Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Për shpjegime irracionale politike, nuk na shkon kush
E merkure, 29.04.2020, 01:09 PM
Për shpjegime irracionale politike, nuk na shkon kush
Nga
Ndue Ukaj
Bota
e përparuar demokratike, beson te “maksima sokratiane se fillimi i mençurisë
qëndron te njohja e injorancës dhe kjo ka rëndësi të thellë për të kuptuarit
tonë ndaj shoqërisë - shkruan nobelisti F. H. Hayek te libri monumental
“Kushtetuta e lirisë”.
Kjo
maksimë e moçme, mbi të cilën është ndërtuar qytetërimi perëndimor, për ne
duket se s’vlen pesë pare, sepse në ambientin tonë, të gjithë “dinë” të flasin
për politikë, të gjykojnë politikisht dhe të japin vlerësime nga më të
çuditshme politike. Po, vërtet, ne kukurisim e bëjmë llafologji pafund .
Po
ta shihesh botën e vogël shqiptare, si flet dhe shkruan për politikë, ta merr mendja
se këtu përcaktohen fatet e botës dhe kahet e zhvillimit global.
Është
vështirë të gjesh ndër shqiptarë njerëz që thonë: nuk di ose nuk kam çka të
them. Të gjithë “dinë” të bëjnë analiza dhe të tregojnë rrëfime politike, e në
këtë drejtim, po ashtu, të gjithë dinë t’i drejtojnë gishtat qortues e
shigjetat e helmatisura kundër të tjerëve. Kjo është logjikë e shkretë dhe
mjerane, që është duke na vështirësuar rrugën e përtëritjes dhe të këndelljes.
Ne
jemi një vend dhe vuajmë pasojat e trashëgimeve të këqija politike, të
shkollimit jocilësor, të ideve jo të cilësore, të cilat pak kush provon t’i
shërojë.
Ne
jetojmë në një mjedisi moral dhe etik tejet të egër, të cilin, në vend se ta
zbusim, ta kthjellim e pastrojmë, e ndotim përditë e më shumë, me intriga dhe
thashetheme politike neveritëse.
Në
këtë ndotje, kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë faktorë tallava të
shoqërisë sonë, media pa etike e shpeshherë me agjenda, që u kanë dhënë krahë
budallenjve, egërsia e folësve politike, politikanë të papërgjegjshëm e
megalomanë, që kanë ndërsyer tufat e egra të militantëve me gulçe, sharje e
turfullime kundër të gjithë të tjerëve që u kanë dalë në rrugë...
Fatkeqësisht,
ne nuk kemi trashëguar ndonjë shkollë politike që ka dhënë rezultate kombëtare,
përveç shkollës politike që ka ndjekë Ibrahim Rugova. Ajo ishte shkollë e
përkorë, autentike, e njeriut të Kosovës dhe që e donte atë, që s’yshtej pas
temave globale. Një shkollë që ishte e vetëdijshme për peshën e vogël dhe krejt
të papërfillshme në rajon, kontinent dhe botë, ndaj kërkonte aleanca, miq,
dashamirë, për të sendërtuar një aspiratë. Dhe, siç tregon historia e vonshme,
ajo shkollë u bë udhërrëfyese dhe një lloj tempulli besimi, ku u përkulën të
gjithë ata që na ndihmuan të sendërtonim aspiratat tona për liri, pavarësi dhe
demokraci.
...
Përsa
kohë intrigat i quajmë mendime, thashethemet i bëjmë lajme, u duartrokasim
atyre që pas shpine i shajmë - e vistra e shembujve të tillë është e gjatë - s'
kemi pse presim ndryshime cilësore kombëtare dhe s’do të fitojmë as respekt e
as vlerësim ndërkombëtar.
Pra,
për shpjegime irracionale politike dhe të egra, nuk na shkon kush, ashtu siç
nuk na shkon kush për spektakle politike dhe politikë të defilimeve nëpër
rrjete sociale.
Ndaj,
sapo të dalim prej karantinës dhe të nxehmi në rrezet e diellit, është e udhës
ta gjejmë kurën për t’u shëruar nga sëmundjet që rëndojnë shoqërinë tonë,
sidomos ato që lidhen me kthetrat e egra të karantinës së gjatë të injorancës,
intrigave dhe të thashethemeve që na kanë mbërthyer keq.