Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Europa është një fakt politik dhe kulturor
E shtune, 09.05.2020, 05:28 PM
Europa është një fakt politik dhe kulturor
Nga
Ndue Ukaj
Europa
nuk është vetëm konceptet gjeografik dhe politik, siç pretendohet të vlerësohet
kuturu në kontekstin tonë. Europa para se gjithash është koncept kulturor.
Është stil jete.
Ndaj,
Europën nuk duhet ta aspirojmë vetëm për viza dhe të mira ekonomike, por, për
ta humanizuar dhe përparuar shoqërinë tonë të zhytur në mjerim.
Shkrimtari
Umberto Eco shkruante se këmbimet kulturore, kanë kontribuar më shumë se çdo
gjë në ndërtimin e asaj çfarë është sot Europa. Në këtë kontekst, ky shkrimtar
mendon se Europa është i vetmi kontinent që ka përmbajtje dhe kohezion, për
dallim nga kontinentet tjera, dhe ky kohezion dhe kjo përmbajtje, ndërlidhen me
identitetin e saj kulturor.
Është
thënë shpesh se në historinë e mendimit europian, karakteristikë e përhershme
ka qenë ideja e krizës dhe aftësia e kapaciteti për kritika të brendshëm, për
dialog të arsyeshëm, për hapje dhe evolucion drejt progresit dhe përsosmërisë.
Po ashtu, ndjenja e kritikës është karakteristikë e Europës, nëpërmjet së
cilës, ajo është hapur ndaj ideve dhe sfidave të reja.
Pra,
ne, ende nuk e kemi kuptuar se pikënisja prej ku duhet të nisemi drejt afrimit
politik me Unionin Europian duhet të jetë kultura, si tërësi e përgjithshme e
organizmit të shtetit. Dialogu i brendshëm si domosdoshmëri për t' i qartësuar
mosmarrëveshjet tona dhe kuruar veset kombëtare. Kultura e dialogut si mendësi
dhe stil jete. Solidariteti dhe konsensusi për atë që është e mira e
përbashkët. Kujdesi për dinjitetin e njeriut.
Të
kujtojmë se Robert Schuman, njëri nga themeluesit e BE- së, në librin "Në emër
të Europës", ndër të tjera shkruan: “Europa, para se të jetë aleancë
ushtarake apo entitet ekonomik, duhet të jetë bashkësi kulturore, në kuptimin
më të lartë të kësaj fjale".
Koha
ka dëshmuar se nuk mjaftojnë parullat, llomotitjet dhe retorika proeuropiane
për t’u bërë pjesë e kësaj familje. Duhet vetëdije dhe dashuri vepruese për
Europën, duke e gjykuar dhe vlerësuar atë si atdhe të vlerave tona të
përbashkëta, dhe, natyrisht, duke i forcuar raportet e përkatësisë së
përbashkët.
Sot
në Ditën e Europës dhe çdo ditë të rrugëtimit tonë politik, ne nuk duhet të
bëhemi të marrë dhe ta sajojmë një Europë sipas dëshirave tona, një Europë që
iu përshtatet ambicieve tona, standardeve tona, kërkesave tona. Sepse, kjo
Europë është ireale. Është groteske dhe mund të jetë e dobishme vetëm për
ëndërrimtarë të sojit të Don Kishotit dhe Sanço Panços së tij, që luftojnë me
mullinjtë e erës, duke e pandehur vetën si të thirrur për të çliruar njerëzimin
nga të ligat dhe padrejtësitë.
Europa
është një fakt politik dhe kulturor, me kriza e përpljasje, por me një prirje
politike që admirohet nga krejt planeti ynë. Me një ekonomi të fuqishme, të
cilën e aspiron krejt bota.
Në
thelbin e vet, siç është thënë, është një prirje shpirti, ndaj, siç porosiste
Vaclav Havel, të bëjmë atë qartësisht atdhe të vlerave tona të përbashkëta.
Në
këtë ditë të Europës, në vend se të gulçojmë e të gërvallemi, më mirë të
rikujtojmë At Zef Pllumin e mençur.
"Secili
shqiptar, që më të vërtetë e don atdheun, duhet t’i bajë vedit e kombit këto
pyetje 1. “Pse kemi mbetë të izoluem prej Europës?” 2. “A jemi nda na prej
Europës apo Europa na ndau ne?” 3. “A na pranojnë ne kombet europiane në gjinin
e vet me individualitetin e mentalitetin tonë armiqësor ndaj Europës?” 4. “Ç’ka
na mungon ne që të mos jemi si europianët e tjerë? Toka –jo, dielli e deti-jo.”
5. “Si mund e duem Shqipninë kur secili shqiptar mendon se vetëm ai ka të
drejtë mbi Shqipninë dhe intrigojmë e tiranizojmë njani-tjetrin?” E “Ati ynë”,
kalitur sakrificash, sigurisht e kishte një përgjigje: “shqiptarët kanë për të
ba ma shumë për atdheun, në qoftë se kanë për t’u dashtë ma tepër ndërmjet
vedit.”