Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Zihemi si gjelat për vlerat e luftës
E hene, 15.07.2019, 08:19 PM
Zihemi si gjelat për vlerat e luftës
Nga
Ndue Ukaj
Duke
mos ditur ose duke mos dashur të flasim për vlerat e lirisë, tash e njëzet vite
flasim e zihemi si gjelat për vlerat e luftës. Dhe kemi “harruar” se lufta
bëhet për të fituar lirinë, që është thelbi i ekzistencës njerëzore dhe vlerë
sublime për të cilën luftohet.
Duke
e orientuar debatin drejt vlerave të luftës, kemi “harruar” të flasim për
vlerat e jashtëzakonshme dhe frytdhënëse të lirisë, vlera këto që të japin krah
për t’u zhvilluar dhe emancipuar si kombet e përparuara.
Duke
orientuar debatin kah vlerat e luftës, ne nuk kemi ndikuar dhe ndihmuar për ta
kuptuar të kaluarën, por e kemi ndihmuar hegjemoninë e politike dhe diskursin e
mjerë politik, që te lufta ka gjetë lopën patriotike për ta mjelë dhe për të
udhëheqë në emër të saj.
Për
fatin e keq të qytetarëve të Kosovës, kjo lopë patriotike ende nuk është
shterp, sepse, në momentin që do të mbetet shterp, atëherë do të fillojë një
epokë e re, ku politika do të përkthehet me terma zhvillimorë dhe atmosfera
publike do të dominohet nga vlerat e lirisë, që janë përparimi, dija, paqja dhe
mirëqenia.
Përsa
kohë nuk flasim për vlerat e lirisë, do të jemi peng të luftës dhe narracionit
rreth saj.
Vetëm
atëherë kur t’i kuptojmë vlerat e lirisë, vlerat e luftës do t’i kemi të qarta
dhe nuk do të zihemi përditë si gjelat.