Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Udhëheqësit shqiptarë përdorin hapësirën publike në funksion të propagandës
E marte, 14.05.2019, 08:33 PM
Udhëheqësit shqiptarë përdorin hapësirën publike në funksion të propagandës
Nga
Ndue Ukaj
Udhëheqësit
shqiptarë nuk janë të vërtetë e të sinqertë, as kur shahen e as kur shtiren
sikur duhen. Ata, krejt hapësirën publike, mediat dhe facebookun, i përdorin në
funksion të propagandës dhe interesave të tyre tejet të ngushta politike e
ekonomike. Në të vërtetë, punën më të mirë që ata dinë ta bëjnë është
propaganda, tipike komuniste. Ndaj, edhe i gjen kudo dhe në çdo kohë. Me
dhjetëra postimi në ditë, në të cilat tregojnë dokrra e budallaqe pafund, e të
cilat tentojnë t’i shesin si punë e vepra.
Gjithë
këtë propagandë ata e bëjnë të vetëdijshëm, meqë nuk kanë vepra dhe punë të
vërteta që shihen e mbesin. Në këtë mënyrë, ata tentojnë ta mbulojnë diellin me
shoshë. Në të kundërtën, veprat e vërteta, do të flisnin vetë, ashtu siç flasin
kudo në vendet tjera, ku ka mirëqenie, stabilitet dhe zhvillim.
Po,
udhëheqësit budallenj që kanë zbuluar facebookun, janë të shumtë dhe të njëjtit
e kanë fëlliqur krejt ligjërimin publik, duke mbjellë helm e urrejtje, me një
gjuhë të pështirë dhe ide shterpe, dhe kështu e kanë shëmtuar atmosferën e
ideve publike.
Ligjërim
i pështirë që kemi lejuar tash e sa kohë të promovohet, ka arritur dërmojnë
shpirtërisht shoqërinë shqiptare.
Udhëheqësit
shqiptarë, flasin pa kurrfarë respekti, etik publik dhe pa kurrfarë standardi
intelektual.
Fatkeqësisht,
soji i tyre, në vend që të izolohet, ka gjetur mjaft hapësira mediale ku mund
të shfrejnë si të duan e sa të duan.
Vërtet,
udhëheqësit shqiptarë, punën më të mirë që dinë ta bëjnë tash e sa kohë është
propaganda, për të cilën kujdesen jashtëzakonisht shumë dhe në të cilën fushë
investojnë shumë.
Me
siguri, sikur të kujdeseshin për temat tjera sikur për propagandë, në Shqipëri
dhe në Kosovë, nuk do të mbretëronte atmosferë e zymtë dhe e pashpresë, kurse
qindra mijëra shqiptarë, nuk do të bënin çmos për t’i braktisur vendet e tyre.
Temat
e mëdha politike, janë tema që u shërbejnë vetëm këtyre politikanëve dhe
interesave të tyre tejet të ngushta, për të siguruar ekzistencën e tyre
politike.
Politikanët
e mirë flasin për zhvillim, për çerdhe, libra, shkolla, universitete, rrugë,
infrastrukturë, kulturë, ajër të pastër, shëndetësi, estetikë urbane...