Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Europa jonë
E enjte, 09.05.2019, 08:15 PM
Europa jonë
Nga
Ndue Ukaj
Për
shqiptarët e kudondodhur, Europa gjithmonë ka ushqyer ëndrrën e një toke të
premtuar. Me këtë simbolikë dhe me këtë nostalgji, shqiptarët jetuan momente të
rënda dhe dramatike të historisë së tyre, e veçmas kur përballeshin me rreziqe
të mëdha.
Gjatë
historisë, ata jetuan me të dhe pa të. Por, edhe kur jetuan të ndarë nga ajo,
asnjëherë nuk e fashitën ëndrrën europiane, madje as atëherë kur ishin në zgrip
të humnerës. Të shtypur dhe të pushtuar, e ëndërruan atë si një tokë të
premtuar, drejt cilës rrugëtonin, nëpër shkretëtirën historike.
Si
pasojë e kësaj ndarje, raportet ndërmjet shqiptarëve dhe Europës, janë lëkundë
mes kuptimti dhe keqkuptimit, mes dashurisë dhe urrejtës. Kjo ka bërë që,
përballë saj, shqiptarët, shpeshherë të sillen si të trullosur, madje, duke
shfaqur jo rrallëherë edhe kriza të thella identitare.
Siç
tregon historia, në fillimet e Rilindjes Kombëtare, nga kryeqendra e
Perandorisë Osmane, shqiptarëve u bëhej thirrje që t’i rroknin armët dhe të
shporrnin pushtimin osman, atë pushtim që dvarte gjuhë dhe kulturë. Po ashtu,
shqiptarët e dijshëm të asaj kohe, i këshillonin bashkëkombësit e tyre, që t’i
mbanin sytë ka perëndimi dhe jo ka lindja.
Si
duket, ata kolosë të kulturës dhe të historisë shqiptare, e kuptonin Europën në
esencë; e kuptonin thelbin e saj kulturor, dhe raportin organik e ontologjik të
shqiptarëve me të.
Nga
perspektiva e sotme, kur i lexojmë shkrimet letrare e publicistike të
shkrimtarëve të Rilindës Kombëtare- dhe periudhës së pavarësisë- shkrime këto
që u bënë platformë politike- e shohim qartë se ata e kuptonin Europën, shumë
më mirë se ç’e kuptojmë ne sot. Sepse, ata e kuptonin thelbin e saj, madje,
duke mos e imagjinuar se një ditë, ajo do të bëhej edhe një organizatë
politike, siç është sot.
Siç
e dimë nga historia, pikërisht në kohën kur Europa përjetonte zhvillim të
hovshëm, në shkencë, kulturë, art dhe letërsi, dhe kur idetë iluministe ishin
ngjizur në kontinentin e kulturës, sidomos në Italinë fqinje, mbi shqiptarët ra
errësira e pushtimit osman, që ia preu rriten dhe zhvillimin normal.
Me
vdekjen heroit, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, tokat arbërore u rrokullisëm në
mjerim; nën thundrën e pushtetit të Sulltanit (një pushtet që s’ishte civil,
por religjioz). Ky pushtim i gjatë, pengoi çdo zhvillim të mundshëm kulturor,
arsimor, shkencor, dhe la plagë të rënda në identitetin kombëtar.
Kjo
periudhë, ka shkaktuar një dramë të thellë kombëtare, nga e cila, shqiptarët
ende nuk janë çliruar plotësisht. E, si rrjedhojë e këtij pushtimi të gjatë,
punët e kombit tonë, mbetën të ngatërruara. Ndaj, në shekullin XXI, ai duket
një komb llastuar, që ëndërron Europën, por që, nuk arrin të bëhet pjesë e saj.
Duhet
ta kuptojmë se Europa, nuk është vetëm konceptet gjeografik dhe politik, siç
pretendohet të vlerësohet në kontekstin tonë. Dhe, atë nuk duhet ta aspirojmë
vetëm për viza dhe të mira ekonomike, por, për ta humanizuar dhe përparuar
shoqërinë tonë të zhytur në mjerim. Sepse, Europa, më shumë se koncept politik
dhe ekonomik, është koncept kulturor. Është stil jete. Dhe, në këtë pikë,
bashkohen dijetarë e ideologë të mëdhenj të saj.
Umberto
Eco thotë se, këmbimet kulturore, kanë kontribuar më shumë se çdo gjë në
ndërtimin e asaj çfarë është sot Europa. Në këtë kontekst, ky dijetar mendon
se, Europa është i vetmi kontinent që ka përmbajtje dhe kohezion, për dallim
nga kontinentet tjera, dhe ky kohezion dhe kjo përmbajtje, ndërlidhen me
identitetin e saj kulturor.
