Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Mosmarrëveshjet politike janë bërë të padurueshme
E shtune, 22.06.2019, 04:22 PM
Ngatërresat dhe mosmarrëveshjet politike shqiptare janë bërë të padurueshme
Nga
Ndue Ukaj
Ngatërresat
dhe mosmarrëveshjet politike shqiptare janë bërë të padurueshme, aq të mëdha e
aq të fëlliqta, sa nuk ka mendje racionale që mund t’u jep shpjegim. Thjesht,
marrëzitë politike shqiptare kanë dalë përtej mundësive që ofrojnë dijet e
ndryshme humane për t’i kuptuar, gjykuar dhe shpjeguar fenomenet politike. Dhe
si pasojë e kësaj, ka vite prej kur askush ndër ne nuk flet për vlera
demokratike e cilësi politike. Mjerisht, te ne flitet për përmasën e krimit dhe
të së keqes!
Shqipëria
është një kaos ngatërresash, kanë thënë të diturit para një shekulli, por pas
një shekulli, ky kaos nuk duket se e ka fundin, dhe tani e ka përfshirë edhe
shtetin tjetër shqiptar, Kosovën.
E
në këso momentesh dëshpërimi, është e udhës t’i thërrasim në ndihmë klasikët e
mendimit dhe të kulturës, etërit e kombit, të cilët i kanë kuptuar të gjitha
marrëzitë dhe poshtërsitë politike shqiptare. Prandaj, ta lexosh sot Fishtën,
Konicën, Nolin, Merxhanin, Harapin, etj., të duket se ata janë ngjallë dhe
jetojnë në Prishtinë e Tiranë.
Ja
disa vargje të Fishtës që duket se janë shkruar sot në Tiranë apo në Prishtinë:
“Ju
rrugaça e sallahana
vagabonda,
shakllabana,
rriqna
t’ndyet, mikrobe të kqij
qi
të mjerës ksaj Shqypni
thellë
hi i keni në mushkni
pa
dhimbë gjakun tuj ia pi,
por
der kur, bre batakçi!
Bre
coftina, kalbë mbi dhè
der
kur ju, t’u tallë npër ne,
do
t’na qelbni fis e atdhè?”
Sot,
pas afro një shekulli, të paktë janë ata shqiptarë që nuk e gjykojnë realitetin
politik shqiptar ngjashëm me Fishtën. Kurse në taborin tjetër, mund të jenë
grusht i vogël njerëzish të lidhur me interesa egoiste, që nuk kanë të bëjnë
asgjë më shtetin, demokracinë dhe lirinë.
Dhe
përballë këtij realiteti të zymtë politik, të paktë janë ata shqiptarë që nuk
ndihen të turpëruar dhe të poshtëruar deri në palcë për degradimin kaq të madh
që i kemi bërë vetvetes, për shkak të batakçinjve dhe idiotëve të shumtë në
politikë, që kanë qelbë çdo gjë dhe e kanë deformuar e zymtësuar fotografinë e
kombit tonë.
Si
pasojë e kësaj, bota na sheh dhe gjykon si komb të pa emancipuar politikisht,
si komb ngatërrestar që nuk është i zoti asnjë mosmarrëveshje politike ta
tejkalojë pa ndërhyrje të jashtme.
Përsa
kohë të kemi këso ngatërresash mes nesh, është turp të kërkojmë nder e respekt
nga të tjerët. Është turp të kërkojmë që të tjerët t’i mirëkuptojnë marrëzitë
tona e ne të vazhdojmë t’ia nxjerrim sytë njëri-tjetrit.
Prandaj,
njerëz, ndaluni sa nuk është tepër vonë, thirreni arsyen dhe mësoni nga
historia dhe këshillat e vlefshme.
“Demokracia
është dialog dhe dialogu hap portat e paqes”, ka këshilluar nobelisti i madh
Octavio Paz.
Nëse
vazhdojmë ta godasim vetveten kështu dhe të qesim mure të pakalueshme mes nesh,
nesër mos të kërkojmë nder e respekt në botë.
Dhe
nëse vërtet duam ta dimë ku e ka zanafillën krejt ky degradimi i madh i
shqiptarëve dhe pazotësia jonë për të bërë shtet normal, atëherë atë duhet
kërkuar te trashëgimia e keqe otomane dhe komuniste, nga të cilat botëkuptime
ne ende nuk jemi çliruar.