Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Memoriali i turpit
E hene, 12.08.2019, 07:59 PM
Memoriali
i turpit
Nga
Ndue Ukaj
Të
ndërtosh Memorial dhe të mbrosh kauzën e Erdoganit, kjo qartësisht domethënë
t'i braktisësh vlerat perëndimore dhe t' i përqafosh ato erdoganiste.
Ndaj,
mos u përqurrni e mos kërkoni nga Europa hapje të negociatave e pranim.
Memoriali
kushtuar shehidëve të Erdoganit në Tiranë, nuk është vetëm akt i shëmtuar, por
edhe një vepër e ligë ogurzeze e nënshtrimit të shtetit shqiptar ndaj kastës
sunduese turke, e cila tash e sa kohë po lufton ashpër vlerat e lirisë dhe të
demokracisë perëndimore.
Ndryshe,
ky Memorial, përfaqëson vërtet klasën sunduese shqiptare dhe mendësinë e saj.
Kjo
përulje dhe ky nënshtrim kaq i pshtirë, me siguri do të lë njolla në
ndërgjegjen kombëtare dhe protagonistët e kësaj, do t' i vendosë në anën
negative të historisë. Por, këta zuzarët tanë, ka kohë që kanë abortuar turpin,
nderin e ndërgjegjen dhe nuk çajnë kokën për asgjë, përveç për pushtetin e
tyre.
Në
anën tjetër, me këtë akt, Tirana po tregon para botës së lirë se ç’ mentalitet
mercenar përfaqëson dhe po ashtu po dëfton se ajo nuk është e zonja të bëjë
monumente e vepra të mirë për të nderuar vetveten dhe për të përmirësuar
fotografinë e zymtë e me plot njolla që ka.
Ky
akt i turpshëm, më kujton atë që thoshte dikur Eqrem Bej Vlora, në një artikull
të botuar më 1930:
“Sundimtarët
shqiptarë janë kusarë të mirë”.
Në
të vërtetë, ky soj sundimtarësh, duke mos i hequr “zinxhirët e robërisë së
mendjes”- siç thoshte Konica - është shkëputur nga realiteti në të cilin e kanë
katandisë popullin dhe kërkon aleanca me sojin e ngashëm politik, jo në dobi të
zhvillimit dhe përparimit të popullit, por në dobi të zgjatimit të pushtetit të
tyre personalë.
Duke
nderur të tjerët dhe duke përçmuar pafund vetveten, në sytë e botës, jemi bërë
komb qesharak.
Dihet,
askush nuk e vlerëson një komb kaq shumë të përulur dhe kaq të nënshtruar para
ish pushtuesve dhe atyre që shtypin të drejtat dhe liritë e njeriut.
Dihet,
askush nuk e vlerëson një komb që ushqen dashuri dhe respekt për të tjerët dhe
e përbuz vetveten e historinë e vet.
Mbase,
dikush, këtyre zuzarëve edhe mund t'ju rrah krahët, por sapo t'ju kthejë
shpinën, tallen me sjelljet tyre idiote, sepse, secili njeri me pak arsye e di
se nuk mund ta duash e nderosh tjetrin, pa e dashur dhe nderuar vetveten.
Memoriali
i turpit në Tiranë tregon se brenda kombit shqiptar, ende ka trushpëlarë që
besojnë në aziatizmin e tokave shqiptare.
Atyre
që u është ndalë ora e historisë qëmoti dhe vazhdojnë të përpëliten në anën
negative të saj, duke gërvallur "duam babën." E është pikërisht ky
mentalitet mercenar e primitiv që ka penguar tash e sa kohë emancipimin
kombëtar.
Në
këto dekada të lirisë, jemi mësuar t' i duam të tjerët, pa u mësuar njëherë ta
duam vetveten, jemi mësuar t'i duartrokasim të tjerët, pa duartrokitur për
vetveten. Prandaj, festojmë e ngazëllehemi për fitoret e të tjerëve, dhe
përbuzim e poshtërojmë pafundësisht vetveten dhe historinë tonë.
Para
më shumë se një viti kam shkruar: Unë besoj se askush nuk ka nevojë për
dashurinë tonë, më shumë se toka jonë, njerëzit tanë, e kaluara dhe e ardhmja
jonë.
Dhe,
nëse vërtet duhet të zgjedhim Turqinë, së paku të zgjedhim Turqinë e Pamukut
dhe të qindra e mijëra njerëzve të ditur të artit dhe të kulturës, që
përndjekën dhe nuk pajtohen me qeverisjen totalitare të Erdoganit.