Është
thënë shpesh se në historinë e mendimit europian, karakteristikë e përhershme
është ideja e krizës dhe aftësia e kapaciteti për kritika të brendshëm, për
dialog të arsyeshëm, për hapje dhe evolucion drejt progresit e përsosmërisë. Po
ashtu, ndjenja e kritikës është karakteristikë e Europës, nëpërmjet së cilës,
ajo është hapur ndaj ideve dhe sfidave të reja.
Pra,
ne ende nuk e kemi kuptuar se pikënisja prej ku duhet të nisemi drejt afrimit
politik me Unionin Europian, duhet të jetë kultura, si tërësi e përgjithshme e
organizmit të shtetit. Dialogu i brendshëm si domosdoshmëri për t' i qartësuar
mosmarrëveshjet tona. Kultura e dialogut si mendësi dhe stil jete. Solidariteti
dhe konsensusi për atë që është e mira e përbashkët. Kujdesi për dinjitetin e
njeriut.
Të
kujtojmë se, Robert Schuman, njëri nga themeluesit e BE- së, në librin "Në
emër të Europës", ndër të tjera shkruan: “Europa, para se të jetë aleancë
ushtarake apo entitet ekonomik, duhet të jetë bashkësi kulturore, në kuptimin
më të lartë të kësaj fjale, “Europa është një fakt politik, ekonomik, teknik,
por mbi të gjitha është një prirje e shpirtit, një ndjenjë” –shkruan Romano
Guardini.
Koha
e ka dëshmuar se nuk mjaftojnë parullat, llomotitjet dhe retorika proeuropiane,
për t’u bërë pjesë e kësaj familje. Duhet vetëdije dhe dashuri vepruese për
Europën, duke e gjykuar dhe vlerësuar atë si atdhe të vlerave tona të
përbashkëta, dhe, natyrisht, duke i forcuar raportet e përkatësisë së
përbashkët. Sepse, me te na lidhë e kaluara, arti, tradita, kultura dhe
historia. Me të kemi synime të përbashkëta.
Sivjet
është viti i kushtuar heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit. Është vit i
shenjtë për kombin shqiptar, prandaj, duhet të përsiasim dhe t’i hapim sytë. Ta
kuptojmë se, ne, nuk duhet ta sajojmë një Europë sipas dëshirave tona, një
Europë që iu përshtatet ambicieve tona. Sepse, kjo Europë është imagjinare. Është
groteske dhe mund të jetë e dobishme vetëm për ëndërrimtarë të sojit të Don
Kishotit dhe Sanço Panços së tij, që luftojnë me mullinjtë e erës, duke e
pandehur vetën si të thirrur për të çliruar njerëzimin nga të ligat dhe
padrejtësitë.
Nuk
mund ta ndërrojmë ne Europën, e më së paku ta bëjmë një Europë sipas interesave
tona. Europa është një fakt politik dhe kulturor. Me një identitet të lashtë.
Me një prirje politike që admirohet nga krejt planeti. Me një ekonomi të
fuqishme, të cilën e aspiron krejt planeti. Në thelbin e vet, ajo është një
prirje shpirti, ndaj, siç porosiste Vaclav Havel, të bëjmë atë qartësisht atdhe
të vlerave tona të përbashkëta.
Dua
ta përfundoj këtë shkrim, me një mendim të këshillueshëm dhe të vlefshëm të At
Zef Pllumit për shqiptarët e gjitha kohëve:
"Secili
shqiptar, që më të vërtetë e don atdheun, duhet t’i bajë vedit e kombit këto
pyetje 1. “Pse kemi mbetë të izoluem prej Europës?” 2. “A jemi nda na prej
Europës apo Europa na ndau ne?” 3. “A na pranojnë ne kombet europiane në gjinin
e vet me individualitetin e mentalitetin tonë armiqësor ndaj Europës?” 4. “Ç’ka
na mungon ne që të mos jemi si europianët e tjerë? Toka –jo, dielli e deti-jo.”
5. “Si mund e duem Shqipninë kur secili shqiptar mendon se vetëm ai ka të
drejtë mbi Shqipninë dhe intrigojmë e tiranizojmë njani-tjetrin?” E “Ati ynë”,
kalitur sakrificash, sigurisht e kishte një përgjigje: “shqiptarët kanë për të
ba ma shumë për atdheun, në qoftë se kanë për t’u dashtë ma tepër ndërmjet
vedit.”
9
maj 2018