Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Fotografia e turpit
E shtune, 18.05.2019, 11:18 AM
Fotografia e turpit
Nga
Ndue Ukaj
Nuk
mund të ndërtohet asgjë në boshllëk dhe kaos. Këtë gjë shoqëritë e përparuara e
dinë qëmoti, por nga kjo shkollë empirike, ne nuk kemi mësuar asgjë dhe kështu
kemi dalë në anën negative të historisë, duke mbetur nxënës të këqij të saj.
Sot
dhe dje - duke parë ç’ndodhi me fotografinë e prezantuar në Parlamentin e
Kosovës- në mendje më erdhi një vigan i kulturës shqiptare, Lazër Shantoja i
cili, në kohën kur bëheshin përpëlitje të forta për të bërë Shqipërinë,
shkruante: “Historija e Shqypnís s? lir? âsht nji kaos luftash, ngatrresash,
trathtinash, ambicjonesh, partinash kaq t? m?dhaja, t? shpeshta, t? ndyeta e t?
damshme qi nuk e gjên? askûnd shoqen n? bot?".
Pas
gati një shekull, politika shqiptare është po kjo që e përshkruan Shantoja. Për
fat të keq, në kohën kur shqiptarët janë të lirë, këto mosmarrëveshje dhe
ngatërresa, për të cilat flisnin e flasin elitat më përfaqësuese shqiptare, që
kanë sfond politik, ideologjik dhe historik, kanë shkarravitur dhe zhubravitur
si është më së keqi fotografinë e kombit shqiptar.
E
meritorë për këtë janë udhëheqësit demagogë (dhe jo vetëm ata), që shtetin e
konceptojnë si çiflig, ndërkaq veten e tyre si çifligarë.
Këto
ngatërresa dhe kacafytje, nuk bëhen për koncepte, parim, ide e vlera, por për
interesa krejtësisht egoiste, partiake e ideologjike dhe që asnjëherë nuk
lidhen me atë që bota normale i njeh dhe e gjykon si Res Publica.
Prandaj,
kjo ka bërë që nga mëngjesi deri në darkë, në vendet tona të flitet dhe të
shkruhet me një gjuhë të çoroditur dhe të përçartë për goditje, krim dhe tema
të kësaj natyre. Sepse, këto dalin nga gjiri i kaosit politik, ku goditjet e
njërit udhëheqës ndaj tjetrit janë dukuria më normale e ligjërimit publik. Në
këtë mënyrë, këta udhëheqës, përveç faktit se kanë varfëruar popullin shqiptar
dhe e kanë zhubravitur fotografinë e tij, me turfullimet e artikuluara me një
gjuhë të pështirë, e kanë shëmtuar edhe gjuhën shqipe.
Dhe,
arsyet pse perëndimi ende nuk na ka futur në gjirin e vet, nuk lidhen me
gojëkëqijtë e as dashakeqësit, përkundrazi, perëndimi ka bërë çmos që të na
përqafojë dhe të na përfshijë në vallen e qytetërimit, por ne, të zhytur në
kaosin politik dhe të verbuar nga pushteti, nuk kemi mundur të shohim asgjë
matanë interesave tejet të ngushta. Në fund të fundit, është njerëzore, kur ke
kaq shumë ngatërresa e kaos të brendshëm, nuk mund të shihesh përtej vetvetes,
ashtu siç nuk kemi parë ne tash e sa vite asgjë përtej gardhit tonë primitiv ku
jemi vërtitë.
Në
Kosovë, po bëhen një vit që kur institucionet janë thelluar edhe më tej në një
kaos të pashembullt ngatërresash dhe në të cilat është përfshirë për të keq
edhe Shqipëria.
Nuk
di të ketë një shoqëri tjetër ku presidenti i shtetit përditë e “godet”
kryeministrin e vet, kurse ky i fundit, po ashtu ia kthen përditë me “goditje”
të parit. Në këtë lojë goditjesh- ku vërtet goditën qytetarët- jo rastësisht
është futur edhe kryeministri shtatgjatë por mendjengushtë i shtetit amë, me
një ligjërimi shumë destruktiv.
Dhe
sot, deshëm apo jo, na erdhi keq apo jo, fotografia reale e kombit shqiptar
është kjo: një popull ngatërrestar, me mosmarrëveshje të brendshme dhe që s’di
të del prej kaosit politik.
Dhe,
duke e parë në çfarë dergje janë shtet shqiptare, më duket se romani i madh i
Ismail Kadaresë, “Viti i mbrapshtë” është një roman profetik që flet për
paaftësitë tona për të bërë shtet.
...
