, që binte në sy për ngjyrën, për bukurinë, për performancën,
por mbi të gjitha binte në sy për përmbajtjen. Ja, po jua lexoj, ose më mirë po jua tregoj të fotokopjuar, lute m,
lexojeni vetë....
Shkrimtari
ishte gëzuar shumë. E kishte përqafuar lexuesen e vogël, kishin bërë fotografi,
ishin duartrokitur. Pastaj kishin vijuar më tej takimin, përsëri me pyetje dhe
përgjigje, me recitime dhe lojëra aktoriale mbështetur në pjesët nga tregimet e
vogëlushit Bubulino, të Nikut, të papagallit Çate. Pastaj kishin vijuar me
epigrame nga libri “I Zemëruari”, kishin vazhduar me librat “Telashet e
Bubulinos”, me “Drithërimat e yjeve”, me librin “Mësues, pse e ke hequr kollaren?”, me librin “Kolipoçi,
ngrënësi i qershive”, me librin
“Përbindëshat e Otrantos”, me librin
“Kontrolli i befasishëm i një inspektori”, me librim “Yje mbi Bosfor”, me
librin...
Pyetje,
përgjigje, batuta të këndshme, humor, duartrokitje pa fund. Ora kalonte dhe ata
fëmijë donin që ajo bisedë të mos mbaronte...Mes atyre fëmijëve, edhe ime mbesë
Klea, e cila ndihej krenare, sepse ajo
dinte dhe diçka më shumë, ajo kishte lexuar edhe libra të tjerë të shkrimtarit,
edhe serialin e librave me papagallin Çate, i cili krijonte humor, gaz, hare,
bukuri dhe simpati mes lexuesve të vegjël, por mbi të gjithë Bubulinoja i
gjithëditur, ai fëmijë që, kishte gjetur rrugën e tij përmes dijeve, duke
studiuar pa u lodhur, por dhe duke u thelluar në dijet shkencore, kishte shprehur
dy dëshira të mëdha: 1.Të ndihmonte në shpëtimin e planetit tokë nga ngrohja
globale. 2. Të ishte i pari njeri që do të shkonte në planetin Mars.
Detyra
të mëdha, por ai, me ekspeditën e tij dhe bashkë me fëmijët e të gjithë botës,
do t`i realizonte.
Emocionet
e mia si gjysh s`mbarojnë, por edhe nuk dua ta zgjasë këtë artikull më shumë
nga çduhet. Veçse, merakun e kam se dua t`i tregoj lexuesit pyetjet, që mbesa
ime Klea i bëri shkrimtarit në intervsitën që i mori atij, si dhe përgjigjet e
shkrimtarit Kona. Besoj e keni durimin t`i lexoni. Ju lutem!
4.
Intervistë me shkrimtarin Viron Kona
Përshëndetje
z. Viron!
Jam
Klea Hajdarmataj, nxënëse në shkollën “Kongresi i Manastirit”, klasa e tretë.
Meqenëse
juve jeni shkrimtari që pëlqej më shumë, mendova t`ju bëj disa pyetje. Jeni
dakord?
-Faleminderit Klea! Unë i dua shumë fëmijët dhe
respektoj veçanërisht ata që lexojnë
shumë libra apo që dëshirojnë të shkruajnë. E ndiej veten të lumtur dhe të
gëzuar që t`i përgjigjem pyetjeve të tua
Atëherë, pyetja
ime e parë është:-Si i krijoni librat
për fëmijë, ku mbështeteni?
-Kur shkruaj një libër për fëmijë, sjell ndërmend
fëmijërinë time dhe të fëmijëve të mi: bisedat, dialogët, zakonet, lojërat dhe
plot ngjarje dhe episode.
