Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Dita e Librit
E enjte, 23.04.2020, 02:02 PM
Dita e Librit
Nga
Ndue Ukaj
Në
këto ditë izolimi, libri mund të çajë muret që na rrethojnë, frikën që na
mbërthen, pasigurinë që na trazon. Ndaj, të mbështjellmi me shenjtërinë e
librit dhe të ushqehemi nga shujta e begatshme e tij, sepse kjo shujtë mund të
bëjë jetën më të bukur, dhe njëherësh, lexuesit mund t' i edukojë që t’i
përballojnë më lehtë tërmetet shpirtërore.
Këto
ditë karantine, bota është mbyllë e trishtuar dhe trembet nga një virus i
padukshëm që njerëzimin e ka mërzitë pafund. Dhe të gjithë dukemi sikur në një
anije që lundron në dallgë të rrezikshme. Ka rrëmujë informacionesh dhe
dezinformacionesh dhe pak kush mund të gjejë prehje, për shkak të pyetjeve dhe
të pikëpyetje të shumta, për shkak të virusit dhe të pasojave që do t’i sjellë
ai njerëzimit, rendit të ri global, ekonomisë dhe më e rëndësishmja, vetë
lirisë si koncept ekzistencial njerëzor.
Por
është një botë e madhe, paralele, që përherë na thërret dhe na ofron mundësi të
reja, për t’i thyer muret e izolimit. Dhe kjo është bota magjike e librit
letrar. Sepse, siç thoshte Franc Kafka i madh, "një libër duhet të jetë
sëpata për detin e ngrirë brenda nesh."
Ky
det i ngrirë i izolimit, frikës, dhimbjes, mund të thyet përmes udhëtimeve
imagjinare në botën e madhe të librit letrar, ku të vërtetat janë të
amshueshme, sepse janë të lidhura me ato temat esenciale dhe ekzistenciale të
njerëzimit.
Të
dërmuar nga mbyllja, frika, mërzia, në librat e letërsisë mund ta kuptojmë ç’
rëndësie ka liria, ajo liria e njëmend, të cilën, askund s’mund ta gjejmë më
mirë se në libra të mirë dhe të bukur. Librat e mirë dhe të bukur, kanë fuqi
t’iu japin lexuesve krah, të ëndërrojnë, të kënaqen, të gjykojnë, të
vlerësojnë...
Po,
libri i mirë letrar, lexuesin e mbërthen nën “kthetrat” e ëmbla të bukurisë së
gjuhës dhe të imagjinatës, ku ai mahnitet, dehet, gëzohet, vuan, udhëton nëpër
kohë e hapësirë, qytete e vende, ballafaqohet me doke e zakone, tiranë të egër
e dashuri përvëluese për jetën dhe lirinë.
Ndaj,
me të drejtë, Hermann Hesse thoshte se librat janë shpikja ma e vlefshme e
njeriut, kurse një erudit i madh si H. L. Borgesi fliste për lumturinë e
librit, për parajsën si një bibliotekë, ku jetojnë shpirtrat e shenjtë dhe
veprat e tyre madhështore.
Sot
- është Dita e Librit. Është ditë kur duhet t’i kujtojmë me pietet dhe
falënderime, të gjitha ata shkrimtarë që shkruan vepra të mëdha estetike dhe na
ushqyen mendjen e shpirtin me rrëfime madhështore.
Ekziston
një republikë letrare, që shtrihet përtej caqeve, kufijve dhe rrethanave
politike. Ajo çan muret e izolimit dhe të pushteteve politike. Ajo republikë
është e përhershme dhe e shtrinë pushtetin mbi krejt njerëzimin. Mbi gjitha
fuqitë. Sepse, ajo republikë është e lidhur me amshueshmërinë e fjalës.
Prandaj
sot dhe çdo ditë, duhet t'i falënderojmë pjesëtarët e përhershëm të kësaj
republike magjike. Kolosët e mëdhenj, nga Homeri, Virgjili, Alighieri,
Shakespeare, Goethe, Dostoevsky, Tolstoy, Kafka, Marquezi, Borgesi, Hemingway,
Baudelair, Neruda, Szymborksa, Sabato, Tranströmeri, Kundera, Kadare, dhe plot
emra të tjerë...
Po
ashtu, në këtë ditë të veçantë të shenjtërisë së librit, duhet të kujtojmë
librin e shkruar në gjuhën e bukur shqipe. Gjon Buzukun, themeluesin e kulturës
dhe shkrimit shqip. Njeriun që shkroi për dashni ndaj popullit dhe gjuhës.
Pastaj çetën e madhe të profetëve letrarë shqiptarë, Bogdanin, De Rada,
Frashërin, Mjedën, Fishtën, Konicën, Kutelin, Koliqin, Camajn, Reshpjen,
Shkrelin, Pashkun, Kadarenë, Rugovën dhe të gjithë dishepujt e gjallë...