Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Çakajtë komunistë përballë shkrimtarit Agron Tufa
E diele, 08.12.2019, 05:19 PM
Çakajtë komunistë përballë shkrimtarit Agron Tufa
Nga
Ndue Ukaj
Askush
s’do mund ta imagjinonte se në Shqipërinë postkomuniste, pas tri dekadash
lirie, çakajtë komunistë do të çoheshin peshë dhe do të kërkonin burgimin e
ndërgjegjes së lirë të njerëzve që kërkojnë drejtësi.
Më
së paku dikush do të mund ta imagjinonte se çakajtë do t’i vërsuleshin një
shkrimtari.
Këtyre
çakajve komunistë duhet t’u përsëritet vazhdimisht se tmerret që kanë shkaktuar
ata mbi kombin shqiptar s’ka forcë në botë që mund t’ i pastrojë. Sepse, ato
janë të shkruara me gjak e vuajtje në vepra kapitale, të cilat janë ndërgjegjja
e Shqipërisë së vërtetë përballë Shqipërisë së një grusht shkretanësh
komunistë.
Komunizmi
në historinë njerëzore mbetet njëra nga ideologjitë totalitare më të tmerrshme
dhe njerëzimit i ka shkaktuar të këqija të panumërta, kurse popullin shqiptar
përpak sa nuk e gllabëroi në humnerë. Ky pohim i imi, nuk përbën kurrfarë
risie, por është në pajtueshmëri të plotë me mendimin e shumicës së vendeve të
Europës. Madje, në shumicën e vendeve ish komuniste, janë ngritur gjyqe dhe krimet
e këtij sistemi, janë dënuar në forma të ndryshme.
Në
Europë, aty ku synojmë të integrohemi, njihet “Deklarata e Pragës për
Ndërgjegjen e Europës dhe Komunizmin”. Kjo deklaratë që u nënshkrua më 3
qershor 2008, ishte iniciuar nga ana e qeverisë çeke, dhe u nënshkrua nga
politikanë të shquar europianë, ish të burgosur politikë dhe historianë, në
mesin e të cilëve Václav Havel dhe Joachim Gauck, presidenti i Gjermanisë. Kjo
deklaratë bëri thirrje që "Europa e gjerë t’i dënojë krimet e komunizmit dhe
dënimi ndaj tyre të edukohet” dhe kështu popujt të ndërgjegjësohen përballë
kësaj murtaje ideologjike. Por kështu nuk mendojnë disa harbutë e shkretanë të
mjerë komunistë shqiptarë, që kombit shqiptar i kanë shkaktuar veç vuajte,
dhimbje e lot dhe e kanë më të varfërinë në Europë.
Shqipëria
nuk ka bërë një gjyq për t’i dënuar krimet komuniste dhe në këtë pikë ajo ka
mbetur prapa krejt vendeve ish komuniste edhe në përparimet që çel demokracia
dhe sistemi i vlerave perëndimore. Pas tri dekadash, mbetjet sistemit shihen
kudo: në ligjërim, në sistem, ndonjëherë duke guxuar të lavdërojnë regjimin
vrastarë e qelbanik të Enver Hoxhës. E shpeshherë një grusht mjeranësh marrin
guxim t’i gjykojnë krejt ata që nuk rrinë duarkryq përballë të kaluarës
vrastare komuniste dhe kërkojnë drejtësi.
Shigjetat
e helmatisura të urrejtës komuniste dhe të dishepujve të tyre qelbanikë janë
drejtuar me tërë forcën e urrejtës edhe njëherë kundër shkrimtarëve dhe
njerëzve të lirë të Shqipërisë që nuk kërkojnë asgjë më shumë se drejtësi- drjetësi
historike- pa të cilën nuk hapen rrugët e përparimit për kombin shqiptar, që po
lëngon për shkak të trashëgimisë negative.
Agron
Tufa po shigjetohet sepse i ka bërë një shërbim atdheut, historisë dhe kulturës
shqiptare. Ka shkruar dhe ka treguar të vërtetën historike, e cila nuk mund të
mbulohet, ashtu siç nuk mund të mbulohet dielli me shoshë. Ai e ka bërë një
detyrë ndërgjegjeje e qytetarie, duke e nxjerrë në dritë të vërtetën krimeve
komuniste mbi shqiptarët, dhe këtë të vërtetë, shkretanët komunistë të
katandisur në kthetrat e urrejtjes natyrisht se nuk mund ta duan.
Por
krimet e komunizmit s' ka kush që të mund t' i fshehë. As llavat e organizuara
në pushtet. Sepse, krimet e komunizmit i gjykon krejt bota e lirë demokratike,
pjesë e së cilës deshën apo jo mbetjet komuniste, një ditë do të bëhet edhe
Shqipëria. Dhe ato tashmë i janë paraqitur botës, përmes veprave letrare e
dëshimeve të shumta.
Dhe
sot, krejt bota normale e di mirë se krimet e komunizmit në Shqipëri janë të
pashembullta, kurse dishepujt e tij qelbanikë, në vend se të penduar e kokulur
të dilnin dhe të rrëfeheshin përballë gjykatores së historisë dhe përpara
popullit të cilit i kanë shkaktuar dhimbje e vuajtje pafund, duke e lënë të
varfër e të mjerë, ata pas dekadave çirren e kukurisin, dhe guxojnë të mbrojnë
krimet e tyre ose të baballarëve të tyre ideologjikë.
Këta
shkretanë komunistë duhet ta dinë se historia njerëzore është në anën e artit
dhe jo të pjellës së diktaturës. Po ashtu, ata duhet ta dinë se betejën me
artin dhe shkrimtarët nuk ka mundë ta fitojë asnjë diktator dhe s' do ta
fitojnë as çakajtë e sotëm komunistë - as ata nesërmit- sepse ndërgjegjja e
njerëzimit është shumë më fisnike sesa që mendojnë harbutët komunistë që nuk
janë ngopur duke bërë keq disa dekada.
Ja
çka shkruan nobelisti Josif Brodski rreth raporteve mes letërsisë dhe
politikës:
“Gjuha
dhe, siç më duket mua, letërsia – janë gjëra më të lashta, më të pashmangshme,
më të përjetshme sesa çdo formë e organizimit njerëzor. Zemërimi, ironia apo
indiferenca e shprehur nga letërsia në lidhje me shtetin, është në thelb,
reaksioni i të përhershmes, më saktë të themi – i të pafundmes, kundrejt të
përkohshmes, të kufizuarës. Të paktën deri atëherë kur shteti do t’i fusë
hundët në punët e letërsisë, letërsia ka të drejtën e vet të ndërhyjë në punët
e shtetit. Sistemi politik, forma e rendit shoqëror, sikundërse çdo sistem në
tërësi, është, për vetë natyrën e saj të përcaktuar, formë e kohës së shkuar që
rreket ta quajë vetën formë të së tashmes (shpesh herë edhe të së ardhmes), dhe
njeriu, profesioni i të cilit është gjuha, është i mbrami që mund t’i lejojë
vetes ta qesë në harresë këtë gjë”.
Përpjekjet
mjerane për t’ua ndalë zërin atyre që duan drejtësi, janë gërhamat e fundit të
një ideologji të tmerrshme. Prandaj shqiptarët duhet guximshëm dhe ballëhapur
të jenë në anën e drejtë të historisë dhe këtyre shkretanëve t’ua tregojnë
përditë të vërtetën. Sepse e vërteta ata i torturon.