Duke qenë mësues nga profesioni, sjell
ndërmend edhe qindra e qindra vogëlushë, të cilëve u kam dhënë mësim, kujtoj
shumë skena nga jeta e tyre fëmijërore, nga kërkesat dhe ankesat, nga lojërat,
dëshirat, ëndrrat e tyre...Të gjitha ato episode, ngjarje etj. i përpunoj në
mendjen dhe në iamgjinatën time krijuese dhe, mbi bazën e tyre krijoj librin që
dua. Nodh si me bujkun, i cili fillimisht hedhën farën e bimës në tokë dhe
dalëngadalë, duke pasur ajo ushqimin e
duhur dhe ujin, del mbi tokë, pastaj, nën rrezet e diellit dhe me punën
e madhe të bujkut, ajo nis e rritet, çel
gjethe e lule dhe në fund prodhon kokrra. Kështu, pak a shumë ndodh edhe me
krijimin e një libri për të cilin ti po më pyet.
-Duhet shumë punë për ta shkruar një libër?
-Po. Për ta shkruar një libër duhet
punë e madhe. Së pari duhet të lexosh dhe të studiosh shumë, por dhe të jesh i
vëmendshëm ndaj jetës dhe gjithçkaje që ndodh me ty, rreth teje apo dhe në
botë. Një shkrimtar i mirë, doemos duhet të studiojë dhe të dijë shumë gjëra,
por, sidomos ai duhet të njohë sa më
mirë jetën, të jetojë midis njerëzve dhe t`i dojë e t`i respektojë ata, të dojë
shumë fshatin dhe qytetin ku ka lindur, të dojë atdheun...
Duhet të dish shumë, që t`u thuash
diçka me vlerë të tjerëve. Të shkruash për diçka, duhet ta duash atë. Ju keni
provuar edhe vet që vjershat më të bukura i shkruani për nënën dhe mësuesen, sepse ata i doni më
shumë,apo jo?
- Personazhi im i
preferuar nga librat tuaj është Bubulino. Si lindi ky personazh?
-Bubulinoja ishte një vogëlush çapkën, i cili fillimisht nuk
mësonte sa duhej, por, duke dëgjuar fjalët e mësueses dhe të prindërve, ai iu
përkushtua mësimeve, tregonte vëmendje të madhe për të gjitha këshillat e
mësuesve dhe të prindërve. Ai, jo vetëm lexonte dhe mësonte librat e programit
shkollor, por lexonte edhe libra të tjerë jashtëshkollorë, të cilët i pëlqenin
shumë, e argëtonin, por edhe e bënin që të ëndërronte për jetën dhe të ardhmen.
Një mbrëmje, duke parë Hënën sesi ndriste dhe vezullonte mes yjeve, Bubulinoja
përfytyroi vajtjen e njeriut të parë në Hënë, dhe, ndërkaq, nisi të bëhej
kureshtar që të dinte sa më shumë për Hënën,
për yjet dhe planetët, për hapësirën kozmike, por i lindi edhe dëshira
që të ishte njeriu i parë në botë që do të shkonte në planetin Mars, ashtu siç
amerikani Armstrong shkoi i pari në Hënë.
Librat që kanë personazh Bubulinon, janë disa. Në to përshkruhen dhjetëra
e dhjetëra aventura të shumëllojëshme dhe nga më të çuditshmet.
Frymëzimi për personazhin Bubulino më erdhi fillimisht nga
nxënësit e mi të klasës së pestë, të cilëve u jepja mësim në shkollën Ibë e
sipërme”,Tiranë, pastaj edhe nga nxënësit e mi në shkollën ”Katër
dëshmorët”,Tiranë, në shkollën e mesme
të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, Tiranë, në gjimnazin “Ismail Qemali”,Tiranë.
Por, frymëzimi më erdhi edhe nga djali im, i
cili atëherë kishte dëshirë të lexonte shumë libra dhe ishte kureshtar të dinte gjithçka.
- Nga të gjithë
librat që keni shkruar kë keni më për zemër dhe përse?
-Librat që kam shkruar i dua të gjithë, sepse ata janë krijimet e
mia. Edhe nëna dhe babai i duan të gjithë fëmijët, nuk bëjnë dallim. Kështu
ndodh edhe me shkrimtarin dhe librat e tij.
