Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Ibrahim Rugovën kemi nevojë të kujtojmë përditë
E premte, 24.05.2019, 09:20 PM
Ibrahim Rugovën kemi nevojë të kujtojmë përditë
Nga
Ndue Ukaj
Ibrahim
Rugovën kemi nevojë të kujtojmë përditë, sepse trashëgimia e pasur politike dhe
idetë e kulluara kulturore që na la, janë shkollë e jashtëzakonshme kundër
amnezisë dhe injorancës. Ndërkaq, në një rrafsh tjetër, personalitetit të tij
madhor, tregon sa të vegjël janë xhuxhët e shumtë të Kosovës së sotme.
Duke
e parë përditë çfarë idesh të mjera politike mbizotërojnë në Kosovë, malli për
Ibrahim Rugovën të përvëlon. E bashkë me mallin, me siguri rriten edhe kërkesat
për ta njohur sa më mirë profilin e tij madhor.
Ibrahim
Rugovën i përtëriu raportet e shqiptarëve me perëndimit dhe Kosovën e vendosi
në hartën e vendeve të lira. Në saje të qasjes së tij të mençur, të sinqertë,
të urtë dhe orientimit të palëkundur politik, bota e përqafoi kauzën shqiptare
për liri, pavarësi dhe demokraci dhe sot jemi të pavarur.
Gjatë
viteve të rënda të 90- tave, ndonëse të robëruar dhe me një aparat shtetëror
terrorizues, shqiptarët e kishin fituar lirinë e brendshme, siç thoshte Rugova,
atë liri të shpirtit, që ishte më e fortë se ajo e ushtrisë dhe policisë serbe.
Dhe kjo ishte beteja e parë e fituar në rrugëtimin e gjatë drejt pavarësisë.
Sepse, ishte triumfi moral, dhe, siç tregon historia, triumfi moral ka
domethënie të veçantë.
Liria
e brendshme e shqiptarëve vinte si rezultat i vetëdijes kulturore dhe
identitare, dhe ishte mbështjellë me të vërtetat historike: me gjuhë dhe
kulturë. Siç mund ta shohim, pra, hallka e parë që lidhi zinxhirin e gjatë dhe
të fortë të betejës për Kosovën e lirë, qe letërsia, arti i përherëshmërive
njerëzore, që në betejat për liri dhe përparim, është i pamposhtur dhe i
pakompromis.
Në
përkim me mësimin se nuk ka politikë pa kulturë, siç shkruan Norberto Bobbio,
filozofi dhe juristi i shquar italian, elita politike e kohës kulturën e vuri
në epiqendër të organizimit politik.
Ideja
e lirisë e ngjizur si ide kulturore- si ide e mosnënshtrimit dhe e
refuzimit-kulmoi si leksion moral dhe u bë detyrë politike. Pra letërsia nuk
qëndroi vetëm duke i kënduar lirisë, por u përbirua nëpër labirintet e errëta,
duke u bërë flakadan i rezistencës aktive.
Prijësi
i programit politik të Kosovës, nga pozicioni i kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve
të Kosovës, ku, përpara se të vepronte politikisht, rezistonte me letërsi, doli
në ballë të platformës politike. Refuzimi estetik, si kategori e proklamuar në
fushën e artit, për të dhe popullin e tij, u shtri shpejt edhe në sferat tjera,
dhe u bë vetëdije e popullit të Kosovës, që luftonte për liri, demokraci dhe
pavarësi.”