“Fotografia
nuk gënjen, por nuk e tregon gjithashtu krejt historinë”- shkruan shkrimtari i
njohur Paul Auster. Në fakt, fotografia e publikuar dje në Parlamentin e
Kosovës tregon vërtet me ç’politika improvizuese mbahet në këmbë shteti i
Kosovës. Ajo e tregon fytyrën reale të shtetit tonë, që është ngulfatur nga
pesha e madhe e mediokritetit dhe “politikanëve” pehlivanë, forca politike e të
cilëve mund të matet me muskuj, por jo me mendje.
Dje,
kur e pashë fotografinë, si shumica e shqiptarëve mbeta i shtangur dhe në
imagjinatën time lundruan viktima të shumta të terrorit serb në Kosovë, në të
cilin vend ka patur terror serb, krim të menduar dhe të organizuar dhe për këtë
askush nuk duhet të guxojë të ketë dilemë, por ne, meqë jemi marrë dhe
vazhdojmë të merremi me ngatërresa të brendshme e dokrra, nuk kemi ditur dhe
dyshoj se do të dimë të tregojmë fytyrën e vërtetë të barbarisë serbe.
Akti
i djeshëm, që u duk si shtizë e fortë drejtuar kah politika e egër serbe, doli
të jetë një mashtrim dhe kjo heshtë rrezikon tash të kthehet kundër Kosovës,
veçmas kundër viktimave të terrorit serb. Dhe për këtë, përgjegjësia rëndon mbi
ata që e kanë kultivuar tash e dy dekada këtë kaos politik.
...
Ne
përditë kukurisim dhe kërkojmë solidaritet e mirëkuptim nga Bashkimi Europian
dhe Amerika për interesat tona, kurse vetë, nuk jemi solidarë dhe s’kemi
mirëkuptim në asnjë temë të brendshme, përkundrazi, duam t’ia nxjerrim sytë
njëri-tjetrit.
Ne
kërkojmë që tjerët të na zgjidhin problemet tona esenciale, të mëkëmbjes
ekonomike, kurse vetë dalldisemi duke shkruar histori të lavdishme politike dhe
patriotike.
Dy
dekada pas luftës, mijëra qytetarë pyesin: ç’ është ky mallkim, të cilin s’po
dimë ta tejkalojmë? Dhe kjo pyetje nuk është e pamotivueshme. Ajo është pasojë
e mos zhvillimit te Kosovës dhe gjuhës së pështirë dhe neveritëse që promovohet
përditë, e të cilën asnjë mendje normale nuk mund ta përligjë.
Dy
dekada pas luftës, në vendin tonë askush nuk flet për ide solidare, për
respekt, njerëzi, pa të cilat vlera asnjë komb a shtet nuk mund të mbahet në
këmbë.
Pra,
vendi ynë është ngulfatur dhe demoralizuar. Dhe duket sikur kanë mbetë pak
shpresa dhe tonelata dëshpërim, prandaj, kjo ka ndikuar që nga mëngjesi në
mbrëmje nuk dëgjon njeri tek thotë: lum unë për shtetin tim.
...
Kosova,
nëse është në rrezik, siç po thuhet, nuk është çiflig që ta mbrojë një njeri,
kushdo qoftë ai, kryeministër, president, lider i opozitës, etj.
Udhëheqësit
tanë, këtë ligjërim po e përdorin për interesa politike dhe me këtë po duan të
mbushin hambarin e tyre politik, për pushtet të mëtutjeshëm.
Duke
bërë referenca politike për vetveten, ata duan të mbushin hambarin e tyre
politik, të cilin e përdorin nesër për qëllime elektorale.
Historia
tregon se veprat e mëdha të njerëzimi, janë vepra të dashurisë dhe jo të
urrejtës, janë punë të vërteta dhe jo propagandë, kurse udhëheqësit tanë, tash e
sa vite, kane treguar sa shumë dinë të urrejnë dhe sa pak dinë të duan dhe po
ashtu sa të aftë janë të bëjnë propagandë dhe sa pak punë të vërteta.
Shoqëria
shqiptare nuk do të shërohet kurrë, për sa kohë udhëheqësit shqiptarë nuk janë
të vërtetë dhe të njerëzishëm dhe për sa kohë ata nuk bëhen ndërtues të
unitetit të brendshëm. Derisa sot ata janë faktorë kryesorë të ngatërresave dhe
të kaosit të brendshëm politik. Shqiptarët nuk kanë armik më të madh se
vetveten. Kjo thënie e Konicës është provuar disa herë në historinë tonë dhe
tash është më aktuale se kurrë. Ne të gjithë e dimë se, edhe të bashkuar, jemi
të pafuqishëm dhe shumë pak, kurse të ndarë, jemi hiçgjë.