Megjithatë, mund t`ju them se, nga rreth 50 libra që unë kam shkruar,
lexuesit, veç librave që kanë personazh Bubulinon, kanë pëlqyer shumë edhe
libri “Drithërrimat e yjeve”, i cili tregon për një mësues që shkoi emigrant në
Greqi. Për të mbijetuar dhe për të mbajtur familjen dhe fëmijët e tij ai kreu
atje punë shumë të rënda. Libri ka episode dhe ngjarje që të emocionojnë dhe të
mbeten në mendje. Këtë libër ju mund ta lexoni kur të shkoni në klasën e tetë
apo të nëntë, pra kur të rriteni edhe ca.
- Kur keni qenë në
moshën tonë keni patur një shkrimtar të preferuar? Po sot a vazhdon të jetë po
i njëjti?
-Kur unë isha i vogël sa ju, kam dashur më shumë shkrimtarin
francez Zhyl Vern, i cili në romanet e
tij për fëmijë, shkruante për aventura të tyre në vende të panjohura.
Çdokush që lexon romanet e tij,jo vetëm që mëson shumë,por edhe frymëzohet për
të shkruar vet, pra i lind dëshira që të
bëhet shkrimtar.Nga librat e Zhyl Vernit lexuesi mëson shumë për detet dhe
oqeanet dhe se çfarë ndodhë në thellësi të tyre; mëson për vende të panjohura
të rruzullit tokësor; mëson për hapësirën kozmike dhe vajtjen e njeriut në Hënë
apo dhe shumë e shumë aventura dhe ngjarje të tjera argëtuese. Zhyl Verni edhe
sot më pëlqen shumë.
Kurse nga shkrimtarët
shqiptarë, kur isha fëmijë më ka pëlqyer më tepër romani ”Shpella e piratëve” i
shkrimtarit Petro Marko.
-Jeni i vlerësuar me çmime nga Juritë letrare? Çfarë emocione keni ndjerë?
-Mendoj se çmimet dhe vlerësimet që më
gëzojnë dhe më emocionojnë më shumë m`i japin lexuesit. Kur shkruaj një libër,
nuk më shkon aspak mendja te çmimi që mund të
fitoj, por tek ajo se çfarë do të thonë lexuesit, a do të ma
pëlqejnë librin? Eh, sikur të ma pëlqejnë!
Ja, kjo është ëndrra ime. Edhe pyetjet e tua të çiltra Klea, janë një vlerësim
i madh për mua.Sa herë takohem dhe bisedoj me lexuesit e vegjël, shoh që ata
janë të gëzuar, por dëshiroj t`ju them se më i gëzuari dhe më i emocionuari jam
unë.
-Cila është këshilla
juaj për ne fëmijët mbi librat dhe internetin?
-Ndryshe nga ne, ju fëmijët e
sotëm keni shumë mënyra për të mësuar dhe për t`u argëtuar. Këshilla ime
është që edhe internetin ta doni dhe ta përdorni, por, ju lutem mos e ndanin
nga vetja librin. Ai është dhe do të jetë shoku dhe miku juaj më i mirë gjatë
gjithë jetës.
-Sapo jeni kthyer nga Suedia, përse ishit atje dhe çfarë mendojnë
suedezët për përdorimin e dhunës ndaj fëmijëve?
-Në Suedi isha sepse libri “Bubulino” u përkthye në
gjuhën suedeze.Tashmë atë libër e lexojnë edhe fëmijët e Suedisë dhe kjo është
një kënaqësi e madhe për mua si shkrimtar shqiptar.
Sa për pyetjen se çfarë mendojnë suedezët për
përdorimin e dhunës ndaj fëmijëve,
përgjigjen dëshiroj t`jua japë nëpërmjet një episodi, që tregon shkrimtarja e
madhe suedeze e fëmijëve Astrid Lindgren, e cila ka shkruar romanin “Pipi
Çorapegjata”.
Ajo tregon për një vogëlush, i cili, pas një faji
që ai bëri, nëna i tha që të dilte në oborr dhe ta zgjidhte vet shkopin me të
cilin ajo do ta ndëshkonte.
Vogëlushi u vonua shumë dhe më në fund u kthye duke qarë. I tha nënës së tij se, nuk kishte
gjetur asnjë shkop, por kishte gjetur
një gur me të cilin ajo mund ta... qëllonte…
Nëna u trondit. Ajo, kurrësesi nuk mund ta godiste
fëmijën e saj me gur.
Nëna e vendosi gurin në një etazher në kuzhinë dhe
atje, ai gur, mbeti si një kujtesë dhe qortim i vazhdueshëm, që ajo të mos
harronte premtimin e dhënë: Asnjëherë dhunë ndaj fëmijëve!
Suedia u bë vendi i parë që miratoi ligjin që
ndalonte ndëshkimin fizik të fëmijëve, dhe, në këtë vendim, është shkrirë dhe
bërë njësh me atë ligj, edhe mesazhi i shkrimtares së madhe Astrid Lindgren.
-Mund të ma përmmendni disa tituj librash që keni shkruar për ne
fëmijët?
-Me kënaqësi, disa prej tyre janë:”Bubulinoja
çamarrok”,“Dëshira e fshehtë e Bubulinos”, “Pyesni Bubulinon”, “E fshehta e pyllit”, “Kolipoçi, ngrënës i
qershive”,“Delfini i dy deteve” drejt aventurave të reja”, “Të fshehtat e një mrekullie”, “Dardi”, “Dardi në gadishullin e vetëtimave”, “Të
çuditshmit”, “Shitësi i kekëve”, “Kontrolli i befasishëm i një inspektori”,
“Erlindi dhe papagalli i çuditshëm”, “Dëgjoni se çthotë ky papagall?”,
”Shpëtoni papagallin Çate!”, “Në telashe të mëdha je futur, o Bubulino!”, “I
zemëruari” etj.
-Mund të ma thoni
ndonjë vjershë që ia keni ushtuar fëmijëve?
-Po, kam shkruar disa vjersha që ua kam kushtuar fëmijëve, por,
për pyetjen tënde Klea, zgjodha vjershën:
Engjëj
Nëse ekzistojnë engjëjt,
me siguri ata janë fëmijët.
Nëse nuk ekzistojnë engjëjt,
engjëj kemi fëmijët.
Nëse duhet t`i krijojmë engjëjt,
ata përsëri do të jenë fëmijët.
Intervistoi Klea Hajdarmataj
5.
Gëzimi
im si gjysh ishte dhe është i pafund. Mbesa ime Klea dhe shoqet e saj, duke
dëgjuar këshillat e mësuesve, të drejtuesve të shkollës, të drejoreshës
shqiponjë dhe të talentuar, Marinës, duke dëgjuar këshillat e prindërve dhe
punën e palodhur të mësuesve Ekeleda Kule, Trebeshina Hëna të cilat punojnë me përkushtim me fëmijet, do
të eci edhe më përpara në udhën e dijeve të studimit të palodhur dhe të pa
ndërprerë...”Dijet janë si rrezet e diellit, që shpërndajnë erësirën”, - tha
shkrimtari Viron Kona. Ndaj, edhe unë, gjyshi i Kleas, pajtohem me mikun tim
shkrimtar. Por, edhe falënderoj pa fund mësuesen e mbesës sime Teutën, drejoreshën
e shkollës, Marinën, mësuesit e tjerë....Por edhe fëmijët e mrekullueshëm,
Velillari, Helios Shimka, Niki Kovac, Arba Bajri, Isalel Tiara, Egi Lajthiadhe
Enea Qoshi si dhe viogëlushën këngëtare Marina Daka, shoqet
dhe shokët e Kleas, mbesës sime, që e dua aq shumë, pafundësisht!
-Per
ZemraShqiptare, Fillim Nentori 2021-
IBRAHIM HAJDARMATAJ
Kryetar
i OJF të
Arsimtarëve
Tel:
0692469145
e-mail:
ibrahimhajdarmataj@yahoo.com